Etno Festi në Kukaj, një muze i “gjallë” nën qiell të hapur!

Në javën e 15 të prezantimeve të muzeve të ndryshme, qofshin ato në trojet etnike apo edhe në vendet ku jetojnë shqiptarët, sot nuk përzgjodha një nga muzetë institucional, por at të një fshati të kthyer në muze shumëdimensional !

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Është ky fshati Kukaj, ku për 9 vjet rresht gjallëron, rritet e vepron manifestimi tashmë tradicional, Etno Fest, një ngjarje kjo sa artistike aq edhe turistike, që mbahet këtu gjatë çdo vere, duke tërheq vizitorë të shumtë jo vetëm nga trojet etnike, por edhe nga mërgata. Gjithashtu nuk mungojnë as përfaqësues diplomatike, të akredituar në Kosovë, ndërsa që nuk bien në sy përfaqësuesit e institucioneve të vet shtetit tonë, që e bën të pashpjegueshme indiferenca e tyre karshi një ngjarje kaq me peshë e rëndësi jo vetëm kulturore (!).

Fatkeqësisht , sivjet, kur do të duhej të shënohej viti jubilar i 10-ti me radhë, festivali është vënë në pyetje shkaku i pandemisë si edhe i shumë ngjarjeve të planifikuara për verën e sivjetme.

Një etno- kompleks për shfaqje teatrore e manifestime tjera artistike

Në Kukaj gjatë viteve të kaluara është ngritur një etno- kompleks që ka hapësira për shfaqje teatrore dhe manifestime tjera artistike e kulturore. Janë adaptuar dy shtëpi të vjetra në të cilat tani mbahen shfaqje teatrore, ekspozita etnografike e figurative dhe ndeja tradicionale. Gjithashtu, është ndërtuar një shtëpi për aktorë dhe në këtë hapësirë është edhe kompleksi për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe shtëpia e muzeut etnografik.

Ripërtëritja e një fshati në zhdukje!

Por sidoqoftë, kësaj radhe të ndalem pak më shumë te qëllimi, ai muzeal. Ndonëse nuk kam arrit ti përcjelli të gjitha edicionet, megjithatë shumicën nga to, duke pas mbresa gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Nisur nga fakti se fshati dy-tri dekada më parë ishte në shuarje e sipër, puna e madhe e ideatorëve bëri që atij ti kthehej jeta, jo vetëm me objekte të ripërtërira të etnosit tonë, siç janë shtëpitë, hambarët, koshat, gardhiqet e objekte të tjera, por edhe që të vazhdojnë së jetuari disa nga banorët, që thuaja kishin përgatit valixhet për largim.

Por ideja e të përgjithshëm të këtij projekti, profesor Fadil Hysaj, duke pas edhe përkrahjen e vëllezërve të tjerë, sidomos të Ilaz Hysajt mjek me qëndrim në Francë, në rolin e drejtorit artistik, bëri që sot të kemi një fshat me pamje plotësisht të re, por edhe me një petk dhe një sfond objektesh që na kthen në të kaluarën, jo të largët, duke na sjellë shumë emocione e nostalgji.

Në sfond ripërtëritja e shumë vlerave nga etnosi ynë i pasur

Dhe jo vetëm kaq! Pasi ky festivali që ka në sfond ripërtëritjen e shumë vlerave nga etnosi ynë i pasur, përjetoi një rritje të vazhdueshme, duke sjellë aty edhe artistë e grupe artistike muzikore me kostume tradicionale nga të gjitha trojet etnike, madje edhe në radhët e arbëreshëve të Kalabrisë, si dhe aktorë, valltarë, muzikantë, gatuese, piktorë dhe fotografë, duke e bërë këtë ambient, që mbahet nën një qiell të hapur edhe më të ngrohtë e tërheqës. Në këtë mënyrë Etno Festi në fshatin Kukaj, nga viti në vit avancoi si në përmbajtje ashtu edhe cilësi e fizionomi. Kështu ishte edhe natën e parë të kësaj ngjarje që sivjet është ndarë në dy- tri etapa kohore

Kukajt, të radhitet në listën e fshatrave turistike!

