ADEM DEMAÇI – STANDARD MORAL I POPULLIT SHQIPTAR

Më 1 mars 2026, në Winterthur, në organizim të Shoqërisë „Lëvizja“ – dega në Zvicër, u mbajt tubimi përkujtimor me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçi – simbolit të rezistencës shqiptare dhe ndërgjegjes morale të kombit shqiptar.

Në këtë tubim morën pjesë familjarë të Adem Demaçit, djali i tij Shqiptari me bashkëshorten Arbërinë, si dhe Qamile Zhitia, nëna e Dëshmorit të Kombit Afrim Zhitia. Të pranishëm ishin gjithashtu Vigan Berisha, Konsull i Republikës së Kosovës në Zürich, ish-të burgosur politikë dhe bashkëvuajtës të Adem Demaçit, veprimtarë të çështjes kombëtare, si dhe bashkatdhetarë nga mërgata.

Tubimi u zhvillua në një atmosferë dinjitoze dhe përplot emocion, ku u vlerësua lart jeta dhe veprimtaria e Adem Demaçit si shkrimtar, disident i palëkundur dhe figurë unifikuese e ndërgjegjes kombëtare.

Në vijim po japim fjalën e plotë të mbajtur në këtë tubim përkujtimor.

 

ADEM DEMAÇI – STANDARD MORAL I POPULLIT SHQIPTAR

 

Fjalë në shënimin e 90 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit mbajtur nga Ibish Neziri

 

Të nderuar Shqiptar dhe Arbëri Demaçi,
E nderuara nëna Qamë – nëna e heroit të Kombit Afrim Zhitia, por edhe nëna e ne të gjithëve,
I nderuari zoti Konsull i Republikës së Kosovës, zoti Vigan Berisha
Të nderuar bashkëveprimtarë, ish-të burgosur politikë,
Të nderuar ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare
Familjarë të dëshmorëve,
Të dashur miq, zonja dhe zotërinj,

Sot jemi mbledhur për të shënuar 90-vjetorin e lindjes së simbolit të rezistencës dhe të lirisë së Kosovës – të shkrimtarit, intelektualit, disidentit të pathyeshëm, Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nderit të Kombit Adem Demaçi.

Ka figura historike që i përkasin librave. Ka figura që i përkasin kohës së tyre. Por ka edhe figura që i përkasin ndërgjegjes së një populli. Adem Demaçi nuk i përket vetëm kohës së tij dhe as vetëm librave. Ai nuk është vetëm emër në histori, ai është standard moral që i përket ndërgjegjës së tërë popullit shqiptar.

Më 26 shkurt 1936, në Prishtinë, në shtëpinë e Zeqir dhe Nazife Demaçit, lindi Ademi, një djalë që historia do ta thërriste për mision.

Ai lindi në një kohë të rëndë për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ishte periudha e presioneve shtetërore, e politikave të shkombëtarizimit, e përndjekjeve dhe e shpërnguljeve të dhimbshme drejt Turqisë. Familje të tëra përballeshin me përndjekje, me konfiskime, me pasiguri të përditshme. Shpërnguljet dhe presionet e asaj kohe lanë plagë të thella në ndërgjegjen kombëtare – plagë që përkohësisht u ndërprenë vetëm me pushtimin italian e gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pra, ai lindi në një tokë ku të qenit shqiptar kërkonte qëndresë.

Në bankat e shkollës fillore ai pati fatin të mësojë nga mësues të ardhur nga Shqipëria,

arsimtarë që nuk sillnin vetëm abetaren, por sillnin frymën kombëtare. Ata mbollën te brezi i tij dashurinë për gjuhën shqipe, për historinë dhe për dinjitetin kombëtar. Ata e mësuan se fjala është forcë, se kultura është mbrojtje, se identiteti nuk falet.

Kështu, në një kohë presioni dhe në një shkollë që mbillte vetëdije, u formua karakteri i tij.

Ai nuk e zgjodhi kohën kur lindi.

Por e zgjodhi mënyrën si do të jetonte në të.

