Në tetë qytete të Zvicrës po promovohet trilogjia e Avni Deharit

Promovimet në Gjenevë, Ostermundigen dhe në Rappreswil-Jona treguan jo vetëm për interesimin e libërdashësve për “Gjergjat në drita përkrenaresh”, por edhe për respektin që gëzon në mërgatë familja Dehari.- Këto organizime letrare po përshkohen me vështrime rreth librit por edhe me pika artistike

Teksti e fotot Rexhep Rifati 

Thuaja se i tërë fillimi i marsit do të përshkohet me promovimin e veprës së fundit të shkrimtarit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Avni Dehari. Gjegjësisht nga 3-11 Mars 2018 do të ketë gjithsejtë 8 promovime të Trilogjisë  “Gjergjat në drita përkrenaresh”, siç quhet vepra më e re e këtij autori e që lidhet edhe me vitin jubilar, 550 vjetorit të kalimit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në pavdekësi dhe të 20 vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së në Prekazin legjendar.

Dje pata rastin që të përcjelli promovimin e lokalitetin Jona-Rapperswil, ku në një ambient të ngrohtë, thuaja se familjar një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh, ishte mbajt edhe një promovim  kishin ardh për të marrë pjesë në njërin nga promovimet e veprës së Deharit. Vetëm një ditë më parë ishte mbajt promovimi i parë në Gjenevë, ndërkaq po të njëjtën ditë me këtë në Jona ishte mbajte një promovim edhe në lokalitetin Ostermundige të Bernës. Në promovimin e mbajtur në Jona mori pjesë edhe Liburn Aliu,  deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes,.

Ndonëse vepra promovohej për herë të parë në këtë mjedis, disa nga referuesit që u paraqitën me vështrime përkatëse, dëshmuan se e kishin lexuar veprën paraprakisht. Pasi moderatori i këtyre takimeve, Agim Sylejmani, foli për rrjedhën e organizimit të këtyre promovimeve në Zvicër e edhe këtu në Jona, Ilmi Cakoli, ndër të tjera i bërë një vështrim edhe aktualitetit në Kosovë. Më pastaj radhazi me referime rreth librit folën veprimtarë të çështjes kombëtare e letrar, siç ishin  Sali Sefa, Fatmir Brajshori, Isuf Ismajli dhe Kamber Thaqi.

Me këtë rast po jap referimet e Fatmir Brajshori dhe Isuf Ismaili

 

Fatmir Brajshori:
GJERGJAT NE DRITË PËRKRENARËSH

( Trilogji)

Dragoi ( fëmijëria e Gjergjit)  … 88 faqe
Udhëkryqi ( emigrimi në Adrianapojë) …117 faqe
Flakadanët e lirisë ( kthimi në atdhe, qëndresa, luftërat, amshimi) 258 faqe…

E para , kur një i rritur lexon një libër që, i është dedikuar fëmijëve, ai atë e lexon si i rritur, e kupton në këtë mënyrë dhe e interpreton si i rritur… Prandaj, unë Trilogjin, kur e lexova, e kuptova që, secili kapitull në vete ( autori i përcjellë me tituj) ka mundësi të shkrimit, zgjerimit dhe shndërrimit në novelë…

Shkrimtari nuk është ndonjë qenie e veçantë në krahasim me të tjerët ngaqë edhe ai jeton, si rrethi i tij, mbrenda një shoqërie dhe me krijimet e tija letrare, shpreh mendimet, ndjenjat dhe idealin e tij personal, e më shumë të shoqëris në të cilën jeton…

«Gjergjat në dritë përkrenarësh», – si Trilogji përbëjnë një auerol kulturore të rrëfimit të një historie, përmes romanit në këtë rast, romanit historik, me heronjtë e vet, me historira të vërteta, me pak rrëfime mitike që zakonisht janë thënë për kalorësit e mesjetës.

