Adem Demaçi, mishërim i qëndresës kombëtare të Kosovës

411

U ritheksua në Bernë, me rastin e promovimit të librit, “Lamtumirë Baca Adem”, të autorit Selatin Novosella, në organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Mbrëmë, më 19 Janar 2019, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, u bë promovimi i librit, “Lamtumirë Baca Adem”, të autorit Selatin Novosella. Në këtë  eveniment libri, të cilin e shpalli të hapur Mustafë Xhemaili, Ministër Këshilltar i kësaj ambasade e ku në mesin e mërgimtarëve kishte edhe ish të bashkë të burgosur politik me Adem Demaçin. Të pranishmëve  me një fjalë përshëndetëse iu drejtua Ambasadorja Nazane Breca, e cila çmoi lart jetën dhe veprën kolosale të Adem Demaçit.

Në këtë promovim libri, fjalë rasti me shkrim, mbajtën Lulzim Etemaj. Ibish Neziri dhe Isuf Sherifi. Ja edhe disa fragmente nga recensionet e Lulëzim Etemajt dhe të Ibish Nezirit.

Në fjalën e tij me titullin. “Libri “Lamtumirë Baca Adem”, një libër për dhimbjen tonë krenare, Lulëzim Etemaj, përkujtoi se : Më 26 korrik 2018, katër muaj para se të mbusheshin 60 vite nga burgosja e parë e 19 nëntorit 1958 u shua fizikisht Adem Demaçi. Një pjesë nga dhimbja e madhe në përmasa gjithkombëtare, që shkaktoi shuarja e tij, e nderimit dhe respektit të manifestuar me këtë rast ndaj tij, përkatësisht pjesën e tyre artistike të shkruar, të karakterit ekspresionist, duke qenë se arti është vetë hija jonë, përgjithësisht hija e njeriut, të cilën edhe po deshëm nuk  mund ta shmangim në asnjë kohë dhe rrethanë, Selatin Novosella e ka përzgjedhur me shumë kujdes, dashuri ndaj Bacës Adem dhe shije të hollë dhe të lartë artistike, përmbledhur brenda librit “Lamtumirë Baca Adem”, dhe botuar pa kaluar as tre muaj, në fillim të tetorit të vitit të kaluar, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Selatin Novosella, jetëshkruesi më i përkushtuar i veprës dhe jetës së Bacës Adem

Pasi i bëri një vështrim veç e veç përmbajtjes së kaptinave të librit, Lulzim Etemaj, përkujtoi se autori : “Selatin Novosella, bazuar në krijimtarinë e tij voluminoze të karakterit shkencor si dhe të atij publicistik kushtuar Bacës Adem Demaçi, nuk është vetëm njëri nga bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët që për 55 vite ishte pa shkëputur pranë tij, por ai është edhe jetëshkruesi më i përkushtuar dhe më i njohur i veprës dhe jetës së Bacës Adem.

Në librin e tij të fundit “Lamtumirë Baca Adem”, që po e promovojmë sot, autori ka sjellë për lexuesit me një kujdes për t’u admiruar, me kreativitet dhe origjinalitet, të gjithë atmosferën, emocionet  e shkaktuara nga dhimbja jonë gjithëkombëtare- dhimbja jonë krenare, të gjithë atë që u tha nga ata që u përfshinë në këtë libër me ato çfarë shkruan e me të gjithë atë që e thanë me rastin e ndarjes fizike nga Baca Adem.

Autori Selatin Novosella, përmes kësaj përmbledhjeje monografike, ka dhënë një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare, duke ju ofruar studiuesve të kësaj lëmie një libër të domosdoshëm për t’iu referuar gjatë hulumtime të reja si të karakterit shkencor historik, poashtu edhe të atij politik, sociologjik e kulturor”.

Njerëzit të shkojnë prapa ideve e jo prapa njerëzve !