Dhe që nga fëmijëria e hershme, rruga e tij nisi të ndahej nga rruga e zakonshme. Sepse ai nuk do të bëhej thjesht një qytetar i kohës së vet. Ai do të bëhej ndërgjegjja e saj.

Dhe historia, shumë shpejt, do t’i kërkonte çmimin e asaj ndërgjegjeje.

Nga bankat e shkollës fillore, ku mësoi të shkruajë shqip, rruga e tij e çoi në Gjimnazin e Prishtinës dhe pastaj drejt studimeve për letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Atje u përball me klasikët e mendimit evropian, me romanin modern, me filozofinë e lirisë dhe me traditat e mëdha të kulturës botërore.

Por atje ai nuk shkoi për t’u tretur në një kulturë tjetër. Ai shkoi për t’u forcuar.

Ai mori nga letërsia botërore thellësinë e mendimit, por nga Kosova mori arsyen për të menduar dhe pyetja që e ndiqte gjithmonë ishte: çfarë do të thotë liria për popullin tim?

Në auditorët universitarë ai zgjeroi horizontin intelektual; në ndërgjegjen e tij forcohej bindja se kultura nuk është luks, por themel i ekzistencës kombëtare.

Ende pa i përfunduar studimet, ai u emërua redaktor në gazetën “Rilindja”. Ishte një vlerësim për talentin dhe pjekurinë e tij. I ri në moshë, por i formuar në mendim, ai hyri në jetën publike si intelektual.

Por hyri edhe në një kohë kur sërish dhuna dhe përndjekjet i shtynin vazhdimisht shqiptarët drejt Turqisë, me marrëveshje e pa to.

Dhe pikërisht aty, në zemër të institucioneve kulturore të kohës, filloi përplasja e tij e parë serioze me sistemin jugosllav.

Në redaksinë e “Rilindjes” ai nuk u përball vetëm me sfidën e gazetarisë. U përball me përpjekjen për ta orientuar mendimin shqiptar sipas vijës kombëtare.

Në atë periudhë, figura si Dushan Mugosha kërkonin që të krijohej një “brez i ri shkrimtarësh”, i shkëputur nga tradita kombëtare dhe i përshtatur plotësisht me doktrinën politike jugosllave. Letërsia duhej të ishte e disiplinuar, e kontrolluar, e modeluar sipas interesit të sistemit. Tradita shihej si barrë. Kombëtarja si rrezik.

Adem Demaçi nuk e pranoi këtë shkëputje artificiale. Për të, tradita nuk ishte pengesë, por themel. Ai e kuptonte se një popull që pranon të ndahet nga rrënjët e veta kulturore, dobëson vetë ekzistencën e tij dhe rritë rrezikun e asimilimit.

Dhe pastaj erdhi ai moment që e zbuloi qartë karakterin e tij.

Në një bisedë me Dobrica Çosiqin, atij iu përmendën vendi i punës në “Rilindje”, paga e mirë, e drejta e botimit, liria personale.

Qosiqi i kishte thënë:

“E sheh se të gjitha i ke?”

Ishte një fjali e thjeshtë, por me peshë të madhe. Nënkuptimi ishte i qartë: sistemi të ka dhënë gjithçka; mos e sfido.

Dhe Adem Demaçi iu përgjigj:

“Po, vërtetë asgjë nuk më mungon. Unë të gjitha i kam. Por populli im nuk i ka.”

Në atë fjali u nda rruga e tij nga rruga e kompromisit.

Ai mund të ishte shkrimtar i privilegjuar.

Mund të ishte redaktor i respektuar.

Mund të kishte jetë të qetë.

Por ai zgjodhi të mos ishte i lirë vetëm për vete.

Dhe pikërisht sepse e tha këtë nga brenda sistemit, përgjigjja e tij u bë më e rrezikshme.

Që nga ai moment, përplasja nuk ishte më letrare. Ishte politike.

Historia po lëvizte drejt 19 nëntorit 1958.

