Në kuadër të prezantimeve të ansambleve artistike, që bënë çdo të shtune portali ynë “prointegra.ch” kësaj radhe ju njohim me Ansamblin e Valleve “Gëzuar” nga Gjeneva, me përzgjedhje artistike të koreografit të mirënjohur Xhemali Berisha, një trup artistike relativisht e re, por që me lojën brilante ka fituar simpatinë jo vetëm të publikut shqiptar, por edhe më gjerë, madje edhe në manifestime e festivale kombëtare e ndërkombëtare
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Në nëntor të vitit 2017, ky ansambël shënoi 10 vjetorin e themelimit, nga edhe shkëputa një tekst nga ky jubile, si dhe nga një shkrim i imi i mëparshëm kushtuar kësaj trupe artistike në librin tim “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”.
Në dhjetëvjetor, pos artistëve e drejtuesve të ansamblit, morën pjesë edhe përfaqësuesit të ansambleve simotra nga mbarë Zvicra. Ishte kjo edhe një dëshmi për vet zhvillimin e hovshëm të amatorizmit kulturor në mesin e shqiptarëve të shumtë që jetojnë në shtetin helvetik.
Paraprakisht, në këtë përvjetor, me një fjalë rasti përshëndeti kryetari i këtij ansambli, Ismet Kurteshi i cili falënderoi anëtarët dhe prindërit e tyre për angazhim të përbashkët me qëllim që edhe në dhe të huaj të ruhen e kultivohen me dashuri vlerat tona, siç janë gjuha, traditat e në këtë rast edhe vallja e kënga shqiptare. Më pastaj vuri në spikamë angazhimin dhe rolin e madh prej një artisti, të Xhemali Berishës, siç tha “Këtij Mjeshtri të valles popullore shqiptare i cili nga vogëlushët tanë nxori artist të vërtetë skene. Pasi më parë në Kosova në vitet e 70-ta, kontribuoi me të madhe që Kosova të zë vendin e dytë në Festivalin ndërkombëtar të Dizhonit në Francë, ndërsa që me të ardhur në mërgatë aktivitetin e përqendroi në Gjenevë, ku edhe dhjetë vite më parë nga një grup fëmijësh, sot arriti të ketë një ansambël rinor me renome, i denjë për të na përfaqësuar edhe në nivel kombëtar. Me një përshëndetje të pranishmëve iu drejtua edhe profesor Xhemali Berisha i cili meritat ua atribuoi prindërve, anëtareve dhe drejtuesve të ansamblit.
Pas një programi tejet simpatik, të përbërë kryesisht nga mosha të reja, që u prit me duartrokitje nga të pranishmit, u shtrua një darkë e përgatitur nga nënat shqiptare, që i kanë fëmijët në këtë trup artistike. Në fund të programit u ndanë mirënjohje për ata që me vite kanë kontribuar në këtë ansambël apo që e kanë ndihmuar ansamblin në forma të ndryshme. Mirënjohje u ndanë edhe për ansamblet simotra.
Ndërsa nga libri im: “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje” , botuar në vitin 2013, shkëputa këtë tekst:
Ansambli “Gëzuar” ka zanafillën që nga viti 2002, kur ka filluar aktivitetin në kuadër të Universitetit Popullor Shqiptar (UPSH) nën udhëheqjen e koreografit të mirënjohur kosovar Xhemali Berisha. Fillimisht njihej si “atelieja e arteve skenike” ku ishin të përfshirë fëmijët e të gjitha moshave.
Me këtë grup fëmijësh koreografi Xhemali Berisha ka bërë një punë të jashtëzakonshme ku, përveç vallëzimit, ai ka mbjellë te këta fëmijë edhe farën e atdhedashurisë. Këtë e ka bërë duke u mësuar atyre edhe shumë gjëra të rëndësishme, si rajonet etnografike të Kosovës, veshjet tradicionale, doket, zakonet si dhe instrumentet muzikore, të njohura në Kosovë e gjetiu.
Xhemali Berisha me këtë grup fëmijësh është paraqitur me shumë sukses nëpër festat dhe manifestimet e ndryshme të organizuara nga komuniteti shqiptar në Gjenevë. Po ashtu ka qenë i ftuar edhe në manifestime të ndryshme nëpër komunat e Gjenevës, ku denjësisht ka prezantuar kulturën, vallet si dhe kostumet e bukura shqiptare.
Ky grup fëmijësh, udhëhequr nga koreografi Berisha, kulmin e suksesit e arriti në festivalin e diasporës në Berlin “Ditët e kulturës shqiptare në diasporë”, në vitin 2006 ku u shpallën më të mirët e festivalit. Ky shpërblim ishte një frymëzim dhe motivim i fuqishëm për punën e mëtejshme për koreografin, e sidomos për fëmijët, nga ku lindi edhe ideja e formimit të Ansamblit “Gëzuar”.
Në një program në Krojclingen (Kreuzlingen) me “Dritën” vendëse, publiku i shumtë në sallë u entuziazmua me lojën brilante e përplot ekzibicione të këtij grupi nga Gjeneva, saqë një pjesë e publikut u ngrit në këmbë duke brohoritur në adresë të koreografit Xhemali Berisha – “maestro, maestro!” Sa u përket çështjeve organizative, ato me shumë sukses i udhëheq producenti Nexhmedin Ilazi. Në kuadër të grupit, shquhen me lojë dhe talent disa nga anëtarët, si Gëzim dhe Kaltrina Ilazi, Shqiprim Jashari, Simona Veseli dhe Valon e Yllka Kurteshi. Anëtarët e grupit dallohen edhe me sjellje dhe mësime, si në shkollën e rregullt, ashtu edhe në mësimin plotësues në gjuhën shqipe”.
( Fotot i kam shkrep në manifestime të ndryshme ku kanë marr pjesë artistët e këtij ansambli tejet simpatik)