Vajza shqiptare Rina Hajra nga Ferizaj e cila ka qenë vetëm shtatë vjeçe kur ka shkuar, bashkë me prindërit e me dy motrat më të mëdha në Amerikë, në shtetin Arizona, krahas mbrojtjes së një diplomë në drejtësi, pasion kishte edhe aktrimin sa të luajë rolin kryesor në filmin “Lufta ime Sekret”, një dramë psikologjike kjo e luftës së fundit në Kosovë, tash më 9 maj, kurorëzohet edhe me një magjistraturë në Shkencën e Artit, dega e aktrimit në Universitetin Shtetëror të Ohajos
Nga Rexhep Rifati
Shumë të rinj e të reja shqiptare në mërgatë sa po na gëzojnë aq edhe befasojnë, me arritjet e tyre në fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit e ku jo?! Madje edhe tej Atlantikut na vijnë lajme shumë të këndshme për triumfet e të rinjve tanë.
Sot sapo pash edhe këtë lajmë në fb e profesoreshës dhe fqinjës sime nga Ferizaj, Jeta Y. Hajra, se : “Më datën 9 maj 2021, vajza jonë e “vogla” Rina Hajra, mbas një përkushtimi të madh profesional për tri vite me radhë magjistroi në Shkencën e Artit , dega e aktrimit në Universitetin Shtetëror të Ohios, Columbus. Ishte një gëzim i madh përzier me krenari. I urojmë karrierë të shkëlqyeshme.”.
Teksti i përcjell edhe me disa foto nga akti solemn i studentëve të posa magjistruar, në mesin e të cilëve edhe ferizajasja jonë, Rina Hajra, vjen bashkë me një spektakël madhështor të organizuar nga vet Universiteti Shtetëror i Ohajos, tregon për një organizim madhështor që një universitet amerikan i dedikon studentëve të posa diplomuar, të pajisur edhe me grada shkencore.
Jo vetëm Rina në këtë rast, por të tri vajzat e intelektualëve ferizajas, përndryshe profesor të gjuhës shqipe Hajro Hajra dhe Jeta Y. Hajra, por edhe miq e fqinjë të mirë të mi, kanë arrit rezultate brilante në shkollim, natyrisht se duke e pas edhe mbështetjen e vazhdueshme të prindërve të tyre të shkëlqyeshme. Kështu motra e madhe, Nora ka diplomuar në të njëjtin universitet pak vjet më parë, në Shkencat Politike, ndërsa motra tjetër, Arba ka diplomuar bashkë me Rinën Komunikim dhe Marrëdhënie Publike dhe është certifikuar për Administruese Ngjarjesh (Event Management).
Rina si një diell i vogël në tokë që rrezaton dashuri
Dhe tash na vjen edhe një sukses tjetër i motrës më të re, Rina Hajra, e cila siç kemi shkruar edhe më parë është një vajzë me një energji dhe etje të pashtershme për t’i hulumtuar, për t’i ndryshuar e për t’i plotësuar gjërat. Mbi të gjitha, ajo ka dashurinë për njerëzit dhe dëshirën për ta bërë këtë botë sa më të dashur, sa më të lumtur dhe sa më paqësore. Buzëqeshja dhe gatishmëria e saj që të ndihmojë për t’i bërë njerëzit të ndihen sa më këndshëm e sa më të rehatshëm, është natyra e saj specifike. Ajo është si një diell i vogël në tokë që rrezaton dashuri dhe respekt për njerëzit përreth. Ajo jeton për buzëqeshjet e njerëzve. Ajo thotë: unë gjithmonë përqendrohem në anët pozitive të njerëzve, sepse kur ato pranohen dhe kultivohen, vetvetiu zvogëlohen veset e tyre. Kur njerëzit respektojnë njëri- tjetrin, ata gjithmonë ndryshojnë më lehtë dhe bëhen më të mirë. Nëse njerëzit injorohen, ata bëhen më të vrazhdë. Pra, është gjithmonë më së miri t’ua nxjerrim në pah dhe t’ua miratojmë të mirat atyre. Mendoj se gjithmonë është më mirë t’u qasemi njerëzve nga pozitivizmi, sesa nga negativizmi.
