1975-1982 KRIJIMI I LËVIZJES PËR PAVARËSINË E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ)

«Në vitin 1981 u shtrua kërkesa për konstituimin e Kosovës në Republikë. Në prapavijën e kërkesës qëndronte besimi se problemi shqiptar në Jugosllavi esencialisht reduktohej në të drejtën për t’u konstituuar si plotësisht i barabartë me të tjerët, si shtet me të gjitha të drejtat idividuale dhe kolektive që i gëzonin republikat (shtetet) në bashkësinë e republikave (shteteve) Jugosllave. Besohej se e drejta e konstituimit të Kosovës në Republikë, logjikisht do të duhej t’i paraprinte bashkimit të kombit dhe njëherit do të ishte në funksion të stabilitetit politik të Jugosllavisë dhe të Ballkanit në përgjithësi.»
Ukshin Hoti, FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE, Tiranë, 1995

“Vlen të thuhej se në këtë periudhë u formua organizata e parë shqiptare PKMLSHJ, që theu shabllonet e më hershme të ilegales duke kërkuar republikën shqiptare në kuadër të Jugosllavisë. Po ashtu, gjatë kësaj faze do të shtrohej si imperativ i kohës një çështje shumë e rëndësishme për ilegalen shqiptare, siç ishte ai i unifikimit të organizatave e grupeve ilegale në një lëvizje unike … “
Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, PROGRAMET POLITIKE TE LEVIZJES KOMBETARE SHQIPTARE 1878-1990, Instituti i Historise, Prishtine, 2013

… nëse barazia dhe republika nuk arrihen në rrugë e me mjete paqësore dhe nëse gjendja përshkallëzohet deri tek lufta e armatosur, atëherë nuk ka kuptim bashkëjetesa në një shtet të tillë, siç është Jugosllavia, dhe në një rast të tillë ne shqiptarët do te angazhohemi për jetësimin e aspiratës së kamotshme shqiptare – bashkimit kombëtar!
Një nga vendimet e aprovuara në mbledhjen konstituive të Organizatës në vitit 1978

Osman Osmani, Zvicër, me 30 mars 2021

Disa kuadro shqiptare në Ushtri, Sigurim, Polici, në Politikë, në Universitet, në Shkolla, në Ekonomi etj., që i njihnin pikëpamjet e njëri-tjetrit, ngase i takonim kryesisht një gjenerate që demonstratat e vitit 1968 i përjetoi në rininë e hershme dhe që i kishin të freskëta kërkesat që vetëm pjesërisht u realizuan, nuk ishin të kënaqur me pozitën politike të popullit shqiptar në ish- RSFJ, andaj kërkonin rrugë për të shtyer më tej çështjen e avancimit të politik e shtetërorë-juridik të shqiptarëve në(n) ish Jugosllavi.

Përfundimisht ideja për krijimin e PKMLSHJ erdhi menjëherë pas Kongresit të 10 të LKJ ku pritej të shtrohet për zgjedhje edhe kërkesa e fundit e parealizuar e demonstratave të vitit 1968 për krijimin e Republikës së Kosovës.

Pasi populli shqiptar në ish- RSFJ nuk kishte një Organizatë Politike unike që këtë çështje të trajtonte si unike u pa si e domosdoshme se Kosovës i duhej një Parti Politike e pavarur dhe e barabartë me Partitë Politike të Popujve tjerë në ish- RSFJ dhe të pavarur e të barabartë edhe me Partinë e Punës së Shqipërisë (PPSH) . PPSH e kufizonte aktivitetin e vet politik brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe çfarëdo angazhimi i saj rreth çështjes së Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare ishte përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër. Angazhimi i Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës kufizohej vetëm ne të drejtat e minoriteteve që ishte tepër pak për të shëruar plagën e madhe të Kosovës, e cila ishte gjysma e Shqipërisë. Nuk durohej ndarja e dyfishtë e Kosovës: një herë e ndarë nga shteti amë dhe pastaj e ndarë dhe nën sundimin e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo jo vetëm që shkaktonte diskriminim nacional e politik, por kjo pozite e situatë mundësonte edhe shfrytëzimin dhe diskriminimin e vazhdueshëm ekonomik.

