74 vjet veprimtari të Ansamblit Folklorik Autokton “RUGOVA”

Për afro shtatë dekada e gjysmë, vallet e veshjet janë ruajtur ashtu siç janë trashëguar, e që kjo e bënë veçantë këtë ansambël që denjësisht e përfaqësoi Kosovën në manifestime e festivale brenda dhe jashtë vendit, aq më parë që të gjitha mjetet me të cilat luhet dhe vallëzohet, janë origjinale, pa improvizime, thotë Vesel Nikçi, kryetar i AFA “Rugova” , pra nuk ka as koreografi, nuk ka përpunime, janë ato që janë trashëguar brez pas brezi…

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Nesër kur do të gjendemi në shpatinat piktoreske të Rugovës, ku mbahen Lojërat tradicionale “Rugova 2021”, në pika të shkurtra po e prezantoj AFA “Rugova”, që stoikisht po qëndron në skenë afro shtatë dekada e gjysmë, duke e përfaqësuar Kosovën si në manifestime e festivale kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare dhe çdo herë duke u kthyer nga to me trofe e mirënjohje të larta.

Këtë ansambël, unik si për nga jetëgjatësia e themelimit ashtu edhe për nga raportuari që përherë ka në skenë: këngën, vallen dhe veshjen origjinale , që e përcjellin brezat e këtij ansambli që në tërë përmbajtjen është autokton, madje edhe në lojëra tradicionale që i kultivon dhe zhvillon në vet trevën e Rugovës. Pata fatin që ta përcjelli dhe prezantoj me tekst e me foto, por edhe me një dashuri të veçantë, si në lojërat tradicionale të Gushtit në Rugovë, ashtu edhe në Festivalin  “Rapsha” në afërsi të Tuzit në Malësinë e Madhe e gjithashtu edhe në Uster të Kantonit të Cyrihut. Vërtetë është kënaqësi të përcjellësh nga afër këtë ansambël që këngën e kënduar në shpatinat e bjeshkëve të tyre e bartën edhe në metropolet më të mëdha të Evropës, madje edhe tej Atlantikut.

Kryetari i këtij ansambli, një nga anëtaret më të zellshëm kësaj trupe, Vesel Nikçi, përmes një dokumentari të shkurtër flet për gjithë ata që u angazhuan në AFA “Rugova”, duke punuar në ngritjen e imazhin shqiptar kudo në botë e që kjo: “na bënë të ndihemi krenar dhe me mburrje të lartësojmë punën e themeluesit Ramë K. NIKÇI me shokët Ramë Elezi, nana Lake, Halil Faslia, Ramë Idrizi, Gjyle Hamzja e shumë burra e burrëresha të cilët ishin ambasadorë të prezantimit kulturës se lashtë të etnoregjionit Rugovës”… Shkëputa edhe disa fragmente nga një intervistë e më hershme e z. Nikçit, se:

“Ansambli folklorik autokton “Rugova” brez pas brezi ka ruajtur vallet, këngët, veshjet, të tjera pjesë të traditës rugovase. Për më se shtatë dekada vallet e veshjet janë ruajtur ashtu siç janë trashëguar, që e bën të veçantë Ansamblin dhe se: “Deri më tani pjesë e Ansamblit kanë qenë mbi 500 solistë, nëpër gjithë këto vite. Kemi pasur 1000 takime kulturore, mbi 30 festivale, lokale dhe botërore, prej tyre 15 medalje të arta, 16 të argjendi, 35 të bronzta dhe shumë diploma, mirënjohje që e pasurojnë komplet ansamblin ‘Rugova’”, ka thënë Vesel Nikqi. Ai shprehet se “Rugova” promovon vlerat përmes takimeve të ndryshme kulturore, festivaleve, manifestimeve. “Po ndikojmë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të asaj që është autoktone sepse vallet tona nuk i ka prekur koreografia, as veshjet nuk janë bërë nga kostumografët”, ka treguar Nikçi, sipas të cilit veshja e burrave është ruajtur më shumë se e ajo e grave. “Rajoni ynë përmes Ansambli i ruan veprat më origjinale.”.

Gjithashtu: “Të gjitha mjetet me të cilat luhet dhe vallëzohet, të gjitha janë origjinale, nuk ka improvizime, kjo e ka bërë atë specifikën të Ansamblit tonë. Nuk ka koreografi, nuk ka përpunime,  janë ato që janë trashëguar brez pas brezi”, ka treguar ai për Ansamblin… “

(Me këtë rast po postoj fotot e mija origjinale, disa nga to për herë të parë që i kam shkrep në Rugovë, Pejë, Tuz e Uster të Cyrihut, le të shërbejnë edhe si një kartvizitë urimi për ansamblin e pazëvendësueshëm “Rugova”, që nesër do të na kënaq edhe me lojna tradicionale popullore në shpatinat e alpeve tona shekullore)