Te tre librat mund të themi me siguri të plotë, që të gjitha sendet kanë përmbajtjen e vet dhe përmbajtja dhe forma janë të lidhura, në mënyrë të pashkëputshme midis tre librave… Sepse të tre librat kanë kompozicion, pra formë dhe përmbajtje të ngjashme, artistikisht, teksa në përmbajtje dallojnë, gjë që është normale.

Autori e njehë krijimin e prozës dhe shifet që ai në mënyrë të shkëlqyeshme, ka gjetur idenë, temën dhe shprehjen artistike…

Forma e bërjes së  të shkruarit letrar është gjuha; Avniu përdor një gjuhë shumë të pastër shqipe dhe mund të them që ajo që më ka bë për vete në këta tre libra është pikërisht kjo: gjuha dhe idea e parë, që më kishte ardhë në kokë, ose mërmëritja e parë ishte: një lektyrim për lakmi.

Në krijimin e veprave letrare, gjuha luan rol të rëndësishëm, ku: e para  është s gjuha e përdorur e autorit dhe e dyta gjuha e përdorur e personazheve… Avniu edhe tek personazhet përdorë gjuhen e tij, çka tek lexuesit e rinjë ndikon për t’mirë teksa ne të rriturit do të donim që, herë herë e diku-diku të ishte përdorur gjuha e vjetër e arbërit…

Për shembull, në librin e parë, te fëmijëria e Gjergjit, ky na e sjellë një lojë të tyre me shtaga, lojë të cilën e luaja vet si fëmijë, sa herë ikja te dajët në Llap për pushime, dhe këtë Avni Dehari e quan SHTAGELLË, lojën të cilën ne  si fëmijë i thonim: Pitpidak!

Sipas disa teorive të studimeve letrare, nëse analizojm veprat ato bëhen më shumë mënyra, varësisht nga ajo nëse vepra ose romani në këtë rast, është epik, historik, erotik, modern, konspirativ, kriminalistik dhe atë duke e analizuar nga jashtë që në termet letrare njihet si ekstinsekte dhe analizë të brendshme që njihet si intesekte…

Për këtë arsye gjatë leximit kam vërejtur që autori të josh ( ta zgjon kureshtjen) me pastërtinë e gjuhës së përdorur e sidomos me tentim përpjekjen e shqiperimit të emërtimeve të kohës së atëhershme, si në vendbanime po ashtu edhe në emëra personazhesh…

Kumanova e sotshme  me gjuhën e Avniut e njohim si Kumanë teksa në dasmën e Gjergjit, dasmorë kishte edhe nga Besiana ( autori e sqaron që është Podujeva) nga Argjenda (  Artana e sotshme) e  Prishtina.

E, te emërtimi i Prishtinës, si e tillë, me emërtimin e sotshëm siç e ka, më prishi pak qejfin ngaqë ajo pas emertimit që njihet si Ulpiana, më vonë quhej Istrina, Strina dhe sot Prishtina… Pra në dasmën e  Gjergjit merrnin pjesë edhe Istrinasit…

Por kemi edhe emertimin e emërave të personazheve, të shqipëruar, si përshembull të pesë motrat e Gjergjit: Marinën, Vilen, Elinën, Valkën dhe Manen e që janë Mara, Vllajka, Jella, Angjelina dhe Mamica…

Ose emërtimin e Shinit, Rrapit që do të thotë të Stanishit dhe Reposhit teksa Konstandini nuk lëviz…

Këtë lojë fjalësh e kam gjetë si shumë të qëlluar

 

 

Ajo që tek gjuha dua të theksoj është një stil i kondensuar por që nuk është ideoemocional por i natyrshëm..

