Ilaz Ilazi: Serbia nuk e ka dhënë asnjë cent në krijimin e Ujmanit

“Asnjë cent nuk e ka dhënë Serbia për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit…45 milionë dollarë i ka siguruar Kosova nëpërmjet fondit të federatës, 45 milionë i ka dhënë Banka Botërore, që do të thotë 90 milionë dollarë në total”, ka thënë ish-ministri i Financave, Ilaz Ilazi

(Intervistë nga KOHA Ditore e diele – 5 korrik 2015, nga libri “Një jetë në shërbim të lirisë dhe zhvillimit”, kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit Ilaz Ilazi, me autor Rexhep Rifati)
PRISHTINË: Korrik – Pretendimet e Serbisë ndaj Liqenit të Ujmanit janë të padrejta pasi ky shtet nuk ka investuar as një cent në ndërtimin e tij, ka thënë ish-ministri i Financave për kohën kur është ndërtuar ky liqen, Ilaz Ilazi. Në një intervistë për “Kohën Ditore” Ilazi, që ka shërbyer edhe si drejtor i Bankës së Kosovës, ka treguar se atëbotë 45 milionë dollarë i pati siguruar Kosova nëpërmjet fondit të federatës derisa 45 milionë të tjera i ka dhënë Banka Botërore. Ilazi ka deklaruar se edhe udhëheqja e atëhershme e Serbisë pati pranuar se kjo pasuri i takon Kosovës. Duke folur për pretendimet e tashme të Serbise, Ilazi ka thënë se synimi i tyre është që Ujmanin bashkë me pasuritë përcjellëse ta fus nën Asociacionin e Komunave Serbe për të cilin po kërkohen kompetenca ekzekutive.

Projekti

KD: Cila është historia e Liqenit të Ujmanit, pasi ju keni qenë i përfshirë në këtë projekt si ish-ministër i Financave?

Ilazi: Projekti për Ujmanin është bërë më herët dhe ka qenë integral, ku janë përfshirë edhe Lepenci edhe Ibri. Por Lepenci është lënë për fazën e dytë. Faza e parë u përcaktua për shkak të industrisë. Kjo ka zgjatur shumë dhe qeveria e vitit 1969 pati marrë vendim që fillimisht të përfundojnë punët në Ibër. Përgaditjet janë kryer më herët dhe është dashur që kontrata me Bankën Botërore të vendoset në qeverinë e Jugosllavisë dhe kontratat në Bankën Botërore të ratifikohen me të gjitha republikat duke përfshirë Vojvodinvn e Kosovën. Kontratat po ashtu kanë kaluar nëpër kuvendet e republikave e të krahinave, para se të behet ratifikimi në Kuvend.

Në Ibër është dashur të financoheshin 28 mijë hektarë tokë. Në këtë projekt përfshihej edhe financimi i ujit për Mitrovicën, Vushtrri dhe fshatrat përreth Sitnicës.

KD: Nga i keni sigururar paratë për ndërtimin e Ujmanit?

Ilazi: Para se të fillonte ndërtimi i Ujmanit duhej siguruar paratë. 45 milionë dollarë i ka siguruar Kosova nëpërmjet fondit të federatës, 45 milionë dollarë i ka dhënë Banka Botërore, që do të thotë 90 milionë dollarë në total. Perveç rregullimit të erozionit rreth Ibrit, ne kemi bërë edhe privatizimin e tokave në atë pjesë. Janë siguruar 4 milionë dollarë për këtë punë. Është bërë edhe rregullimi i Sitnicës dhe atë kohë kanë punuar brigadat e rinisë së krejt Jugosllavisë. Ajo ka kushtuar plus katër milionë dollarë. Punët kanë filluar tek pas përfundimit të këtyre procedurave në vitin 1974. Promovimin e hapjes së punëve të Ujmanit, pra gurthemelin e ka vendosur Xhemajl Bjediqi i cili ka qenë kryetar i Qeverisë së Jugosllavisë bile më kujtohet edhe koha ka qenë pasdite. Kur janë kryer punët në vitin 1979 është dashur të mbushet liqeni. Dy vjet e gjysmë janë nevojitur të mbushet penda e cila ka qenë e lartë 110 metra, e gjatë 25 kilometra deri në Ribariq. Por është interesant se atë kohë pati rënë një shi shumë i madh për 9 ditë pa ndërprerë. Në atë kohë ne ishim një delegacion i Kosovës në Shqipëri. Bile shumë ura u prishën, u prish edhe hekurudha në Han të Elezit. Dëmet kanë qenë 35 milionë dollarë. Vetëm financimi i pendës kushtonte 32 milionë dollarë, me të cilin do të ujiteshin 48 mijë hektarë. Të gjitha dëmet i paguam vetë, pra hekurudhën dhe disa kilometra rruge që çojnë për Mitrovicë. Punët u ishin dhënë dy firmave të Beogradit.

