Agron Bajrami, misionar çerekshekullor i kulturës shqiptare në Zvicër

-U tha në akademinë përkujtimor në Neuenhof, në afërsi të Cyrihut, ku kontributi i Agronit, si koreograf, drejtues i shkollës së vallëzimit, e mbi të gjitha si luftëtar në dya frontet: të artit ashtu e të luftës për liri u vlerësua si i jashtëzakonshëm – Mbrëmje u përshkua me disa fjalë rasti dhe një program artistik të përzgjedhur nga Shkollë Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër

Foto e teksti : Rexhep Rifati

Programi filloi me një minutë heshtje në kujtim të Agron Bajramit, e pastaj me një vido-kolazh të përgatitur me një përkushtim nga Mjeshtri i madh, Llesh Nikolla, që ishte edhe njëri  ndër miqtë e afërm të Agronit. Pastaj me fjalë rasti tejet përmbajtëse u paraqit  kronisti i kësaj shkolle Ibish Neziri, ndërsa Mustafë Xhemaili evokoi sa kujtime nga pozita e një këshilltari dhe miku të ngushtë familjar dhe me sa kujtime u paraqitën edhe miq të Agronit, shqiptarë e zviceranë, dhe në fund me një falënderim të pranishmëve iu drejtua Lirie Bajrami, e shoqja e Agronit, e cila shpalosi edhe synimet e Agron për avancimin e mëtejshëm të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër,  shkollë kjo që ishte edhe organizatore e kësaj mbrëmje të denjë për respekt.

Më pastaj në skenë dolën valltarët e “Shotës”, që kësaj radhe lozën në skenë valle kushtuar demonstratave të vitit 1981 dhe luftës së UÇK-së, që sollën frymën e asaj kohe, me koreografi të kahershme të vet Agronit. Me disa pika u prezantua edhe grupi i orkestrës së SH.K.A “Dardania, me disa këngë kushtuar Agronit, si dhe disa këngë nga artistë të tjerë. në mesin e tyre edhe e bija Shqipja.

 Fjala e kronikut të “Shotës”, Ibish Nezirit

“Ne sonte jemi bashkuar që ta kujtojmë edhe një herë jetën dhe veprën e Agronit, i cili u nda nga ne para një viti duke ikur në përjetësi, tha që në fillim Ibish Neziri, për të shtuar se:

Unë sonte nuk do të them shumë ngase është folur e thënë  bukur shumë edhe deri më tani. Nuk do të them shumë sepse Agroni tani më është shndërruar në, pos personazh libri, edhe personazh i shumë dokumentarëve e telereportazheve, personazh artikujsh të gazetave e revistave të ndryshme e të shumta, personazh i historisë së mërgatës shqiptare e sidomos i historisë së kulturës shqiptare që është krijuar e krijohet në mërgatë, si valltar e koreograf, si themelues e udhëheqës i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“, në Zvicër, për 25 vjet radhazi, por jo vetëm kaq. Ai është bërë i njohur edhe si pirograf, kameraman, montazher…

Ka kaluar një vit që Agroni është ndarë nga ne, por gjithsesi ka mbetur me neve e në mesin tonë, prandaj edhe jemi bashkuar sonte ta përkujtojmë. Ai vazhdon të jetoj në kujtimet tona, në bisedat tona, është bërë personazh edhe i bisedave që zhvillohen mes nesh. Rrallë rastisë që të flitet për vallen e të mos flitet edhe për Agronin. Rrallë rastisë të flitet për ndonjë grup e të mos flitet prap për Agronin, dhe ai gjithë këtë e ka arritur me punë e angazhim, e ka arritur me respekt për njerëzit e punën, për artin e kulturën. Ai këto na i ka lënë trashëgim, prandaj edhe e kujtojmë.

 Një shpalosje për rrugën jetësore të Agronit

Nuk është e tepërt nëse edhe një herë e shpalos sadopak rrugën e shkurtër, por shumë të frytshme jetësore të Agron Bajramit. Agroni është lindur më 18 janar të vitit 1964 në Prishtinë. Në mesin e vëllezërve dhe motrave ishte fëmija më i vogël i Ibrahim dhe Azize Bajramit nga Prishtina. Gjyshi i Agronit si fëmijë i vogël e përjetoi fatin e keq të popullit të tij që pas Kongresit famëkeq të Berlinit të jetë i ndjekur nga shtëpia dhe vendlindja e tij Kozhinca e Sanxhakut të Nishit dhe të vendosej në Prishtinë, në lagjen e Muhaxherëve e cila edhe emrin e kishte marrë nga themeluesit e kësaj lagjeje, të cilët i kishin përjetuar të gjitha tmerret e ndjekjeve, vrasjeve, djegieve serbe.

Ai u rrit përmes tregimeve për këto tmerre, u edukua që ta dojë atdheun e t’i shërbej atdheut të robëruar gjë që e bëri deri në fund të jetës, jo vetëm përmes artit, por për ca kohë edhe me uniformën e lavdishme të UÇK-së.

