Ambasada e Kosovës, gjithmonë e ka përkrahur dhe do ta përkrah LAPSH-in

244

Theksoi ambasadorja Nazane Breca, duke shtuar se ky është mekanizmi edukativo arsimor i pranuar edhe në Zvicër dhe se me strukturën e vet organizative funksionon me sukses, ndaj edhe gjithë, bashkërisht duhet ta ndihmojmë LAPSH-in, që ai të veprojë i bashkuar dhe unik në edukimin e fëmijëve tanë.- Ndërsa sipas kryetarit të LAPSH-it qendror, Nexhat Maloku në 15 kantone mësimin e ndjekin 1800 nxënës shqiptarë.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Në kuadër të 17- Shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës, si dhe festave të Marsit: Ditës së Mësuesit, dhe Ditës së Gruas, si dhe të 38 – vjetorit të demonstratave të `81 shit, mbrëmë, më 9 Mars 2019, në Restorantin Gtatthof  Glattbrugg afër Cyrihut u mbajt një tubim festiv  i organizuar nga Kryesia e LAPSH-it në nivel të Zvicrës me praninë edhe të përfaqësuesve të këtij organizimi në nivele kantonale.

Përfaqësues ministrish edhe nga Kosova

Në këtë tubim festiv , të përshkuar me një program muzikor dhe një darkë të përbashkët, merrnin pjesë  përfaqësuesit diplomatik e konsullor të akredituar në Zvicër si dhe mysafirë nga Kosova: ambasadorja e Kosovës në Bernë, Nazane Breca, – Ministër- Këshilltar,  Mustafë Xhemaili dhe konsullja në Cyrih , Shukrije Ramadani e nga Kosova, zyrtari i Ministrisë së Arsimit, Nuhi Gashi, këshilltari politik i ministrit të Ministrisë së Diasporës, Muhamet Selmani, me që rast shumica nga ta përshëndetën të pranishmit, kryesisht mësues dhe drejtues të LAPSH-it.

Edhe më tej i vogël numri i nxënësve tanë në mësimin plotësues

Në fillim, kryetari i  LAPSH-it në nivel të Zvicrës , profesor Nexhat Maloku , përkujtoi se ky organizëm ka dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen e gjuhës amtare dhe të traditave kombëtare, përkundër sfidave që mund të ballafaqohet një komunitet në vend të huaj dhe se aktualisht në 15 kantone këtë mësim plotësues e ndjekin vetëm 1800 nxënës. Pastaj përshëndeti në emër të kantonit nikoqir Naser Ulaj si dhe disa nga përfaqësuesit e Këshillave Kantonale të LAPSH-it.

Me këtë rast po japim një pjesë të fjalës së ambasadores së Kosovës Nazane Breca në këtë darkë festive, e cila që në fillim tha se:

Kam nderin që sot para jush të përfaqësoj Ambasadën e Shtetit tonë, Republikës së Kosovës ne Zvicër dhe të marrë pjesë bashkë me ju për shënimin e këtyre ditë festash të mëdha e të rëndësishme për gjithë popullin tonë dhe për të gjithë mërgatën tonë të madhe e të fuqishme në Konfederatën zvicerane.

Dita e Pavarësisë së Kosovës 17 shkurti, dita e shtetësisë sonë, është datë historike, jo vetëmpër popullin e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët në Ballkan e kudo që janë ata në diasporë.Republikën e Kosovës e kanë krijuar të gjithë shqiptarët, kudo që janë ata, bashkë me ndihmën emiqve tanë ndërkombëtare.

Përkujtoi se: Njëra ndër shtetet mike që ka ndihmuar konkretisht me diplomacinë e saj efektive, pavarësinë e Kosovës, është edhe Zvicra, e cila, është njëra prej vendeve të para, dhe më këmbëngulësja, që Kosovës t’i jepet Pavarësia. Populli i Republikës së Kosovës do t’i jetë mirënjohës përgjithmonë Konfederatës së Zvicër për ndihmën që ajo i ka dhënë Kosovës dhe që po i jep vazhdimisht edhe sot në shtetndërtimin dhe konsolidimin.

Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është dita e madhe për të gjithë mësimdhënësit por edhe për nxënësit. Kjo ditë të përkujton historinë e gjatë dhe krenare të rrugës së arsimimit në gjuhën shqipe. Nga kjo rrugë e ndritur del edhe obligimi i madh i mësuesve, obligim i shenjtë për edukimin e brezave të fëmijëve në gjuhën amtare dhe shkollimin e tyre. Ky obligim dhe përgjegjësi ndihet sot edhe te Lidhja e Prindërve dhe Arsimtarëve “Naim Frashëri” këtu në Zvicër. LAPSH “Naim Frashëri” tashmë ka një histori të gjatë që ka bërë, pothuajse një çerek shekulli, në edukimin e brezave të tërë të fëmijëve mërgimtarë në Zvicër. Unë ju uroj dhe përgëzoj për punën e madhe që është bërë dhe po bëhen në përpjekje për të përfshirë më shumë nxënës në shkollën shqipe në Zvicër. Sigurisht që kohërat e sotme kërkojnë edhe angazhime shtesë për të arritur sukses edhemë shumë në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe duhet shfrytëzuar të gjitha mundësit e pashfrytëzuar deri më sot që kërkon ky proces mësimor, për ta rivitalizuar e përditësuar për kushtet e ditëve të sotme.