BËRTHAMA E PARË
Bërthama që i parapriu Organizatës së PKMLSHJ ishte e përbërë nga njerëz të pa kënaqur me pozitën politike të popullit shqiptar në ish-RSFJ. Populli shqiptar në ish-RSFJ edhe pse paraqiste një tërësi kompakte kombëtare e që jetonte po ashtu në një territor kompakt etnik në një numër i cili përkah madhësia ishte i treti në ish-RSFJ, ai gjendej i ndarë dhe nën sundimin e tri republikave sllave. Sundim ky, i cili edhe në aspektin ekonomik edhe atë politik ishte i përcjellë me tërë karakteristikat që e përbëjnë një okupim klasik kolonialist, i cili ushtrohej përmes të autonomistëve të korruptuar e të mbuluar me demagogjinë e internacionalizmit proletar.

Ata që duhej të vepronin në këtë drejtim: LK e Kosovës, Akademia e Shkencave e Kosovës, institucionet dhe përfaqësuesit e Kosovës në Federatë nuk vepronin, prandaj u vendosë që të veprohet në këtë drejtim me mundësitë ekzistuese dhe në formë dhe me mjete që do të i caktoheshin vet.

Ky rrymim mësojë nga përvoja e hidhur grupeve ilegale të gjeneratave të mëparme se si nuk duhet vepruar, dhe si duhet vepruar. Besojmë se nga gabimet e kësaj gjenerate do të mësojnë gjeneratat e më pasme dhe çdo gjeneratë do të bëjë një hapë përpara dhe do të arrijë një sukses më shumë se gjenerata e më parme.

MËSIMET NGA PËRVOJA E ILEGALES
Edhe themeluesit e bërthamës së parë organizative të PKMLSHJ rrjedhin nga familjet që i takonin rretheve të përafërta me qarqet patriotike të Kosovës. Kjo mundësoi që para se të bëhen hapat e publikimit të Organizatës dhe të qëllimeve të saja, të: analizohen veprimet e grupeve ilegale; arsyet pse ato zbuloheshin aq shpejtë?; pse nuk ishin në gjendje që të ruajnë kontiunitetin e veprimit për kohë ma të gjatë?; pse vazhdimisht krijoheshin grupe ilegale me emra të ri e me program të njëjtë?; e pikëpyetje të tjera.

Së pari këto analiza vërtetuan se grupet ilegale shqiptare udhëhiqeshin nga patriot e atdhetarë të mirë, por profesionalisht të papërgatitur për të hyrë në konflikt me një shtet, i cili deri në perfeksion i kishte arsimuar profesionalisht njerëzit e shtetit që do të luftonin ilegalen. Mekanizmat profesional të policisë publike, të shërbimeve sekrete, të shërbimeve të propagandës speciale dhe asaj publike, organet politike, organet gjyqësore, perfeksionimi i metodës, taktikës dhe të teknikës së zbulimit, etj. Pushtuesi me këto përparësi e kishte të lehtë të hidhte njerëzit e vet brenda organizatave ilegale dhe të godiste ilegalen edhe nga brenda edhe nga jashtë. Pra grupet amatore ilegale të Kosovës po ndesheshin vazhdimisht me mekanizma profesional shtetëror dhe ishte e logjikshme pse ato beteja ishin të humbura akoma pa filluar. Pra përfundimi se puna e organizatës PKMLSHJ duhet të ketë sa më shumë profesionalist dhe ata të veprojnë në prapavijë të armikut, duke i përdorur kundër tij, gjegjësisht duke përdorur metodat që armiku përdorte kundër ilegales. Qëllimet nuk mendohej të arriheshin shpejtë, por synohej që të veprohet vite me radhë në ilegale dhe që brenda organeve shtetërore të krijohen pozicione të fuqishme. Në këtë drejtim orientimi ishte, depërtimi i kuadrove të organizuara ose indoktrinimin e kuadrove që veç ishin duke punuar në kuadër të organeve shtetërore e politike, e që kishin sjellje të mira njerëzore dhe patriotike.

Si kriter i angazhimit në PKMLSHJ ishte edhe kushti i konspiracionit total. Për t’u arritur kjo organizata e PKMLSHJ u përcaktua të zgjerohej vetëm me njerëz që mes veti njiheshim ma shumë se 10 vite ose që ishin në mes veti në lidhje familjare, farefisnore e miqësore . Bie fjala nga familja e Mqedoncëve, 4 veta ishin anëtar të PKMLSHJ, ndërsa e tërë familja e mbështeste dhe e përkrahte PKMLSHJ me të gjitha mjetet. Kështu ishte me familjen e Bahtir Ahmetit, me familjen e Abdullah Prapashticës, Faton Topallit, Vahedin Azemit e të shumë aktivistëve të tjerë. Pos tjerash kjo metodë e punës mundësonte krijimin e kushteve për të marr apo për të rrënuar kalanë nga brenda.

