AI BAC SOT PO RIKTHEHET

Fjala e Izmi Zekës e lexuar në Akademinë me rastin e rivarrimit të dëshmorit të kombit në varreza të dëshmorëve në Gjilan Xhevat Qerimi

10 Janar 2020

Sot mbushen 27 vjet dhembje e pikëllim që Xhevat Qerimin nuk e kemi të gjallë juve prindër të dashur nënë Rexhie e babë Basri, birin tuaj, ty Imrie që të mungon shoku i ideali , ty Qëndresa e Jetmira që ju mungoi babai, juve motra e vëllezër të tij që për kaç vite e kujtuat me dhimbje por edhe ne që e patëm shok mik e bashk familjarë, jetuam me krenarinë duke e përkujtuar gjithherë e gjithmonë me pietet e dashuri mu ashtu siç përkujtohen burrat e mëdhenjtë të Kombit e Atdheut , që gjithçka që kishte vënë në shërbim të luftës për çlirim kombëtare nga pushtimi i trojeve tona.

Historia shqiptare

Botërisht dihet tashmë se historia shqiptare përjetësisht e pazgjidhshëm është e ndërlidhur me veprime e ngjarje; rënie, përsëri rënie e ri ngritje pas përplasjesh të ashpra që i kanë dhënë formë ndryshimeve të mëdha e që kanë ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave e qenies sonë kombëtare.

Për një historian është përgjegjësi e madhe të shkruash për personalitetet që i kalojnë përmasat e të jetuarit njerëzor e bëhen simbol i sakrificës, vetëflijimit dhe ideator të lëvizjes së gjithmbarshme të lirisë e luftës kundër sistemeve totalitare që demonizonin e provonin të zhbënin esencat e qenies nacionale po edhe njerëzore.

Ringritja e rizgjimi

Kjo ishte gjendja e shqiptarëve në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pikërisht në ato vite kur filloi edhe ringritja e rizgjimi i qenies sonë kombëtare

Kësaj rilindjeje historike të qenësisë shqiptare iu bashkëngjit edhe Xhevat Qerimi, djaloshi që ishte rritur me këngët për Azem Bejtën e Hasan Prishtinën; që frymëzim të veçante kishte vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën , Rexhep Malen e Nuhi Berishën.

Atdheu e fiton kuptimin me ta

Jeta e Xhevatit më së miri do t’i përgjigjej betimi e vendosmëria e Ukshin Hotit, i cili theksonte se “Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe”.

Kjo dhe ishte edhe TEZA mbi të cilën u ngrit e formësua dëshmori Xhevat Qerimi, i cili kapitalizoi dijen me veprimin politik – ilegal dhe gatishmërinë deri në flijim e shndërroi në rënie për ringritje të një populli.

Disejnator i kohës

Historikisht, vitet që nga 1985 e deri 1993 shënojnë ringritjen e organizimit ilegal në kuadër të Lëvizjes çlirimtare të kohës që emërtohej si organizmim brenda LPRK.

Kjo ringritje nga aspekti shkencor paraqet diversitetit e kohës dhe arsyeshmërin e zhvillimit dialektik të ndërthurur me veprime ilegale konkrete e të dizajnuara nga njeriu kryesor i kohës Xhevat Qerimi.

Në aspektin historik kjo kohë ruan kontinuitetin e lëvizjes ilegale në Kosovë pas burgosjes së shumë grupeve ilegale në Kosovë e që për protagonist kishte dëshmorin e sotëm Xhevat Qerimin.

Kësaj plejade të atdhetarëve të prirë nga Xhevati iu kishin bashkangjitur shumë të rinjë e të reja ku pa ta zëri dhe kushtrimi i kësaj kohe dhe përgatitja për luftë çlirimtare do të mbetej një ëndërr e mirë por jo e realizuar ashtu siç e kërkonte koha

Xhevat Qerimi apo drejtuesi që nga 85 e deri në rënien e tij më 10 dhjetor 1993 do të kishte përkrah shumë atdhetarë dhe liridashës që për jetë kishin lirin e Kosovës.

Rrjedhim i logjikshëm i vazhdimësisë

Të nderuar qytetarë të Gjilanit dhe familje e Xhevatit

Pikëpamjet e Xhevatit nga të dhënat dhe shkrimet autentike janë dimension real e praktik dhe nga ky përkufizim kjo figurë emblematike del si rrjedhim i logjikshëm i vazhdimësisë e të përpjekjeve për krijimin e vlerave të platformës për shtetësinë e Kosovës. Prandaj veprimtaria e këtij dëshmori duhet të shikohet në kontekstin kohor.