Natyrisht lexuesi nuk e ka të vështirë të zbuloj që në fillim se cila është tema qendrore… Zakonisht shkrimtari nuk e thotë por tek trilogjia e Avni Deharit që në fillim është e kuptueshme që do flitet për fëmijërinë, rinin, emigrimin, qëndrimin, kthimin, organizimin, luftimin, qëndresën, bashkimin dhe në fund amshimin e heroit që në këtë rast është Gjergji ynë i madh…

 

Komunikim i mirë mes personazheve dhe lexuesit

Trilogjia komunikon me personazhet e kohës gjerë sa edhe personazhet komunikojnë me lexuesin nëpërmjet dialogut… E tërë vepra pothuaj se është e ndërtuar me dialogje dhe kam përshtypjen, që me një dramatizim të mirë, do t’mund të bëhej edhe një film për fëmijë, sidomos me librin e parë « Dragoi»…

I ndërtuar ne kapituj titujsh, të shumtë, rrëfimet zbulojnë të vërtetat e thurura e që janë të vertetat avnideharjane për ç’mitizim, ku thuren disa motive nga jeta e Gjergjit në fëmijëri dhe jetë emigrim në Adrianopojë…

Narracioni është i shkurtër dhe objektiv; s’ka përsëritje të shpeshta ose më mirë me thënë s’ka fare, përpos aty ku ndërtimi, pra kompozicioni e kërkon sikurse numri i personazheve është i madh dhe ngjarja kryesore nuk është vetëm, qendresa dhe heroizmi i Gjergjave por  duke ndërtuar ngjarje të dyta episodike, rrëfimi parësor për tre  Gjergjat të një mendje dhe zemre bëhen më reale dhe më tërheqëse…

Personazhet si Gjin Aleksi që bëhet edhe Gjin Kërcasa e të cilin e kafshon gjarpëri, ose Pepë Tushani, xha Komani janë interesant, tek dy librat e parë..

Interesante është edhe paraqitja e Kobrës së cilës Gjergji me shpatë i preu kokën… Kur lexova për gjarpërin KOBËR mendova që autori ka bë një huqje, por jo, ai nëpërmjet Pepë Tushanit sqaron që ky gjarpër nuk rritet këtu dhe se dikush e kishte sjellë…

Është po ashtu mbresëlënëse Mrika të cilën autori e quan Ngjeshullorja ( mamit e sotshme)  ose si e quajta vet Mriken lind-ndihmësja…. Fjala Ngjeshullorja më pëlqeu shumë se si ishte përdorur dhe se si i ishte vënë si nofkë për punën që bënte…

 

Vdekja  e Gjin Aleksit, flamuri në gjysmështizë,,,

Të gjitha këto janë episode të trilogjisë që më bënin përshtypje sikurse edhe:

Jashar Hafezi që tentoi të vriste Gjergjin në Adrianopojë, të cilit i dalin përballë tre vëllezërit e Gjergjit, e kërcënojnë dhe me të edhe Ihsan Beun që ishte porositësi i vrasjes…

Teksa Gjergji mbante me vete këllefin që ia kishte dhënë Tina nusja e Krutanit…

Kur e lexova titullin «  Jalldëzi» që ishte e bija e Muharrem Beut, syzeza e bukur që donte të fuste në kurthë Gjergjin mendova që si temë do të shtjellohej edhe më, në qoftë se jo me Jalldëzen gjarperin e fshehur prapa velos së bukuris s’paku gjatë qëndrimit të tij në Adrianopojë, s’do mend që heroi ynë do t’ketë pas dhe dashtë ndonjë Jalldëz tjetër…

Ose tartari mburravec qe përballë Gjergjit s’kishte si të përfundonte ndryshe përpos ashtu siç përfundon edhe mijëra të tjerë që mateshin me të në beteja të shumta,,,

Librin e tretë, më voluminoz do ta vlerësoj si : temë kryesore është qëndresa e arbërorëve kundër sulmeve osmane, mbrojtja e atdheut dhe e nderit të shqiptarëve kundër okupatorit… Heronjtë përpos atyre që i njohim nga Historia janë po ashtu edhe njerëzit e thjeshtë, luftëtarë trima, që mbushin ushtrinë e Skënderbeut, në numër sipas nevojës së rrezikut…

Ndërsa për ju sot kam zgjedhë vetëm një dialog shumë të shkurtër, që për veten time personalisht, mendoj që ia ka vlejtë e tërë trilogjia të lexohet, vetëm për këtë moment…