Të kthemi pak në të kaluarën e Rinës: Ajo është me prejardhje nga Ferizaj dhe ka qenë vetëm shtatë vjeçe kur ka shkuar, bashkë me prindërit e me dy motrat më të mëdha, në Amerikë, në shtetin Arizona. Si për të gjithë të ikurit nga lufta, edhe për të fillimi ka qenë i vështirë. Mjedis i ri, gjuhë e panjohur, sistem krejtësisht i ndryshëm shkollimi nga ai i Kosovës.
Fillimet e aktrimit me shfaqjen “Liza në botën e çudirave”
Megjithatë, në vitin tjetër shkollor, mësuesja e Rinës u kishte thënë prindërve të saj se Rina e flet dhe e shkruan anglishten më mirë se nxënësit amerikanë, ka një imagjinatë shumë të pasur dhe është një fëmijë plot dashuri. Filloren dhe shkollën e mesme Rina e ka mbaruar me sukses të veçantë. Në vegjëli ajo kishte shumë pasione, por nga të gjitha ato, ngadhënjeu aktrimi. Aktrimin e filloi me shfaqjen “Liza në botën e çudirave”, për të vazhduar më tutje në shumë shfaqje të tjera, njëkohësisht duke ushtruar vallëzimin, duke ndjekur disa klasa të zërit si dhe duke u marrë me shumë aktivitete humanitare. Në Festivalin e Aktrimit të shkollave të mesme, ajo me grupin e saj zuri vendin e parë në Arizonë. Gjatë verës së vitit 2009 ajo mori pjesë në një audicion që i mundësoi të shkonte në një kurs intensiv njëmujor të aktrimit në Konservatorin e Arteve Dramatike në Nju-Jork (New York Conservatory for Dramatic Arts). Atje ajo është përzgjedhur dhe ka ndjekur klasën më të avancuar të aktrimit.
Pas shkollës së mesme Rina u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Arizonës (njëri ndër universitetet më të mëdha publike në SHBA) dhe katër vjet më vonë, në muajin maj 2014 ajo diplomoi në dy fakultete njëherësh, në atë të aktrimit dhe në atë të drejtësisë. Në të dy drejtimet mori notat më të larta dhe diploma me “Summa Cum Laude” me GPA me të lartë, ose notat A dhe A+.
Gjatë studimeve luajti disa role të rëndësishme në shfaqje të ndryshme teatrale dhe në disa filma të studentëve. Teatri dhe filmi për të janë jeta e vërtetë e saj. Aktualisht Rinën e përfaqëson Dani’s Agency, një agjenci e njohur aktrimi në kryeqytetin e Arizonës. Tema diplome në të dy drejtimet (aktrim e drejtësi) Rina ka pasur luftën e Kosovës.
Tema e diplomës në drejtësi- gjenocidi serb në Kosovë
Fillimisht ka mbrojt temën e diplomës në drejtësi, e që ka qenë gjenocidi serb në Kosovë e në vise të tjera të ish-Jugosllavisë, e parë nga prizmi i gjykimit të Millosheviqi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndërkaq temë diplome e aktrimit ka qenë drama të cilën vetë Rina e ka shkruar e që për subjekt po ashtu kishte gjenocidin serb në Kosovë dhe kishte titullin origjinal “Puhiza and Toka”. Kjo dramë është vënë në skenë nga studentët e aktrimit, ku përveç si autore e dramës dhe e skenarit, ka aktruar edhe Rina (si rrëfyese). Drama është shfaqur dy herë në njërën nga studiot e universitetit para profesorëve të aktrimit dhe para publikut të përzgjedhur shqiptar e amerikan. Ka qenë një e papritur dhe shumë emocionues, sidomos fillimi i shfaqjes, i shoqëruar me tingujt e këngës “Baresha” të Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Jo vetëm fillimi, por e gjithë shfaqja fillim e mbarim e ka bërë publikun, madje edhe atë amerikan, të derdhë lot. Këtë dramë të Rinës profesorët e kanë vlerësuar me notën më të lartë. Rina thotë se ajo është rritur nën kujdesin dhe dashurinë e veçantë të prindërve e të dy motrave më të mëdha, për të cilat thotë se janë shoqet më të mira të saj. Motra e saj e madhe, Nora ka diplomuar në të njëjtin universitet tre vjet më parë, në Shkencat Politike, ndërsa motra tjetër, Arba ka diplomuar bashkë me Rinën Komunikim dhe Marrëdhënie Publike dhe është certifikuar për Administruese Ngjarjesh (Event Management).