Kur të kthehem asgjë nuk do të jetë siç ishte më parë

Ai e ka prekur vdekjen për të jetuar të tjerët, e ka ndier atë dhe ka kaluar në përjetësi. Ishte përgatitur për atë dhe aq fuqishëm gërshetohen vargjet e Agim Ramadanit për portretin e tij ku ndër të tjera shkruan” Kur të kthehem asgjë nuk do të jetë siç ishte më parë” kur të kthehem edhe unë ndoshta do të jem në një jetë tjetër. Pra përmes rreshtave të dëshmorit Agim Ramadani reflektohet qartë vizioni i tij, liria e Kosovës e fëmijëve të tij i dy bukuroshëve të tij.

Aq natyrshëm flenë vargjet “ Nëse nuk shihemi, dha na ndan vdekja, jetoje jetën nënë, patjetër do të vij, gjumi yt të bëhem.

Dhe vërtet sot Xhevati kthehet në panteon; i buzëqeshur dhe krahëhapur për të jetuar jetën, ai erdhi sot në vargje, ku arkivave të harruara po hu shkundet pluhuri historik.

Ndikoi fuqishëm në rrjedhat e Lëvizjes

Në kuptimin e vlerësimit kombëtar, filozofia e shtrirjes ilegale dhe luftarake të bashkërenduar nga Xhevat Qerimi paraqet kulmin e zhvillimit të saj, duke krijuar kushte për zhvillim dhe progres të mëtutjeshëm.

Ndikim të fuqishëm pati në këto rrjedha të lëvizjes ilegale ngase veprimtaria e Xhevat Qerimit konceptohej në tri linja: në njërën anë angazhimin për përgatitjen dhe njohjen në esencë të qytetarit për shtypjen që bënte Serbia, për ndërkombëtarizimin e shtypjes dhe të luftës si pjesë e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Parapërgatitja e tij, potenciali intelektual, njohja e rrethanave ndërkombëtare, ishin komponent që ndikuan në proceset e mëtutjeshme dhe strukturimin e lëvizjes çlirimtare drejt procesit final…

Lufta çlirimtare si alternativa më kreative

Në këtë shikim figura e tribunit të kësaj treve konsistonte në artin e luftës. Dhe ky art natyrshëm drejtpeshohet në frymën dhe qartësinë që e përshkonte dëshmorin e kombit dhe personifikimin e luftës çlirimtare si alternativ e vetme dhe e pashmangshme për zgjidhje përfundimtare.

LPRK nga viti 85 e këtej do të mbetet shembulli më unikat se si organizimi ilegal ka dy rrugë që qojnë deri në zgjidhje. Rruga politike ilegale dhe përgatitja për një luftë kundër regjimit të egër serb.

Nga kjo distancë kohore vitet e organizimit ilegal në Anamoravë paraqesin fillimin e një kohe të re të ndërgjegjësimit për organizimin dhe përballjen me forcat serbe.

Xhevati ishte i pari i cili edhe pse ishte drejtues për Anamoravë ai i filloi stërvitjet në Shqipëri.

Në këtë kontekst shoku dhe veprimtari i idealit të Xhevatit, Irfan Musmurati shkruan po citoj:

Xhevati – mendja, arti i luftës dhe e ardhmja e ndritshme e Kosovës

“Të vetëdijshëm se çlirimi ynë nuk arrihet vetëm me bisedime e mjete demokratike na duhej të ndryshonim formën e organizimit rrodhi si domosdoshmëri përgatitja dhe shtimi i kuadrove ne sektorin ushtarak. Kështu që, në gusht të vitit 1991 me vendim te Këshillit të Rrethit Xhevati u vendos të shkojë në Shqipëri për stërvitje ushtarake bashkë me një numër të konsiderueshëm shokësh të Lëvizjes ilegale, me Grupin e Parë që në opinion njihet si grupi i Zahir Pajazitit duke qëndruar atje rreth një muaj e ca në ushtrime e stërvitje në repartet e njësive speciale ushtarake në kazermat e Ushtrisë Shqiptare të komanduar nga oficerët e dalluar të njësive speciale Hysen Ymeri, Kastriot Hoxha, Agron Dhimarko dhe Ylli Mici e të tjerë.

Siç u tha më lart pas stërvitjeve që bënë në Shqipëri Xhevat Qerimi u caktua përgjegjës për organizimin dhe përgatitjen për luftë në Anamoravë, Adem Jashari për Drenicë, Zahir Pajaziti për Llap dhe Sali Çeku për Dukagjin.

