Si çdo përvjetorë edhe këtë vit, Ansambli “Vatra”, nga Bylahu i kantonit të Cyrihut, në vigjilje të 28 Nëntorit. me një prani të madhe pjesëmarrësish dhe përmes një programi të pasur kulturo-artistik, kremtoi Festën e Flamurit Kombëtar.
Në një ambient dhe atmosferë madhështore me pjesëmarrje të shumë bashkatdhetarëve tanë nën moderimin e Shaban Halitit, në emër të Ansamblit Vatra të pranishmit i përshëndeti kryetari Lulzim Krasniqi. Të pranishmëve me përshëndetje të veçantë iu drejtua edhe zëvendës ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, znj.Shukrije Ramadani, si dhe zv.konsullja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, znj. Makfire Azemi. Te dy zonjat e nderuara uruan për përvjetorin dhe përshëndetën ansamblin dhe të pranishmit në emër të ambasadës dhe konsullatës sonë, duke vlerësuar lart manifestimin e Ansamblit “Vatra”, thuhet në një njoftim drejtuar nga Këshilli organizative për portalin prointegra.ch.
Më pas grupi i fëmijëve dhe të rriturve të Ansamblit Vatra me veshje të traditës sonë kombëtare shfaqen programin artistik me këngë dhe valle me motive patriotike dhe koreografi të veçantë artistike, program ky që emocionoi pa masë të pranishmit. Programi muzikor i manifestimit u karakterizua me performancë të shkëlqyeshme të artisteve të Ansamblit Vatra, këngëtareve Syzana Gashi dhe Fjolla Berisha, si dhe artistëve – mysafirëve special,këngëtarit të mirënjohur nga Kosova, Faton Isufi, këngëtarit nga Zvicra Gjon Ukaj, si dhe aktorit tonë të mirënjohur Çun Lajqi .
Krahas performancës së shkëlqyeshme të valltarëve të grupit të të rriturve, me emocione të veçanta nga të pranishmit u përcoll programi nga fëmijët e ansamblit me këngë, valle dhe deklamime poetike të përgatitura dhe udhëhequra nga mësuesja Albulena Krasniqi. Në fund të gjithë shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin shumë të lartë nga të gjithë të pranishmit për Këshillin Organizativ të Manifestimit, udhëheqjen e Ansamblit Vatra dhe secilin anëtarë të saj për këtë organizim dhe program të mrekullueshëm