At Antonio Bellusci, gëzuar ditëlindjen edhe për mbrojtjen e Kosovës në Departamentin Amerikan  

 

 Sot në ditëlindjen Tënde të 86- të, nuk kemi si mos të nderojmë vëlla, Antonio Belushi, Ty që për ne shqiptarët kudo që jemi, je një pikë referimi e pelegrinazhi me  Bibliotekën Arbëreshe “A. Bellusci”, ndërsa që ne shqiptarët e Kosovës të jemi borxh, që Ti nga pozita e një misionari, politologu, intelektuali e atdhetari në Departamentin amerikan u vure në mbrojtje të Kosovës, duke u  ballafaqua me klerikë serbë, që i denonconin shqiptarët si dhunues e vrastarë. 

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Vjet për të satën herë, më 4 Mars 2019 u gjenda sërish në katunin e vjetër arbëresh,  Frasnitë të Kalabrisë, në shtëpinë- bibliotekë, të personalitetit të shquar arbëresh,  Atë Antonio Bellusci, gazetar–shkrimtar-pedagog dhe etnolog dhe mbi të gjitha, një misionar dhe atdhetar i devotshëm, që si edhe më parë me motrën e tij Rinën na priti me këngë te pragu i derës, ndaj edhe me këtë rast bashkë me ekipin e portalit tonë “prointegra.ch” i urojmë 86 vjetorin me shëndet të mirë dhe vullnet e vitalitet për punë të mëtejme krijuese.  Me këtë rast po jap momente nga pritja e fundit që kisha me bashkëshoqërues nga Zvicra në shtëpinë stërgjyshore të At Antonios,  të shndërruar në një bibliotekë unike me një kapital prej më se 6 mijë ekzemplarësh të rrallë, por edhe në një odë mikpritjeje tradicionale ku miku nderohet me përqafime, lot e këngë arbëreshe, që përherë të krijojnë emocione e nostalgji.

Kësaj radhe kur në paraditen e 4 Marsit 2019 shkelëm me disa mërgimtarë katundin Frasnitë nuk e hasëm gjallërinë e zakonshme në rrugë. Por si përherë gjetëm mikpritjen e  ngrohtë e të papërsëritshme në shtëpinë- bibliotekë të vëllait tonë të shquar arbëresh Antonio Bellusci (Belushi). Ai u gëzua por edhe u befasua deri në derdhjen e lotëve ngase shkuam pa paralajmërim. Kjo nuk është hera e parë që bashkë me të motrën Rinën na pret me një përzemërsi të përcjellë me këngë të vjetra arbëreshe

Figurë e shquar arbëreshe e shekullit 21

Të shkosh në Kalabri e të mos e vizitosh këtë figurë të shquar arbëreshe të shekullit 21 është sikur të mos kesh ambicie për të pa thesarin më të çmueshëm shqiptar- Bibliotekën madhështore A. Bellusci, që ruan një nga vlerat më të veçanta të kulturës sonë ndër shekuj, jo vetëm të botës arbëreshe, por edhe asaj shqiptare përgjithësisht.

Kësaj radhe nga vizita me shoqëruesit Gjergj Prenkoçaj, Bajrush Zeka dhe Ilir Xheladini do Veçuar se aty gjetëm vetëm vëlla e motër Bellusci që tashmë kanë kaluar të 80-tatë por që ende janë vital, e sidomos kur derës së tyre ia mësynë vizitorë nga gjitha anët e botës, e sidomos shqiptarë nga trojet etnike e mërgata.

Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” – një thesar i vërtetë

Do theksuar se Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” në Frasnitë të Kalabrisë themeluar nga vetë Belushi, paraqet një thesar për mbarë kulturën shqiptare. Aty gjenden mbi 6 mijë libra, vepra të rralla të autorëve tanë e të huaj, me tematikë të zgjeruar nga kultura, gjuha dhe tradita shqiptare. Këtë pasuri me vlerë kapitale e ka tubuar ai ndër vite,.

Biblioteka prej vitesh është kthyer në një vatër të vërtetë diturie e kulture, jo vetëm për botën shkencore shqiptare. Pra,  Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci” është bërë edhe një lloj pelegrinazhi për shqiptarë nga anë të ndryshme të botës, ndërsa autori i saj, një politolog dhe një atdhetar që u vu në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës edhe në Departamentin amerikan, ku iu desh të ballafaqohej edhe me klerikë serbë, që i denonconin shqiptarët si dhunues e vrastarë.

Krenari që bota shqiptare ka një kolos të tillë

Kur kësaj ia shtojmë edhe mikpritjen shembullore të At Antonios, i cili që bashkë motrën tij Rina , na pret e përcjell sa herë që e vizitojmë jo vetëm me këngë por edhe me lot gëzimi e mallëngjimi, emocionet edhe ne adhuruesve të tij na bëjnë të ndihemi krenar që bota shqiptare ka një studiues të kalibrit të tillë të lartë.