Ndonëse, me pak më shumë mbështetje morale e materiale nga ato institucione, që kanë për obligim të ndihmojnë evenimentet e kësaj natyre, që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitore, Kukaj ka gjasë e perspektiv të shndërrohet edhe në një fshat të vërtetë turistik, falë gjithë aaj që është bërë deri më tash. Për dallim nga Shqipëri që ka shti në listë mirëmbajtjen apo ringritjen e 100 fshatrave turistike, Kosovë ende nuk e ka bërë as hapin e parë në këtë drejtim.

Moment tjetër i rëndësishëm është se në Kukaj, krahas objekteve të vjetra të arkitekturës me objekte përcjellëse, për çdo vit sillen e grumbullohen edhe gjësende shtëpiake, si nga fusha e bujqësisë ashtu edhe e amvisnisë, veglave muzikore e artizanale e të tjera, por edhe ekspozita pikturash, skulpturash e fotografi e shumëçka tjetër.

Përmes grupeve, po demonstrohet edhe veshja tradicionale

Ndërsa që përmes grupeve artistike demonstrohet veshja tradicionale popullore e shumë regjioneve e krahinave duke i dhënë festivalit jo vetëm një shije përplot art, por edhe dimensionin e pasurisë shpirtërore të artistëve tanë popullor, të cilës as skamja e varfëria nuk mundi ti pengojë nga shpirti i tyre krijues e vetëmohues.

Një oazë kulture e modifikuar si muze i pasur etnografik

Me një fjalë Kukaj është shndërruar në një oazë kulture, i modifikuar si një muze i pasur etnografik, po kthehet dalëngadalë në një fshat të dashur e të afërt për shumë bashkëkombës. Edhe vet ushqimet e shijshme nga kuzhina tradicionale, janë bërë pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore, në një ambient ku edhe vet natyra shquhet me një relief  karakteristik, ku me pak përkushtim më të madhe, por natyrisht me  një përkrahje më të madhe me investime, mund të forcohet këtu edhe blegtoria, bujqësia e bletaria. Ndërsa, vet vëllezërit Hysaj kanë bërë atë që kanë mund: krahas ngritjes së objekteve, kanë kultivuar edhe pemë e perime, e që janë edhe një dëshmi të një toke që ofron çdo fryt në këtë ambient të rrallë.

Rindërtimi i fshatit me më karakteristika e rajoneve të Kosovës

“Në etnokompleksin e fshatit po mundohemi të restaurojmë fizikisht disa objekte që po rrënohen nëpër fshatrat e braktisura, për të rindërtuar një fshat me ndërtimet më karakteristike të rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë. Veçori tjetër është edhe lidhshmëria që do t’ua bëjmë riteve të vjetra, muzikës sonë tradicionale me trendët modernë, duke i pasuruar ato dhe duke i bërë më të qasshme për publikun e ri, i cili është rritur pothuajse pa i njohur fare vlerat etno-kulturore të paraardhësve të tyre”, thekson Hysaj.

Pjesëmarrje relativisht e madhe e mërgimtarëve

Dihet se “Etno Fest”-i ka pasur çdo vit shumë vizitorë nga diaspora, i pyetur se sa ndihen të vlerësuar kur bashkatdhetarët ndajnë kohën e tyre për këtë festival, Ilaz Hysaj thotë se përherë kanë qenë të kujdesshëm që bashkatdhetarët tanë të përfitojnë sa më shumë nga ky festival dhe që të mbushen shpirtërisht. “Unë vetë jetoj qe tridhjetë vjet në Francë dhe e di sa është e rëndësishme kjo për fuqizimin e lidhjes me vendlindjen, sidomos për gjeneratën e tretë që kanë lindur në mërgim. Vitin e kaluar organizuam një sesion të veçantë në fillim të gushtit, “Nata e Diasporës” dhe çuditërisht nuk u përkrah nga Ministria e Diasporës, ndaj edhe ne u detyruam ta mbajmë me mjete vetanake”

