Mjuzikli “Arjeta dhe Gëzimi” impresionoi publikun në disa lokalitete të Zvicrës

Grupi artistik nga Gjakova, me skenar të Ilir Gjocajt dhe muzikën e Trimor Dhomit, në regji të Georg Darvas, për një javë rresht u prezantua para artdashësve, falë angazhimit të producentëve zviceranë Dorothea dhe Georg Fankhauser

Rexhep Rifati

Nga viti ne vit në Zvicër po shtohet dukshëm interesimi i qarqeve të ndryshme kulturore në Zvicër, për të sjell dhe shijuar vlera të ndryshme arti nga trojet shqiptare, veçmas nga Kosova. Krahas kësaj janë shtua edhe këmbimet kulturore si dhe bashkëpunimi i grupeve artistike dhe i vet personaliteteve nga kjo lëmi.

Në ketë kontekst duhet shikuar edhe vizitën e Korit dhe të orkestrës së gjimnazit muzikor “Prenk Jakova” nga Gjakova, i cili në pjesën e dytë të tetorit qëndroi për një javë rresht në Zvicër, duke i dhënë pesë shfaqje të mjuziklit “Arjeta dhe Gëzimi” në lokalitetet të ndryshme.  Ky zhanër i rrallë muzikor në Kosovë, punuar sipas skenarit të Ilir Gjocajt, me muzikë të Trimor Dhomit e në regji të Georg Darvas nga Zvicra, hasi në pritje të mirë tek publiku shqiptaro-zviceran. Kjo turne kulturore ishte në rend të parë rezultat i producentëve zviceranë Dorothea dhe Georg Fankhauser , të cilët me të parë të kësaj pjese muzikore në disa qendra të Kosovës, u angazhuan që ta sjellin atë para publikut të vendit të tyre, kryesisht në kantonin  Bazelit e të Cyrihut. Përndryshe, ky çifti zviceran nga Bazeli prej vitesh ka një bashkëpunim me shkollën e mesme të muzikës në Gjakovë , ndaj edhe trupa gjakovare u bë pjesë e festivalit “Culturescapes”, ku merrnin pjesë edhe grupe të tjera nga vendet e Ballkanit.

Këtë mjuzikël patëm rastin ta shohim nga afër më 23 tetor në lokalet e shkollës “Rudolf Steiner” të Bazelit. Artistët e ri të këtij spektakli muzikor, për kushtet e mërgatës  sonë në Zvicër, impresionuan me lojën dhe interpretimin skenik të përshkuar me muzikë, veçmas me ata që luajtën rolet kryesore: Edonjeta Hajdarin (Arjeta), Vali Kuqin (Gëzimi), Ylber Bardhin (Shaqiri)  e  të tjerët. Ishte ky një rrëfim dashurie midis dy të rinjve, i përshkuar me mjaft pengesa e sfida, shoqëruar edhe me skena e humor të lehtë. Shfaqja u shoqërua edhe me tekst në gjermanishte përmes një projektori. Sa i përket skenografisë, ishte e thjesht e funksionale dhe në përputhje me mundësitë materiale që kanë grupet amatore shkollore.

Shfaqjen në Bazel e përcolli edhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj dhe Mustafë Xhemaili, ministër këshilltar, në këtë ambasadë. Përndryshe, pjesën më të madhe të shpenzimeve të kësaj turne e ka bartë pala zvicerane, ndihmuar edhe nga bizneset shqiptare në Zvicër,  si edhe Këshillimorja ABSM, që drejtohet nga Skënder Nikoliqi, e cila shtroi darkë për mysafirët.