“Rilindja” Winterthurit, një shoqëri e re që rrezaton art të mirëfilltë

Shoqëria Kulturore-Artistike RILINDJA, që udhëhiqet nga Gëzim Kasumaj, ndonëse u themelua më 10 prill 2015, arriti shumë shpejt të konsolidohet, sa sot të tubojë mbi 60 anëtarë moshash të ndryshme, me prejardhje nga vise të ndryshme shqiptare

Nga Rexhep Rifati

Manifestimi i 3 dhjetorit të sivjetmë, i organizuar nga LAPSH- i i kantonit të Cyrihut, për mua solli një befasi të këndshme, praninë e shoqërisë mysafire “Rilindja” nga Winterthuri, me një program tejet simpatik e cilësor. Ndonëse isha i ftuar në programet e kësaj shoqërie edhe më parë, por për shkak të agjendës së ngjeshur të udhëtimeve të mija nuk arrita ta përcjelli asnjë paraqitje të SH.K.A. RILINDJA, ndaj edhe nuk kisha mun të marr me mend për një përparim kaq të hovshëm të kësaj trupe artistike, emri i së cilës më joshte edhe më shumë, ngase ma kujtonte gazetën “Rilindja” ku i kalova mbi 30m vite në profesion.
Ndaj edhe më vjen keq që ky është shkrimi im i parë për këtë shoqëri artistike, por edhe më vjen mirë që ka bërë ecje kaq të mbarë. Ndaj edhe për ti plotësua të dhënat për “Rilindjen” e Winterthurit zhvillova edhe një bisedë me kryetarin e saj, Gëzim Kasumajn, i cili gjithashtu nga arkivi i tij më ofroj edhe ca shënime e foto nga arkivi i grupit, nga paraqitjet e ndryshme nga themelimi e këndej.
Nga Gëzim Kasumaj, mësova se: – Në bazë të kërkesave të vazhdueshme të të rinjve, prindërve por edhe të krijueseve artistik dhe vullnetarëve të tjerë, pas një përgatitje të shkëlqyeshme paraprake, ne kemi themeluar Shoqërinë kulturore-artistike RILINDJA më datën 10 prill 2015 me seli në Winterthur, me kryesinë në këtë përbërje: Gëzim Kasumaj, kryetar Florentina Ajrizi, nënkryetare Hisen Abazi, sekretar dhe arkëtar Enis Saciri, nënsekretar Vebi Pireva, anëtar i kryesisë Jakup Kuqi, anëtar i kryesisë.
Ndërsa, udhëheqja e këshillit artistik përbëhet nga Ruzhdi Hajrizi, udhëheqës këshilli dhe nga anëtarët Bashkim Fekaj, Gëzim Kasumaj, Florentina Ajrizi, koreografe Lindjana Pireva, koreografe.
Aktualisht SH.K.A. RILINDJA numëron mbi 60 anëtarë, ku përfshihen: Orkestra folklorike së bashku me solistët si dhe ansambli i valleve. Ndërkaq,
lokali i ushtrimeve gjendet në Winterthur: Kronaustrasse 21, 8404 Winterthur. Ku ushtrimet zakonisht mbahen të shtunën, aktualisht për të gjitha grupet nga ora 14.00 deri në orën 20.00.
Më tej nga kryetari i shoqërisë mësojmë se si burim kryesor kanë anëtarësinë vjetore nga vet anëtarët në shumën prej 150 fr për anëtarë, kurse gardëroba është siguruar me financim nga anëtarësia dhe donatorët. Po ashtu , orkestra dhe solistët kanë bërë financim vetanak, qoftë për gardërobë qoftë për sigurimin e instrumenteve. Një ndihmesë të veçantë për veprimtarinë e shoqërisë “Rilindja” e japin donatorët e përhershëm dhe të kohëpaskohshëm, si: GEBASEDI Consulting GmbH KULLA Group, RA Türen & Zargen GmbH, Eriscom GmbH, Gazi Druck GmbH, Tösstal TAXI dhe Landenberg Restaurant & Pizzeria Auogarage “LINI”.
Po sipas Gëzim Kasumajt : “ Shoqëria jonë është e përkushtuar për krijimin e vlerave muzikore-artistike para së gjithash për shqiptarët e Zvicrës. Ne duam që kulturën tonë muzikore dhe artistike ta ruajmë dhe kultivojmë bashkërisht dhe përmes nxitjes, zhvillimit dhe kultivimit të saj, ta përcjellim tek gjeneratat e reja. Njëkohësisht jemi shumë të interesuar për një bashkëpunim të mirëfilltë me shoqëritë simotra në Zvicër sikurse edhe me organizatat vendore duke e ndjekur rrugën e përforcimit të këtij bashkëpunimi në raport me marrëdhëniet ndërkulturore, njohjes më të përafërt dhe integrimit më të mirë në shoqëri. Ndërsa, synime kryesor është: ruajtja, kujdesi dhe përkrahja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, nxitja, trajnimi dhe krijimi talenteve të rijë nëpërmjet shfrytëzimit të kohës së lirë , nxitja dhe ruajtja e një kolegjialiteti të mirë midis njerëzve , përkrahja e jetës kulturore shoqërore të shqiptarëve në Zvicër , ruajtja dhe përkrahja e këmbimeve ndërkulturore me institucionet, shoqatat dhe qytetarët vendas me qëllim integrimi dhe bashkëpunimi, këmbimet ndërkulturore me etnitë tjera në Zvicër, ndihma dhe përkrahja e shoqërive simotra nga vendi i origjinës e të tjera. Përndryshe, SH.K.A. Rilindja është shoqëri neutrale, jopolitike dhe jokonfesionale.
PO me rastin e vizitës, Gëzim Kasumaj, në emër të SH.K.A. Rilindja, më ndau një mirënjohje, e cila më ishte nda me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës, por që unë atë kohë kam qenë jashtë Zvicre, ndaj edhe me këtë rast e falënderoj shumë.