Vetëm brenda dy ditësh humbëm dy penda të shkëlqyera të gazetarisë shqiptare: Ramush Tahirin me prejardhje nga Dramjaku i Ferizajt dhe Alush Kamberin nga Strimnica e Tetovës.- Që të dy në zhanre të ndryshme gazetareske: i pari ne mediat e shkruara dhe i dyti në ato audio- vizuale, lanë gjurmë të pashlyera jo vetëm si komentues apo prezantues, por edhe si intelektual e njerëz të një kalibri me diapazon të gjerë diturie, të përmbushur me shumë njerëzi e atdhedashuri
Shkruan: Rexhep Rifati
Që të dy këta kolegë pata rastin, por edhe nderin që ti njoh nga afër që në rini të hershme: Ramushin ende si nxënës të fillores në bibliotekën e qytetit të Ferizajt, ku punoja në fillim, si nxënësin më të zellshëm në leximin e librave, ndonëse të pakta në gjuhën shqipe e pastaj edhe si koleg në gazetën “Rilindja”, kur edhe ishte një analist me emër, për ta vazhduar edhe më vonë deri në ditët tona, por kryesisht në studio televizive, duke qenë një vlerësues real i ngjarjeve dhe situatave, madje me një këndshikim prej një vizionari e atdhetari të devotshëm.
E gjithë kjo Ramushit i solli një prestigj e autoritet jo vetëm në mesin e kolegëve, por edhe të një auditori të gjerë, gjë që e tërë kjo ishte edhe një «fletë-hyrje» edhe për angazhimin e tij në funksione të rëndësishme shtetërore e kuvendare, kryesisht në pozitën e këshilltarit, për çka edhe ishte i pajisur me një kulturë dhe dituri që vlen për tu dëshiruar.
Edhe kolegu Alush Kamberi, që lindi në Strimnicë dhe që gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua gazetarisë ishte një nga doajenët e shquar në sferën e mediave audio- vizuale, duke e filluar punën në gazetari që në vitin 1967, po në të njëjtin vit kur edhe unë e fillova punën në “Rilindje”, ndërsa që Alushi ishte ai që udhëhoqi emisionin e parë televiziv në gjuhën shqipe, në Redaksinë e TV Shkupit.
Më pastaj për 5 dekada Alushi nuk u ndalë deri në fund të jetës së tij duke lënë pas vetit me qindra reportazhe e dokumentarë televiziv, por edhe nga shumë shkrime të ndryshme gazetareske e publicistike, si dhe nga disa vepra letrare, duke veçuar monografitë për figurat e shquara shqiptare. Ai bëri një punë me shumë përkushtim duke ndriçuar edhe figura e tema nga jeta e mërgimtarëve tanë, përfshi edhe një seri televizive prej disa emisionesh në Zvicër, me që rast një nga këta dokumentar ma kushtoi edhe mua.
Nga afër kam parë se ai paraprakisht për çdo projekt që planifikonte, bënte një punë përplot përkushtim e angazhim. Jeta nuki dha hapërsirë, pasi derisa përgatitej për një seri dokumentarësh për mërgimtarët tanë në shtetet skandinave, e ndau nga mesi ynë duke ia ndërpre hovin prej “djaloshari” që përherë e ruajti në karrierën e tij prej shkrimtari e gazetari, por edhe humanisti e atdhetari.
Me këtë rast Redaksia e «prointegrës», u shpreh ngushëllimet më të thalla familjarëve, të afërmëve, miqëve dhe kolegëve, për shuarjen e këtyre dy figurave të shquara të gazetarisë shqiptare.