Pasi që ndërtimi i një organizate masovike në kushte të ilegalitetit nuk ishte i mundshëm, PKMLSHJ fillimisht arriti t‘i plotësonte vetëm kushtet minimale për veprim. Bërthama e saj u krijua në vitin 1975. Nga ky organizim u kalua nëpër rrugën normale të krijimit të organizatave politike që nga bërthama e parë organizative, përmes krijimit të degëve dhe resorëve deri në nivel qe ajo të mund të filloi të veproi si organizatë.

Kështu pas vuarjes së themeleve organizative, Partia Komuniste marksiste – leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ) u themelua në vitin 1978 në Prishtinë. PKMLSHJ nxori Dokumentet e Partisë në një përmbledhje e cila titullohej TEORIA DHE PRAKTIKA E REVOLUCIONIT. Në përmbajtje të këtij materiali ishte edhe Programi, Statuti dhe Instruksionet për punë praktike. Ato si tërësi përbënin Platformën Politike për Republikën e Kosovës, sepse qëllimi kryesor i ekzistimit të PKMLSHJ ishte krijimi i kushteve për arritjen e pavarësisë të popullit shqiptar në RSFJ-në e atëhershme. Pra pavarësinë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe krijimi i Republikës Shqiptare, të barabartë me Republikat tjera në RSFJ. Dalja publikisht me Programin e PKMLSHJ-së, përgatiti popullit që të mobilizohet rreth kërkesës për Republikë, kurorëzoi përpjekjet për bashkimin e rrymave politike rreth kësaj kërkese dhe fillojë ushtrimit të presionit politikë ndaj federatës dhe të njësive që e përbënin atë me qëllim të nisjes së procesit në drejtim të realizimit të statutit të Republikës për popullin shqiptar në ish-RSFJ.

BARTËSIT KRYESORË TË AKTIVITETIT
Ndër bartësit kryesor të aktivitetit të PKMLSHJ-ës, ishin: Abdullah Prapashtica, Rexhep Maqedonci, Osman Osmani, Faton Topalli, Fatmir Bajrami, Osman Maqedonci, Mr. Halil Alidema , Fatmir Grajqevci, Adem Prapashtica, Skender Ibishi , Nysret Ahmeti, Ramush Topalli, Lumnije Azemi, Kadri Cakiqi, Lutfi Maqedonci, Martin Quni, Bahtir Ahmeti, Adem Dërvisholli, Vahedin Azemi, Shyqeri Gjinolli, Kadrije Gashi, Afrim Abazi (dëshmor), Fatime Gjinolli, Skender Hajdari, Nazim Azemi, Fahrije Osmani, Zyrafete Krasniqi, Nazmije Syla, Fehmi Hajrullahu, Rafiz Halili, Sejdi Sejdiu e shumë të tjerë .

PKMLSHJ ishte e organizuar në sistemin e dhjetësheve. PKMLSHJ angazhohej për ngritjen e statusit të shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb, bashkimin e krahinave shqiptare në RSFJ dhe krijimin e republikës në kuadër të kësaj federate. Sistemi i brendshëm shtetërorë, do të rregullohej përmes kombinimit të kushtetutë së RSFJ dhe RPSSH-ës. Realizimi i këtij qëllimi parashihej përmes tri fazave: 1. Përmes kërkesave drejtuar udhëheqjes legale të Kosovës, dhe udhëheqjes federale të kërkohej në rrugë paqësore arritja e pavarësisë dhe barazisë ekonomike, politike dhe territoriale përmes krijimit të republikës shqiptare në kuadër të federatës; 2 me presion publik si demonstratat, grevat, e tubimet e ndryshme; 3. Përmes luftës së armatosur e cila nuk do ta kishte më për qëllim republikën në kuadër të federatës. PKMLSHJ në periudhën prej 01.03.1979 deri me 5 mai 1980, kërkoi disa herë me shkrim para organeve krahinore dhe atyre federale realizimin e kërkesës demokratike për republikë.

Me 10.12.1980 organet e Kosovës dhe ato federale u paralajmëruan se nëse nuk do zgjidhnin çështjen e Republikës së Kosovës, PKMLSHJ brenda 6 muajve do të organizonte demonstrata. Njëkohësisht, përmes dekretit u dha urdhri që brenda vitit 1981 të kryheshin detyrat programore në drejtim të organizimit të demonstratave.

