A do të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Cështja e dialogut të Kosovës me Serbinë, ka shkaktuar shqetësime të mëdha tek qytetarët, në vecanti tani kur ka filluar të diskutohet edhe cështja e lëvizjes së kufinjve, që nuk gjenë zbatueshmëri deri më tani. Institute Demokratik I Kosovës (KDI), në një raport të sjellë së fundi ka vlerësuar se mungesa e zbattimit të plotë të marrëveshjes së parë të arritur për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, ka zhgënnjyer në masë të madhe qytetarët duke I ulur kështu edhe pritshmëritë e tyre.

Kjo marrëveshje është e para dhe e vetmja marrëveshje e ratifikuar në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si tentativë e BE-së për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve, përfshirë edhe pika të tjera si cështja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, integrimin e strukturave të sigurisë, drejtësisë etj.

Problematikat të cilat kanë shoqëruar zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve, sipas KDI-së, por edhe shumicën e marrëveshjeve pasuese, janë:

  1. Ambiguiteti konstruktiv – Marrëveshjet përmbajnë dykuptimësi që krijojnë hapësirë për interpretimin të ndryshëm mbi aspekte të caktuara të obligimeve të parapara mes palëve. Në mungesë të një interpretimi objektiv të marrëveshjes nga ana e BE-së, palët kanë shfrytëzuar hapësirën e interpretimit të njëanshëm të marrëveshjes, duke zgjedhur mënyrën e (mos)zbatimit të saj;
  2. Mungesa e mekanizmave garantues dhe mbikëqyrës – Fokusi i BE-së ka qenë i orientuar në lehtësimin e arritjes së marrëveshjeve mes palëve, por jo në garantimin e zbatimit të tyre. Kjo është reflektuar edhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku adresohet nevoja e arritjes së marrëveshjeve, pa u vënë theks edhe tek zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani. Si palë lehtësuese e dialogut, BE-ja nuk ka arritur të detyrojë palët që të zbatojnë marrëveshjet në afatet e përcaktuara kohore. Si pasojë e kësaj, zbatimi i marrëveshjeve ka mbetur në diskrecionin e Kosovës dhe Serbisë, që në mungesë të mekanizmave detyrues, kanë shtyrë zbatimin e marrëveshjeve apo dhe nuk i kanë zbatuar fare ato. Si rezultat i vonesave në zbatimin e tyre, pjesë të caktuara të marrëveshjeve edhe janë rinegociuar;
  3. Mungesa e vullnetit politik – Si një proces i ndjeshëm politik, mungesa e vullnetit politik që shoqëroi procesin e dialogut mund të vlerësohet në dy nivele: në nivel të brendshëm dhe atë bilateral. Në nivelin e brendshëm, zhvillimet politike dhe shoqërore brenda dy shteteve ndikuan në nivel të ulët të zbatimit të marrëveshjeve. Në nivelin bilateral në mes dy shteteve, implikimet politike të cilat derivojnë nga zbatimi i marrëveshjes, që ishin përtej aspektit teknik, ndikuan që palët, sidomos Serbia, të hezitojë të zbatojë marrëveshjet;
  4. Mungesa e transparencës – ka shoqëruar procesin e dialogut që nga fillimi i tij. Kjo ka ndikuar në uljen e besueshmërisë qytetare ndaj procesit, por edhe në pamundësimin e bashkërendimit institucional dhe mbështetjes politike lidhur me tema të ndryshme që janë diskutuar;

Marrë në konsideratë problemet e lartpërmendura, por edhe zhvillimet aktuale që ndërlidhen me fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ofron rekomandimet si në vijim:

  1. Marrëveshja përfundimtare nuk duhet të shkruhet në frymë ambiguiteti – andaj duhet që në mënyrë të qartë të përcaktojë ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, përfshirë çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, funksionimin unitar kushtetues të Kosovës, si dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës;
  2. Konsensusi i gjerë politik – Delegacioni Shtetëror, i krijuar për të përfaqësuar Kosovën në fazën përmbyllëse të dialogut, nuk ka gjetur përkrahje të gjerë në mesin e spektrit politik. Arritja e konsensusit të gjerë politik rreth kësaj faze është kyçe para arritjes së një marrëveshje eventuale;
  3. Proces transparent – Institucionet e Kosovës, përfshirë grupin negociator, duhet të garantojnë transparencë të procesit, duke mbajtur të informuar Kuvendin, shoqërinë civile dhe qytetarët për të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me procesin e dialogut;
  4. Garancitë për zbatimin e marrëveshjeve – Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të kenë rol garantues të marrëveshjes eventuale mes palëve;
  5. Afatet e zbatimit të marrëveshjes – Marrëveshja eventuale duhet të ketë afate strikte të zbatimit, si dhe masa ndëshkuese për palët mos zbatuese;
  6. Marrëveshja duhet të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së – Marrëveshja potenciale, përveç që duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve, duhet gjithashtu të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së (UNTC) si marrëveshje ndërkombëtare, duke evituar interpretimet e ndryshme të palëve mbi natyrën e saj.