Aristidh Kollja, lider i guximshëm arbëror, që me shpirt u vu në krah të Kosovës

Pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë më  29 Qershor 2024 u mbajt ceremonia përkujtimore e 80 vjetorit të ditëlindjes së Kolosit të Arbërorëve të Greqisë Aristidh Kola\ Kollja. Me këtë rast Qendra Albanologjike A. Bellusci mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, si dhe LSHKM, prezantoheshin në këtë ngjarje nëpërmjet përfaqësueses së tyre Ornela Radovicka .

Në vijim materiali i përgatitur me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Aristidh Kollja.
Të nderuar miq të të Madhit Aristidh Kollja . Nuk mohoj që jam shumë e emocionuar që ndodhem sot midis jush pak javës të humbjes së kolosit të Arbërisë, vëllait shpirtëror të Kolljas, At Antonio Bellusci, të cilët përfaqësonin dy flatrat e atij engjëlli që ishin kudo, kurdo herë, për çështjen e kombit. At punuan me vetëmohim e sakrifica për të mbajtur gjallë identitetin, çështjen e Arbërisë, dhe të Arbërorëve të Greqisë. Për të dy këta gjigand të Arbërisë do të ketë vetëm ditëlindje.
Në këto pak rreshta dua të përqendrohem në miqësinë midis At Belluscit dhe Vëllait të tij Aristidh Kollja.

Si u njoh, Aristidh Kollja me At Belluscin?
Për herë të parë At Bellusci nisetnë Greqi në vitin 1962 dhe qëndron vetëm për pak kohë, por sa shkeli atë territor ndjeu që ai tokë i përkiste, ata vëllezër flisnin të njëjtën gjuhë dhe kishin të njëjtat zakone.

Fillimet ishin me mitropolitët, por të paktë ishin ata që i dhanë një dorë, më të shumtët i kthyen krahët dhe At Bellusci kërkoi të lidhej me intelektualët.

Të parin arbëror që njohu ishte Jorgo Maruga. Një inxhinier i zoti por edhe një studiues i arbërorëve të Greqisë. Kur e takoj për herë të parë unë- thotë At Bellusci kisha themeluar revistën “Vatra Jonë” 1966 dhe zgjati deri në vitin 1971. Ishte në tre gjuhë italisht, anglisht dhe shqip. Flas me Marugën nëse ishte e mundur që ai të hapte një revistë dhe të flisnin për botën arbërore.

Ishte mars 1976, kur Jorgo Maruga themelon revistën e parë për arbërorët e Greqisë dhe e quajti “ Dialogoi” ku trajtoheshin argumente historike, gjuhësore, etnografike e letrare te arvanitasve.

Ishin fillimet e viteve 1980- rrëfen At Bellusci dhe isha në Athinë, kisha ndaluar në një librari sepse sa herë që largohesh blija libra për bibliotekën time që e kisha themeluar rreth viteve 1960. Si njeri kurjoz futem në bisedë me librashitësin dhe midis të tjerave më thotë se në Athinë është një Jurist i zoti por që merret edhe me studime mbi botën arbërore. Ai quhet Aristidh Kollja dhe librashitësi arvanitas i kishte dhënë nr e shtëpisë.

Kush ishte Aristidh Kollja për At Belluscin?
Aristidh Kollja, për At Blleushin ishte kapacitetet i kalibrit më të lart intelektual, një nga figurat më ekselent të botës arbërore, një njeri gjenial në shpirt, i guximshëm, patriot, arvanitas që preku argumentet e botës pellazgjike, u interesua për botën arbëreshe, dhe u bë mbrojtës i denjë i çështjes së Kosovës. Historia, gjuha, folklori, arbërore ishin ajo diafragmë që i jepnin jetë dhe përkushtim këtij arbërori, por që nuk u vlerësua nga institucionet e larta për kontributin të çmueshëm që ai dha botës arbërore.
Ja se shprehet At Bellusci në kujtimet e tij:

“Kur e takova për herë të parë Aristidhin, më tërhoqi vëmendjen kultura e lartë e këtij arbërori, stili i të shkruarit, aftësia që ai paraqiste në shtrimin e problemeve historike shqiptare, por mbi të gjitha dashamirësia që shprehte për shqiptarët.

