Arkeologu Christian Zindel për herë të dytë para studentëve shqiptarë të Cyrihut

Ish-profesori i arkeologjisë në ETH Zürich, shquhet, si me gjurmime arkeologjike, ashtu edhe me popullarizimin e trojeve shqiptare përmes ekspeditave në Shqipëri, por edhe si mysafir i shpeshtë i studentëve shqiptarë në Universitetin e Cyrihut

Rexhep Rifati

Dr. Christian Zindel është i pranishëm edhe në manifestime kulturore e shkencore të bashkatdhetarëve tanë, e sidomos në mesin e studentëve shqiptarë. Për dy herë radhazi në mjediset e Universitetit të Cyrihut, patëm rastin ti përcjellim ligjëratat e z. Zindel para studentëve shqiptarë. Herën e fundit ai më 10 tetor 2013 mbajti edhe ligjëratën e tij të dytë (në baza vullnetare) për udhëtimet e tij arkeologjike në Shqipëri, madje jo vetëm në pikat e njohura arkeologjike, por edhe në pjesët e veriut të alpeve shqiptare. Pos studentëve të rregullt këtë ligjëratë e përcollën edhe ekspert shqiptarë nga fushat e ndryshme që më parë kanë diplomuar apo edhe doktoruar në Universitetin e Cyrihut ose në ETH.

Gjatë kësaj ligjërate ai përkujtoi se, Shqipërinë për herë të parë e kishte vizituar në vitin1988, kur edhe ishte miqësuar me disa kolegë në Shkodër e Tiranë dhe kur ishte përpjekur për t’i ndihmuar në gërmimet arkeologjike, në kuadër të një ekspedite arkeologjike. Më pastaj profesori Zindel vazhdon me ekspedita arkeologjike bashkë me arkeologët shqiptarë. Kurorëzim i gjithë këtij bashkëpunimi, së voni, ishte projekti i gërmimeve arkeologjike në Orikum të Vlorës, në bashkëpunim me Universitetin e Gjenevës.

Përmes fotografive prezantoi disa nga vend-gërmimet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, me ç’rast dha edhe shpjegimet për vjetërsinë dhe rëndësinë e tyre. Duke folur për fazat e zhvillimit të arkeologjisë në Shqipëri, nënvizoi se edhe ai vetë beson se shqiptarët kanë origjinë ilire, porse në shkencë kjo gjë nuk mund të merret si punë e kryer, definitive, sidomos nëse mungojnë dokumentet që do ta dëshmonin këtë në mënyrë të prerë e të qartë. Përmes fotove që ka bërë në vendin e ngjarjes, ofroi edhe foto e ilustrime për mikpritjen shqiptare që i janë bërë atij në zona të ndryshme, e sidomos në ato malore.

Ai potencon se: “Në saje të arkeologjisë unë për herë të parë kam vizituar Shqipërinë në vitin1988, kur shumë shpejt jam miqësuar me kolegë shqiptarë në Shkodër dhe në Tiranë, të cilët jam përpjekur t`i ndihmoj në gërmimet arkeologjike. Pastaj kam pasur shumë vizita të lidhura me ekspedita arkeologjike të realizuara bashkë me arkeologët shqiptarë. Kurorëzim i gjithë këtij bashkëpunimi ishte fillimi i projektit të gërmimeve arkeologjike në Orikum të Vlorës në bashkëpunim edhe me Universitetin e Gjenevës.“

Pos ekspeditave studimore dhe popullarizimit të turizmit në Shqipëri ai, në faqen e tij elektronike ( http://www.albanien.ch/zindel ), flet edhe për të kaluarën e Kosovës, bukuritë natyrore dhe pozitën gjeografike, duke e përshkuar si vend tërheqës edhe për turistët e huaj. Është edhe anëtar i disa shoqatave dhe instituteve shqiptaro- zvicerane.

Dr. Christian Zindel, bashkë me autoren Barbara Hausammann, ka botuar edhe studime e publikime të ndryshme për Shqipërinë, ndër të cilat edhe guidën për ecje malore në Shqipërinë e veriut “Thethi dhe Kelmendi”.

Ai do shikuar, jo vetëm si hulumtues shkencor i nëntokës, por edhe popullarizues i mbitokës shqiptare