Ndihma institucionale e domosdoshme

Ndihma e domosdoshme institucionale nga ministritë si ajo e Diasporës dhe e Arsimit të Qeverisë së Kosovës për mësim të përbashkët në gjuhën dhe kulturën shqipe, nuk do të mungojë dhe ajo do të intensifikohet. Tashmë Ministria e Arsimit e Kosovës, i ka përpiluar 17 tekste për shkollën plotësues në gjuhën shqipe që janë në përdorim, dhe, gjithashtu, është edhe Abetarja e përbashkët, ndërsa Zvicra ka përpiluar 7 tekste didaktike për nxënësit me prejardhje të huaj. Dhe, sigurisht kjo ndikon në ngritjen e cilësisë në mësimnxënie.

Unë, këtu, po e përsërisë këshillën dhe thirrjen time për prindërit në Zvicër: Dërgoni fëmijët në shkollimin plotësues në gjuhën shqipe në kuadër të LAPSH-it! Gjuha shqipe është baza e ndërtimit të personalitetit të fëmijëve tuaj!

Ambasada e Republikës së Kosovës, gjithmonë e ka përkrahur dhe do ta përkrah LAPSH-in,sepse ky është mekanizmi edukativo arsimor i pranuar edhe në Zvicër dhe , me strukturën e vetorganizative, funksionon me sukses. Ne të gjithë, bashkërisht duhet ta ndihmojmë LAPSH-in, qëai të veprojë i bashkuar dhe unik në edukimin e fëmijëve tanë këtu në Zvicër.

Ambasada gjithmonë do të jap kontributin mbështetës në drejtim të unifikimit dhe fuqizimit tëkëtij mekanizmi arsimor të diasporës sonë në Zvicër, diasporë, të cilën e ka bashkuar dhe e bashkon një kulturë, një gjuhë dhe një arsim.

Gratë përbëjnë gjysmën e mërgatës shqiptare

Më tej ambasadorja nënvizoi se: Dita Ndërkombëtare e Gruas 8 Marsi, vjen si një ditë e shënuar historike për, nënat, gratë e gjithë botës, ditë e shënuar edhe për nënat, gratë dhe motrat tona në diasporë, të cilat janë gjysma e numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të mërgimtarëve tanë këtu në Zvicër. Kjo ditë mund të festohet, pse jo! Por, gratë, megjithatë edhe duhet të protestojnë e luftojnë më shumë për të drejtat e tyre në familje dhe rritjen e saj, për të drejtat në punë, në shoqëri, në mënyrë që të jenë të barabarta në të gjitha fushat e jetës, ashtu siç bëjnë pothuajse të gjithë gratë e botës në këtë datë të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. Protesta dhe lufta e grave për të drejta, nuk duhet të merret bukfalisht si një luftë kacafytëse, por si një proces të përditshëm për fitimin e të drejtave me njohuri, dije, profesionalizëm dhe dinjitet.

Në fund ambasadorja Breca të gjithë të pranishmëve iu drejtua me një urim për festën e pavarësisë së Kosovës dhe festat e marsit.

Në kuadër të kësaj mbrëmje festive , veprimtarja e hershme e çështjes kombëtare, mësuesja Saimi Isufi përkujtoi një rrëfim nga demonstratat e vitit `81 kur studentët u nxorën me dhunë nga konviktet e tyre, mjaft nga të cilët edhe u persekutuan apo edhe u burgosën.

Katër anëtarë nderi për merita të veçanta dhënë arsimit shqip

Në fund kryesia e LAPSH-it për anëtarë nderi zgjodhi mësueset Nexhmije Nussbaumer Ibrahimi,  për kontributin e madh në arsimimin e femrave shqiptare përmes projektit “Drita”, mikeshën e madhe të shqiptarëve , humanisten zvicerane Analies Schneler edhe për kontributin e madhe për fëmijët mërgimtarë shqiptar në fazën e luftës;  mësuesin Hasan Spahija , sapo të pensionuar pas një pune shumëvjeçare në mësimin plotësues dhe profesorit të Shkollës së Lartë Pedagogjikë në Cyrih, Prof. dr. Naxhi Selimit, për kontributin e dhënë në tekstet pedagogjike.

Programin artistik, pos disa recitimeve nga një grup nxënësish e përbënin edhe këngëtarja shkodrane, Gentjana Tafili dhe Xhemail Murtishi.

Darka e shoqëruar me muzikë popullore nga këngëtarët e pranishëm, që krijuan një ambient tejet festiv,  ishte ndihmuar kryesisht nga firma të afaristëve shqiptarë në Zvicër.