Jam një pellazgo-ilir thoshte gjithë krenari dhe vështrimi i tij merrte një madhështi kozmike sa herë që e thoshte. Kur bisedonte më afrohej me një mënyre vëllazërore me ato gjestet e tij sa fisnik po aq edhe bir terreni, e nuk linte rast pa më thënë: Vëlla Ndon ne duhet të nxjerrim në pah, autoktoninë tonë!

Që nga ai moment që u pamë nuk u ndamë kurrë, u lidhëm më shumë me njëri tjetrin dhe nisëm projektet në të mirë të Arbërisë.

At Bellusci e Aristidh Kolla mbajtën edhe një lidhje epistolare .

Në një letër në 1983 ai i shkruante: Vëlla Ndoni- unë lexova Kosta Rodi me titull «Arvanitët zgjohen», 1978. Grumbullova të gjithë bibliografinë arvanitase, por nuk u mjaftova tek kjo. Fillova studimet, kuptova se duhej t ‘bëja një vështrim të tërë historisë greke që të kuptoja problemet e arvanitasve dhe sa munda, i përmblodha dhe duke dhënë edhe mendimet e mia krijova librin «Arvanitasit dhe origjina e grekeve», që u botua me 1983.

Ishte i lumturuar për këtë libër dhe kjo gjë më bënte optimist për ri-zgjimin e ndërgjegjes arbërore në Greqi- shprehet At Bellusci-

Kur kthehem në verë, takoj Aristidhin dhe e pyes: Si po shkon vepra?

– Vëlla Ndon, po shkon disi mirë.

Ma ke pagëzuar si duket. Tani Arvanitasit nuk do mbajnë pranë biblën po Librin e Kolljas- mu përgjigj ai me atë humorin e tij.

Nuk do ishte keq i thosha Unë- se sot për sot arvanitasit kanë më tepër nevojë për zgjimin kombëtar se sa për biblën.

Biblën e priftit e kanë në çdo neuron.

– O Vëlla Ndoni ç-po më tha? Ti nuk je nga ata priftërinj që gjunjëzohen në çdo moment dhe sytë e duart i mbajnë nga qielli.

E thënë nga një prift si ju ka vlerë 10 fish kjo gjë.

Qeshëm të dy. Shpesh në atë buzëqeshjen e tij shikoja mirësinë ku bashkohej ajo dozë e melankolisë.

Një ditë më arrin një letër. E cila më entuziazmoi shumë- thotë AT Bellusci në kujtimet e tij. Ja se çfarë thuhet në të:

“Vëlla Ndon, nuk ka më të bukur se gluha shqipe. Në gjimnaz, fillova të dalloja ngjashmërinë e disa fjalëve me gjuhën e Homerit dhe latinishten, por nuk kisha kuptuar akoma lidhjen e thellë të saj me këto gjuhë, sepse shkolla shqipe nuk kishim, kisha mësuar shqip prej familjes e brenda meje kisha gjakun arbëror. E ndieja këtë gjuhë të materializuar me ndërgjegjen time, e ndieja që e kisha në deje. Afrimiteti me ty më bëri të thelloja akoma më tepër njohuritë e të kërkoja të vërtetën historike. Po thelloj njohuritë mbi adhurimet e grekëve të vjetër dhe pellazgëve, përkufizimet e toponimeve madje dhe thjesht emrat e heronjve e gjysmëperëndive, që gjejnë shpjegime vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër, gjuhës sonë arbërore. Vëlla Ndon, më e keqja është se akoma historianët grekë, bashkëkohësit e tu e të mitë, shkruajnë historinë e Greqisë dhe nxjerrin jashtë saj pellazgët dhe arvanitët. Por një histori greke, e cila nuk merr në konsideratë pellazgët dhe arvanitët, nuk është as greke dhe as histori nuk mund të jetë”.
Aristidhi ishte i bindur për origjinën dhe gjuha e tij, për këtë më tha se ishte duke përgatitur fjalorin arvanitas-grek, i cili do të mund të bënte dallimin e gjuhës arvanitase me atë zyrtare greke. Kishte kohë që kishte hedhur idenë e botimit të një fjalori me alfabet latin të shqiptarëve të Greqisë për ta afruar me gjuhën shqipe dhe komunikimin me historinë, kulturën e artin shqiptar.
Aristidhin e karakterizonte ajo fija trimërie dhe guximi që iu atribuohet vetëm njerëzve fisnik, dhe ai ishte. Për këtë virtyt At Bellusci sjellë një episod në kujtimet e tij.

