A është i nevojshëm rinumërimi i 1472 vendvotimeve?!

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, gjatë ditës së djeshme ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të rinumërojë 1 mijë e 472 vendvotime, si dhe të largojë nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit votat e ardhura nga Serbia.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve pritet të zgjasë edhe më shumë certifikimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor dhe krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Lidhur me vendimin e PZAP-it, për Telegrafin është deklaruar analisti politik, Mazllum Baraliu.

Ai tha se procesi i zgjedhjeve fillimisht ka shkuar mirë por që më vonë janë ngatërruar gjërat.

“Ky proces fillimisht ka filluar mirë dhe është realizuar në mënyrë demokratike i cili jep shembull pozitiv në rajon por edhe më gjerë. Por më vonë natyrisht i zvarritur i ngatërruar pak a shumë brenda vetvetes më një kontradiksion të trupave vendimmarrës KQZ-së dhe PZAP-IT. Dhe me një zvarritje e cila është shndërruar në malinjë sepse po e zgjatë procesin tej mase dhe po e degradon sepse deri tani 30 për qind e vendvotimeve ishin rinumëruar, tani me vendimin e djeshëm të PZAP-it, përveç anulimit të kontingjentit të votave të ardhura nga Serbia duhet të rinumërohen edhe tjera vendvotime. Që i bien do të bëhet rinumërimi gati 100 për qind, nga 2 mijë e sa 500 vendvotime sa ishin po mbesin pa u rinumëruar vetëm 200 apo 300 vendvotime”, ka thënë ai.

Barliu konsideron se rinumërimi është i panevojshëm, ai përmendi problemet që do të shkaktohen pas vendimit të PZAP-it.

“Ky vendim ngrit dyshime në proces dhe në integritetin e tij, rinumërimi është i panevojshëm mirëpo është vendim legjitim i një organi të tillë dhe duhet ta respektojmë. Gjithsesi do të shkaktojë probleme nëse Gjykata Supreme pajtohet më këtë vendim. Do të ketë zvarritje në rinumërim dhe do të ketë probleme në formimin e institucioneve dhe miratimin e ligjit për buxhet i cili është i kufizuar më afate ligjore. Nuk ka pasur nevojë që në mënyrë radikale të shkohet në rinumërim sepse po kthehet procesi sikur është një ditë e re. Kur dihet që PZAP dhe KQZ e kanë ditur se kemi një sistem shumë të saktë të evidentimit të votave dhe të monitorimit të tyre, i cili çdo votë që nuk përputhet me proces verbalin dhe votat të kandidatit apo subjektit politik menjëherë e identifikon dhe e kontrollon dhe ajo votë shkon në auditim, përshtaten dhe eliminohen eventualisht pasaktësia, prandaj nuk ka pasur nevojë që 100 për qind të shkohet në rinumërim”, deklaroi ai.

Në fund, ai tha se institucionet tona po i vëne dyshime kredibiltetin e tyre, vendimmarrjen e tyre, gjithashtu sipas tij, po vihet në dyshim edhe votat e qytetarëve që kësaj radhe votuan për ndryshim dhe rotacion.

Ndryshe, KQZ gjatë javës së kaluar ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 220 mijë e 811 vota apo 26,159%, LDK 206 mijë e 458 vota apo 23,458%, PDK ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163%, AAK-PSD koalicioni 100% Kosovë ka 96 mijë e 883 vota apo 11, 477%, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754%, Nisma-AKR-PD 42 mijë e 72 vota apo 4.984%. /Telegrafi/