Ka qenë “Hidroteknika” dhe “Tunelogradi”. Kjo e fundit pësoi humbje aq të madhe sa u likuidua. Sasia e ujit në ndërtimin e tuneleve, pra sasia e ujit që është mbledhur aty ka qenë 360 milionë kubik e cila është mbushur për 9 ditë nga shiu i madh. Ndërkohë në fazën e realizimit të Ibër – Lepencit e kemi bërë edhe komosacionin e parë në Kosovë. Me të janë rregulluar tokat nga të cilat kalon Ibër – Lepenci. Një banor i cili kishte parcelë të ndara i janë bashkuar ato toka. Kemi financuar edhe diferencën e tokës së kategorisë më të lartë. Por atë kohë ka pasur të tillë që kane qenë kundërshtues edhe prej neve. Sipas projektit në të gjitha llojet e prodhimit prej 28 mijë hektarëve parashihej të rritej vlera e katërfisht. Ishte vështirë të binden edhe ekspertët. Por historia ka treguar se përdorimi i ujit ka qenë aq i efektshëm sa që kërkush nuk ka bërë pyetjen se a po bëhet apo jo komosacioni. Asnjë problem nuk kemi pasur me të.

Për Lepenc patëm kërkuar lejen nga Maqedonia, kurse për Ibër e kemi pasur lejen edhe të Serbisë. Një pjesë e gjatë e pendës që shtrihet 25 kilometra e 123 metra është në pjesën tonë dhe një pjesë në Serbi. Por projekti është dashur të financohej komplet. Pasi e kemi ndërtuar pendën dhe është bërë funksionale e kemi ndërtuar një akumulim këndej pendës Ujmanit me kapacitet 500 mijë kubik e cila mbushej prej pendë. Kjo u bë me qëllim që gjatë verës uji të ngrohet për bujqësi, sepse në bujqësi uji shumëi ftohtë është i dëmshëm për kulturat e ndryshme.

 

KD: Sipas jush, Serbia nuk ka ndihmuar financiarisht në ndërtimin e Liqenit të Ujmanit…

Ilazi: Asnjë cent, asnjë cent nuk e ka dhënë Serbia. Asnjë investim nuk e ka bërë Serbia për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit. Bile është interesant të përmendet edhe një fakt. Me ndërtimin e pendës nja tri apo katër shtëpi patën mbetur andej liqenit. Banorët është dashur me barka ose nëpër pendë të dalin këndej. Ne ua kemi financuar edhe urën e me barka ose nëpër pendë të dalin këndej. Ne ua kemi financuar edhe urën e veçantë për ato shtëpi të serbëve. Krejt atyre që ua kemi marrë ndonjë copë toke u është paguar pa kurrfarë problem bile-bile në atë pjesë edhe pyllëzimin e kemi bërë ne. Përkundër gjithë këtyre ka qenë një rast i veçantë.

Drazha Markoviq vjen në Ribariq për ta mbajtur një miting në të cilin i ankohen fshatarët serbë. Ishte koha kur tashmë Serbia kishte nisur t’i shfaqte pengesa Kosovës. Markoviq i cili ishte kryetar i Parlamentit të Serbisë atë kohë, na e “kalli” atmosferën aty përkundër gjithë kësaj pune.  Mirëpo më vonë erdhi Ministri i Financave të Serbisë bashkë me Esat Pushkën që ka qenë udhëheqës i Lepencit. Kemi biseduar dhe u kemi thënë qysh kemi vepruar me pronat e atyre që u janë marrë. Pas bisedës ministri Milosh Milosavleviq na tha se e gjithë puna është kryer sipas ligjit. “Ajo është prona e juaj, ju i paskeni përmubushur të gjitha obligimet ligjore. S’ka kush e luan këtë projekt” – ishin fjalët e ministrit serb. Për të fituar relacionin e Serbisë, menjëherë i kemi ftuar mediat edhe ua kemi shpërndarë këtë informatë. Ai foli si është më së miri. Prej atij momenti nuk kemi pasur asnjë problem, sepse minimum biologjik nga kalon lumi është siguruar.  Në atë kohë patëm bërë kërkesë në “Rade Konçar“ për të na lejuar marrjen e hidrocentralit prej Austrisë, sepse “Rade Konçar” ka pasur të drejtë vote. Pas shumë peripecive na e dhanë pëlqimin. Asnjë problem nuk e kemi pasur se për kë apo me kë është bërë termocentrali, i cili ka hyrë në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës. Qysh atëherë kjo i është marrë Serbisë dhe prodhimi i rrymës është realizar në kuadër të KEK-ut.