Kujtoj një rast që jam ndier shumë i fyer- thotë At Bellusci- Isha në një nga udhëtimet e mia etnografike në Suli të Moresë, ku doja të bëja intervista mbi arvanitasit. Iu afrova një grupi arvanitas dhe i pyeta arbërisht, por ata m’u përgjigjën në greqisht: “Këtu nuk ka arvanitas!!!”.
Më trajtuan shumë keq. U ula në një lokal të e Sulit ku Aristidh Kollja kishte një mik të tij, i cili duke më parë të dëshpëruar dhe të fyer, i telefonon Aristidhit, dhe me i rrëfen se çfarë kishte ndodhur. Aristidhi i thotë mos të largohesha, sepse do vinte ai. Ndërsa qëndroja në lokal i zhgënjyer sepse Suli ishte historia, ishte legjenda, nisa të shkruaja disa vargje.
“ Ti Sul i Moresë
Nuk je një vashëz e papjekur, Sulima!
Në Morënë tënde flasin legjendat për Sulin e Madh!
Me historinë tënde të lashtë,
por dhe me motërzat e tua për krah;
Krisohor dhe Kokla
Psari dhe Kuvëlla.
Por ti sot, Sulima,
e vetmuar te çuka e një mali shtrihesh si një kufomë,
Varfëria e shpirtit tënd dhe padituria
shpirtin arbëror moroit po shuajnë,
e fytyrën tënde turpëruan.
Sulima,
Ti, mëma e trimit Kollokotronit
Frikacake u tregove, kur më the:
“Edo den iparachun arvanitas!”
Si ta zuri ajo gojë këtë rrenë?
Kur bir arbëror ti ishe vetë.
Mos u bëj dele, Sulima,
Se ujku të hëngri dhe akoma po të ha!
Arbërisht foli Erës, Sulima
se edhe qielli që të dritëson
do të bëhet më i kthjellët
nëse mban frymën tënde arbërore.
Do mbash lart edhe nderën e Suljotit.

Sulima Kiparissias (More), 13.9.1983

Kështu ishte Aristidhi një trim i guximshëm, një lider i lindur për çështjen arbërore.

Aristidhi një aktivist i denjë për çështjen e Kosovës

Një ditë më telefon Aristidhi. Unë sapo isha kthyer nga Amerika për problemet mbi çështjen e Kosovës ku isha takuar me Senatorin arbëresh Dioguardi dhe kishim përgatitur një konferencë me një pjesëmarrje të gjerë i rrëfej për atë çka kishte ndodhur.

Kalojnë disa kohë dhe më thotë se kishte nxjerrë librin “Greqia në kurthin e serbeve të Millosheviçit”. Një libër që tregon për komplotet dhe masakrat çnjerëzore serbe kundër kombeve të ish- Federatës Jugosllave dhe kryesisht të shqiptarëve. I thash se të kishte kujdes, duke ditur situatën në Greqi. Më tha se ndihej se ishte në shënjestër edhe pse deri diku kishte disi liri nëpër studiot televizive në Greqi.

