50 vjet pune të gjimnazit të Fushë-Kosovës, të përcjella me triumfe e sfida

Fillimi i shkollimit fillor në gjuhën shqipe në Fushë-Kosovë dhe tetë vjet më vonë edhe i shkollimit të mesëm bëri që në një farë mënyre të ndihet prania e shqiptarëve në këtë mjedis që kaherë njihej si qendër ku ishte përqendruar veprimtaria nacional-shoviniste dhe antishqiptare e hegjemonizmit serb. Cilat ishin prapaskenat që i prinë hapjes së Gjimnazit të Fushë-Kosovës?

Shkruan: Gani Bajrami

Sivjet janë mbushur 50 vjet që ka dalë brezi i parë i shkollarëve, të cilët e filluan dhe e mbaruan shkollimin fillor shqip në Fushë-Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, si një vendbanim i dominuar nga banorët serbë e malazezë, por edhe si një qendër e veprimit të hegjemonizmit dhe nacional-shovinizmit serb. Ky brez shkollimin fillor e mbaroi me peripeci të shumta, ngase forcat e hegjemonizmit nacional-shovinist serb bënin të gjitha përpjekjet për ta penguar shkollimin shqip.

Shkollimi shqiptar në Fushë Kosovë përplot batica e zbatica

Rruga deri në krijimin e shkollës së plotë fillore në gjuhën shqipe në Fushë-Kosovë ka pasur batica e zbatica, përkrahje dhe pengesa, suksese të dukshme dhe më pak të dukshme, detyrime e presione të llojllojshme, por asnjëherë zmbrapsje nga synimi. Serbët ushtronin një presion të pashembullt mbi nxënësit shqiptarë dhe shkollën shqipe. Ishin disa grupe të huliganëve serbë që nuk u kalonte asnjë ditë e të mos vërsuleshin mbi nxënësit shqiptarë, nganjëherë edhe dy-tre herë gjatë kohës sa ndodheshin në shkollë, ose në afërsi të shkollës, në ardhje vajtje.

Mirëpo, përkundër pengesave, presioneve e kushteve të rënda, shkolla shqipe vazhdoi rrugën e nisur drejt prosperitetit të përgjithshëm të shqiptarëve të Fushë-Kosovës dhe rrethinës. Sukseset e shënuara më së miri tregojnë se sa më e madhe që ishte trysnia mbi nxënësit shqiptarë të Fushë-Kosovës, aq më e madhe ishte këmbëngulësia që me çdo kusht të vazhdohej shkollimi në gjuhën shqipe.

Fillimi i shkollimit fillor në gjuhën shqipe në Fushë-Kosovë dhe tetë vjet më vonë edhe i shkollimit të mesëm bëri që në një farë mënyre të ndihet prania e shqiptarëve në këtë mjedis që kaherë njihej si qendër ku ishte përqendruar veprimtaria nacional-shoviniste dhe antishqiptare e hegjemonizmit serb. Shkolla shqipe për disa vjet ishte i vetmi institucion nëpërmjet të të cilit shqiptarët e këtushëm shprehën identitetin e vet arsimor, kulturor e kombëtar dhe dëshmuan praninë e vet edhe në Fushë-Kosovë.

Fillimi i këtij viti shkollor shënon 50-vjetorin e punës së Gjimnazit të Fushë-Kosovës. Për ndonjë mjedis tjetër ky jubile nuk do të qonte shumë peshë, por për Fushë-Kosovën, duke marrë për bazë kushtet e rrethanat që nuk ishin aspak të lehta, do të thotë shumë. Rruga e zhvillimit dhe afirmimit të këtij institucioni arsimor ishte e vështirë, rrugë e shoqëruar me peripeci të shumta e të llojllojshme, rrugë e mundimshme me plot sakrifica, por njëkohësht rrugë e krenarisë që nuk pranoi gjunjëzimin para atyre forcave që nuk e deshën dhe nuk e panë me sy të mirë prosperitetin arsimor të shqiptarëve të Fushë-Kosovës.

 Prapaskenat që i prinë hapjes së Gjimnazit të Fushë-Kosovës

Në këtë shkrim me rastin e këtij jubileu do të mundohem të hedh dritë mbi angazhimin e dy personaliteteve për hapjen e këtij gjimnazi, Mehmet Kelmendit nga Fushë-Kosova, një ish i burgosur politik dhe Daut Jashanicës, atëherë udhëheqës i Rinisë të Komunës së Prishtinës, i lindur dhe i rritur në Bardhin e Madh, fshat jo shumë larg nga Fushë-Kosova. I pari ishte iniciator për hapjen e gjimnazit, ndërsa i dyti, realizator me strukturat e atëhershmer të pushtetit. Unë si adoleshent në atë kohë pata një rol më shumë të një lloj ndërmjetësi ndërmjet këtyre dy personaliteteve me qëllim të hapjes së Gjimnazit në Fushë-Kosovë.

