Sakrifikoi rininë, derdhi mund, djersë e gjak, por mik e lanë ta ëndrrën me dorë!

354

(Fjala e veprimtarit ardhetar Fehmi Berisha mbajtur në Tubimin Përkujtimor për Skender Ibishin, me të cilin si të burgosur politik ishin edhe bashkëvujtës në burgun famëkeq të Pozharevcit) 

Pamje nga tubimi püërkujtimor për Skender Ibishin të datës 3 nëntor 2018 në Schaffhausen të Zvicrës

Nga masakrat dhe gjenocidi deri në spastrim të Medvegjës, familja Ibishi pati pak fat të mbijetonte e të vendosej në Kosovë.
Idealet dhe edukata e Hamdiut, thua ku do të mbilleshin më parë dhe më mirë sesa te i biri Skënderi, i cili gjithnjë deri në frymën e fundit ishte në flakë e prush për të realizuar e jetësuar ato ideale të Rilindasëve, të cilat i pati edhe babai i tij Hamdiu. Babai i Skënderit duke parë gjendjen reale të popullit shqiptar të cilit i mungonin kuadrot pothuajse në çdo lëmi, sidomos kuadrot ushtarake pa të cilat, Hamdiu e kishte vërejtur me kohë, që populli shqiptar do ta kishte të vështirë, apo të pamundur ta fitonte lirinë, e orientoi djalin e tij në atë rrugë.
Ai ishte i bindur që liria dhe bashkimi i trojeve shqiptare mund të fitohej vetëm përmes grykës së pushkës, ndaj kur e përgatiti të birin Skënderin dhe e nisi që ta shkollonte për kuadër ushtarak e porositi: Do të shkosh në Armatën Jugosllave, në armatën e armiqve më të egër dhe më të ndyrë të popullit tonë, ti do të shkosh të mbarosh shkollën, por do të mbetesh shqiptar.
Me militantin e radhëve të para, të maturin dhe të urtin e të përkushtuarin për shokë e veprimtarë, Togerin tankist Skënder Ibishin u njoha në burgun e Pozharevcit, aty ku edhe heshtja fliste, aty ku dashuria dhe malli e bënin syrin të lagej pranverave të pangjyra e plot shi, por edhe pranverave me plot zogj të përkundur djepave e të veshur me këngë e krisma mes reve të vrugëta, ku kërkonim ta zbardhnim Diellin në prehër të lirisë, pranverave njërën pas tjetrës ku lulekuqet shtynin e mundnin dimrin që shpërndante acar, rrebesh, breshër, që shpërndante stuhi, dimrin që zbrazte plumba në horizont e vriste zogjtë e cicërimen e tyre, që vriste lirinë…
Aty njoha Skënderin ballëlartë, urtakun e trimin – pranverë mes shokëve në njërën anë dhe strofullin dimër shtruar me sofra grackash, mes dhëmbëve të prishur e fytyrave të shpifura e të egra të cilat hingëllinin e kafshonin me buzëqeshje të rreme, në anën tjetër.
Ah, sa mirë që i njihte shoku ynë Skënderi, i njihte deri në palcë dhe me një qetësi shpirtërore m`i shpjegonte djallëzitë të cilat dinë t`bëjnë vetëm ata serbët, thoshte ai, mes të cilëve jetova derisa më pikasën, më morën dhe më dënuan me 12 vjet burg të rëndë Serbie.
Në të qeshur i thosha: E qysh, ti djalë i mirë, për dhelpëri doje t`ua kaloje të tillëve?
Qeshnim të dy bashkë.
Fakti që Skënderi kishte qenë oficer i Ushtrisë jugosllave dhe kishte arritur gradën Toger, më bënte ta dua e ta vlerësoj edhe më shumë. Po, sepse ai dhe Organizata së cilës i përkiste, kishte vepruar brenda gojës së ujkut. Skënderi ishte arsimuar dhe kishte arritur shkallën intelektuale e sidomos pjekurinë për të parë e gjykuar sa më drejt.
Kishte asokohe nëpër burgje një numër shokësh jo mjaft të formuar dhe jo mjaft të pjekur në gjykime, të cilët edhe flisnin ndonjëherë kundër PKMLSH-së, Organizatës së fshehtë së cilës i përkiste Skënderi, duke e vënë në dyshim veprimtarinë dhe atdhetarizmin e tyre për shkakun që udhheqësi i tyre Abdullah Prapashtica kishte punuar në sigurimin shtetëror jugosllav, Rexhep Maqedonci në milicinë e kohës e Skënder Ibishi ishte bërë Oficer Karriere.
Pra, para se të më burgosnin nuk kisha dëgjuar gjë për ekzistimin e asaj Organizate. Diçka mësova nga shtypi vetëm pasi u zbuluan dhe një numër goxha i madh i anëtarësisë së saj dhe u dënuan me shumë vjet burg.
Për detajet dhe më shumë për gjithë Organizatën, shtrirjen dhe veprimtarinë e tyre do të mësoja nga Skënderi në burgun e Pozharevcit.