Kollja kishte atë dhuntinë të ishte si një figurë poliedrikë. Kalonte me lehtësi nga Historia te publicistika, dhe pastaj tek letërsia. Një herë krijoi një projekt, midis arbëreshëve të Italisë dhe arvanitasve, mbi këngën “ e Bukuri Strigar” (Strigari, është një katund arbëresh në Shën Kosmo Albanese, në Calabri).Dhe është qyteza e poetit të madh Zef Serembes, këtij arbëreshi që i këndoj të dashurës së tij që emigroi në Brazil, që vdiq herët, por që vargjet e tij shkruar nëpër sokakët e këtij fshati.
Pyesja shpesh intelektualët arvanitas të shoqatës Bocari pse nuk ishte zyrtarizuar gjuha arbërore në Greqi.
Përgjigjen më të sakt e kam marrë nga Aristidh Kollja, në Relacionin mbi pakicat gjuhësore bërë në Greqi në 1987, ku u mblodhën arvanitas dhe individë dhe grupe partish për të mbajtur një qëndrim ndaj gjuhës arbërore greke.

Përgjigja e Kolljas ishte:
Ne arvanitasit kemi nxjerrë sytë me gishtat tanë që nga momenti, kur fshehëm (apo mohuam) origjinën tone etnike, dhe gjuhën tonë”
Problemet tona sipas një rendi janë kështu:
Mos të fshehim, origjinën dhe gjuhën.
Të njohim historinë tonë.
Të mbledhim material të folklorit tonë.
Të mësohet gjuha shqipe dhe të publikohen sa më shumë libra.
Këto pika janë prioritetet tona.

Problemi tjetër është se Qeveria Greke deklaronte me të madhe se arbëroret-arvanitë nuk ekzistojnë, dhe ne zyrtarisht në Greqi nuk njihemi.

Nuk njihemi sepse nuk njihemi me kushtetutë, dhe kur nuk njihesh me ligj nuk ka edhe si të mbrojë ligji .

E para e punës është të njihemi si popullsi me të drejtën e gjuhës shqipe, dhe në pushtet.

Nuk njihemi por ekzistojmë, sepse ekziston historia, toponimet e vjetra, ekzistojmë në folklor, në poezitë gojore lirike dhe epike- dhe e thoshte vazhdimisht, e më ton për t’iu treguar të tjerëve: Hapni sytë. Nuk po kuptoni që po shuhemi përfundimisht!?

At Bellusci në referencat e tij gjatë këtij relacioni suvencionuar nga Europa shprehet:

Priftërinj në Greqi nuk mbështesin çështjen e gjuhës arbërore, ata propagandonin që gjuha shqipe arvanitikia ishte gjuha e djallit.

Deri nga vitet 1970 fëmijët, të rinj, flasin në mënyrë shumë të qartë gjuhën arbërore\ shqipe. Unë në fshatin tim kam folur gjuhën arbërore. Vetëm kur ikëm nga fshati dhe shkuam në universitete vumë re se kishte plot student të tjerë që flisnin të njëjtën gjuhë kështu u njohëm pranë nesh.

Konfirmohet se shqiptarët sot në Athinë janë më së dy milionë njerëz. Të gjithë këta arbërorë i dinë rrënjët e tyre, por shumica nuk kanë ndërgjegjen arbërore, edhe pse fatkeqësisht shumë kanë humbur gjuhën e janë shpërndarë në Athinë, në Patra, në Selanik.
Unë mendoj se t’iu heqësh arbërorëve të drejtën për të mësuar gjuhën është krimi më i madh që i bëhet demokracisë. Në shoqatën tonë Arbërorët e Greqisë kërkojmë që të organizohen mësime të gjuhë shqipe për të mëdhenj e për të vegjël.

Edhe pak më parë gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës në Bibliotekë ai është shprehur. Pse të vazhdojmë të jemi të padukshëm edhe sot në 2023 kur flitet shumë për demokracinë dhe mbi të gjithë për një Greqi ku lindi demokracia, ku arbërorët janë autokton pse arbërorët të ndihen e trajtohen të padukshëm?

Pyes veten: Çfarë kërkon Europa sot prej atyre vendeve të cilat kërkojnë të bëhen pjese e saj, konkretisht, çfarë i kërkon Europa Shqipërisë që ajo të bëhet pjesë e BE?