Kush ishte Mehmet Kelmendi?

Ishte një atdhetar i devotshëm, i cili si ish i dënuar politik kishte kaluar disa vjet në kazamatet serbe. Ishte një luftëtar i shquar për të drejtat e shqiptarëve, një pishtar i arsimit në Kosovën e rirobëruar pas Luftës së Dytë Botërore, një intelektual i rrallë i viteve ’60 të shekullit të kaluar që kishte ide dhe vizion dhe para së gjithash kishte guxim dhe ideal. Ideali i tij ishte ai ideali i popullit shqiptar që të jetojë i lirë në trojet e veta, duke luftuar vazhdimisht për çlirim kombëtar dhe duke mos u pajtuar asnjëherë me dhunën serbe, e cila ushtrohej në vazhdimësi.

Kam pasur nderin e veçantë që Mehmet Kelmendi, edhe pse kishim diferencë në moshë plot 26 vjet, më mbajti shumë afër vetës, sepse kishte një besim në mua. Përherë më inkurajonte për aktivitete të ndryshme shoqërore, arsimore e kulturore, duke më konsideruar më të pjekur se që në të vërtetë isha. Bisedat që i bënim edhe në rininë time të hershme përherë e tejkalonin atë barrierë moshe. Këshillat, udhëzimet e sugjerimet e tij më ndihmuan përherë që të mos dorëzohem e të nënshtrohem para vështirësive të ndryshme.

Me urtësi, guxim intelektual e vizion politik, Mehmet Kelmendi nuk u dekurajua asnjëherë. Që në moshën 25 vjeçare, më 1952, iu ndalua misioni i pishtarit të arsimit, ngase UDB-ja famëkeqe, emrin e tij e futi në mesin e 35 mësuesve shqiptarë të rrethit të Prishtinës, që aso kohe e quanin rrethi i Graçanicës, që i konsideronte të rrezikshëm për punën e mësuesit. Por, Mehmeti vazhdoi veprimtarinë atdhetare deri në vitin 1962 kur u burgos dhe u dërgua në burgun famëkeq të Serbisë në Nish.

Por, Mehmeti nuk u ndalë as pas përfundimit të burgut. Ai ishte prijatar i shumë aktiviteteve shoqërore, arsimore e kulturore me të rinjtë shqiptarë, herë në skenë e herë në prapaskenë. Me emrin e tij lidhen shumë veprimtari të shqiptarëve të Fushë-Kosovës.

Nuk kishte shumë kohë që Mehmet Kelmendi ishte kthyer nga burgu dhe ndonëse si i burgosur politik ishte serish në survejim të pushtetit serb, ai u hodh në aksion për hapjen e gjimnazit në Fushë-Kosovë. Besimin e kishte tek unë se do t’i udhëheq disa aksione konkrete me instruksionin e tij për hapjen e gjimnazit.

Ç ‘solli pranvera  vitit 1969 në Prishtinë ?!

Në pranverë të vitit 1969 në Prishtinë u mbajt një lloj konference e Organizatës së Rinisë, që saktësisht nuk më kujtohet a ishte konferencë zgjedhore apo ndonjë konferencë tematike. Mirëpo, e di se nga Bashkësia Lokale e Fushë-Kosovës u kërkuan dy delegatë dhe sipas strukturës nacionale njeri duhej të ishte shqiptar. Nuk e di saktësisht procedurën si u zgjodha, por sigurisht me propozimin e ndonjërit nga arsimtarët e mi. Për të qenë prezantimi më dinjitoz i Fushë-Kosovës në atë konferencë strukturat udhëheqëse u përkujdesën që unë të shkoj si delegat edhe me funksionin e sekretarit të Organizatës së Rinisë të Bashkësisë Lokale të Fushë-Kosovës. Prandaj në të njëjtën mbledhje të rinisë në Fushë-Kosovë u zgjodha edhe sekretar edhe delegat.

Zgjedhjes time në pozitën e sekretarit të Organizatës së Rinisë të Bashkësisë Lokale të Fushë-Kosovës iu gëzua Mehmet Kelmendi, i cili shihte një shpresë më të madhe të angazhimit tim edhe në aspektin institucional për hapjen e shkollës së mesme në Fushë-Kosovë.

Daut Jashanica ishte njëri ndër prijatarët kryesor për hapjen e gjimnazit

Në konferencën e përmendur më lart të rinisë në Prishtinë unë diskutova mbi nevojën e krijimit të kushteve për hapjen e më shumë shkollave të mesme edhe jashtë qyteteve në mënyrë që të bëhet përfshirje më e madhe e vajzave shqiptare në shkollim. Aty pata rastin të takohem me Daut Jashanicën, atëherë udhëheqës i Rinisë të Komunës së Prishtinës, i cili më përgëzoi për diskutimin që mbajta, madje shkurt diskutuam edhe për disa çështje të Fushë-Kosovës.

Mirëpo, pak ditë pas përfundimit të asaj konference në Fushë-Kosovë u shtrua çështja e zgjedhjes së dikujt tjetër, një malazezi, sekretar. Unë e kuptova hilen që u luajt, që pozitën e sekretarit të organizatës së Rinisë në Bashkësinë Lokale të Fushë-Kosovës ta kem vetëm për një përdorim si delegat. Kërkova një takim me Daut Jashanicën. Për të mos e zgjatur këtë histori Daut Jashanica më premtoi se askush nuk do të mund të më shkarkoj nga funksioni i sekretarit të Organizatës së Rinisë të Bashkësisë Lokale të Fushë-Kosovës, vetëm nëse dua unë të tërhiqem vet. Dhe ashtu u bë. Unë mbeta sekretar dhe nga ajo pozitë, me instruksionet e Mehmet Kelmendit, vazhdova angazhimin për hapjen e Gjimnazit në Fushë-Kosovë.

Nga ideja deri te mundësia për hapjen e gjimnazit në Fushë-Kosovë

Meqë unë nuk njihja njeri tjetër që mbante ndonjë funksion atëherë në Komunën e Prishtinës pos Daut Jashanicës u mbështeta tek ai. Pas dy-tri takimeve që pata me të për diskutimin e mundësive për hapjen e gjimnazit në Fushë-Kosovë, ai më sugjeroi që diskutimin që e kisha mbajtur në konferencën e përmendur më lart ta shndërroj në formë të një letre drejtuar udhëheqjes së Rinisë të Komunës së Prishtinës dhe autoriteteve përkatëse të arsimit. U morëm vesh që atë letër unë ia dorëzoj Dautit dhe ai më pastaj të merret me distribuimin e saj te autoritetet kompetente arsimore.

Duke mos dashur që askush të ndihet i anashkaluar për kontributin që mund të ketë dhënë për hapjen e Gjimnazit në Fushë-Kosovë, qëllimi im në këtë shkrim ishte të pasqyroj vetëm atë që di e që ka të bëjë me angazhimin brenda kësaj tresheje, Mehmet Kelmendi, Daut Jashanica dhe Gani Bajrami. Për të qenë korrekt më duhet të them se emrin e Mehmet Kelmendit nuk e kisha përmendur asnjëherë në takimet me Daut Jashanicën, ndonëse në një rast ai më pat pyetur se a njoh Mehmet Kelmendin, të cilit ia pohova se e njoh dhe asgjë më shumë.

Sa dhe si është angazhuar Daut Jashanica për hapjen e Gjimnazit në Fushë-Kosovë nuk mund të them, mirëpo një është e vërtetë se kërkesën që unë e pata bërë në formë letre, me sugjerimin dhe ndihmën e Dautit, ai e ka përcjellë te autoritetet arsimore, shtetërore e partiake dhe sigurisht çështjes i ka shkuar prapa derisa është realizuar.

Lajmin e gëzueshëm se në Fushë-Kosovë do të hapet gjimnazi, fillimisht si paralele e ndarë e Gjimnazit të Prishtinës, ma pat komunikuar Dauti diku kah fundi i korrikut 1970 dhe unë vetëtimthi shkova t’ia komunikoj Mehmet Kelmendit. Mbaj mend se Mehmeti më përqafoi fortë dhe më tha se kjo është fitorja e dytë shumë e rëndësishme e shqiptarëve të Fushë-Kosovës pas asaj të parës për hapjen e shkollës fillore.

As huliganët serbë nuk mundën të zmbrapsin gjimnazistët shqiptarë

Në vitin shkollor 1970/71 në Fushë-Kosovë u hapen paralelet e ndara të Gjimnazit të Prishtinës, të cilat vunë themelet e gjimnazit “Hivzi Sulejmani”. Hapja e këtyre paraleleve pa dyshim ishte edhe një e arritur e madhe në arsimimin e shqiptarëve. Ky fakt i trazoi forcat hegjemoniste e shoviniste serbe të Fushë-Kosovës, të cilat bënin përpjekje të ndryshme për ta penguar mbarëvajtjen e mësimit të gjimnazistëve shqiptarë, duke organizuar edhe sulme fizike të grupeve të ndryshme të huliganëve serbë mbi filloristët e gjimnazistët shqiptarë.

Ishin ato të njëjtat forca, me të njëjtat metoda e veprime, që për tetë vjet me radhë ishin munduar, por pa sukses, për ta penguar shkollimin shqip të brezit të parë që e kishte filluar dhe mbaruar shkollimin fillor në Fushë-Kosovë dhe tashmë disa aty po vazhdonin edhe shkollimin e mesëm.