Ansambli Folklorik “Vaçe Zela” nga Lushnja, që impresionon me valle të Myzeqesë  

Portali ynë “prointegra.ch”, në vazhdën e prezantimeve të grupeve artistike, sot ju njeh në pika të shkurta me Ansambli Folklorik “Vaçe Zela” Fier-Shegan nga bashkia Lushnjës, ansambël këtë që pata rastin ta përcjelli në “EtnoFest 2016”, në fshatin Kukaj, meqë rast artistët e kësaj trupe që mban plot meritë emrin e Vaçes sonë të Madhe, u pritën me entuziazëm nga artdashësit e shumtë

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

EtnoFesti në fshatin Kukaj afër Prishtinës, thuaja se në çdo vit, me përjashtim te vitit të fundit shkaku i Covid 19, na befason me pjesëmarrje të grupeve të dalluara artistike nga gjitha trojet shqiptare, madje edhe të arbëreshëve të Kalabrisë.

Në mesin e grupeve që kam përcjell gjatë këtij festivali, që ka fituar namin edhe jashtë Kosove, ishte edhe Ansambli Folklorik “Vaçe Zela” Fier-Shegan nga bashkia Lushnjës, pjesëmarrjen e të cilit e përcolla edhe përmes shkrepjes së qindra fotove pikërisht më 17 Shtator 2016, kur artistët me këngët dhe vallet përmes një loje brilante, duke lozur sidomos lojnat tradicionale të Myzeqesë entuziazmuan të pranishmit.  Veçmas mbresëlënës ishte përfundimi i pjesës protokollare të programit dhe bashkimi i publikut në valle të përbashkëta me artistët nga Lushnja, vendlindja e të madhes Vaçe Zela, emrin e së cilës me plot mërit e pietet e mban  ky ansambël, që ka bërë emër në shumë manifestime e festivale, nga edhe është shpërblyer me mirënjohje të shumta.  Në përcjelljen e këtij programi merrte pjesë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Z. Qemal Minxhozi, ndërsa që në fund të programit ansambli u shpërblye me mirënjohje speciale nga organizatorët e festivalit.

Nga disa shkrime dedikuar këtij ansambli dhe pjesëmarrjes së tij në festivale mësojmë se   Ansambli Folklorik “Vaçe Zela” Fier-Shegan nga bashkia Lushnjës, që përbëhet nga djem dhe vajza te talentuar, por edhe artistë të moshuar dhe me staf drejtues te shkëlqyer, se me këto prezantime përplot art e frymëzim do të korr suksese të vazhdueshme

Kështu, në qytetin e Kavajës në datat 18-19 prill 2019, meqë rast u zhvillua Edicioni i I-rë i Festivalit Folklorik Kombëtar të Shoqatave Kulturore Artritikë, ku u përfshin afërsisht rreth 300 artistë, bartës të folklorit nga zonat e e ndryshme që mbajnë gjallë stilin e të kënduarit sipas traditës popullore, vallet e larmishme dhe lojën në instrumentet popullore, Ansambli ‘‘Vaçe Zela’’, që hapi natën e dytë të festivalit me program dinjitoz duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut të Kavajës, Juria e Festivalit e vlerësoi këtë ansamblin myzeqar me çmimin ‘‘Valltari më i mirë’’ për interpretimin mjeshtëror të valles popullore burimore.

Po ashtu Ansamblit Folklorik “Vaçe Zela” Fier-Shegan nga bashkia Lushnjës, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar i ka ndare Titullin e nderit “Krenaria e Unionit” , me motivacion : “Për interpretim dhe mjeshtri të rrallë në Festivalin e Nëntë të Këngës dhe Valles për Çamërinë “, nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm  Artistik , Minella Kureta , Mjeshtër i Madh  dhe President Agron Haklaj, Mjeshtër i Madh.

( Fotot i kam shkrep në “EtnoFest Kukaj 2016” si dhe një në Lushnje para Qrnderes se Kulturës “Vaçe Zela”, ndërsa tri-4 foto janë marr nga fb i ansamblit)