Është dialogu në mes Gjergjit dhe Hamzait në Adrianopojë, kur  Hamzai i thotë Gjergjit:

« Kur ta çlirojmë Arbërin do t’i themi Sulltanit: Sulltan ti, sulltan ne ! »

Gjergjë Kastrioti ia kthenë Hamzait :

«  Jo, Hamza, Arbëria nuk ka nevojë ta zëvendësojë një sulltan me një sulltan tjetër ! »

ËSHTË  porosi dhe mësim edhe për kohën tonë…

Interesante është pushimi i Gjergjit gjatë kthimit në fushat e  Kumanës,,, shpresoj që dibranët s’do ngatërrohen më vonë me autorin dhe ta ndjekin atë…

Zhvillimi i personazhit, si zakonisht merr udhë, shtjellohet pas kthimit të Gjergjit në atdhe,,, Emocionet ndizen më tepër gjë që është e natyrshme ngaqë kemi të bëjmë me kohën, e cila i sjell lavdinë personazhit por edhe kohë të cilën e njohim të gjithë më mirë

Kjo trilogji, e shkruar dhe e menduar për fëmijët shkollor nga e gjashta tek e teta, ka një kompozicion shembullor për këtë grup moshe gjë që dëshmon për aftësitë e jashtëzakonshme të autorit, për të krijuar për fëmijë, me çka shumë më herët ishte dëshmuar, me librin e tij për fëmijë  Saja Fluturuese »

Kësaj radhe me sajën e tij autori kishte ikur tek Gjergjat e tij por në fluturimin e tij të radhës, do t’i sugjeroja, të kthehet nga Kruja në Prekazin e Adem Jasharit…

 

Isuf Ismaili:
epër vlerash të mëdha letrare, artistike e atdhetare njëkohësisht.

Kumtesë e lexuar në Jona të Zvicrës në përurimin e veprës ”Gjergjat në drita përkrenaresh”  të shkrimtarit të njohur Avni Dehari

Të nderuar vëllezër e motra dua t’ ju përshëndes të gjithëve, por në mënyrë të veçantë mikun e shokun tonë të çmuar e të dashur shkrimtarin e madh, atdhetarin e veprimtarin e devotshëm, humanistin e madh  Avni Dehari, për veprën e të cilit jemi mbledhur që ta përurojmë. Njëkohësisht  e përshëndes po ashtu shokun tim të çmuar e të dashur Agim Sylejmani që më dha mundësinë për t’ i shprehur disa mendime të mia në këtë përurim të këtij libri.

Letërsia shqipe, ka një prurje të madhe krijimesh letrare, të cilat hera herës nuk janë në vijimësi me rregullat e të shkruarit të mirëfilltë të letërsisë, si krijimtari shpirtërore e artistike, të cilat veç të tjerave kanë edhe mungesa të shumta të organizimit të mirëfilltë gramatikor e gjuhësor përgjithësisht dhe sidomos ka një shpërfillje të madhe ortografike dhe një ngatërresë të madhe logjike e sintaksore,  prandaj është vështirë të merren studiuesit me të gjitha këto krijime, mbase është edhe pamundur e megjithëkëtë nuk është e domosdoshme. Por, ato vepra dhe krijime letrare e artistike të mirëfillta është e domosdoshme për t’i lexuar e studiuar dhe për t’i dhënë shtytje e mbështetje të plotë, autorëve të poezive, tregimeve, reportazheve, novelave, dramave, romaneve e krijimeve të tjera letrare. Kështu është një nder dhe një kënaqësie e veçantë të shkruajë njeriu për vepra të autorëve të shquar, siç është shkrimtari ynë njohur Avni Dehari. Libri që po e përurojmë ka një rëndësi të veçantë, sepse në shquarsinë artistike e në lëndën e ideore, në harmoninë e pjesëve përbërëse  del figura madhështore e heroike e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kjo figurë e cila ka një vend meritor në Historinë e Shqipërisë dhe në trajtimet letrare, natyrisht ka një nderim e frymëzim tek çdo atdhedashës shqiptarë e arbëreshë.

