Realizim i suksesshëm i projektit për t’u dhuruar arbëreshëve të Italisë shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Të dashur shqiptarë,
Siç jeni informuar nga mediet në gjuhën shqipe, më 10 shtator 2023 u themelua Shoqata “Hora e Skënderbeut”. Qëllimi fillestar i kësaj shoqate ishte nisma që, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e gjithanshëm të arbëreshëve të Italisë, t’u dhurojë atyre shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Shtatorja e realizuar me mjeshtri të madhe nga skulptori nga Kosova, z. Gëzim Muriqi, pati një përkrahje të jashtëzakonshme nga mërgimtarët shqiptarë. Falë kësaj përkrahjeje, shuma e kostos së këtij projekti u realizua nga donacionet e mërgimtarëve shqiptarë.
Pas hedhjes në bronz të shtatores dhe realizimit të plotë të skulpturës, Presidenca e Kosovës, si institucion i vetëm shtetëror që ndihmoi këtë projekt, mori përsipër të mbulojë shpenzimet e transportit nga Kosova në Sicili.
Për kontributin që dhanë në realizimin e suksesshëm dhe inaugurimin e shtatores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, më 30 gusht 2024, në 536-vjetorin e themelimit të vendbanimit Hora e Arbëreshëvet, Shoqata “Hora e Skënderbeut” u shpreh mirënjohje:
- të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, të cilët përkrahën financiarisht realizimin e këtij projekti, veçanërisht z. Veli Berisha si nismëtar dhe donatori më i madh financiar;
- shoqatave dhe ansambleve kulturore dhe artistike, që veprojnë në shtetet perëndimore;
- klubeve dhe bizneseve të ndryshme që kontribuuan për realizimin e këtij projekti;
- Presidencës së Kosovës, si i vetmi institucion shtetëror që ndihmoi projektin, duke mbuluar shpenzimet e transportit të shtatores nga Kosova në Sicili.
Një mirënjohje e veçantë shkon për autoritetet e bashkisë Hora e Arbëreshëvet dhe sidomos për kryetarin e saj, z. Rosario Petta, për bashkëpunimin e shkëlqyer që nga nisma jonë e deri në realizimin e këtij projekti, si dhe për qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, për mikpritjen e jashtëzakonshme që treguan ndaj mysafirëve që kishin ardhur nga të katërta anët e botës, enkas për inaugurimin e shtatores.
Të dashur shqiptarë,
Pas realizimit të suksesshëm të projektit për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në sheshin përballë ndërtesës së bashkisë, përvoja pozitive e bashkëpunimit me autoritetet bashkiake të Horës së Arbëreshëvet rezultoi me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të Bashkisë Hora e Arbëreshëvet dhe Shoqatës “Hora e Skënderbeut”. Në të ardhmen shoqata jonë do të angazhohet në gjetjen e formave përkatëse për t’i kontribuuar kohezionit kombëtar dhe lidhjes sa më të fortë me arbëreshët e Italisë.
Shoqata “Hora e Skënderbeut” fton të bashkohen në këtë nismë të gjithë shqiptarët që ndajnë vlera të përbashkëta dhe që janë të bindur në domosdoshmërinë e përforcimit të kohezionit tonë shoqëror, si parakusht që të tejkalojmë sfidat me të cilat ballafaqohemi si komb.
Zvicër, 12 shtator 2024
Shoqata “Hora e Skënderbeut”