Aftësitë gjuhësore arsimore si parakusht për një karrierë të suksesshme

Nga Naxhi Selimi

Që kur adoleshentët zviceranë arritën rezultate shumë modeste në testin e parë ndërkombëtar PISA në vitin 2000, merrem intensivisht me gjuhën arsimore në kontekstin shkollor. Doja të kuptoja më mirë rrethanat dhe arsyet për këto rezultate modeste, sidomos kur arsimi vlerësohet si njëra nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë zvicrane. Në atë kohë, nuk mund ta kuptoja saktë pse shumë nga të rinjtë, veçanërisht ata me sfond migracioni, ku bëjnë pjesë edhe adoleshentët shqiptarë, e kanë të vështirë ta kuptojnë përmbajtjen e teksteve shkollore në një shoqëri ku njerëzit lexojnë shumë dhe përdorin medie të ndryshme. Gjatë ballafaqimit me këtë temë, kuptova se aftësitë gjuhësore në gjuhën e përditshme janë të pamjaftueshme për të qenë të suksesshëm në shkollë apo në profesion. Në ndërkohë është vërtetuar shkencëratisht se nxënësit e shkollave fillore, të cilët ndjekin mësimin në klasë me kërkesa më të larta, siç janë gjimnazet, i kuptojnë tekstet më mirë dhe njëhohësisht shkruajnë tekste më kualitativ se bashkëmoshatarët e tyre që ndjekin mesimin në klasa që nxisin dhe sfidojnë më pak nxënëset dhe nxënësit. Prandaj i inkurajoj nxënësit tanë me prejardhje shqiptare dhe prindërit e tyre që të mos i lënë asgjë rastësisë, por të investojnë në arsim që nga fillimi, pra, duke filluar në moshën parashkollore.

Praktika gjuhësore e komunitetit shqiptar në vendet gjermanishtfolëse
Shumica e shqiptarëve që veprojnë e jetojnë në vendet gjermanishtfolëse përbëjnë tani më së paku tri gjenerata dhe e praktikojnë gjuhën në mënyra të ndryshme, duke dalluar nga personi në person dhe nga brezi në brez, siç konfirmojnë studimet tona të fundit. Rol të rëndësishëm luajnë padyshim faktorët individualë, socialë, ekonomikë, kulturorë apo shkollorë. Ashtu siç edhe pritej, vlerat e të dhënave të gjeneratës së parë që është socializuar gjuhësisht në trojet shqiptare janë më të larta se ato të gjeneratës së dytë dhe të tretë që kanë ndjekur një pjesë ose tërë shkollën në Zvicër apo në Gjermani dhe e përdorin vetëm dialektin e shqipës që flitet në vendlindjen e prindërve të tyre. Gjenerata e dytë dhe e tretë padyshim që e zotërojnë më mirë gjermanishten sesa shqipen, qoftë me gojë apo me shkrim. Nga ana tjetër, shqiptarët e gjeneratës së parë e njohin mirë gjuhën shqipe me gojë dhe me shkrim, por, siç thonë, gjermanisht flasin më mirë sesa që shkruajnë. Të anketuarit e gjeneratës së dytë dhe të tretë komunikojnë në gjuhën shqipe më lehtë me gojë sesa me shkrim. Sidoqoftë, brenda çdo brezi ka nga ata që shprehen lehtë në gjuhën shqipe dhe nga ata që kanë një thesar të vogël fjalësh dhe për këtë arsye përdorin shpesh fjalë gjermane kur flasin shqip. E gjithë kjo është e kuptueshme dhe krejtësisht normale. Një aspekt është i ngjashëm te të tre brezat e anketuar: Të gjithë kanë një qëndrim pozitiv ndaj shqipes dhe gjermanishtes dhe i konsiderojnë të dyja gjuhët si vendimtare për jetën e tyre të përditshme. Tani, megjithatë, dua të jem pak kritik dhe të sqaroj se kemi intervistuar individë të brezit të dytë dhe të tretë, shumica e të cilëve vinin nga familje të ndërgjegjshme për gjuhën dhe arsimin, ndiqnin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, mbanin kontakte të rregullta me të afërmit në trojet shqiptare, deklaronin se sa ishin të interesuar për gjuhën shqipe etj. Kjo ishte sipas tyre edhe asryeja që pranuan të ishin pjesë e projektit tonë. Personalisht, dyshoj se numri i atyre që mezi flasin shqip mund të jetë relativisht i lartë. Këtë dyshim e bazoj në faktin se shumë prindër më thanë në telefon se fëmijët e tyre në brezin e tretë nuk flasin mjaftueshëm shqip dhe për këtë arsye nuk mund të marrin pjesë në studim. Megjithatë, kjo duhet të shqyrtohet në mënyrë më të detajuar empirike.