Kushtet themelore që të vë kjo Euuropë janë:
a(Kërkojnë siguresën, b)Të respektojnë të drejtat e pakicës minoritare.
Greqia këtë kriterin e dytë nuk e ka marrë fare parasysh dhe nuk e njeh me kushtetutë.

Përse Greqisë nuk i është kërkuar dhe ti kërkohet ky kusht?

Për shtetin Grek o je grek o je i huaj.
Pakica kombëtare nuk ekziston.
Kjo është për të ardhur keq, por akoma më e trishtueshme është kur mendon se shumica e anëtarëve të qeverisë në Greqi sot kanë rrënjë arvanitase dhe nuk bëjnë asgjë për një identitet që bota mbarë e ëndërron, një identitet të lashtë, të një populli që flasim gjuhën e folur më të lashtë në Europë, dhe që tregon autoktoninë e një populli.

Magjia dhe Miti
Vepra më interesante që e tërhoqi Aristidh Kolljen prej veprave të miat ishte Magjia dhe Miti- rrëfen At Bellusci.

Aristidh Kollja ishte një figurë interesante. Ai ishte një njeri i ligjit ku profesioni kërkon limite, standarde, përkufizime, inteligjencë, dhe shpirt të reduktuar, ndërsa shpirti i Kolljes ishte Cartesiane. Ai la profesionin e tij, dhe përhapi atë shpirtin e tij si notat e një pentagrami e fluturonte në këtë kozmos të mitit, të magjisë që e çonte në një botë paralele.

E admiroja sepse e perceptoja madhështinë introspektive të tij sa profan aq universal por dhe aq njeri i perëndisë .

Në maj 2000 , Kollja më e fton në Athinë për prezantimin e librit të tij me titullin :“Antonio Bellusci dhe Magjia e tradizionit popullor“. Në ketë libër ai trajton një materie shumë të vështirë dhe delikate ku vihen në pah sentimentet dhe besimet më atavike të popullit arbëresh“ Një maestër i sentimentit.

Kur arrita në Athinë në 20 maj në vitin 2000, me komunikohet nga miku Jorgo Gerou, që Aristidhi është shtruar në spital. Shkoj menjëherë në spital për ta vizituar dhe bisedojmë me dëshpërim reciprok. Vë re se Miku im ishte shtruar në korridor. Mu duk si çudi që nuk kishte një shtrat për këtë vëlla kaq të çmuar, që kishte bërë për arvanitasit. Nuk gjendej një vëlla arvanitas, mjek, infermier, i njohur që të paktën të kurohej në mënyrë dinjitoze?

U ndjeva keq. Më pa dhe e pash ndër sy. U kuptuam pa folur. Kisha një ndjesi të çuditshme dhe i thash se promovimin e librit do ta bëjmë një herë tjetër kur të bëhesh më mirë.
Insistoi dhe më tha se do të bëhej pa prezencën e tij, sepse nuk e dinte nëse do ekzistonte ndonjë “një herë – tjetër” për të. Nuk kishte gjë më të dhimbshme për mua në ato momente.
Largohem disi i trishtuar.

Promovim u bë në 24 maj në sallën Stampa Esterea në prezencën e Ambasadorit të asaj kohe dhe pa prezencën e Vëllait tim Aristidh.

Në korrik i shkruaj një letër dhe pyes si ishte. Më thotë që nuk ishte mirë dhe se diçka të çuditshme kishte ndodhur në jetën e tij.
Ishte i bindur se dikush i kishte bërë keq.

Në tetor Aristidhi vdiq. Për varrimin e tij nuk mora pjesë. Nuk kisha kujt ti jepja ngushëllime për vëllaun tim. I dërgova familjes, Z Nensi një telegram, ngushëllimi, por nuk mohoj faktin se i madhi Aristidh Kollja mu duk se u abandonua nga të gjithë.

Me humbjen e Aristidhit nuk më bënin këmbët të shkoja në atë Greqi. Përpara syve më kujtohej ai korridori i spitalit, ku ishte vëllau im, i shtrirë i sëmurë ku nuk i kishin dhënë dinjitetin që meritonte këtij njeriu me shpirt sa universi.