Pas arrestimit të parë më 19 nëntor 1958, regjimi mendoi se e kishte shuar zërin e tij. Por Adem Demaçi nuk ishte njeri që ndalej me burg.

Pas daljes nga burgu i parë, veprimtaria vazhdoi në mënyrë të organizuar. Në vitin 1964 Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve merr formë të qartë  me program të hartuar dhe vizion politik për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar, sipas vendimeve të Konferencës së Bujanit.

Rreth tij u mblodh një brez i ri veprimtarësh që do të paguanin shtrenjtë idealin e tyre me burg e me jetë.

Në vitin 1964, veprimtaria mori edhe dimension simbolik e publik. Anëtarët e LRBSH-së shpërndanë flamuj kombëtarë në mbarë Kosovën. Në një akt sfidues dhe të guximshëm, flamuri kuq e zi u ngrit edhe në trenin që shkonte për në Beograd — një mesazh i qartë se identiteti shqiptar nuk mund të fshihej.

Ky ishte një akt politik dhe moral njëkohësisht.

Regjimi reagoi me ashpërsi.

Adem Demaçi u arrestua sërish në këtë vit, pra në vitin 1964 dhe u dënua rëndë. Mesazhi ishte i qartë: çdo kërkesë për vetëvendosje do të shtypej me burg.

Por edhe pas kësaj ai nuk u tërhoq.

Në vitin 1975 erdhi arrestimi i tretë për Adem Demaçin. Arrestimi i tretë dhe dënimi i gjatë kishin për qëllim ta izolonin përfundimisht. Ai kaloi nëpër burgjet e Nishit, Pozharevcit, Sremska Mitrovicës dhe Stara Gradishkës — shtëpi ndëshkuese të njohura për disiplinë të ashpër dhe presion fizik e psikologjik.

Dhe megjithatë, në të gjitha këto vite, ai mbeti i njëjti.

Tri dënime.

Njëzet e tetë vite burg. Një jetë e tërë rinore dhe burrërore e flijuar për idealin e lirisë. Njëzet e tetë vite – kohë që për shumicën do të thotë karrierë e familje, ndërsa për të do të thoshte izolim, survejim, hetime e përndjekje. Por jo edhe thyerje, jo edhe përkulje, jo edhe dorëzim por një ideal i pathyer.

Dhe pikërisht këtu qëndron nyja e madhe e jetës së tij: para se të bëhej simbol i burgjeve, ai ishte simbol i fjalës së lirë.

Ai ishte ndër të parët – në mos i pari – shkrimtar shqiptar në ish-Jugosllavi që e ngriti hapur zërin kundër padrejtësisë politike dhe kombëtare. Mjafton t’i përmendim librat e tij të asaj kohe: “Gjarpijtë e gjakut”, “Drithë e miell bashkë” dhe “S’ka paqe ndër kasolle”, këto dy të fundit të botuara së voni. Letërsia e tij nuk ishte thjesht art – ishte akt bashkimi, akt qëndrese. Mendimi i tij ishte akt rebelimi kundër padrejtësisë.

Për veprën e tij letrare para burgut dhe pas burgut do të mund të flitet gjatë. Do të mund të analizohen romanet, drama, poezitë. Por sot nuk do të ndalem në krijimtarinë e tij artistike.

Sepse ajo që dua të them tani nuk buron nga librat.

Buron nga përvoja.

Unë sot nuk flas vetëm si studiues. Unë flas si dëshmitar.

Flas si njeri që kam pasur fatin – dhe barrën morale – të jem në të njëjtin burg me të, madje për më shumë se një vit edhe në të njëjtën dhomë burgu.

Dhe aty, larg podiumeve, larg librave, larg titujve – e njoha madhështinë e tij të vërtetë.

Për ne, ai nuk ishte vetëm bashkëvuajtës. Ai ishte mësuesi dhe mentori ynë. Burgun e kishte shndërruar në një Universitet të Shkencave Shoqërore, në një akademi të mendimit politik, në një shkollë të lirisë. Në qelitë e ftohta, ku regjimi synonte të thyejë shpirtin e njeriut, ai ndërtonte vetëdije.

