20 vjet nga Masakra e Tususit

Të dielen është përkujtuar Masakra e Tususit të Prizrenit. Janë bërë 20 vjetë, qysh kur forcat kriminele serbe kishin masakruar popullatën e pafajshme shqiptare, ku ndaj 27 prej tyre u krye masakër e tmerrshme.

Tususi njihej si lagjja që i mbante dhe i organizonte ushtarët e UCK-së. konsiderohej si cerdhja e lindjes, mirëmbajtjes, organizimit dhe funksionimit të UCK-së, prandaj edhe ishte zgjedhur si vend për të kryer masakër, sepse serbët donin t’ia bënin me dije të gjithë atyre që ndjekin rrugën e lirisë së vendit, se një gjë e tillë do ti gjejë. Por, shqiptarët nuk u ndalën dhe nuk u dorëzuan asnjëherë, karshi asnjë sulmi apo masakre të kriminelëve serb, sepse ishte mjaft e qartë që rruga drejt lirisë ishte e vetmja rrugë që duhej ndjekur.

Na akademinë përkujtimore që u mbajtë me rastin e 20 vjetorit të Masakrës së Tususit, mori pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, I cili tha:

“27 veta u vranë, më 26 maj, 20 vjet më parë. Kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura. Për masakrën në lagjen Tusus, ende nuk ka drejtësi, e krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm. Forcat serbe, para dy dekadave, përveçse vranë më të dashurit tuaj, ato edhe plaçkitën e pastaj i dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagje. Kriminelët të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake.

Kroacia, një shtet po ashtu i dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, e ka mundësinë ligjore për t’i gjykuar në mungesë kriminelët e luftës. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë ka ngelur vetëm të votohet në lexim të dytë, mirëpo në mënyrë absurde po e vonojnë.

Pema e lirisë së Kosovës është mbjellur nga rezistencat dhe kryengritjet e popullit tonë përgjatë gjithë shekullit XX: paqësore e të armatosura, ilegale e legale. Mirëpo, kjo pemë është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe me djersën e punëtorëve. Pema është rritur e ka çelur, por nuk është as mirë dhe as e drejtë që lulet e pemës së lirisë të jenë për qytetarët, kurse frutat e pemës së lirisë për pushtetarët. Pra, pema e lirisë është bërë si një aromë e këndshme për popullin, të cilit i mpihen dhëmbët meqenëse s’ia japin frutat.

Liria pa barazinë, liria me privilegje për disa e me diskriminim për shumicën, liria që nuk është liri për të gjithë, nganjëherë nuk është liri e plotë e nganjëherë as liri e vërtetë. Martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka. Askush sot, ama bash askush, nuk ka të drejtë të flas për pajtim me Serbinë në emër të motrës së dëshmorit Selver Maqkaj, Fazile Maqkajt, e cila u dogj e gjallë brenda shtëpisë së saj e në karrocë invaliditeti.

Dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, shteti ynë iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.

Sot, këtu, ka mjaft edhe dhembje edhe krenari. Ajo që duhet të kemi më shumë është: përgjegjësi.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Tususit, të Lagjes së Trimave! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!”

Sot janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Tusus të Prizrenit, ku janë masakruar 27 qytetarë. Me këtë rast është kërkuar që para drejtësisë të dalin ata që kryen këtë masakër të tmerrshme.

Në akademinë përkujtimore që është mbajtur ka marrë pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili tha se për masakrën në lagjen Tusus ende nuk ka drejtësi, e sipas tij krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm.