Në kuadër të prezantimeve të ansambleve shqiptare, po kthehem në retrospektiv, të 50 vjetorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve «Shota», programi ky tejet madhështor jubilar mbajtur në Prishtinë nga 26-27 shtator 2014, shoqëruar me prani të grupeve simotra, gati nga të gjitha trojet e shqiptarisë. Teksti pason ashtu siç u shkrua me të përfunduar të këtij jubileu:
Teksti dhe fotot: Rexhep RIFATI
Prishtinë, 27 shtator 2014: Një ngjarje që vetëm njëherë në gjysmë shekulli mund të përsëritet: Jubileu i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve «Shota», kurorëzuar me një gala-koncert, më 27 shtator në Pallatin «1 Tetori» në Prishtinë. Në këtë jubile, «Shota» , që arriti të përballojë një rrugëtim të vështirë gjysmëshekullor, u shfaq me petkun e saj më të mirë: veshje, ekzekutim e lojë brilante. Vështirë është të thuhet se kujt i takon nota më e lartë: artistëve, instrumentistëve apo drejtuesve?!
Gjithsesi- vullneti i jashtëzakonshëm, dashuria e madhe për artin dhe traditën kombëtare, ishin ato që e inspiruan dhe motivuan trupën, që të arrijë në cak si flamurtare deri në ditët tona. Përmes «Shotës» defiluan qindra valltarë e këngëtarë, disa nga të cilët prehen në përjetësi, por që emri dhe gjurmët e tyre, si edhe të shumë artistëve të sotëm, janë pjesë e pandashme e kësaj kurore gjysmëshekullore.
«Shota» ia rriti emrin Kosovës
Këtë program të përzgjedhur, përgatitur jo me pak vështirësi, të ansamblit që ia rriti Kosovës emrin dhe namin në 5 kontinentet, kësaj radhe e shoqëruan edhe grupe artistike që nga veriu e deri në jugu i shqiptarisë. Për të përjetuar atmosferën e programit jubilar nuk mungonin figura të artit e kulturës nga Kosova, Shqipëria e trojet të tjera shqiptare e as përfaqësuesit e korit diplomatik, por ata që munguan ishin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e të komunës së Prishtinës!
Megjithatë , ata që u sakrifikuan me zemër e me shpirt për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës edhe kësaj radhe patën një përfaqësim të denjë. Ishte pikërisht djali i komandantit legjendar, Adem Jashari, Lulzimi, prania e të cilit u përshëndet nga publiku në sallë me duartrokitje e përzemërsi.
Grupe nga Shqipëria e Maqedonia
Koncerti, në ambient spektakli, filloi me këngën “Ma gëzofsh 50-vjetorin”, këngë në përpunim të udhëheqësit të artistik, Ylber Asllanaj, me tekst të Ilir Shaqirit, shoqëruar me një valle të Shalës së Bajgores, në koreografi të Haki Mulliqit. Programin e shoqëruan edhe grupet mysafire, me disa pika shumë mbresëlënëse. Ishin këto Grupi Polifonik «Bilbilenjtë mallakastriot» nga Jugu i Shqipërisë, me korife, Guri Rrokaj dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, me një valle me motiv nga Tropoja, në koreografi të Gëzim Kacelit. Maqedonia u përfaqësua nga Grupi Vokal i Burrave nga Tetova, udhëhequr nga Hajri Ismani, ndërsa Mali i Zi me këngëtarin e mirënjohur Nikollë Nikprelaj. Mërgatën përfaqësohej nga Ansambli «Gëzuar» nga Gjeneva, që njëherësh ishte edhe grupi me moshë më të re, u prezantua me një koreografi të Xhemali Berishës.
Dy veteranët e këngës shqipe
Në kuadër të koncertit, drejtori i ansamblit, Shefqet Gjocaj, shprehi keqardhje që në akademi përmend emrat e shumë anëtarëve që i kanë kontribuuar ansamblit. Ai publikisht kërkoi që Ministria e Kulturës të bëjë nominimin e veteranëve të «Shotës» dhe të këngës sonë popullore, Ismet Bogujevcit dhe Rizah Bytyqi.
Programi përfundoi me një tablo koreografike të «Shotës», në realizim të profesor Xhemali Berishes. Përmbyllja e gala-koncertit u përcoll me ovacioneve të gjata të publiku, që kështu përgëzoi artistët dhe organizatorët e «Shotës» që përgjysmë shekulli përkundër përballjes me shumë sfida, qëndruan stoikisht deri në ditët tona. Madje me një përbërje dhe fizionomi të re si në përbërje ashtu edhe programe e gjithashtu edhe me një perspektivë shumë shpresëdhënëse.
Prononcime
Në fund për portalin tonë, morëm prononcime nga dy nga bartësit e këtij aktiviteti: Ylber Asllanaj, drejtor artistik, deklaron se trupa dhe drejtuesit e saj kanë bërë përpjekje që jubile të shënohet në mënyrë sa më të mirë, pasi bëhej fjalë për një aktivitet 50- vjeçar.
– Nga ajo që e kemi planifikuar, përmes një pune dhe përkushtimi të palodhshëm edhe ja kemi arritur. Dëshira jonë ka qenë që në skenë të dalim bashkë me trupa tjera simotra nga të gjitha trojet shqiptare, gjë që kjo nuk ka qenë e lehtë sidomos për mua që kam bërë zgjedhjen. Porse qëllimi ishte që të gjitha trojet, përfshi edhe diasporën të kenë një përfaqësim, duke e bërë kështu koncertin, një koncert mbarë kombëtar,- nënvizoi Asllanaj.
Ish-kryetari i parë i Ansamblit «Shota» , Xhemali Berisha, na deklaroi se për një muaj e gjysmë rresht, në cilësinë e mysafirit, ka punuar me trupën e «Shotës» në realizimin e koreografisë së tij, një tablo koreografike me motive nga viset e ndryshme shqiptare.
– Për aq sa kam mundur, jam përpjek që brenda kësaj periudhe kohore prej 45 ditësh që të dalë me një realizim sa më të suksesshëm. Sesa ia kam arritur kësaj është publiku ai që e vlerëson më së miri. Ndjehem shumë mirë ashtu si në fillet e mija me «Shotën» edhe tash në këtë jubile të madh mu besua një koreografi e re. Gjithashtu me bën të lumtur edhe fakti, që në këtë ngjarje kulturore mori edhe ansambli ynë, «Gëzuar» nga Gjenevë, me të rinj, kryesisht të lindur e rritur në Zvicër, na deklaroi në përmbyllje profesor Xhemali Berisha, që ishte i vetmi që kësaj doli me dy realizime koreografike – nga Kosova dhe diaspora dhe që të dyja u pritën ovacione e ngrohtësi nga publiku.
Siç morëm vesh nga drejtuesit e «Shotës», ansambli gjatë këtij viti jubilar do të vazhdojë me koncerte edhe në qendra të ndryshme të trojeve shqiptare.
( Me këtë rast do shprehur dhembjen se tash nga mesi i këtyre artistëve tanë kulmor në këto foto na mungojnë Rexhep Çeliku, solist i parë nga radhët e valltarëve të Ansamblit shtetëror të Shqipërisë dhe Ismet Bogujevci, solisti i Ansamblit Kombëtar të Kosovës)