Anton Marku, poeti i mburrjes sonë letrare në austri

Vepra  e tij e radhës “Duke pritur vetveten” u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë “Pjetër Bogdani”, Prishtinë

Vapa e fundkorriku u thye nga poezitë me fuqinë e tyre shpirtërore që mërgimtari nga Vjena, Anton Marku, ia dhuroi publikut në sallën e bukur. Nuk është hera e parë, por shumë herë Antoni solli poezi nga gurbeti me mallin e tij për atdheun, për dashurinë dhe jetën.

Hazir MEHMETI, Vjenë

Tani në dhjetëvjetori i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, ishte një shënim i bukur artistik nga poeti i cili ishte nismëtari i parë për themelimin e saj. Vjena do ishte e mangët pa aktivitetin e gjithanshëm të Anton Marku. Ai ishte fillues dhe themelues i klubit futbolli shqiptarë në Austri e cila u rrit aq shumë deri në garat e rrethit vjenez. Themelues i klubit të shahut “Arbëria”, i njohur për sukseset e tij në nivel vendi. Themelues i gazetës “Dielli Demokristian”, e cila me sukses botoi shkrime të krijuesve shqiptarë e austriakë, botoi analiza e lajme për njëmbëdhjetë vjet të jetës së saj. Antoni është edhe diplomat, por mbi të gjitha Antoni është poet i suksesshëm i lexuar në disa gjuhë. Ai e ka mbështetjen  e vazhdueshme të familjes së tij, të gjithë pjesë e jetës artistik, kurse bashkëshortja e tij, Angjelina, është shkrimtare dhe autore e disa romaneve të përkthyer në anglisht dhe gjuhë tjera. “Kam fatin e rrallë të kam një bashkëshorte shkrimtare me krijimtarinë e së cilës mburrem”, – e tha me krenari Anton Marku.

Anton Marku është pjesëmarrës në antologjinë me poezi nga 40 emigrantë nga e tërë bota, në botimin e Alicia Allgäuer dhe Thomas Schmidinger: lirikë emigrantësh me titullin “Man fragt mich, ob ich bin”, (“Njeriu pyet, mos vallë jam unë“) poeti ynë përfaqësohet si krijues nga radhët e shqiptarëve në Austri me disa poezi në gjermanisht dhe shqip. Frymëzimet e tij vijnë nga jeta e përditshme, thjeshtësia dhe natyrshmëria jetës, individit dhe vetvetes. Njerëzorja është brumi i shpirtit të saj. Porosia e qartë, optimizmi me nuanca reale me fantazi të thellë.

“Lehtësia e natyrshmëria e shprehjes është tipar kryesor që të bie në sy te poezia e Anton Markut. Elokuenca e thjeshtia e shprehjes, e në ndërkohë forca e saj, është veti që të rrëmben te kjo poezi dhe të bën për vete. Poeti di si të manovrojë me gjuhën, andaj shqetësimeve të tij poetike ai u jep përherë adresë të saktë dhe shumë bukur i harmonizon. Kurrë nuk është konfuz e i padepërtueshëm. Poezia e tij merr jetë herë përmes kujtimeve nga vendlindja, e herë përmes realitetit që e rrethon e ku ai jeton. Përmes shprehjeve poetike Marku e ndërton universin e tij poetik, shpeshherë me një stil të veçantë proverbial poetik. Ky stil që ka bazë edhe në filozofinë edhe në traditën prej nga vjen Marku e identifikon atë si poet, para së gjithash si poet origjinal.” (Lulëzim Tafa)

“Anton Marku, ka një ngrehinë me krijime të tija për kaq vite, duke e ruajtur shtrirjen e tij si një projekt për ta paraqitur rrugën kah shkon e ku ka synim, ai e ruan mendimin e tij, sikur thashë më lartë, jo vetëm ëndërrues, por edhe potencon nocione me të vërtetën, sikurse në çdo libër ka poezi për vdekjen si amshim dhe për jetën si sublim, e në mes të dyave kërkon rrugë shpëtimi. Këtë e bëjnë krijuesit që rriten duke besuar. Asnjëherë nuk i shpëton çështja e një kolektivi njerëzor, pikërisht trungu prej nga vjen, për ta ruajtur identitetin dhe për të komunikuar me figura historike, me heronj, me personalitete që ua ruan emrin në poezi, për të mos mbetur vetëm në një ambalazh të politikës ditore. Mbase mërgata solli diçka të re te autori, kjo është tejet sipërfaqësore, përballë ndërtimit të shpirtit dhe perceptimit të bukur në udhëtimin e tij poetik.” (Engjell I. Berisha)

Pak biografi

Anton Marku lindi më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”- dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike. Prej 14 vjetësh jeton dhe punon në Austri. Me shkrime letrare ka filluar të merret qysh kur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar katërmbëdhjetë libra me poezi dhe tregime disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune.

Falë veprimtarisë së gjithanshme të tij, Anton Marku, kohë më parë emërohet “Ambasador i Paqes” nga Federata e Paqes Universale; një Organizatë Joqeveritare në statutin e përgjithshëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara. Duke parë angazhimin e tij dhe aftësitë e tij prej krijuesi me një vetëdije të lartë qytetare e kombëtare, prej tij priten vepra të reja me vlera letrare e kombëtare.