Nuk e hoqa kurrë nga mendja këtë Vëlla. Sa herë kam patur raste të takoj të politikës kam shprehur dëshirën që Aristidh Kollja meriton ndonjë shtator në qendrën e Tiranës apo Kosovës. I pëlqente ideja e shtatoreve. Kritikonte faktin se në Shqipëri nuk ka shtatore të Aleksandërit të madh, të Pirros, apo të shumë heronjve që i quajtën Romak apo më vonë grek por që ishin pellazgo Ilir.

Kritikonte faktin që rojet e Shtetit ti kishin uniformën me fustanella, e jo si ato fustanellat qesharake të rojeve të parlamentit grek që iu ngjanin si “ Mini gonna” por të gjata, burrërore dhe Fisnike që mbanin arbërorët.

Aristidhi ishte Mirësia e kombit i personifikuar. Njeriu që lidhi Kosovën, arbëreshët, Shqipërinë, arbërorët e Greqisë!

Me vdekjen e Aristidhit u mbyll një epokë e lavdishme, një urë që kishim lidhur e krijuar si dy popuj vëllezër të ndarë nga aksidentet historike.

Me , 28 shtator 2023, Nisem nga stacioni metro “Viktoria” në një takim me arvanitasin Jorgo Miha, një inxhinier i zoti, profesor dhe studiues i botës arbërore. Më thotë At Bellusci të merrja disa libra dhe ti bëja një intervistë. Më priste në një qendër komerciale. Nuk kishin akoma një qendër sepse Qëndra Boçari ishte shpërndarë.

Ai, ngrihet butë butë në këmbë, ashtu si e kemi zakon ne shqiptarët duke venë dorën pranë zemrës dhe me një buzëqeshje ku mirësia dhe gëzimi shkrihen, na përqafon krahë hapur. Menjëherë më thotë: “Antonio Bellusci si është. Ai “Pafsania e Arvanitasve”.

Kishim dy njerëz të mëdhenj At Belluscin dhe Aristidh Kolljan. Dy vëllezër të vërtetë. Miha vazhdon punën e tij arbërore nëpër rrjete sociale. Por me një dallëndyshe nuk vjen paravera i thonë një fjalë, por për të shkuar pas një leader i cili ka një qëllim për kombin kjo mund të arrihet.

Mund të themi që Miqtë të tjerë arbërorë që mbetën në Greqi e lanë atë trashëgimi të krijuar dhe lulëzuar ose nga frika ose nga paaftësia ose mangësitë kulturore. Figura e atij brezit të viteve 70\80 deri në vitet 2000 siç ishte figura e Kolljas nuk janë më por ngelen si ai ylli polar, sepse figura poliedrike të Aristidh Kollja, jurist, studiues, publicist, shkrimtarë e mbi të gjitha atdhetar në mbrojtjen e Çështjes së Kosovës dhe të arbërorëve të Greqisë, ngelen të pavdekshëm në zemrat e atyre që duan Kombin dhe jo tek tradhtarët e kombit.

At Bellusci gjithmonë na thoshte.
Kosovën deri diku e zgjidhëm edhe pse ka shumë probleme, por me Çamërinë ça do bëhet, është lënë në heshtje, as edhe emrin Gjenocid nuk ka arritur ti jepet. Prandaj mos harroni Çamërinë se pa u zgjidhur Çamëria vështirë të zgjedhim çështjen Arbëror të Greqisë.

Shënim: Vura në dukje se në pjesmarrjen e ceremonisë së 80 Vjetorit të gjigandit Aristidh Kolla nuk merrnin pjesë akademikë të lartë të botës shqiptare si edhe kanale televizive, të cilat ishin informuar. Mori pjesë drejtuesi i televizionit ALPO të Gjirokastrës Mik i Aristidh Kollja

Kjo gjë më bënë disi qesharake dhe më vjen ndër mend një episod i dokumentuar, një letër që e kemi në bibliotekën A. Bellusci..

