“Bashkimi“ i Usterit në një panair bashkoi krijues e botues nga mërgata e trojet shqiptare

Për shumë dashamirë të librit panairi i sotëm i librit “Diaspora 2019”, do të mbahet gjatë në mend, si për organizim të mirë, ashtu edhe për një pjesëmarrje tejet masive të krijuesve e shtëpive botuese, qoftë nga Zvicra, Gjermania apo edhe Shqipëria

Teksti dhe fotot Rexhep Rifati

Uster, 15 Shtator. Pas një përgatitje disa mujore sot Shoqata “Bashkimi” nga Usteri, që ka mbi 25 vjet veprimtari tejet të frytshme, doli sot edhe me një panair libri me emërtimin “Diaspora 2019”, një ngjarje libri kjo që meriton një vlerësim më se pozitiv, kur kihet parasysh se veprimtaria e deritashme kishte një karakter pak sa ndryshe, të ngjashëm me shumë simotra të ngjashme në Zvicër.

Ndaj edhe njoftimi për një panair të këtij karakteri pat nxit në fillim një skepticizëm tek ata që nuk e kanë njohur punën e një kryesie përplot zell e kolegjialitet çfarë zhvillon prej vitesh shoqata “Bashkim” në krye me Guximtar Alushin , një mërgimtar energjik me prejardhje nga Struga, i cili ka një kryesi me përfaqësim të shqiptarëve nga troje të ndryshme etnike. Bashkë me këtë shoqatë u bashkua edhe shkolla shqipe në këtë qytet me nxënësit e saj  me mësuesin e palodhshëm Vaxhid Sejdiu, duke pas krah të djathtë edhe romancierin Muharrem Blakaj.

Vetë salla ku u mbajt panairi ishte vesh me një petk festiv, ndërsa grupi i valltarëve me kostume kombëtare me një fjalë i gjithë panairi i përngjante një feste të vërtetë.

Si fjala përshëndetëse e kryetarit të Shoqatës „Bashkimi“,  Guximtar Alushi i falënderoj për pjesëmarrje të gjithë të pranishmit ashtu edhe përshëndetja e znj. Mimoza Hysa, drejtoreshë e  Qendrës së Botimeve për Diasporën apo edhe përshëndetjet e përfaqësuesve diplomatik e konsullor, z. Islam Spahiu, në emër të Ambasada e Kosovës në Bernë dhe të zonj. Shukrije Ramadani në emër të Konsullatës së Kosovës në Cyrih me fjalë miradije iu drejtuan organizatorëve për qëllimin sa kulturor, aq edhe fisnik e kombëtar.

Ndërsa, një pikë reference në këtë ngjarje libri ishte sidomos studiuesja  prof. Dr. Elena Kocaqit, e cila pos përshëndetjes pati edhe një bashkëbisedim publik që e udhëhoqi shkrimtari Muharrem Blakaj. Më pasta pati edhe një konkurs letrar për nxënësit e shkollave shqipe, organizuar dhe prezantuar nga mësuesi i shkollës shqipe të mësimit plotësues Vaxhid Sejdiu.  Pati edhe gjithashtu edhe një takim të  përfaqësuesve të QBD-së me nxënësit, mësuesit e shkollave shqipe, drejtuar nga Mimoza Hysa. Por edhe edhe prezantime librash nga Besnik Camaj – prof. i informatikës grafike, si dhe përfaqësuesi i Shtëpisë Botuese “Fan Noli” nga Shqipëria, pastaj Shtëpisë Botuese “Mëmëdheu”, nga St. Galleni i Zvicrës , ku Bardhyl Mahmuti, foli në temën: “Kurthet  terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Në mesin e referuesve me tema të ndryshme ishin edhe Lirim Begzati – Libri “Zvicra dhe ligjet e saj”, Tunë Nokaj – Rheinfelden (Libri – Besa Poezi); Flora Balaj – Libri “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë; Bejtullah Tahiri – Nga grupi revolucionar te fronti i Republikës e të tjerë.

Organizatori në fund, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit se vitin tjetër do të ketë një panair edhe më të kompletuar me një përfaqësim edhe ma të madh. Sidoqoftë do vlerësuar me notë të lart organizimi i këtij panairi nga grupi punues në përbërje: Guximtar Alushi, Dr. Vaxhid Sejdiu,  Muharrem Blakaj Bekim Bajraktari, Agron Idrizi, por edhe të gjithë stafit ndihmës , sepse fjala është për një qytet mesatar të kantonit të Cyrihut.

Gjithë këtë manifestim libri e përcolli dhe xhiroi edhe një ekip i RTSH në krye me “Mjeshtrin e Madh”, regjisorin Llesh Nikolla.