Skënderbeu Prindi i Arbërisë

Më ka rastisur të shikoj tek vëllezërit tanë arbëreshë, manifestime, që janë bërë për nder të Skënderbeut dhe me plot dëshirë e them, se jam jo vetëm i kënaqur, por edhe ndjej, si diçka tepër të rëndësishme në jetën time dhe një krenari të natyrshme, marrjen pjesë në këto manifestime, kur kemi parasysh, se në kushtet e rrethanat e tyre edhe pas pesëqindepesëdhjetë vjetësh, frymëzohen, krenohen e kanë për nder të festojnë e bashkëjetojnë me madhështinë e heroizmin e Skënderbeut. Ata madje e quajnë Skënderbeun Prindi i Arbërisë.

Skënderbeu prijës shpirtëror

Skënderbeu ka qenë, është e do të jetë frymëzim, i gjallë dhe prijës shpirtëror edhe i grupeve, organizatave dhe përbërjeve atdhetare, politike e shoqërore, që kanë vepruar e luftuar për çlirimin, lirinë e bashkim e tokave e të popullit shqiptar. Ai u bë jo vetëm frymëzim i arbëreshëve e shqiptarëve, por edhe i shumë personaliteteve të ndryshme evropiane, i botës përparimtare dhe i ushtarakëve evropianë në përpjekjet, qofshin të organizimit ushtarak, apo qofshin edhe ato përpjekjeje e veprimtari çlirimtare e atdhetare . Vetë fakti i botimit, pothuajse në të gjitha gjuhët të Evropës të veprës “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut” të Marin Barletit tregon për peshën e rëndësinë e  Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë kuptim s’ka se si të mos ishte edhe frymëzim i autorëve të tjerë shqiptarë si Naim Fashëri, Jeronim de Rada, Noli, Haki Stërmilli, Mitrush Kuteli, Avni Dehari, e shumë e shumë të tjerë, veprat e të cilëve kanë një vlerë të madhe për të argumentuar të gjithë peshën e madhështisë e heroizmit jo vetëm të Motot të madh, por edhe të epokave e frymëzimeve të më pasme, sepse harku zinxhir i pandërprerë i përpjekjeve e veprimtarisë dhe i   luftërave të brezave të më pastajmë deri në ditët tona, është e natyrshme dhe domosdoshme t’i ndërlidhim mirë me ngadhënjimin e jetësimin e Shqipërisë së tërësishme, të natyrshme e etnike, apo siç thonë vëllezërit arbëreshë të bashkohemi të gjithë në Arbërinë tonë.

Këto ngjarje dhe heroizma të pjesës më të ndërgjegjshme atdhetare arbërore-shqiptare deri në kohën tonë ndodhin, sepse pikërisht gjaku i kulluar i etërve tanë, që nga Skënderbeu e deri Heroi legjendar i UÇK-së Adem Jashari nuk kanë pushuar kurrë së luftuari e së vepruari  për ta bërë Shqipërinë, Arbërinë një dhe të bashkuar.

Kështu përurimi i kësaj vepre po bëhet në kohën e përvjetorit të lavdishëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe kështu shtohet edhe më shumë rëndësia edhe e përkujtimeve, por edhe të promovimit të librit , veprës së Avni Deharit.