Në kujtim i hidhur që i lidh të tre kolosët, Belluscit, Kolljen dhe Marugën.

At Bellusci i tregon Kolljas letrën që i kishte dërguar Jorgo Margua:

Në të thuhej se për botim “Thimi Mitko-Vepra”, Tiranë 1981, Maruga kishte dhënë një kontribut të madh me materiale. Profesorët e akademisë kishin marrë materialin dhe nuk e kishin përmendur Marugën e shkretë as edhe në “Parathënië”, sikur një gjysëm Falenderimi nga professor Qemal Haxhihasani.

Këtë ofendim- thotë At Bellusci – Maruga e ndjeu si një thikë në zemër. T marrësh materialin dhe as mos ta përmendësh.

Kur më rrëfente Maruga- thotë Bellusci- i kishte sytë e mbushur me lot, dhe po me pika loti më shkroi atë letrën.

Kollja, kur lexoi këtë letër mu përgjigj se Margua këtë bashkëpunim nuk e kishte dashur si lavdi për veten e vet, që në fund të fundit edhe e meritonte, sepse ishte puna e tij, mundi i tij, djersa e tij (dhe nuk ka turp më të madh mos të kesh ndershmërinë intelektuale, ti vjedhësh punën tjetrit dhe të marrësh meritat) por Maruga këtë bashkëpunim më tepër se sa për vete e kërkoi si bashkëpunim me tokën mëmë. Ai donte diçka të zyrtarizuar ku të vinte në dukje bashkëpunimin kulturor arbëror-shqiptar për të kapërcyer muret e politikanëve dhe pengesat ideologjike të regjimit të asaj kohe.

Kur gjëra të tilla ndodhin në botën Akademike shqiptare ç’farë mund të presim nga akademikët për pjesmarrje akademike në çështjet e personazheve “ Jo të rehatshëm” siç ishte Aristidh Kollja.

Kush merrte pjesë
Miku i Aristidh Kolla Z . Traboin, shkrimtar, publicistë, poet, i akorduar titulli “Mjeshtër i Madh”, por me sa kuptova atë që e bënë atë më shumë krenar është kontributi i madh që dha në vitet e emigrimit ku u lidh dhe mbështeti mikun e tij të madh Aristidh Kolla për çështjen arbërore e Arbërorëve të Greqisë. Është për tu përmendur në vitet e tij të emigrimit edhe gazeta “Egnantia”.

Traboini vlerësohet për përpjekjet e tij për realizuar aktin më të madh që i është bërë figurës së madhe të Arisidh Kolljes deri më sot duke iu dhënë titulli “Nderi i kombit”.

Në këtë takim kishin ardhur nga Gjakova studiuesja dhe poetja Migena Arllati dhe bashkëshorti i saj Behar Arllati, si edhe Z. Agim Gjakova një figurë shumë interesante për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Mbi kujtimet e tyre mbi Arsistidh Kolljen folën deputeti Kostaq At Papa, Zoti Zenel Hoxha punonjës në dhomën e Tregtisë dhe pranë konsullatës në Londër, Poeti Albert Zholi poet, Shkrimtar, Gazetar, Kryeredaktor gazeta Laberia, Zonja Angjelina Xharra kineaste, Aktivistja Elida Jorgoni , studiuesja Zyba Hysa, Zotërinjtë Naun Kule, Mark Palnikaj, Tasim Mehmeti, Agron Gjedia, Nikolla Lokaj, e shumë e shumë të tjerë.

Komisioni kishte përgatitur edhe disa “Çertifikata Mirënjohje” të cilat iu shprndanë miqëve dhe kontributit që kishin dhënë për këtë mik të shqiptarëve që i donte aq shumë.

E rëndësishmja e këtij takimi ishte sepse u hodh kërkesa dhe u firmos një peticion që njëra prej shkollave të kryeqytetit ti vihet emri Aristidh Kola.

Përgatiti materialin
Ornela Radovicka, Qendra Albanologjike kërkime e studime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe At Bellusci