Faktorët që ndikojnë në aftësitë gjuhësore
Procesi i mësimit të gjuhës ndikohet nga faktorët e sipërpërmendur, por edhe nga faktorë të tjerë si mosha, gjinia, preferenca gjuhësore, afërsia strukturore me gjuhën e synuar (p.sh. gjermanisht), prestigji gjuhësor, afërsia demografike me gjuhën e vendit mikpritës, ndërveprimi social, lëvizshmëria gjuhësore etj. Nga gjuhësia krahasimtare dhe sociolinguistika e dimë se, për shembull, qëndrimi gjuhësor në kontekstin e migracionit mund të paraqesë ndryshim brezash, sepse njerëzit e brezit të dytë dhe të tretë socializohen gjuhësisht ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit e tyre, të cilët erdhën në moshën e rritur në mërgatë. Prandaj, konceptet e ndryshme gjuhësore, por edhe bindjet kulturore mund të ndikojnë pozitivisht ose negativisht në procesin individual të mësimit të gjuhës. Në këtë kontekst, ndikimi mund të jetë i një natyre njohëse (kognitive), për shembull duke u dhënë përparësi më të madhe gjuhëve që premtojnë profesione prestigjioze, si p.sh. anglishtja ose gjermanishtja. Thënë këtë, ndikimi mund të jetë edhe afektiv, për shembull duke preferuar dhe përdorur një variant gjuhësor si dialekti i gjermanishtes zvicrane ose dialekti i shqipes që flitet në Kosovë ndaj gjermanishtes standarde ose shqipes letrare. Megjithatë, ndikimi mund të jetë edhe habitaul, sidomos kur korrespondimi i qëndrimeve gjuhësore është i motivuar nga gjykimi kognitiv dhe ai afektiv. Të gjithë këta dhe faktorë të tjerë janë padyshim të ndërlidhur. Vlerësimi dhe emocioni janë veçanërisht të lidhura ngushtë. Pa hyrë në detaje, procesi i mësimit të gjuhës ka faza të ndryshme dhe kërkon një mjedis që mbështet të mësuarit e gjuhës.

Roli i mësimdhënësve në karrierën arsimore të femijëve dhe të adoleshentëve
Roli i mësimdhënësve dhe specialistëve të fushave të ndryshme në shkollë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ata mund të ndikojnë pozitivisht në procesin gjuhësor të nxënësve të tyre, duke manifestuar rolin e tyre si model gjuhësor, personalitetin dhe çiltërsinë ndaj shumëgjuhësisë. Me qëndrimin e tyre mirënjohës si dhe me integrimin selektiv të gjuhëve të nxënësve të tyre (në këtë rast të gjuhës shqipe) në orën e mësimit të rregullt, ata mund të shfrytëzojnë diversitetin gjuhësor si potencial. Për mendimin tim, çdo orë mësimi me vlerësim të theksuar gjuhësor ofron shumë mundësi për ta konsideruar diversitetin gjuhësor të nxënësve si një pasuri të vlefshme dhe për ta trajtuar e praktikuar atë, qoftë duke ua mundësuar nxënësve të flasin në gjuhën e tyre të prejadhjes, qoftë nëpërmjet teksteve letrare nga kulturat e ndryshme ose nëpërmjet formave të përshëndetjes. E kam fjalën për zgjidhje pragmatike që janë premtuese dhe nuk ndryshojnë apo cenojnë strukturën ekzistuese të mësimdhënit të rregullt. Roli i mësimdhënësve është përgjithësisht shumë i rëndësishëm për karrierën e një fëmije apo adoleshenti, sepse si ekspertë të gjuhës ata mund të japin një kontribut të rëndësishëm, duke mbështetur nxënësit e tyre të zgjerojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në të gjitha fushat e të mësuarit. Në këtë mënyrë nxënësit dhe nxënëset mësojnë të zbërthejnë kuptimet e teksteve, metodave dhe formave sociale të të nxënit në përgjithësi. Kështu aftësohen fëmijët qysh në shkollën fillore që të jenë individë të vetëdijshëm për gjuhën dhe të ballafaqohen me gjuhën arsimore.