Por, përurimi i veprës: “Gjergjat në drita përkrenaresh” ndodh në një kohë, kur në këmbë ngrihen disa bukëshkalë të shitur, të cilët janë  të komanduar nga padronët e tyre të brendshëm e të huaj, për të përbaltur figurat më rëndësishme e më të ndritura të historisë sonë, të krenarisë e bashkëjetesës sonë me lavdinë, heroizmat e frymëzimet që ata na i kanë falur në dekada e shekuj. Të gërmojë njeriu të kaluarën tij të ndritur të popullit dhe ta mundohet ta përbaltë atë, është tradhti ndaj interesave të Atdheut. Po çuditërisht fjala tradhti as nuk ju bënë përshtypje, sikur kjo fjalë, për ta, është zbutur dhe pa fije turpi  as nuk skuqen fare. Po të ishte gjallë mendimtari, filozofi ,shkrimtari ynë i ndritur Sami Frashëri do të thoshte : “ Këta shqipfolës i ngjajnë, atij që donte ta pështynte diellin, pështyma duke mos arritur diellin i ra në fytyrën ose në surratin e tij” Po kështu dua të them  unë, se ata vetë po pështyjnë e përbaltin veten e tyre. Kaq  mund të bëjnë dhe kaq ju vlen edhe lëkura.

Kështu edhe ndaj Skënderbeut u hodhën si në garë se kush mund të fliste e të thoshte, se ja ai e ka pasur kinse nënën serbe e broçkulla të tilla, se gjoja emrat e fëmijëve të Gjonit, të atit të Skënderbeut, janë në gjuhën sllave etj.

Prandaj lënda e  thuktë e mbarshtruar artistikisht  e romanit “Gjergjat në drita përkrenaresh” të Avni Deharit, veç funksionit letrar artistik e ideor i vjen në ndihmë argumentimit të plotë e të ndritur të figurës së pamposhtur  e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të përkatësisë së tij të plotë arbëreshe, shqiptare të pa tjetërsuar, si edhe heroizmit të tij e të bashkëluftëtarëve dhe të popullit tonë, që në shekuj ka treguar se atë e kemi udhëheqësin shpirtëror e themelin e qëndresës dhe vazhdimësisë. Në këtë pikë-vështrim është e udhës të themi, se edhe kjo vepër u çjerr maskën djallëzore atyre bukëshkalëve, që gërmojnë historinë e Skënderbeut për ta përbaltur.

Një vepër letrare, artistikisht e ndërthurur në mënyrë të shkëlqyer

Vepra “Gjergjat në drita përkrenaresh” është një vepër letrare, artistikisht e ndërthurur në mënyrë të shkëlqyer, duke dhënë tablo të plota përshkrimesh, ngjarjesh e rrëfimesh, biseda e dialog të personazheve, duke filluar me pjesën e parë, librin e parë “Dragoi” që ka për bazë një lindjen e Skënderbeut e derisa turqit e morën dhe e dërguan në Turqi.

Që në fillim të këtij libri, të rrëmben një ndërthurje e përshkrimeve letrare, që kur Vojsa është me barrë. Të tërheq vëmendjen përshkrimi i Avniut, se si Vojsa po i tregonte burrit të saj Gjonit një ëndërr.    “Pashë ëndërr se kisha lindur një dragua. Oh, Gjon! Dragoi ishte aq i madh, sa me trupin e tij kishte mbuluar të tërë Arbërinë. Kokën e kishte vënë në kufijtë e osmanlinjve, ndërsa bishtin në det, në kufijtë e venedikasve. Me gurmazin e tij të gjakosur përpinte pandërprerë osmanlinj. Oh ç’ llahtar i madh!” Ajo shprehte frikë, por Gjoni e qetësonte dhe i thoshte se do  të kishin edhe një djalë dhe se ai do të luftonte e do t’i mundte osmanlinjtë dhe armiqtë të tjerë.

“Udhëkryqi”

Libri i dytë “Udhëkryqi” ka  përshkrime ngjarjesh që nga momenti kur Gjergjin e rrëmbejnë osmanlinjtë e deri te momenti, kur ai po i hapte rrugë Huniadit të Hungarisë për t’i mundur osmanlinjtë, si dhe ka përshkrime të mësymjes së Skënderbeut dhe arbërorëve të tjerë nën komandën e tij për t’u kthyer në Arbëri, fillimisht për ta marrë Krujën e pastaj vendet të tjera arbërore.

