Jeta HAJRA
Më 22 tetor 2017 në kryeqytetin Feniks (Phoenix) të Arizonës (SHBA), Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës, nën udhëheqjen e autores së këtij shkrimi, organizoi manifestimin e 11-të me radhë kushtuar jetës dhe veprës humanitare të Nënës sonë të Shenjtë Terezë.
Veç programit të shkurtër artistik, këtë vit u organizua edhe nje projekt i vogël humanitar, i quajtur “Fëmijët për fëmijët”. Për realizimin e këtij projekti, Shoqata bashkëpunoi me Organizatën Amerikane Send Kids the World, e cila i siguroi emrat dhe adresat e fëmijëve të sëmurë, nëpër qytete të ndryshme të Arizonës, të cilëve fëmijët shqiptarë u dërguan kartolina përshëndetëse, ndërsa për fëmijët e shtrirë në spital, fëmijët shqiptarë kishin blerë lodra të bukura, për t’ua dhuruar atyre. Qëllim i këtij aksioni bamirës ishte që t’i frymëzojmë fëmijët tanë për të menduar dhe për t’i ndihmuar të tjerët moralisht dhe praktikisht, me gjëra të vogla e të thjeshta, por me dashuri të madhe, siç thoshte Nëna jonë e Madhe. Si pasardhës të Shën Terezës, fëmijët tanë filluan me një veprim humanitar fisnik, të organizuar si grup, për të bërë diçka njerëzore për të tjerët, ashtu siç kishte bërë Nëna jonë Terezë gjatë gjithë jetës së saj, nëpër gjithë botën, duke i ndihmuar të tjerët, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare a fetare.
Në një ambient të bukur plot gjelbërim e hije, rreth shtatores së Shën Terezës, u shfaq një program i shkurtër artistik me muzikë e valle, me recitime dhe me një kuiz diturie për fëmijët. Programin e udhëhoqën në mënyrë të shkëlqyeshme Jesina Fidani (në gjuhën shqipe) dhe Rina Hajra (në gjuhën angleze). Si zakonisht, ky aktivitet filloi me paradën e fëmijëve rreth shtatores së Shën Terezës. Të rreshtuar në radhë, secili fëmijë me nga një trëndafil të kuq në duar dhe me portrete të Shën Terezës, parakaluan rreth “shtatit” të Shën Terezës dhe, në fund, i vendosën trëndafilat para “trupit” të saj.
Pas parakalimit, grupi i vajzave të reja Donalda Pasho, Rina Hamiti, Nora e Arba Hajra dhe djaloshi Klevis Lasku, lexuan opinione të njerëzve të famshëm rreth veprës së Shën Terezës.
Më pastaj u zhvillua një kuiz i shkurtër me fëmijët rreth veprës bamirëse dhe përkatësisë kombëtare të Shën Terezës. Fëmijët u përgjigjën në mënyrë shumë simpatike dhe dhanë përgjigje të sakta. Në vazhdim Grupi i Valleve i Fëmijëve “Ora”, nën udhëheqjen dhe përgatitjen me plot dashuri të vajzës së re Jesina Fidani, interpretuan “Vallen e Tropojës”. Fëmijët me kostume të përshtatura kombëtare zbukuruan edhe më atë ambient të bukur. Publiku i ndiqte me kënaqësi dhe i shoqëronte me duartrokitje e klithma gëzimi. Pas përfundimit të valleve, valltarja e vogël e shumë simpatike Valëza Rizvanolli i dhuroi një tufë trëndafilash mësueses veterane Fiqiret Zela, e cila i mëson shqip fëmijët me përkushtim, vullnetarisht, falas.
Në fund fëmijët sollën dhuratat që kishin marrë me vete për t’ua dërguar fëmijëve me sëmundje të rënda, të kërcënuar me vdekje. I vendosën në dy pako të mëdha, që të dërgohen në njërin nga spitalet e Feniksit. Pas këtij veprimi humanitar, fëmijët filluan t’i shkruanin kartolinat për fëmijët me shëndet shumë të rrezikuar. Kartolinat i dekoruan me figura ngjitëse, varësisht prej interesimeve të fëmijëve të cilëve u dërgohen. Fëmijët e bënin këtë me një përkushtim dhe seriozitet shumë simpatik. Ishte kënaqesi e madhe t’i shihje pasardhësit e Nënës Terezë, duke u përpjekur për t’i gëzuar të tjerët.