Filmi “My Sekret War” i Rina Hajrës – fiton çmimin “Best Director of 2019” dhe “Best Editing of 2019” në Los Angeles Film Awards!
Sukseset e Rinës nuk patën të ndalur, sa filmi “Lufta ime Sekret”, që është një dramë psikologjike e luftës së fundit në Kosovë e që përqendrohet në luftën e një gruaje të re për të kapërcyer egërsinë që përjetoi si një fëmijë në luftë e që alternon midis momentit të tanishëm dhe të kaluarës, duke gërshetuar kujtesa historike, kurorëzohet me çmime të larta nga jurit profesionale
I shkruar nga vet Rina Hajra, një refugjate, filmi është një testament i fuqishëm ndaj rezistencës njerëzore dhe fuqisë së faljes. Është një film me vetëdije shoqërore që eksploron temat e mizorisë njerëzore, refugjatët dhe çfarë do të thotë të kesh një shans të dytë në jetë…
Premiera e filmit “Lufta ime e fshehtë” (“My Sekret War”)
M e rastin e shfaqjes së premierës së këtij fili për portalin tonë “prointegra.ch, babai i Rinës, profesor Hajro Hajra na shkruan nga Arizona: “Më 14 mars 2019 në kinemanë Pollack Tempe Cinemas, të qytetit Tempe të Arizonës u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër “Lufta ime e fshehtë” (“My Sekret War”). Skenariste dhe producente është Rina Hajra, e cila në këtë film luan dhe rolin kryesor. Regjinë e ka bërë Kevin R. Phipps, kurse rolet kryesore i luajnë Harlie Phipps, David Aulov, Jason Isaak, Andrew DeCarlo, Shane Dean, Jared Keesling, Kristina Sabbagh e të tjerë. Kameraman është Nicholas Fornwalt, autor i muzikës Bruce Bray, kurse producent ekzekutiv Allen Valor.
Filmi u shfaq për afro 200 mysafirë të ftuar (shqiptarë e amerikanë), ku ishin të pranishëm edhe pothuaj gjithë ekipi realizues i filmit. Para fillimit të shfaqjes së filmit, Rina Hajra, e cila pasi ka përfunduar studimet për drejtësi e aktrim në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), aktualisht është studente e shkallës së tretë, dega e aktrimit (njëherësh dhe mësimdhënëse), në Universitetin Shtetëror të Ohajos (Ohio State University), falënderoi gjithë ekipin e filmit për punën e madhe që kanë bërë si dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar materialisht realizimin e këtij projekti të filmik.
Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë gjatë luftës. Filmi përqendrohet në psikologjinë e njeriut, se si ai gjen forcë që t’i tejkalojë tragjedinë edhe sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Mision i filmit është që t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqësorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe të kenë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.
Pas përfundimit të filmit që u prit me duartrokitje të gjata, po edhe me lot, pasuan pyetje të shumta për autoren e filmit, e cila u përgjigjej me shkathtësi. Krejt në fund, pasi spektatorët e kishin mbuluar Rinën me tufa lulesh të freskëta, të gjithë dolën në hollin e kinemasë ku ishte shtruar tapeti i kuq dhe bënë fotografi të shumta me autoren e filmit dhe me anëtarë të tjerë të ekipit të filmit.
Pas kësaj shfaqjeje premierë, Rina Hajra tashmë ka aplikuar dhe do të aplikojë në disa festivale të njohura të filmit, me shpresë që filmi të pritet mirë dhe mbase edhe të shpërblehet.
I urojmë fat filmit e autores në rrugëtimin nëpër festivale!”
Në emër tim me familje e të redaksisë së “prointegrës” , duke përfshi Skënder Hajdarin, i urojmë Rinës edhe këtë arritje në rrugën e karrierës së saj prej një juristeje e aktoreje, duke i përgëzuar njëherësh edhe prindërit e saj, miqtë tanë të veçantë Hajro Hajra dhe Jeta, gjegjësisht Ymrane Hajra me dy vajzat tjera, gjithashtu të suksesshme në jetë dhe në karrierë.
( Fotot për këtë shkrim janë marr nga fb e vet Rina Hajrës dhe nënës së saj Jeta Y. Hajra)
