TRI FAZAT E AKTIVITETIT
Në parashikimet dhe përpjekjet e saja, PKMLSHJ mendonte që ngjarjet ti zhvillojë në formë të shkallëzuar të tri fazave:

1. Faza e parë përbëhej nga veprimtaria politike e shtruarjes teorike të kërkesës për Republikën e Kosovës përpara organeve federative dhe përpara LKJ me theks që të bëhet presion që LK e Kosovës të shtrojë këtë kërkesë në rrugë zyrtare dhe në rrugë legale;

2. Faza e dytë përbëhej nga organizimi i kombinuar i presionit politikë për mes të peticioneve, memorandumeve, shkresave nga meset e ndryshme dhe organizmi i marshimeve, grevave dhe demonstratave me kërkesën për Republikën e Kosovës në suaza kombëtare, federative dhe ndërkombëtare dhe së fundi;

3. Faza e tretë në të cilën parashihej shtruarja e ultimatumeve që të njihet Republika e Kosovës në kuadër të federatës jugosllave dhe nëse edhe atëherë nuk vjen përgjigjja pozitive atëherë të shpallet pavarësia e Kosovës nga ish-RSFJ dhe të shpallet bashkimi me Shqipërinë, me paramendimin që kjo të bëhet edhe me përdorimin e mjeteve përkatëse.
Mosrespektimi i këtyre fazave u bë për shkak se pushteti e kishte parasysh programin e PKMLSHJ dhe se ai donte konfliktin menjëherë, sepse e dinte se kur ishte fjala për përdorimin e dhunës raporti i forcave ishte në anën e tij, ndërsa në rrafshin politik do të pësonte disfatë deri në kapitullim.

PKMLSHJ – ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKË
Në demonstratat 11 dhe 26 marsit, si dhe ato të 1,2 e 3 prillit të vitit 1981 pjesëtarët e PKMLSH morën pjesë aktive në organizimin e tyre dhe plasimin e platformës dhe kërkesave të PKMLSHJ-ës. PKMLSHJ ishte e vetmja organizatë politike që përmes programit të saj shtronte çështjen e republikës. Programi i saj partiak u përkrah nga populli dhe u shndërrua në kërkesë gjithëpopullore. Me 14 prill 1981 PKMLSH i dërgon një Notë KQ të LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave me ç‘rastë morri përsipër përgjegjësinë për organizimin e demonstratave. Me 14 gusht 1981 PKMLSHJ i dërgoi një letër KQ LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave duke ftuar LKJ-ën për bisedime si partner dhe parti të barabarta. Ajo publikoi shumë materiale propagandistike si „Teoria dhe praktika e revolucionit“, „Instruksione për veprim praktik“, Revistat “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut”, etj.

MAJTIZMI I PKMLSHJ
Përcaktimi për konceptim e majtë ideologjik u bë për disa arsye. Së pari Kosova gjendej brenda zonës gjeografike ku të gjitha shtetet për rreth saj ishin me sistem socialist, duke e përfshirë edhe RSFJ, brenda së cilës ajo ishte dhe edhe shteti amë kishte rendin socialist. Pos kësaj në disa vende të Evropës perëndimore partitë socialiste ishin ose në pozitë ose ishin opozita me e fuqishme në ato vende. Edhe sikur shqiptarët dhe organizatat e tyre kombëtare të ishin me orientime të djathta dhe të provonin që të veprojnë nga ato pozita, nuk do të hasnin në mirëkuptim e përkrahje te populli në Kosovë dhe shteti shqiptar. Këtë e vërteton fakti se shteti shqiptar nuk mbështeste organizatat e djathta. Mirëpo, përcaktimi për të vepruar nga pozitat politike të majta nuk ishte vetëm çështje taktike, por edhe rezultat i bindjeve politike të krijuara në ato rrethana që u rritën dhe u shkolluan protagonistët dhe aktorët e këtij organizimi. PKMLSHJ e ndjente veten si një parti e cila nuk identifikohet me Partitë Komuniste të kohës për shkak të „modës„ e ku e „gjithë Partia dhe gjithë populli ishin vu në shërbim të marksizëm – leninizmit„ por përkundrazi PKMLSHJ synonte që marksizëm – leninizmin të vejë në shërbim të popullit punonjës sepse kështu e kuptonte idenë e lëvizjes punëtore, të njohur si majtizëm. Për PKMLSHJ ekzistonte një ligjshmëri e marrëdhënieve dhe të zhvillimit shoqëror, e cila duhej të kalonte pa tjetër nëpër faza e etapa të caktuara për të arritur qëllimi i caktuar.

