“Ai ishte baba jem!”

DITAR TETOVAR
26 dhjetor 2024

S’ka më borë.

Na i prenë prapë dritat.

Jemi pa rrymë, pa Strom, pa strujë. Për disa orë paradite.

Asnjë shpjegim. S’dimë pse, sa, kur, qysh… S’e meritojmë ta dimë. S’ndjejnë nevojë t’na shpjegojnë. Të shprehin keqardhje. Mazalla t’na kërkojnë të falur. Për mungesën e një shërbimi elementar. Nga i cili na varet uji dhe buka. Të cilin – si thonë në Tetovë – e paguajmë helm me gjak.

Terr i dyfishtë. Terr ambiental. Terr informativ. Zi!

Por, ka akoma më zi. Kushërinjëve të mi u është fikur një dritë e madhe përgjithmonë. Para pak kohe u ka ndërruar jetë baba. Pasdite shkuam për kryeshëndosh te ata. Këtë e kemi gjithmonë në agjendë kur jemi në Tetovë.

Babai i tij ishte një mik i shtrenjtë i shtëpisë sonë. Ka qenë një burrë bujar dhe fisnik. Ai dukej ndër të parët për të na uruar për festë e ndër të parët për të na ngushëlluar në zi. Ishte një kuvendar i mençur. Kishte mendime të pazakonshme për gjërat.

Si fëmijë kam kaluar shumë kohë në shtëpinë e Mikut tonë. Ai ishte një njeri me shprehi njëmend qytetare. Për të ishte puna-punë dhe familja-familje. I respektonte fundjavën, ekskursionin, fiksimin fotografik të çasteve të rralla… Kjo nuk është e vetkuptueshme dhe sot, e unë po flas për vitet 80-të.

Në shtëpinë e Mikut tonë më ka bërë gjithmonë përshtypje një libër i vetmuar në vitrinë. Ai binte në sy edhe për vëllimin që kishte sa katër-pesë libra. Në kapak shkruante: Kapital, Karl Marks, Fridrih Engels. Në alfabet latin.

“Ç’është ky libër kështu?!”, pyesja. Më bënin me shenjë kah Miku. S’e kisha parë ndonjërin duke e lexuar. “Mbase ka kohën e vet kur lexohet ky!”, mendoja. Sikur lexohet Kurani të Xhumave. Më vonë, me lëvizjen e gjërave, “Kapitali” u zhduk nga vitrina. Në ambientet e shtëpisë së Mikut, u shfaq një libër tjetër i trashë me dy vëllime: “Don Kishoti i Mançës”, Miguel de Servantes Savedra. Ky roman, të cilin ua kam huazuar dhe s’ua kam kthyer më, rrëfen për avanturat e një kalorësi të vonuar, Don Kishotit, dhe shqitarit të rij, Sanço Pançës. Kurse “Kapitalin” e bleva vetë më pas në origjinal. Një botim të veçantë, të ilustruar! Shumëkush do t’i krahasonte autorët e “Kapitalit” me personazhët e Servantesit. Ai identifikohej gabimisht me komunizmin që kemi njohur. “Kapitali” vërtet është një ndër librat kapital të mendimit filozofik e sociologjik.

Nuk kam pyetur ndonjëherë, por miku duhet të kishte kryer e shumta tetë klasë fillore. Një gjë është e sigurtë: Ku ka libra si “Kapitali” dhe “Don Kishoti”, i cili shpesh çmohet si romani më i mirë i shkruar ndonjëherë, flitet domosdo për gjëra të mençura.

Kur shkoja për vizitë më vonë, Miku m’i nxirrte ca artikuj të prerë gazetash, që i ruante në një dosje! Ai kërkonte një audiencë më të gjerë për idetë e tij.

Njëherë më pyeti për rrugët e nxjerrjes së një libri. Kishte ca fletore me kujtime dhe mendime, që donte t’i botonte. M’u duk se botimin e librit ia prezantova më të vështirë nga ç’ishte. Unë vërtet nuk i dija mirë këto punë. Për librin që kisha botuar para ca kohe ishte kujdesur nga A në Zh një shoku im këtu. “Mirë, mirë”, m’u drejtua në fund duke tundur kokën me një zhgënjim të fshehur.

Herën e radhës, mendova, e ka zgjidhur punën e botimit shënimeve që kishte. Ai më foli për merakun e botimit të disa meselerave, që i kishte regjistruar në një disk! Ca i kishte mbledhur, të tjerat i kishte krijuar vetë. Kësaj here i kishte vënë vetë edhe kontaktet me producentë. Ata i kishin ofruar për materialin një honorar fyes. Atëherë ai i kishte sikterisur!

Viteve të fundit Miku ka dergjur nga ca vuajtje që iu shpifën me moshën dhe e lidhën për shtrati. Kur i shkoja për vizitë, i bëhej qejfi fort. Dhe kuvendonim për punën, për Zvicrën, për politikën…

Para tri javësh ai ishte përshëndetur përgjithmonë nga kjo botë prej mjalti dhe zeheri. Pyetjes së mallkuar për moshën, që rrëshqet për dreq në këto raste, kushëriri i përgjigjet: “Ai ishte baba jem!”

Unë i them atij: Ai ishte miku jem! Qoftë i Parajsës!