Ai na mësonte histori, filozofi, politikë, por mbi të gjitha na mësonte dinjitet. Na mësonte se si të qëndrojmë drejt, edhe kur jemi të mbyllur mes katër muresh. Na mësonte se liria fillon në mendje dhe në ndërgjegje, para se të realizohet në realitet.

Ai na thoshte shpesh:

“Kur njeriu zgjohet nga gjumi, duhet të mendojë se është njeriu më i rëndësishëm në mesin e popullit të vet. Dhe jo vetëm kaq – por gjatë gjithë ditës duhet të punojë e të veprojë sikur krejt fati i popullit dhe i atdheut të varet prej tij. Ndërsa në mbrëmje, para se të flejë, t’i kushtojë pesë minuta pyetjes: çfarë bëra sot të vlefshme për popullin tim, për atdheun tim?”

Këto fjalë nuk ishin thjesht motivim. Ishin disiplinë morale. Ishin thirrje për përgjegjësi individuale. Ai na mësonte se secili prej nesh ka një pjesë të barrës kombëtare mbi supe.

Imagjinoni: dekada burg, e megjithatë jo mllef, por mision; jo mendim për veten, por përgjegjësi për popullin.

Pas daljes nga burgu, ai nuk kërkoi kompensim. Nuk kërkoi poste për vete. Nuk kërkoi lavdi personale. Ai vazhdoi përkushtimin për lirinë e Kosovës me të njëjtin intensitet moral si brenda qelisë.

Kur erdhi koha e luftës – koha kur Kosova digjej, kur represioni ishte i përditshëm dhe kur çdo fjalë e lirë mund të kushtonte jetën – Adem Demaçi nuk zgjodhi heshtjen.

Në momentet më të vështira dhe më të rrezikshme për vendin tonë, ai mori mbi supe përgjegjësinë të bëhej Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mu në zemër të Prishtinës, nën hundën e regjimit okupues.

Ai e dinte rrezikun.

Por ai e dinte edhe detyrën.

Pas 28 viteve burg, ai mund të kishte kërkuar qetësi.

Por ai zgjodhi përsëri barrën.

Ai u bë ura mes pushkës dhe fjalës.

Mes frontit dhe diplomacisë.

Mes sakrificës së luftëtarit dhe legjitimitetit moral të kauzës.

Ai i dha luftës zë politik.

 

Edhe pas luftës, kur shumëkush do të ishte tërhequr në heshtje, ai nuk u tërhoq. Nuk kërkoi shpërblim. Nuk kërkoi pushtet. Ai vazhdoi të fliste – me të njëjtën qartësi, me të njëjtën paanshmëri morale. Vazhdoi të kritikonte padrejtësitë, të kërkonte barazi, të kërkonte dinjitet për çdo qytetar, pa dallim.

Ai nuk e kuptonte lirinë si privilegj për disa.

Ai e kuptonte lirinë si përgjegjësi për të gjithë.

Dhe shpesh e përsëriste:

“Sa të jetë njeriu gjallë dhe t’i rrahë qoftë edhe vetëm një damar në qafë, ka borxh ndaj atdheut. Borxhin ndaj atdheut e kanë larë vetëm dëshmorët.”

Kjo nuk ishte figurë letrare. Ishte betim.

Në një kohë kur shumëkush mendon se sakrifica mbaron me arritjen e një qëllimi politik, ai na kujtonte se borxhi moral nuk mbaron kurrë. Se liria nuk është fundi i rrugës – është fillimi i përgjegjësisë.

Për këtë jetë të tërë në shërbim të atdheut, për 28 vitet e burgut, për qëndrimin e palëkundur në kohë paqeje e në kohë lufte, shteti i Kosovës e nderoi me titullin Hero i Kosovës. Ndërsa Republika e Shqipërisë e dekoroi me titullin “Nderi i Kombit”.

Por kush e ka njohur nga afër e di: ai nuk jetonte për dekorata.