Nga e majta: Abdullah Prapshtica, Skender Ibishi, Fehmi Berisha

Në ato rrethana, kurdoherë që kisha mundësi ta takoja, ndihesha mirë, sepse që në ndejat e para me të, kisha vërejtur që ai bartte vlera dhe cilësi e virtyte, të cilat nuk i posedonim mjaftueshëm ne të tjerët.
– Përse e them këtë?
Sepse, derisa takova Skënderin, nuk kisha takuar ndonjë shok tjetër aq të urtë, largpamës e analist të thellë për kreaturën jugosllave, sidomos analist për armatën e saj. Nuk kisha takuar shok aq të dashur e aq të sinqertë. Nuk kisha takuar shok, i cili ishte i gatshëm të jipte çdo gjë për shokët dhe nuk kisha takuar shok si Skënderin, i cili kurrënjëherë gjatë jetës së tij nuk bëri turr të dalë përpara e të duket, aq më pak të shtyhet me bërryla. Nuk kisha takuar shok që bash asnjëherë, në asnjë rast të mos përgojojë qoftë edhe me një gjysmë fjale këdoqoftë.
Respekt!
Këto cilësi e virtyte, iu desh kohë shokëve që t`i vërenin, e fatkeqësisht disa nuk i vërejtën kurrë, ndaj Skënderin e lanë anash dhe të paangazhuar e të pashfrytëzuar për njohuritë dhe dijen që pati e që do ta avansonte e përparonte TMK-në, FSK-në, pra në Ushtrinë e Kosovës!!! E cili e meritoi dje dhe sot të ishte epror në këtë trupë ushtarake para Skënder Ibishit, njeri profesionist, njeri i guximit e sakrificës, i dijes dhe i gjykimit dhe poashtu i spikatur për analiza ushtarako-politike?

Nga e majta: Osman Osmani, Martin Quni, Skender Ibishi, Rexhep Maqedonci

Jo, pushtetarët e pasluftës në Kosovë, të gjithë pa dallim, gabuan rëndë që Skënder Ibishin e lanë anash dhe nuk ia realizuan ëndërrën, ëndrrën për të cilën kishte sakrifikuar rininë, derdhur mundin, djersën dhe gjakun; të shërbente në Forcën e Armatosur të Kosovës.
Udhëheqësia e Kosovës, secila Qeveri, njëra pas tjetrës, pa dallim se nga cili grupacion politik vinin në pushtet, siç gabuan dhe bënë krim ndaj Skënder Ibishit, gabuan dhe bënë krim edhe ndaj shumë shokëve tjerë, të cilët njësoj si Skënderi, për Lirinë e Atdheut, jo që kishin sakrifikuar vetëm veten e tyre, por kishin sakrifikuar edhe gjithë familjet duke i angazhuar aktivisht në lëvizjen për kauzën shqiptare.
Edhe pas daljes nga burgu, gjithë jetën deri në frymën e fundit, Skënderi krahas luftës kundër okupatorëve sllav, u përpoq aq sa mundi e diti, për t`i bashkuar forcat brenda vetë ne shqiptarëve, plagë kjo që na përcolli brez pas brezi dhe po vazhdon të na përcjellë edhe më tej, dhe për ta forcuar grushtin e përbashkuar, atë grushtin mixhenian, kundër okupatorit jugosllav dhe gjithë satelitëve të tyre. I vetëdijshëm për dhelpërinë e tyre, në radhë të parë, por edhe për forcën reale ushtarake dhe teknologjinë që posedonte armiku, Skënderi tërë jetën qe në kërkim të njerëzores, pra asaj që ishte mbi interesa grupore e klanore, gjithnjë i bindur që mund të fitojmë.

Jo që nuk i kishte vërejtur Skënderi, sikurse edhe në dhjetëra e qindra shokë të tjerë, rrugët e gabuara që ndiqnin pushtetarët duke u katërrithur lartësive e duke u përjargur si hijet e rrëzuara pas lakmive vezulluese, mjerueshëm të etshëm, mirëpo ideali i tij dhe shokëve të mirëfilltë donin ta shihnin vetëm majën e zbardhur shekujve, majën e madhërishme – Lirinë.
Ndaj, atij dhe shumë shokëve të tij, nuk u bënte përshtypje pushteti si ‘‘Olimp i rrejshëm‘‘ me gjithë fuqinë që të jipte, atij i bënte përshtypje vetëm grushti mixhenian dhe ajo maja e zbardhur – Liria.

Fehmi Berisha gjatë mbajtjes së fjalës së tij. Anash tij ulur: Nysret Hajdari dhe Abdullah Prapashtica

Liria e cila do të pagëzonte këngën e pakënduar, i interesonte dhe gjakonte rrezen e cila do të shpalonte gurët dhe rrënjën nga ku ushqehet e lëshon shtat dhe mugullon malin. Mali në të cilin na priste vallja e ndezur, vallja e prusht, në të cilën do t`i ndeznim rrufetë për emrin tonë shpuar betejave, për alfabetin pellazgjik, për alfabetin shqip, në mënyrë që kohës t`i flasim e ta mësojmë me gjuhën e luleve të qëndisur nën hije stralli.

Fehmi Berisha
03.01.2019, Cyrih

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here