Më 15 tetor 2022, në Bernë të Zvicrës u bë promovimi i librit të rradhës së gazetarit të mirënjohur Rexhep Rifati me titull “Arbëreshët- fotosintezë e shpirtit tim”.
Për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e gazetarisë, kulturës dhe të promovimit të komunitetit shqiptar në diasporë, gazetarit Rexhep Rifati iu nda Mirënjohje e përbashkët nga Ambasada e Kosovës, Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut. Mirënjohjen ia ndanë udhëheqësit e misioneve që ishin të pranishëm në mbrëmje, ambasadorët Ilir Gjoni dhe Sami Ukelli.
Për ta nderuar veprën e Bacës Rexhë siç e thërasin me respekt tërë ata që e njohin, kishin ardhur mysafirë të shumtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Italia, Franca, Austria e gjetiu. Këtë mbrëmje kulturore e begatuan me pjesëmarrje edhe arbëreshët të ardhur enkas nga Kalabria e Italisë, që interpretuan këngët burimore arbëreshe.
Bacës Rexhë i cili ka mbushur 80 vjet jetë e mbi 55 vjet aktivitet i dëshirojmë edhe me tutje shëndet dhe punë të mbarë.