Një figurë shumëdimensionale

Pjesëmarrës të nderuar, të flitet për Agronin, vërtetë është vështirë sepse njeriu nuk di nga të ia filloj. Të flas për Agronin demonstrues, për Agronin valltar, për Agronin koreograf, për Agronin themelues dhe udhëheqës për 25 vjet të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër, për Agronin pirograf, për Agronin ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Agronin kameraman e montazher deri në përpikëri, për Agronin mbështetës të shumë shoqërive të vallëzimit në Zvicër, për Agronin humanist apo për Agronin kryefamiljar dhe mik të shumë e shumë njerëzve? Figurë vërtetë shumëdimensionale.

Agroni fillimisht talentin prej valltari kishte filluar ta shpalosë në Shoqërinë Kulturo Artistike „Bajram Curri“ të Universitetit të Prishtinës, në të cilën shoqëri shumë shpejt do të bëhet edhe koreograf dhe jo vetëm në këtë shoqëri, por edhe në disa shoqëri tjera Kulturo Artistike në disa shkolla e Bashkësi Lokale të Prishtinës, ku tregoj sukses të jashtëzakonshëm.  Duke qenë i tillë, ai shpejt arrin të behet valltar i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve „Shota“ të Prishtinë, ku për tri vjet radhazi, tregoi një pëformancë të shkëlqyeshme në të gjitha shfaqjet e këtij ansambli. I ftuar nga Konsullata jugosllave, krejtësisht qëllime politike, në vitin 1987 ansambli u nis në një turne njëmujore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej nga Agroni nuk u kthye me Ansamblin, por qëndroj atje mes mërgimtarësh shqiptarë ku për 4-5 muaj, i ndihmoj që artin e valles ta çonin më tutje, fillimisht një grup ulqinakësh e pastaj edhe një grup fëmijësh e të rriturish nga Veleshta e Strugës.

Bashkimi me Lirinë: një familje dhe një shoqëri e re

Nga ardhja e Lirisë në Zvicër, për gati 30 vjet, pos bashkëshorte, Agronit  do t’i jetë edhe shoqe edhe bashkëveprimtare e edhe bashkudhëtare në të gjithë hapat, në të gjitha sukseset, do t’i jetë edhe nënë e katër fëmijëve të mrekullueshëm, Shkëndisë së e Flamurit, Valonit e Shqipes, që më përkushtim po e ndjekin rrugën që e trasuan Agroni, dhe Liria në Shkollën Shqiptare të Vallëzimit „Shota“.

Vetë akti i themelimit të grupit me emrin “Shota” ishte edhe një përpjekje e Agronit në vargun e shumë të tjerave për ta mbajtur të gjallë frymën kombëtare, të rrezikuar me gjithçka të veten, sidomos në Kosovën e robëruar, nga rridhnin pjesa dërmuese e mërgimtarëve në Zvicër, ishte përpjekje që vallen shqiptare ta vënte në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar me moton „Të mësohemi të ecim shqip!“, gjë që ia doli me sukses të plotë.

Arriti të nxjerr më të bukurën e valles shqipe

Talenti Agronit dhe përkushtimi i tij vetëmohues ndaj valles si element thelbësor i shpirtit të popullit tonë, bënë që të afrohet lirizmi i jugut me epizmin e veriut dhe nga këto të dyja bashkë ta nxjerrë atë më të bukurën e valles shqipe e cila prekte shpirtin e secilit prej nesh.

Ai dhe valltarët e tij me veshje e simbole kombëtare filluan të shihen kudo, në Cyrih dhe Bernë, në Basel, Luzern dhe Zug, në Gjenevë e Neuchatel, në Örlikon e në Schwamendigen, në Aarau, Brugg e Baden, në St Galen, Schafhausen e në Winterthur dhe në shumë e shumë vende tjera, duke i pushtuar pos shesheve edhe faqet e shtypit lokal e qendror zviceran. Gjithnjë i palodhshëm, gjithnjë i gatshëm për ta befasuar këndshëm publikun, i cili gjithmonë e shpërbleu me duartrokitje frenetike e shpeshherë në fund të programit edhe me bashkim në vallen shqiptare. I tillë ishte edhe në sallat e sheshet e Parisit e Lionit, Luksemburgut e Vjenës, qoftë si solist, qoftë si udhëheqës i  Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër. I tillë ishe përherë dhe kudo, dhe si i tillë do të mbahet mend nga të gjithë ata që e njohën.

Dalja e tij në skenë gjithnjë pritej me kërshëri të madhe, sepse ishte ai që zotëronte çdo gjë në skenë e në sallë, ishte ai që për një çast mërgimtarëve ua shëronte plagët e mallit për atdheun, që dëshprimin e dhimbjen për shokët e rënë në luftëra dhe beteja gjithandej atdheut, ua shndërronte në krenari.

Ishte ai zoti i skenës ku luhej vallja shqipe.

