Artistët e vegjël nga Kërçova freskojnë mërgatën me ngjyrim autokton

Ditëve në vijim portali ynë prointegra, do ti kthehet mërgatës sonë në Zvicër: shoqatave, grupeve dhe ansambleve artistike. Në mungesë të manifestimeve shkaku i pandemisë, do të shfletoj arkivin e aktiviteteve, aq më parë që do tu japim hapësirë grupeve të më të vegjëlve, për të parë se sa janë rrit e ndryshuar, me shpresën se edhe më tej lozin e ushtrojnë, që nesër ti kemi sërish në skenë.- Kësaj radhe ca fjalë e foto për Shoqatën “Kërçova”, që kultivon një program me ngjyrim autokton, si në veshje, këngë, valle e interpretim.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Pa dyshim se njëra ndër shoqatat më masive të mërgimtarëve tanë në Zvicër është Shoqata Kulturore ‘’Kërçova’’ Zvicër, shoqatë kjo që rrallë mund ti gjesh një simotër që mund të sjellë aq shumë mërgimtar brenda një dite dhe një salle, madje qoftë ajo edhe “Rinora 4”.

Por kësaj radhe nuk do të ndalem te shoqata por te grupi artistik i saj, i përbërë kryesisht nga valltarë, këngëtar dhe instrumentistë të vegjël që me shumë besnikëri përpiqen ta bartin vallen dhe traditat e vendlindjes këtu në shtetin helvetik, ku shumica nga ta janë rritura po kanë lindur në këtë mjedis. Po të shikosh veshjen e lojën e tyre,  ke si të mos mahnitesh, shumë autentike dhe karakteristike.
Kështu i pash artistët e vegjël në dy manifestime të mëdha, ndaj edhe përmes fotove që shkrepa po ua përcjelli më datën 10 nëntor 2013 në lokalet e diskotekës së mirënjohur “Rinora 4” në Rümlan të Cyrihut dhe më 6 Nëntor 2016 në Hägendorf të kantonit të Soloturnit.

Përndryshe, Shoqata Kulturore “Kërçova” në Zvicër, në kuadër të së cilës është edhe grupi artistik, padyshim paraqet njërën ndër shoqatat më masive shqiptare në shtetin helvetik. Kjo shoqatë nuk shquhet vetëm për nga numri, por edhe me organizimet e mira tradicionale, ku marrin pjesë mijëra kërçovarë. Disa prej tyre vijnë edhe nga shtetet evropiane dhe Amerika. Zakonisht, marrin pjesë edhe autoritet e komunës, në krye me Fatmir Deharin, por edhe artistë nga vendlindja, ndërkaq edhe programet kanë kryesisht një ngjyrim autokton, si në veshje, këngë, valle e interpretim. Si rrallë ndonjë shoqëri në mërgatë, “Kërçova” në Zvicër, paraqet një trashëgimtare të denjë të gjuhës dhe traditës sonë kombëtare, të një ambienti, siç është Uskana.