Xhevati – udhëheqës i luftës ilegale për liri

Nga ky refleksion Xhevat Qerimi paraqet në mënyrë emblematike historinë më të re të Kosovës, paraqet mendjen, artin e luftës dhe të ardhmen e ndritshme të Kosovës, prandaj edhe bashkëveprimtari i i tij Ismet Sylejmani ashtu do ta përshkruaj:

“Heroi Xhevat Qerimi bën pjesë në grupin e atyre shokëve e bashkëveprimtarëve, në mesin e prijësve e udhëheqësve të luftës ilegale për liri, që çdo ditë të aktivitetit të jetës së Tij, e zhvillonte për përgatitjen e kushteve dhe rrethanave për fillimin e përgatitjeve të luftës së armatosur çlirimtare në Kosovë, si mjetin e fundit e të domosdoshëm për çlirim definitiv nga zgjedha pushtuese serbe!”

Xhevati ngaherë të krijon përshtypjen se kishte diçka mbinjerëzore që veç dialektika mund ti shpjegoj dhe të jap qartësi për emra të tillë kur edhe koha e shkatërronte njeriun.

Xhevati – tribun intelektual që sfidon Serbinë pushtuese

Aktiviteti i tij në rrafshin ilegal të LPRK-së ka korresponduar në tri dimensione të kohës.

Dimensioni koordinues me komitetin drejtues të kohës Dimensionin intelektual dhe Dimensionin e një karakteri të pandalshëm për të sfiduar pushtetin serb.

Këto komponente paraqesin figurën shumëdimensionale që i kalon kornizat kohore duke i dhënë atdheut personalitetin e veçantë, në rrethana të veçanta në kontekstin historik. Thellësia e portretizimit të këtij tribuni sfidon hapësirën, momentin dhe rrethanat por në të njëjtën vertikale edhe pushtetin shtypës të Beogradit.

Pajisja dhe njohja me rrethanat ndërkombëtare, literatura e lexuar nga Xhevati ishin kapërcim në kohë që njeriu i rëndomtë e ka të vështirë të gjejë portretin i cili bart vlera të tilla politike, intelektuale dhe atdhetare.

Lufta për të ishte e pa alternativë

Ai njihte mirë përpjekjet titanike të shqiptarëve në periudha të ndryshme dhe i paisur mirë me literaturë revolucionare –ushtarake, i shoqëruar me veprimet dhe qëndresën e Rexhep Malës; dhe nga ky këndvështrim i sotëm mund të themi se ngjashmëria mes Rexhës dhe Xhevatit janë të ndërlidhura aq mirë sa historia do të shohë dy njerëz e një horizont, që për atdhe kishin vetëm një rrugë.

Sot kur po kthehet te shokët e tij të idealit kombëtar ; shpirtërisht do të ndjehet i qetë edhe Gjilani, edhe shokët e demonstratave të parreshtura të vitit 1989; edhe Agim Rashiti e Reshat Ymeri , Nushi e Tefiku që ishin veprimtar të kohës deri në flijim kur ranë dëshmorë . Do të ndjehet i qetë në varr edhe Afrim Zhitia, i cili ishte shok i Xhevatit; pra, sot ai po kthehet aty ku duhej të ishte sot e 20 vite më parë.

Artikulim i natyrshëm i luftës për liri

Të nderuar të pranishëm, që ta shohim Xhevatin më me saktësi më lejoni të citoj edhe një mik të tij Islam Idrizi “Unë pata fatin ta njihja nga afër të punoja me dëshmorin Xhevat Qerimi. Ai ishte njeriu i cili arriti të artikuloj natyrshëm luftën e popullit Shqiptarë kundër pushtuesit serb në Kosovë më mirë se çdo kush, ai arriti të krijoj një strukturë që më vonë ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Duke i kujtuar dëshmorët e ndërtojmë të ardhmen tonë

Çka do që të themi ne të gjallët sot ose kurdoherë, nuk mund të përshkruajmë madhështinë e dëshmorëve, të rënëve, e kontribuuesve të lirisë. Ata, ne me fjalët tona, nuk mund t’i bëjmë as më të mëdhenj e as më të vegjël. Ata e kanë siguruar lavdinë përkundër të gjitha atyre që themi ne. Por, fjalët tona më shumë flasin për neve të gjallëve. Sepse duke i kujtuar dhe ata, të pavdekshmit, ne e fisnikërojmë vetveten dhe e ndërtojmë të ardhmen tonë.

Të nderuar qytetarë të Gjilanit

Vdekja e Xhevatit edhe sot mbetet një mister.
Sot një HERO i heshtur po kthehet i tillë – i heshtur në varrezat e dëshmorëve përkrah njerëzve që bënë historinë dhe i dhanë kuptim jetës dhe shtetit tonë.

I përjetshëm kujtimi për Xhevatin dhe dëshmorët e tjerë.
LAVDI!