Kontesti me Serbinë

KD: Si të argumentohet nga pala e Kosovës se Serbia nuk ka asnjë të drejtë mbi Liqenin e Ujmanit? A ekzistojnë dokumente për këtë?

Ilazi: Po të shihet dokumentacioni në Ibër Lepenc aty as një s’mund ta gjesh se ka financuar Serbia. Pretendimi i tyre është i padrejtë sikurse ajo që po thonë se “toka e Kosovës është e Serbisë”.  Për atë nuk i dhanë as librat e kadastrës duke pretenduar se do t’i shesin. Kanë thënë se nuk mund ta japin thëngjillin e as tokë e plleshme të Kosovë. Po shihet se pretendimet e tyre që çdo pasuri e ndërtuar në Kosovë të futet në shtetin e tyre. Ata vetëm mund të pretendojnë se çka është në territorin që e cilësojnë si “Serbi e Madhe” u takon atyre.  Kjo s’ka lidhje as me Kushtetutën e vitit 1974 as me asgjë tjetër.

KD: Si duhet rregulluar problem i Ujamnit kur dihet se një pjesë e tij shtrihet edhe në Serbi?

Ilazi: Çështjet e ujërave duhet zgjidhur dhe rregulluar me marrëveshje ndërkombëtare pasi askush nuk mund të ndalë rrjedhën e ujit. Ta marrim shembull: a mund ta ndalim ne Moravën e Binçes? Jo, sepse këtë e rregullojnë traktatet ndërkombëtare. Vetëm kujtoni kur Qeveria e Kosovës mendoi ta ndërtonte hidrocentralin e Zhurit me ujin e pesë lumenjëve që kalojnë në Shqipëri. Por Sali Berisha ka filluar ndërtimin e disa hidrocentraleve të vogla aty dhe nuk mund ta ndalnim këtë punë. Pra ne duhet me ligje ndërkombëtare ta sigurojmë minimumin e nevojshëm që liqeni të funksionojë edhe më tutje.

KD: Ngërçi në bisedimet për energjinë ka shkaktuar edhe çështja se kujt do t’i takojnë trafostacioni Valaç, penda dhe liqeni i Ujmanit te Zubin Potoku në veri. Si e shihni zgjidhjen e kë problemi?

Ilazi: Edhe Vallaçin ne e kemi ndërtuar. I yni është interkonjektivi që është bërë atje. Rryma shkon në Vallaç e kthehet tek ne prapë, sepse ne nuk mund ta përdorim fuqinë e rrymës 220 kilovolt.  Më lejoni ta them se ne kemi financuar shumë projekte në Serbi, por tash nuk kemi pretendime ndaj tyre. Ne kemi financuar qysh përpara përmes “Trepçës” edhe “Bllagodatin”, “Lecën”:, “Rudnikun”, “Shuplastenen”, “Majkovcin” etj. Por tash nuk kemi pretendime që i kemi financuar sepse kanë qenë firma të Serbisë në kuadër të “Trepçës”.

KD: Duke marrë parasysh gjithë presionin e Serbisë që kjo çështje të ngrihet në kuadër të dialogut dhe deklaratën e kryeministrit serb se “Gazivodën nuk e japim” a shihni rrezik për ndarjen e pasurisë së Kosovës?

Ilazi: Nuk do të duhej të diskutohej për pasuritë e Kosovës, le të shkohet edhe në arbitrazh. Nuk mundet ta marrë Serbia kurrsesi pasurinë e Kosovës por sa janë të përgaditur këta tanët nuk e di.

Serbët do të tentojnë ta okupojnë edhe Ujmanin sikurse pë komuna që po thonë se janë të Serbisë dhe tash kërkojnë kompetenca shtesë.

KD: Cilat do të jenë pasojat nëse liqeni dhe hidrocentralet e Ujmanit do të futen nën kontrollin e Asociacionit të komunave serbe?