Derisa vizitojmë bibliotekën Belushi shpalos libra në gjuhë dhe fushash të ndershme studimore e sidomos ato në shqip, Fakti është se në raftet e rregulluar me shumë kujdes ka mbi 6 mijë libra dhe disa qindra revista e gazeta të sistemuara flet vetvetiu se ç ‘thesar ka arrit të tubojë të ruaj por edhe studio Belushi.

Frasnita në rrugë e në këngë e valle frymon shqip

Përndryshe sa i përket katundit Frasnitë ( sepse në Kalabri fjala «fshat» nënkupton më shumë një lagje), që i përket dioqezës së Ungrës në Provincën e Kozencës, ka mbi 2500 banorë dhe disa objekte kulture, nga të cilat shquhet biblioteka dhe muzeu i kukullave. Në të ruhen modelet e veshjes së lasht arbëreshe. Edhe në Frasnitë, busti  i Skënderbeut dhe shqiponja janë të skalitura edhe në zemër, edhe në monumente. Një trevë kjo e autoktonisë së gjakut tonë të shprishur, siç thuhet këtu, e që ende sot e kësaj dite dëshmon praninë arbërore këtu e gati gjashtë shekuj më parë, të zhvilluar e kultivuar ndër shekuj edhe përmes gjuhës edhe traditës.  Ndaj edhe këtë trashëgimi shekullore, Antonio Bellusci vetëm se e ka ngrit edhe më në piedestal me veprën e tij jetësore të regjistruar edhe në librat e shkruara e botuara nga dora e tij.  Edhe emërtimet, toponimet e rrugëve kudo në dy gjuhë: italisht e shqip.

Një paralele midis arbëreshëve dhe arvanitasve

At Antonio në një intervistë thotë se: “ Ne arbëreshët në Itali dhe arnërpret-arvanitasit në Greqi, që ka shekulli XV deri sot, jetojmë si kulturë gojore, dmth pa mësimin zyrtar e gjuhës amtare shqipe. Kushtetuta italiane rinjeh mbrojtjen e pakicave historike linguistike dhe në vitin 1999 shteti italian bëri një ligj ku mësimi i arbërishtes  në katundet arbëreshë është fakultativ jo i detyrueshëm. Dhe kështu s’u bë asgjë, dhe jemi me dy këmbë te varri.

Kushtetuta greke njeh dhe mbron vetëm pakicën turke. Arbëreshët dhe arbëroret janë një popull i shpërndarë nga Mëmëdheu, që jeton ditë për ditë identitetin e tij etnik shqiptar vetëm me zemër dhe me veprimtari duke përdorur gjuhën arbëreshe gojore, pa shkuar në shkollë për mësimin e alfabetit shqiptar.

Kështu ndodhet ka më shimë se 500 vjet. Një fenomen shumë i rrallë! Ata pak ndër nesh që dimi të kuptomi dhe të shkruami në gjuhën letrare shqipe kemi shkuar çdo vit në Universitetin e Prishtinës në Seminarin për të huaj. Edhe unë shkova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976 në vitet të tjera. Kjo do t ‘thotë se kultura arbëreshe vdes ditë për ditë, dhe nuk mund të trashëgohet mirë si më përpara.

Mbi të gjitha dashuria e madhe për gjuhën arbëreshe

Më tej Antonio që sot ka mbush të 86-tatë potencon se: “Dashuria e madhe për gjuhen arbëreshe dhe për zakonet dhe vlerat tona shpirtërore dhe kulturore, që në vitin 1958 me përkrahjen  e prof. Ernest Koliqit, më  futi në kulturën materiale dhe gojore dhe në kërkesat në terren të kulturës analfabete arbëreshe në Itali dhe arbërore-arvanite në Elladhë (Greqi), duke intervistuar vetëm   arbërisht  gra e burra pleq, punëtorë, bujk, çobanë mbi punën e jetën e tyre të përditshme, duke  regjistruar të gjitha në manjetofon: Materialin e kam studiuar, sistemuar, shkoqitur dhe  botuar në revistën “Shejzat”, në “Studime Filologjike”, në “Zgjimi”, dhe pastaj në libra, veçanërisht puna në vek, puna blegtorale, zakonet mbi vdekjet.

Njerëzit shkojnë dhe vdesin por kultura e çmuar  e tyre qëndroi kështu e kodifikuar, dhe qëndron e pavdekshme si trashëgim në brezat e ri arbëresh. Kjo punë më mbajti gjithmonë  lidhur me popullin dhe me kulturën e tij në shumë troje dhe situata të ndryshme”.

Do shtuar se asnjë nga epitetet nuk do të mjaftonin të thuhet se cili vërtetë është personaliteti i Belushit, por ajo që mund të themi dëshirojmë që ai të ketë shëndetin dhe vullnetin edhe për vepra të tjera kapitale në të mirë të kombit e kulturës shqiptare.

( Të gjitha fotot janë origjinale , që kam shkrep në shtëpinë- bibliotekë të Anatonio Belushit)