Ndërsa, Ibish Neziri, që ka qenë edhe bashkëvuajtës i dënimit në të njëjtin burg me Bacën Adem, që në fillim theksoi se : “Vargut të titujve të librave të Selatin Novosellës për Nderin e Kombit Adem Demaçin, në vitin që sapo e përcollëm iu shtua edhe një titull, të cilin sigurisht që asnjëherë nuk do të donim ta kishim, por ja që pos që e kemi, edhe po e promovojmë sot këtu. Është ky libri më i ri i këtij autori i titulluar „Lamtumirë Baca Adem!“, libër ky jo i zakonshëm si gjithë librat tjerë, por krejtësisht i pazakonshëm, e mbase edhe i vetmi i këtij lloj në gjuhën shqipe.

Posa lexuesi ta merr në dorë këtë libër, pos vetë titullit, edhe fotografia në kopërtinë, ia bënë të qartë përmbajtjen, një përmbajtje të dhimbshme, por edhe krenare. Libri i ka 327 faqe dhe i paraprinë „Testamenti i Bacës Adem Demaçi“, i cili përfundon me porosinë që njerëzit të mësohen të shkojnë prapa ideve, të mos shkojnë prapa njerëzve, sepse njerëzit mund të burgosen, mund të sëmurën, mund të vdesin, kurse idetë nuk vdesin kurrë, por edhe ndonëse nuk është përfshirë në testament, por që shpeshherë ka ditur ta thotë vetë Baca Adem, njerëzit edhe mund të gabojnë.

Neziri potencoi se: Pas „Testamentit, vije përkushtimi i Prof. Dr. Zymer Nezirit,, përkushtim përplot ndjenja e krenari, përkushtim që me pak fjalë Bacën Adem e vendos në vendin që i përket. Ai me të drejtë Bacës Adem i thotë „Baca Adem, ti ishe vetë Atdheu, vetë liria, vetë bashkimi, vetë ideali, sakrifica, qëndresa, drejtësia, vetë UÇK-ja, vetë historia!“

Vepra shumë dimensionale e Adem Demaçit meriton një trajtim më të plotë

Ibish neziri në fjalën e tij kishte veçuar edhe: “telegramet e dy zonjave, që vijnë nga fqinji ynë verior Serbia, telegramin e zonjës Sonja Biserkos e cila shkruan: „Adem Demaçi është padyshim ndër mbrojtësit më të spikatur të të drejtave të njeriut në Ballkan, me një prej karrierave më të gjata për promovimin e të drejtave të njerëzve, gjë për të cilën u burgos për një kohë tejet të gjatë, plot 28 vjet. I quajtur Mandela i Ballkanit dhe lider ideologjik i shqiptarëve të Kosovës, Demaçi ka qenë mishërim i qëndresës kombëtare të Kosovës.“ Ndërkaq Llatinka Peroviq, ish politikane serbe, pasi që Bacën Adem e quan legjendë, shkruan: „Adem Demaçi, pas luftës, udhëtoi për në Beograd dhe opinionit publik iu drejtua me këto fjalë: „Kam ardhur në Beograd si njeri, e jo si shqiptar, që të bisedoj me njerëz se si t’i tejkalojmë konfliktet dhe të jetojmë në paqe“, me çka padyshim se me këtë zonja Peroviç i ka vënë ne pah, pa e thënë në mënyrë eksplicite, pos vlerave kombëtare të Adem Demaçit, edhe vlerat e tij universale”.

Me një fjalë falënderimi të pranishmëve iu drejtua edhe vet autori i librit Selatin Novosella, i cili foli për kontaktet e shumta me Bacën Adem edhe nga veprimtaria e përbashkët kombëtare, por edhe si kronist i veprave të tij, duke përmend se veprimtaria e Adem Demaçit është e shumë dimensionale, sa atdhetare aq edhe letrare, ndaj edhe në të ardhmen biografët duhet të vazhdojnë me hulumtimin dhe regjistrimin e punës së tij kolosale.

Më pastaj u zhvillua edhe një debat, ndër të cilët u shqua fjala e poetit Shap Beqiri, njeriu qe për shumë vite qëndroi pranë Mandeles së Kosovës, i cili ishte mjaft kritikë në atë se kush si u gjend në raporte me personalitetin Demaçi.

Do theksuar se pjesëmarrës në promovim pat nga disa kantone të Zvicrës, shumë nga ta ish të burgosur politik.