“Arbëresha” shënon jubileun me koreografi dhe kostume të reja

Manifestimi i organizuar në Aadorf të Turgaut, në prani të qindra bashkatdhetarëve u përshkua me një program tejet cilësor, të luajtur nga grupi i valleve prej më se 50 e sa anëtarëve të dy grupmoshave

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në një atmosferë tejet festive, Ansambli i këngëve dhe valleve “Arbëresha “ me seli në Sirnach të kantonit të Turgaut, shënoi 12 vjetorin e themelimit. Manifestimi u zhvillua në lokalitetin Aadorf në prani të qindra bashkatdhetarëve dhe të shoqatave simotra të kantoneve për rreth. Hyrja e ansamblit në sallë krijoi një atmosferë tejet impozante, pasi mbi 50 e sa anëtarë kësaj radhe ishin veshë me kostume të reja kombëtare. Të pranishmit në sallë pritën me duartrokitje hyrjen e ansamblit i cili përmes rënieve të daulleve e me flamur kombëtar në ballë, krijoi atmosferë të një dasme të ngrohtë familjare në vendlindje.

Paraprakisht të pranishmit i përshëndeti, Avgustin Ukaj, arkëtar i Ansamblit Arbëresha, i cili krahas përfaqësuesve të Misionit Katolik Shqiptar dhe ansambleve simotra përshëndeti edhe praninë e Feim Lekës, solist i ansamblit “Shota” në Prishtinë si dhe kameramanin Seladin Osmani që kishin ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kosova.

Ukaj më pastaj foli për historikun e themelimit të Ansamblit, i cili u formua më, 12. nëntor 2003, si Grupi folklorik “Arbëresha”, me mbështetjen e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach, në saje ndihmës që dha misionari Mr. Don Marjan Marku.

Duke i veçuar disa nga karakteristikat e veprimtarisë së këtij ansambli, Avgustin Ukaj, shtoi se “Arbëresha”, jo vetëm që mbron traditën e vallëzimit, por edhe ngrit nivelin e kulturës dhe të trashëgimisë, duke e përfaqësuar shqiptarët në organet zvicerane dhe me gjerë, si popull me kulturë dhe traditë të gjerë. Ndërkaq, përmes një pune të pareshtur që bënë tash e 12 vjet ka arrit që të ruajë e të kultivojë një kulturë dhe artë të mirëfilltë përmes angazhimit të një numri të mirë të rinjësh , duke filluar nga fëmijët tek të cilët kultivon gjuhën dhe traditën amtare dhe sesi të vallëzojnë e dëgjojnë ritmin e bukur të valleve shqipe.

-Nuk mund të mos i përmend paraqitjet e shumta në festat  kombëtare në Zvicër, ku Ansambli ynë u vlerësuar dhe radhit shumë herë si grupi më i miri. Me shumë kënaqësi e kujtojmë edhe paraqitjen tonë në ndeshjen e Kombëtares së Kosovës në futboll me FC Wil, ku kombëtarja jonë fitoi. Pasi përmendi edhe disa aksione humanitare që ka ndërmarrë ansambli , ai shpjegoi më tej se ansambli ka një grup të shëndosh dhe me shumë ardhmëri, ku janë aktiv rreth 30 fëmijë dhe 30 të rritur. Gjithashtu një falënderim i dedikoi kryetarit dhe koreografit të ansamblit, Ndue Ukaj, i cili përkundër obligimeve të shumta private, jep një kontribut të madh në ansamblin “Arbëresha”, e në veçanti në grupin e të rriturve. Një falënderim e pati edhe për Nue Palin dhe grupin e instrumentistëve e në veçanti në emrin e kryesisë falënderoi zonjën Marija Saliquni, bashkëshorten e kryetarit të ndjerë, Lulzim Saliquni, e cila edhe pas vështirësive që ia solli jeta, rimori forcë dhe vazhdoi ta ndjek amanetin e Lulit duke vazhduar aty ku ai e la si mësues i fëmijëve në ansambël.

Një mirënjohje të veçantë shkoi edhe për prindërit e valltarëve dhe valltareve, të cilët gjithmonë i përkrahin fëmijët e tyre dhe gjejnë kohë t’i sjellin në ushtrime, si dhe për sponsorët e ansamblit që ndihmojnë edhe financiarisht, në mënyrë që të organizohet e mbijetoi ansambli sa më mirë, përfshi në një falënderim edhe çdo instrumentist, valltar e valltare, si dhe fëmijët e ansamblit “Arbëresha”, të cilët janë më të mirët dhe papritesë i ndjekin ushtrimet dhe kështu e përfaqësojnë kulturën tonë në mënyrë shumë të denjë.

Më pastaj moderuesit e programit Pjetër Delia dhe Arbëresha Uka ua dhanë fjalën dy famullitarëve që veprojnë në kanton:  Don Albert Demajt, misionar i Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore në Sirnach dhe Don Marjan Marku, famullitar në kishën katolike zvicerane dhe një nga themeluesit e  këtij ansambli, të cilët veçuan rolin kulturor e kombëtar që ruan e kultivon “Arbëresha” por edhe karakterin e saj edukativ e arsimor që ka për brezin e ri.

Në 12 vjetorin e themelimit “Arbëresha” doli në skenë me kostume dhe koreografi të reja, pagatitur nga koreografi Kreshnik Sadikaj, i cili kishte përgatitur tri valle: atë të mollëve, me motive Sharri dhe vallen e pavarësisë.

Edhe kësaj radhe “Arbëresha” defiloi me një program tejet cilësor. Si grupi i të rriturve e edhe ai i fëmijëve u pritën me shumë simpati prej publikut artdashës. E veçanta e ansamblit është se ai gati gjysmën e anëtarëve i ka të moshës fëmijërore, që dallohen edhe me lojë e edhe me kreativitet.