Blerim rrecaj: Tri poezi

Kutia e kujtimeve

Binte shi jashtë në hyrje vjeshte
Fëmijët s’di kah vajtën, kah ia therrën
Veç lanë gjurmë letrash të hedhura
Me lule, fruta, drunj, shpezë, kafshë, insekte
U shtriva në tepihun e dhomëpritjes rreth tyre
Pasi ngrita në këmbë këtë dhuratë të ëmbël
Këtë kuti kujtese ardhur përtej sa e sa bjeshkëve

Vjeshtë ekzotike

Një vogëlush dëshiroi
Një kokërr shegë
Tjetri një kokërr arrë kokosi
Të dyja i mbaj në duar
Siç më mban e na mban kjo tokë
Në këtë ditë mestetori
Që më përkund ekzotikisht
Bashkë me dritën e diellit
Me erën e shiun
Dhe të gjithë argatët tjerë
Që i ndihmuan të rriten
Edhe ata që i bartën
Dhe i sollën në një dyqan frutash
E ne i sollëm në strehën tonë mbi tavolinë
Pastaj përfundimi qe ky
Mbushëm një pjatë me kokrra shege
Shpejt pjata u zbraz nga duart tona
Fundi i saj i bardhë u bë i purpurtë
Ëmbëlsia mbeti
Na priste tjetra punë
Mezi bëmë një vrimë në arrën e kokosit
Ia pijmë lëngun me pipëza
Pastaj e çamë dy-tre fish
Dhe me lugë hanim borë të ëmbël

Varg i diellit

Diell i bukur i 15 tetorit
E zgjati një rrezelaps
E cila e shkruajti këtë varg
‘Ti që dole të bredhësh si një trumcak
(S’)mund të shkosh shumë larg’