775 mijë kilogram të asgjësuar

Rreth 775 mijë kilogramë/litra produkte të ndryshme ushqimore dhe lëngje janë asgjësuar vetëm vitin e kaluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, kurse sasia më e madhe ka qenë mish dhe produkte të tij.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, arsyet e asgjësimit kanë qenë të ndryshme duke përfshirë rastet kur edhe vetë operatorët e biznesit kanë lajmëruar apo kanë paraqitur kërkesë për asgjësim të produkteve që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Asgjësimi i produkteve të ndryshme ushqimore ka vazhduar edhe gjatë këtij viti, ku sipas ttë dhënave të fundit ka dalur se diku rreth 775 mijë kilogramë produkte, të cilat janë vlerësuar si produkte që nuk i plotësojnë kushtet e konsumimit.

Por, përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dyshojnë se sasia e asgjësimit dhe produkteve të dyshuara në treg mund të jetë më e lartë, pasi sipas tyre, në komunat e Kosovës kompetencën për kontrollin, konfiskimin dhe asgjësimin e produkteve e kanë inspektorët komunalë, të cilët u raportojnë vetëm organeve komunale dhe jo organeve qendrore apo AUV-it.

Pavarësisht kompetencave të inspektorëve dhe mungesës se tyre, qytetarët shprehen të shqetësuar se në treg ka shumë produkte të dyshimta dhe më cilësi të dobët.

Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.