Megjithatë, dekoratën “Nderi i Kombit” ai e çmonte thellësisht — jo për shkëlqimin formal, por për peshën simbolike që mbante. Sepse në atë titull ai shihte jo nderimin e një individi, por njohjen e sakrificës së një ideali kombëtar.

Dekoratat janë shenjë mirënjohjeje institucionale.

Por madhështia e tij ishte përtej dekoratave.

Hero mund të shpallë shteti.

Por ndërgjegje kombi të shpall historia.

Dhe Adem Demaçi u bë pikërisht kjo — ndërgjegjja që nuk heshti, as kur ishte i lirë, as kur ishte në burg, as kur ishte në luftë.

Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës, por nuk ishte simbol i urrejtjes. Ai ishte i palëkundur në parime, por nuk ishte i verbër në arsyetim. Ai ishte i ashpër ndaj padrejtësisë, por i drejtë në vlerësim. Ai e donte popullin e vet, por nuk ndërtoi kurrë dashuri mbi mohimin e tjetrit. Kjo e bën madhështinë e tij edhe më të plotë.

Sot, kur shënojmë 90-vjetorin e lindjes së tij, ne nuk përkujtojmë vetëm një jetë. Ne përkujtojmë një epokë qëndrese. Ne përkujtojmë një model intelektuali që nuk u shit, që nuk u frikësua, që nuk u lodh.

Ai na mësoi se burgu mund të mbyllë trupin, por jo mendjen.

Ai na mësoi se frika mund të sundojë përkohësisht, por jo përgjithmonë.

Ai na mësoi se liria fillon me guximin për të thënë të vërtetën.

Por sot, për ta nderuar vërtet, nuk mjafton ta lavdërojmë. Duhet të vazhdojmë duke jetuar sipas standardit që ai vendosi. Duhet ta pyesim veten, ashtu siç na mësoi ai:

Çfarë bëra sot për popullin tim?

Çfarë bëra sot për atdheun tim?

A jam duke jetuar me ndjenjën e përgjegjësisë që ai na mësoi?

Sepse figura si Adem Demaçi nuk kërkojnë vetëm respekt – kërkojnë vazhdimësi morale.

Nëse duam ta ruajmë trashëgiminë e tij, duhet të ruajmë drejtësinë, ndershmërinë, përkushtimin ndaj interesit publik. Duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë rehati për parim, të vërtetën përballë oportunizmit, përgjegjësinë përballë indiferencës.

Adem Demaçi nuk ishte i përsosur – por ishte i pakompromis në thelb. Dhe pikërisht kjo e bëri të madh.

Sot, kur shënojmë 90-vjetorin e lindjes së tij, ne nuk përkujtojmë vetëm 28 vitet e burgut. Ne përkujtojmë një jetë të tërë në shërbim të atdheut.

Po, ato 28 vite ishin vite vuajtjeje. Por ishin edhe vite drite që nuk u shua. Ishin vite që e formësuan karakterin e tij, që e forcuan ndërgjegjen e tij dhe që e bënë simbol të qëndresës.

Por Adem Demaçi nuk është vetëm 28 vite burg.

Ai është 90 vite histori.

90 vite frymëzim.

90 vite mësim për një popull.

Sepse një njeri i vetëm, me bindje të palëkundur, mund të bëhet institucion.

Mund të bëhet shkollë.

Mund të bëhet ndërgjegje kombëtare.

Dhe sot, në këtë 90-vjetor, ne nuk nderojmë vetëm vuajtjen e tij.

Ne nderojmë jetën e tij, qëndrimin e tij, shembullin që ai na la.

Le ta nderojmë jo vetëm me fjalë, por me veprime dhe përkushtim.

Le ta nderojmë duke qenë secili prej nesh pak më i përgjegjshëm, pak më i drejtë, pak më i gatshëm për të dhënë nga vetja.

Sepse, siç na mësoi ai, përderisa na rreh qoftë edhe një damar në qafë – borxhi ndaj atdheut  vazhdon.

Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Winterthur, 1 mars 2026