Kthimi i vëmendjes kah trashëgimia e tradita popullore

Se sa i kushtohet vëmendje dhe hapësirë, traditës së pasur popullore, këtë e tha në hapje të edicionit të nëntë, drejtori i përgjithshëm, Fadil Hysaj, nënvizoi se vënia në fokus të shtëpisë tradicionale, synon të shpëtojë atë që u shkatërrua për 150 vjet, bashkë me identiteti nacional

Zgjedhjen e kësaj teme, organizatorët, e panë si një mundësi për t’i kthyer në vëmendje të njerëzve traditën dhe trashëgiminë tonë të pasur jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore.

Doemos do potencuar por edhe lavdëruar për punën e madhe që kanë bërë si Drejtori artistik i Festivalit, Ilaz Hysaj dhe drejtori i përgjithshëm, Fadil Hysaj, me stafin e gjerë që një manifestim i tillë me mjete të mangëta financiare të vejnë në raportuar një program kaq masiv e përmbajtjesor, duke u dhënë shanse të gjitha fushave të artit.

Organizatori potencoi se sa i përket programit është fillua: “Nga ajo arkitekturale, kultura e banimit, funksionimi, roli i gruas në menaxhimin dhe funksionimin e shtëpisë, i zoti i shtëpisë që kishin rol dominues në ngritjen, edukimin e brezave dhe ekonominë familjare”, për të shtuar se kjo temë nuk është zgjedhur rastësisht, pasi që shumëçka ka degraduar me rrënimet e shtëpive të vjetra, madje edhe lagjeve karakteristike në qytetet më të mëdha të Kosovës.

Vlerësime të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar

Me këtë rast shkëputa edhe disa rreshta të ish- ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha, i cili gjatë edicionit të vjetëm të Etno- Festit, vlerësoi se si: “Në një mjedis krejtësisht rural, midis bjeshkëve rreth 1000 m lartësi, në një gjelbërim fantastik, performuan artistë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria si dhe arbëreshë të Kalabrisë – Itali. Artisti i njohur Fadil Hysa dhe bashkëpunëtorët e tij, familjarët dhe miqtë ishin kujdesur për një regji të menduar deri në detaje.

• Emocionet e pjesmarrësve i shtuan Grupi arbëresh i Kalabrisë, “Kreshnikët e Lirisë”, të cilët sollën nostalgjinë e kohës së Skënderbeut të cilën vetëm ata dinë ta sjellin. Vallet e bukura, këngët e ëmbla dhe malli për atdheun mbushën minutat plot emocion që të pranishmit përjetuan.
• Ekspozitat në të gjitha mjediset e festivalit nuk lenin asnjë çast të “lire”. Ekspozita e gazetarit dhe fotografit Rexhep Rifati me shtatoret e Skënderbeut, Odat e Vjetra Shqiptare me peshë historike, ekspozitë e kombinuar me temë Skënderbeun nga shumë autorë tjerë ndër ta edhe heroi i luftës Agim Ramadani, ekspozita në filigramë e anglezes Elizabeth Gowing dhe më pas instilacionet figurative të artistit Agron Blakçori, krijuan një mjedis në të cilin pjesëmarrësit jetuan më shumë në historinë e kombit tonë sesa në të tashmen dixhitale. Nga do të hidhje sytë gjendeshe në mes të kostumeve të bukura, veglave të punës, kulturës materiale tradicionale shqiptare… Të jetoje ato çaste nën hijen e pemëve, molla dhe dardha që po shqyheshin nga frutat, pranë vegjëve që prodhojnë zhgunin dhe pëlhurën e veshjeve tona popullore, ishte një kënaqësi që rrallë e gjen në ditët tona”