Ese…
BARDHOSH GËRVALLA
(25 shkurt 1951 – 17 janar 1982)
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Bardhosh Gërvalla është njëra ndër figurat e shquara të lëvizjes patriotike dhe revolucionare të Kosovës, organizator i dalluar, shembull i lartë vetëmohimi. Lindi më 23 shkurt të vitit 1951 në Dubvik të Deçanit. Këtë emër e trashëgoi nga babai i tij Bardhosh Dina i njohur si kaçak me nam të madh, i cili vdiq në shkurt po të atij viti, vetëm një javë para se t’i lindte djali i tretë, Bardhoshi. Vdekja e Bardhosh Din Gërvallës e rëndoi shumë gjendjen ekonomike të familjes Gërvalla.
Nga dëshira për t’i rritur Kosovës shkollarë, edukatorë e atdhetarë nëna Ajshe shtrëngohet të marrë rrugën e hidhur të kurbetit, ku rruga e shpie në Jesenice të Sllovenisë. Ky kurbetim i nënës Ajshe në atë kohë ishte një akt tepër i rëndë dhe i panjohur për gruan kosovare. Bardhosh Gërvalla qysh në rini shijon jetën e pelimtë të kurbetit.
Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Slloveni. Pastaj regjistrohet student me korrespodencë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, dega e gjuhës dhe letërsisë angleze. Ishte njohës i mirë i sllovenishtes, anglishtes, gjermanishtes dhe serbokroatishtes. Thuaja gjithë jetën e kaloi në mërgim me kujtimin e vendlindjes, me mallin e më të dashurve, me dashurin e zjarrtë për Kosovën. Besniku i Kosovës, siç e quanin shokët e tij, u bë krahu i fortë i familjes, i vëllait dhe mërgimtarëve.
Në Gjermani gjendet afër kurbetçarëve tanë: i mbron, i udhëzon dhe i këshillon ata me fjalë vëllai. Të gjithë i donte të bashkuar, të afërt me njëri-tjetrin, të dashur dhe të sjellshëm, që rezistonin jashtë, që të luftonin brenda, kundër të gjitha padrejtësive që u bëheshin atyre dhe popullit.
Bardhoshi i qëndroi gjithmonë pranë të vëllait, Jusufit, duke e ndihmuar atë dhe duke koordinuar bashkërisht veprimtarinë. Ai i ka shërbyer Jusufit si përkthyes në kontaktet dhe bisedat që ka pasur me zyrtarët gjermanë, njëkohësisht përkthente traktet, parullat dhe letrat në gjuhën gjermane. Dha kontributin e tij të pakontestueshëm material dhe profesional për nxjerrjen e organeve <Lajmëtari i Lirisë> dhe <Zëri i Kosovës> numrat 1 dhe 2. Ishte anëtar dhe njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ-së), ku luan rol të rëndësishëm koordinues. Përfaqësoi këtë organizatë në tetor të vitit 1981 në Stamboll për bisedimet që u bënë në mes Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), dhe Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK). Si organizator i rrallë i mobilizon mërgimtarët tanë në demonstrata dhe manifestime të ndryshme politike.
Bardhoshin, pos tjerash, e njohim edhe si kompozitor e këngëtar, zë i bardhë në tela të kitarës, të shpirtit, të ndjenjave dhe të mendimit, nuri i të cilit të ndriste gjithmonë nga ajo bardhësi, posi ujërat e kulluara të Drinit të Bardhë që dalin të kthjelltë si bilur nga Bjeshkët e Rugovës, që rrjedhin në vija të zbuluara në tërë rrafshin e Dukagjinit. Edhe Bardhosh Gërvalla doli nga gjiri i Kosovës Loke, piu qumështin e bardhë të nënës Ajshe, fluturoi mbi retë e bardha si pëllumb pushbardhë me plot mbarësi e lumturi. Ishte njeri që pati zemër e shpirt të bardhë!
Bardhoshi syshqiponjë rrinte gjithmonë gazmor. Fytyra e tij buzëqeshte, dukej si trëndafili i bardhë pranë dritares në kopshtin e vogël në Dubovik. Kishte fjalët e ëmbla e shëruese që rrallë kujt natyra ia dhuron.
Ky flamur i lëvizjes sonë, ky zog shtegtar i tokës së bardhë arbërore, në një natë të errët pis nga tradhtia, u vra në pusi nga një dorë e zezë e armikut shekullor më 17 janar 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë.
Kalimi i viteve kurrë nuk do të mund ta zbeh kujtimin e veprës së Bardhosh Gërvallës, gojëmblit e zemërzjarrtit, mbrojtësit të palodhshëm dhe të patrembshëm të interesave të punëtorëve tanë në botën e jashtme, heroit të nderuar të Kosovës.
St. Gallen, 18 janar 1992.
(Ky ese, i shkruar në vitin 1992, publikohet për të parën herë në shenjë falënderimi për Donika Gërvalla-Schwarz, që na nderoi me prezencën e saj në Manifestimin që u mbajt në qytetin St. Gallen – Zvicër, më 23.02.2014.
Autori!)