Nga vallet në frontet e luftës për liri

Agron Bajrami, miq të nderuar, jetonte me vallen e për vallen, por jo vetëm kaq. Koreografia dhe vallja ishin vetëm njëra anë e Agronit. Agroni kishte edhe pasione tjera, edhe vlera tjera.

Kur Kosovën e përfshinë flakët e luftës, Agroni u shkëput për ca kohë prej valles e nxënësve të tij, të cilët nuk ishin të paktë dhe mori rrugën drejt atdheut duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhët e së cilës i kaloi gati të  gjitha zonat e luftës nga Jasiqi, Juniku, Gllogjani, e deri në Jezercë. Gjatë qëndrimit të tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishte takuar edhe horonjtë Bekim Berishën – Abejën dhe Bedri Shalën, për të cilët gjithnjë fliste me shumë admirim. Atje, ngjarje të shumta e figura të shumta që sot kanë zënë vend në faqet më të ndritura të historisë së kombit, i fiksoi në shirit filmi me kamerën e tij dhe kur u kthy në Zvicër me vete solli edhe idenë për një valle, të cilën shumë shpejt e vuri në skenë – „Vallen e UÇK-së“ me të cilën bënte që të gjithë spektatorët të ngiteshin në këmbë e të shpërthenin në duartrokitje e brohoritje të pareshtura për UÇK-në e cila gjithandej Kosovës luftonte heroikisht për çlirim nga okupatorët serbë.

Kulmore pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër

Dashuria ndaj folklorit shqiptar pa kufi e pa krahina dhe puna me përkushtim, pas 22 vjet veprimtare e çoi në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër, ku sikurse edhe në të gjitha paraqitjet e deritashme, pos që shkëlqei, bashkë me simotrat e veta, bëri që shtypi i Tiranës t’i mbushë faqet me shkrime madje edhe me tituj si „Shqiptarët e Zvicrës pushtuan kalanë”. Po sa krenar që ishim kur më 2015, së bashku, dolëm në skenë dhe pushtuam Kalanë madhështore të Gjirokastrës, por edhe sheshin Fantazia!

Dhe tani fare në fund, po të shkruhet për aktivitetet kulturore në Zvicër, apo të flitet për to, gjithmonë do të jetë një pikënisje dhe një pikëtakim. Pikënisje dhe pikëtakim do të jetë Agron Bajrami me shkollën të cilën e themeloi dhe e udhëhoqi deri në ditën e fundit të jetës së tij, më 12 mars të vitit të kaluar, duke i dhënë frymë valles shqipe me mbi 600 të rinj, të reja e fëmijë  që kaluan përmes kësaj shkolle dhe përmes bashkëpunimit me grupe, disa prej të cilave pos që i ndihmoi të themelohen, i ndihmoi edhe të qëndrojnë drejtë në këmbë.

Agron Bajrami, në rolin e misionarit në mërgatë

Mbase, pa e tepruar, e natyrisht, edhe mbështetur në vlerësimet e shumta, si nga shqiptarët në mërgim, ashtu edhe nga kuadra të spikatura të kulturës zvicerane, mund të thuhet se themeluesi i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, valltari dhe koreografi Agron Bajrami, ishte vënë në rol misionari të ruajtjes, kultivimit dhe shpërndarjes së kulturës shqiptare qoftë brenda radhëve të Mërgatës shqiptare, qoftë duke ua bërë të njohura ato vlera qytetarëve të Zvicrës, me çka padyshim e meriton titullin „Ambasador nderi i kulturës shqiptare“!

Miq të nderuar, para se ta përfundoj këtë fjalë për mikun tim e tuajin Agron Bajramin, me që nga ndarja e Agronit nga jeta, Familja Bajrami u godit edhe nga dy vdekje tjera, nga vdekja e motrës Pakizes dhe e vëllait Enverit që ende nuk e ka bërë një muaj që është ndarë nga jeta, i jap vetës të drejtë që në emrin tuaj e timin, familjes Bajrami, këtu në Zvicër, në Kosovë dhe në Turqi t’i shpreh ngushëllime.

Ju miq të nderuar ju faleminderit për vëmendjen! Emri dhe vepra e Agron Bajramit gjithmonë u kujtofshin!

Shkolla shqiptare e vallëzimit do të quhet “Agron Bajrami”

Në fund të kësaj mbrëmje përkujtimore, Lirie Bajrami, gruaja e Agronit dhe bashkëpunëtore e ngushtë në fushën e artit,  mbajti një fjalë shumë përmbajtëse e emocionuese, duke theksuar se kjo shkollë tash e tutje do të quhet Agron Bajrami dhe se do të jetë një institucion më veti i kulturës sonë kombëtare. Po ashtu kjo shkollë do të punojë me përkushtim dhe profesionalizëm në dobi edhe të atdheut tonë. Pra kjo shkollë edhe më tej do të na motivojë, që qëllimin dhe përkushtimin e Agronit ta bartim te fëmijët tanë, tash e në të ardhmen, që të mësohemi të ecim shqip në diasporë.

Programin e moderoi me  një nivel të denjë për respekt e reja Sara Bajrami, nga familja Barajmi.