Që në fillim të  librit janë momente prekëse, të dhembshme deri në  shpirt e mallëngjyese fjalët e përkushtimit të Avni Deharit në këtë libër……

“Flakadanët e lirisë”

Libri i tertë: “Flakadanët e lirisë” është më  i madh dhe nis me rrugëtimin e lutjen e Skënderbeut për të mbërritur sa më shpejtë  në Krujë. Është një libër që përshkruan ngjarjet, ambientet, natyrën, të bëmat, heroizmat dhe emocione të fuqishme, por edhe madhështinë e gjithë epokës së lavdishme të Motot të Madh të Heroit tonë kombëtar, deri te momenti i lëngimit të tij  nga sëmundja dhe pamundësia për të marrë pjesë në luftë. Por pranë tij ishin mbledhur i biri, gruaja dhe trimat e tij dhe ai tha Thanasit të merrte një dëng thupra dhe t’ia çonte pranë. Pasi Skënderbeu i mori atë dëng i tha trimave të tij, të provonin që thuprat e bashkuara të tëra së bashku  t’i thyenin, por asnjëri nuk arriti t’ i thyente,  Gjergji i tha Gjonit të vogël të thyente një, ai e theu dhe pastaj i ati i dha një nga një thuprat dhe Gjoni i thyente me lehtësi. Ndër të tjera Skënderbeu po iu thoshte trimave të tij: “Po të qëndroni lidhur, si ato në dëng, s’ka forcë në botë që ju thyen. Vetëm të bashkuar mund ta mbroni e ta gëzoni Arbërinë të lirë e të lumtur” Autori i këtij libri krahas të gjithë përbërësve të këtij romani, na jep porosi të qarta, se vetëm një bashkim i tillë mund ta shpëtojë e bëjë jetësimin e tërësisë së Shqipërisë me të gjitha pjesët e degët e saja.

Kjo vepër letrare ka një harmoni lidhjesh artistike, ideore dhe një gjuhë të pasur e të pastër, një rregullsi të përkryer logjike, ortografike e sintaksore dhe porosi të qarta e të shkëlqyera  atdhetare, si për fëmijët ashtu edhe për të rinjtë, por natyrshëm edhe për moshat të tjera.

Pasuria letrare  e kësaj vepre ndërthuret shumë bukur me vlerat e këtij organizimi letrar e gjuhësor, duke vënë në pah figura letrare dhe ndërlidhje frazeologjike me vlera të çmuara estetike e stilistike.

Avni Dehari, duke qenë njohës i mirë i gjuhës dhe letërsisë, i kulturës dhe veprimtarisë së tërësishme atdhetare e njerëzore  ka ditur ta shprehë mirë  bukurinë e të shprehurit letrar.

Ja disa shembuj:

“…Kont Urani që e kuptoi se për çfarë e lodhte mendjen Gjergji…”, “…duke marrë me vete gëzimin e fitores…” “…i mëshoi fjalës Kont Urani….”…i pifsha ujë për shëndet, ia shoi yllin!” e shumë e shumë shembuj të tjerë.

Gjuha e letërsisë artistike është një pasuri e veçantë dhe një vlerë që i shërben njerëzimit për të pasuruar si fjalorin e të shprehurit, po ashtu edhe dijet, ndjeshmërinë njerëzore dhe fuqinë e gatishmërisë për të vepruar në rrugëtimet drejt vlerave të çmuara atdhetare e humanitare njëkohësisht. Këtyre qëllimeve i shërben edhe vepra e veprimtaria e gjithanshme e shkrimtarit dhe atdhetarit e humanistit të madh Avni Dehari, theksoi në fund të fjalës së tij Isuf Ismaili.

Me një fjalë të shkurtër të pranishmëve iu drejtua edhe vetë autori, Avni Dehari duke i falënderuar për interesimin që po tregojnë për veprat e tij.

Programin u përshkua edhe me disa pika artistike grupi i të rinjve të Forumit “Air Stars” të koreografit të ri Liridon Cakollit në Jona dhe grupi i këngëtarëve të SHKA “Dardania” nga Winterthur, të kryesuar nga këngëtari Hamit Shillova dhe orkestra i instrumentistëve.