Ansambli “Drita” nga Kreuzlingeni shkëlqeu me program festiv

 

 

Manifestimin kushtuar 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës krahas mërgimtarëve nga anë të ndryshme të Zvicrës e përcollën dhe përshëndetën edhe përfaqësueseje e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë dhe të Konsullatës në Cyrih

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Salla ku u mbajt mbrëmë manifestim kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës, e ku programi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atë të shtetit të Kosovës, u përcill me një prani relativisht të madhe mërgimtarësh, po nga kantoni i Turgaut edhe nga anë të tjera të Zvicrës por edhe me mysafirë nga shtetet fqinje.

Që në fillim të pranishmit i përshëndet Haradin Gashi, një veprimtar i përkushtuar me tërë familjen tash e dy dekada në ngritjen e vazhdueshme të kësaj trupe artistike, duke pas në krah edhe prindërit dhe një kryesi kontribuuese. Gashi veçoi pranin e zëvendës ambasadores, Shukrije Ramadani, shefit të misionit konsullor në Cyrih, Vigan Berisha dhe të deputetes së Kuvendit të Kosovës Albena Reshitaj, meqë rast edhe ata mbajtën një fjalë përshëndetëse, duke përgëzuar “Dritën për punën e madhe në kultivimin e traditave tona etno-kulturore. Ndërsa kryetari i ansamblit i shpërbleu me mirënjohje,  bashkë me disa nga kontribuuesit kryesor në ansambël.

Më pastaj në skenë defiluan grupmoshat e ndryshme, përmes këngëve dhe valleve, duke lënë një mbresë të veçantë të publikut, bashkë me ansamblin mysafirë “Sharrin”, një ansambël ky tejet cilësor që vepron prej vitesh në këtë pjesë të Zvicrës.

Për pjesën artistike të  Ansamblit Drita, siç mësuam merita u përket koreografëve Patrik Ademi, Marie Ademi dhe Valentina Gashi.  Në cilësinë e moderatorit mbrëmë ishte Artan Gashi ndërsa në cilësinë e mysafirëve special ishin Krenar Krasniqi & Malësori.  

Ti kthehemi pak historikut të ansamblit: Ansambli Artistik „Drita“ nga qyteti Kreuzlingenit i kantonit të Turgaut, u themelua më 23 mars të vitit 2002, kur në nismë «Drita» funksionoi si një grup relativisht i vogël që tubonte kryesisht të ri me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, por që kishin një vullnet të rrallë. Nga koha që përcjelli aktivitetin e këtij ansambli, shihet se ai ka përjetuar një rritje si në cilësi ashtu edhe në sasi, saqë tash të numëroj rreth 50 anëtarë, përfshi edhe kryesinë. Një ndihmesë në tërë këtë rrugëtim kanë dhënë krahas prindërve edhe disa nga institucionet arsimore- kulturore zvicerane.