Ilazi: Pikërisht këtu janë pretendimet e tyre që Asociacioni të ketë të drejtë edhe në çështje ekonomike. Ju kanë premtuar edhe në Brezovicë se nuk do ta bëjnë privatizimin e objekteve që janë në komuna serbe. Nuk ka privatizim as në Graçanicë, as në Shillovë të Gjilanit. Për objektet e Brezovicës u është thënë se komuna do t’i ketë 50 për qind në pronësi. Por kush ka investuar aty?  Është bërë gabim atëherë se paratë e fondit të Krahinës iu patën dhënë “Inexit”, edhe pse ne kemi investuar. “Inex” nuk ka dhënë para vetem i ka meaxhuar sikurse që nuk ka dhënë para as për Fabrikën e lodrave në Skenderaj, në Minex të Ferizajt, apo në objektet tjera. Për këto e të tjera Serbia nuk ka dhënë asnjë cent. Ajo ka financuar vetëm fondin, por të krejt Federatës. Si Serbia që ka paguar në fond të federatës ashtu ka paguar edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia e Sllovenia. Të gjitha kanë financuar për zhvillim të barabartë të republikave, duke përfshirë edhe Kosovën. Por atyre nuk po u thonë se janë paret e Serbisë. Duhet rikujtuar se prej vitit 1974 deri pas 1980-s asnjë qasje, asnjë bisedë nuk e kemi pasur me Qeverinë e Serbisë as për këto prona. Kam njv praktikë të gjatë në bashkëpunim me ta dhe mund t’ju them se tre vjetët e parë më është dashur tri here në jave të shkoja të asistoja në mbledhje të Qeverisë së Serbisë dhe këshillave të Serbisë për zhvillim dhe planifikim. Tre vjet, tri herë në javë kam qenë në Keshill Ekzekutiv të Serbisë. Momentin që janë pranuar amandamentet kushtetuese dera e tyre prej asnjë kuadri tonë nuk është shkelur.

Rreziqet

KD: A ka forcë Serbia që ta ndalojë ujin e Ujmanit për aktivitetet që bëhen në kuadër të bujqësisë?

Ilazi: Pas vitit 1989 kur u suspenduan të gjitha organet e qeverisjes në ekonomi u suspenduan edhe në Ibër-Lepenc. Ai trup që ka udhëhequr Ibër-Lepencin ngriti çmimet dhe u ndal ujitja me përjashtim të ujit për pije. Kanë qenë 16 kilometra distancë, e pata bërë montimin e gypave pasi atë kohë isha në Fabrikën e Tubave në Ferizaj si drejtor. Toka e Serbisë nuk ujitet prej Ujmanit. Krejt ajo tokë është e jona, investimet janë tonat. Cilat janë rreziqet? Paraprakisht aktivitetet që po bëhen me grantet e bujqësisë rreth Vushtrrisë, Skenderajit, Drenasit, Lipjanit pa ujin e Ujmanit bien prej kombinimit. Nëse e merr Serbia nuk mund ta bindësh atë ta japë ujin me çmime normale, por do të shikojë vetëm si të përfitojë. Plus rryma do të jetë më e shtrenjtë.

KD: Çka përfitojnë komunat serbe dhe Serbia nëse do ta kenë në pronësi Ujmanin?

Ilazi: Ia kënda Serbisë Ujmanin, sepse para s’kanë dhënë në anën tjetër e fiton energjinë shumë më kualitative. Por prapavija e gjitha kësaj është ta pamundësojë funksionimin e Kosovës si shtet.  Ky është qëllimi i parë dhe këtë synon ta bëjë përmes Bashkësisë së komunave serbe. Nëse ka kompetenca për zhvillim atëherë çfarë funksionimi i Mitrovicës do të bëhet. Por me të mund të ngelë edhe funksionimi i nëntë komunave tjera dhe po bëjnë të pamundshme funksionin e Kosovës si shtet. Edhe serbët po thonë: “ne nuk ju pranojmë”. I bëjmë marrëveshjet por nuk na pranojnë, kurse ne gjithkund kemi lëshuar pe. Tadiqi ish kryetar i Serbisë atëherë kur u ndal importi i mallrave nga Serbia pati deklaruar “Nuk mund ta lejoj që Serbia ta humbe tregun e Kosovës përjetësisht, sepse në Serbi mbesin pa punë 6 mijë njerëz”. Pra këtu është çështja e tregut dhe Serbia ka synime të mëdha në raport me Kosovën.

KD: Sa shfrytëzohet aktualisht Liqeni i Ujmanit dhe pse nuk vihen në veprim kapacitetet e plota?

Ilazi: Ende nuk është duke u shfrytëzuar përveç termocentralit. Ajo ka shërbyer edhe si rezervë nëse bie ndonjë termocentral. Në një rast kemi përdorur Gazivodën për ta riaktivizuar energjetikën tonë dhe atë të Serbisë. Por ky liqen duhet të shfrytëzohet me kapacitete të plota, sepse do të ishte në funksion të zhvillimit ekonomik.