Dallimi midis gjuhës së arsimit dhe gjuhës së shkollës
Gjuha arsimore dallohet konceptualisht nga gjuha shkollore, sepse në kuadrin e kësaj të fundit, gjuha dhe pritshmëritë gjuhësore që lidhen me të prodhohen kryesisht në aspektin shkollor dhe didaktik. Nga ana tjetër, gjuha arsimore shkon përtej gjuhës si e tillë dhe lidhet me përmbajtjen dhe aktivitetet që ndodhen në fushat përkatëse mësimore të moshave dhe cikleve shkollore. Nga ana tjetër, ajo është e lidhur drejtpërdrejt me biografinë gjuhësore të një fëmije. Gjuha e arsimit është shumëdimensionale dhe përfshin disa aspekte themelore të gjuhës, përmbajtjes dhe aftësive ndërdisiplinore (veçanërisht atyre sociale). Është e qartë se fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të larta në gjuhën arsimore janë në gjendje ta kuptojnë përmbajtjen e teksteve të ndërlikuar që trajtohen në orët e mësimit dhe të shpjegojnë me kompetencë kontekstet që lidhen me përmbajtjen. Në fushën e gjuhës, ata përdorin metafora, frazeologi apo veçori të tjera gjuhësore.

Raporti midis gjuhës arsimore dhe sfondit të migracionit
Studime të ndryshme dëshmojnë se disa të rinj me sfond migracioni kanë aftësi solide gjuhësore të përditshme, por kanë vështirësi ta nxënë, fjala vjen, përmbajtjen e teksteve të fizikës apo matematikës. Kur jepja mësim në shkollën fillore, përjetoja fëmijë dhe të rinj të cilët nuk e kuptonin mirë përmbajtjen e një lënde të caktuar në aspektin gjuhësor, por i tejshikonin dhe zgjidhnin pa vështirësi ushtrimet matematikore. Nga ana tjetër, kisha nxënës që kishin lindur në Zvicër dhe flisnin gjuhën e përditshme, por kishin vështirësi të kuptonin përmbajtje të caktuara ose të shpreheshin me kompetencë kur u kërkohej të shpjegonin ndonjë fenomen apo përmbajtje mësimore. Pra, nuk mendoj se është e përshtatshme të lidhet shumë fort gjuha arsimore me migracionin.

Gjuha arsimore dhe perspektivat e karriesës në shkollë apo profesion
Gjuha arsimore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në peizazhin shkollor. Në të ardhmen do të trajtohet edhe më me vetëdije se më parë, edhe atë në të gjitha ciklet dhe lëndët shkollore. Unë shoh ende shumë mundësi për zhvillim tek të rinjtë shqiptarë. Sot mund të shohim se të ashtuquajturat aftësi ndërdisiplinore, të cilat lidhen me aftësitë gjuhësore arsimore, po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në shkollë dhe në jetën profesionale. Në të njëjtën kohë, përmbajtjet e teksteve bëhen gjithnjë e më komplekse dhe kërkojnë aftësi shumëdimensionale, pra njohuri dhe aftësi për ta konkretizuar njohurinë. Shkathtësitë gjuhësore arsimore luajnë këtu padyshim një rol qendror. Bazuar në gjetjet empirike në lidhje me rëndësinë e gjuhës arsimore për suksesin shkollor dhe profesional dhe në ballafaqimin tim shumëvjeçar me këtë temë, padyshim që shoh një lidhje të drejtpërdrejtë midis suksesit profesional dhe aftësive gjuhësore arsimore të një personi. Sa më të vetëdijshëm të jemi për gjuhën që mësojmë, aq më të suksesshëm jemi në punë dhe në të gjitha fushat e tjera të jetës.

Përfundim
I inkurajoj të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e gjuhës arsimore në çdo lëndë dhe fushë mësimore, qoftë në shkollë, qoftë më vonë në profesion dhe të mos i lënë asgjë rastësisë, por të thellojnë e zgjerojnë me vetëdije aftësitë e tyre gjuhësore dhe arsimore. Dëshiroj gjithashtu t’i inkurajoj të gjithë të rriturit që punojnë me fëmijë dhe të rinj që të ushtrojnë funksionin e tyre të një shembulli gjuhësor dhe të mbështesin me vetëdije fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë që këta të kenë një karrierë të suksesshme dhe më vonë, si të rritur të suksesshëm e zotërues të gjuhës arsimore, në përditshmëri të kontribuojnë në bashkëformimin e shoqërisë. Nga kjo përfitojnë jo vetëm ata dhe shoqëria e vendit mikpritës, por edhe e gjithë shoqëria shqiptare.

Prof. Dr. Naxhi Selimi, drejtues didaktika e gjermanishtes dhe gjermanishtes si gjuhe e dytë, Shkolla e lartë pedagogjike në Schwyz / Zvicër