FORMIMI I ORGANIZATËS SË RINISË SHQIPTARE NË KUADËR TË PKMLSHJ
Në vitin 1979 nga të rinjtë në radhët e PKMLSHJ në Prishtine nën drejtimin e Faton Topallit dhe Fatmir Bajramit bashke me Fatmit Grajqevcin, Selatin Zenelin dhe Lutfi Maqedoncin u themelua Organizata e Rinisë Shqiptare të Kosovës, me qendrat ne Prishtine dhe Ferizaj e cila më pas ka vepruar intenzivisht në propagandimin e kërkesës për Republikë brenda radhëve të rinisë shkollore.

DËSHMI MBI AKSIONET, AKTIVITETET E VEPRIMTARINË KONKRETE
Fakte dokumentuese mbi aktivitetin e PKMLSHJ gjatë një periudhe të caktuar, pa përfshirë të gjitha aktivitetet tjera ilegale të aktiveve dhe qendrave tjera të veprimit të PKMLSHJ si dhe aksionin e parë qendror “Pyetja” dhe “Ankëta” që shërbenin për sensibilizim dhe krijimin e opinionit mbi nevojën e arrtijes së barazisë kombëtare e shoqërore, gjegjësisht avancimin e pozitës së shqiptarëve në(n) ish-RSFJ si kombësi në komb dhe të avancimit të pozitës së Krahisnës Autonome të Kosovës në Republikë të shqiptarët skur i kishin edhe të gjtiha kombet tjera të federatës.

Aksionet konkrete të PKMLSHJ ishin: shpërndarja e trakteve dhe pamfleteve; shkrimin e parullave; dërgimin e letrave politike. Materialet e PKMLSHJ ishin: Programi dhe Platforma e PKMLSHJ; gazeta „Revolucioni“; gazeta „Zëri i Atdheut“; Teoria dhe Praktika e Revolucionit; Shtojca speciale; Lista e parullave revolucionare të nënshkruara nga Shtabi i demonstratave, që u shpërndanë më 28 mars, si dhe më 1, 2 dhe 3 prill 1981; Dekreti Nr. 1 dhe Nr. 2; NOTA e 14 prillit 1981; Vërejtja. Veprimet dhe aktivitetet tjera që PKMLSHJ ndër të tjera kreu përmes rrugës zyrtare postare që nga fillimi i vitit 1979: me 1 Mars 1979, Shkresën e përpiluar më herët „Informata e grupit nga Obiliqi“ ia dërgojë Kryetarit të Komitet Krahinorë të LK të Kosovës; më 27 mars 1979, „Informata mbi situatën politike dhe ekonomike“ drejtuar Kryesisë të KK të LKK; më 15. mars 1980, „Telegrami“ ia drejtojë Kryesisë së KQ të LKJ; më 1 nëntor 1980, Letra e KQ të PKMLSHJ drejtuar Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës; më 30 nëntor 1980, Letra e Komitetit Qarkor të PKMLSHJ për krahinën shqiptare nën pushtetin e Malit të Zi, drejtuar Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës; Në gjysmën e dytë të Nëntorit 1980, në formë Broshure u dërgua „Programi dhe Statuti PKMLSHJ“ në 147 faqe; Në dhjetor të vitit 1980, po e njëjta u dërgua në adresë të Kryesisë të KK të LK të Kosovës

VEÇANTIA NË PLATFORMËN PËR REPUBLIKË
Është për t’u theksuar dhe me këtë rast vërtetohet edhe njëherë se PKMLSHJ ishte e vetmja forcë politike në këtë kohë që vepronte në formë të organizuar për shtruarjen e kërkesës për Republikën e Kosovës, dhe se me 10 dhjetor 1980 në kuadër të Udhëheqjes së PKMLSHJ u morr vendim që të formohet Shtabi për Organizmin e Demonstratave gjatë vitit 1981. Me këtë rast u hartua një letër e cila iu drejtua Udhëheqjes së LK të Kosovës, në të cilën atyre ju bë me dije se po që se ata nuk marrin iniciativën që të shtrohet kërkesa për Republikën e Kosovës përpara organeve federale, PKMLSHJ do të i organizoi demonstratat me këtë kërkesë. Pos kësaj në këtë shkresë u tha se PKMLSHJ nuk ka pretendime për pushtet dhe se për kryetar të përjetshëm në krye të Republikës propozoi Fadil Hoxhën.

Megjithatë, organizimi i demonstratave nga ana e PKMLSHJ parashihej të realizohej në fillim të vitit shkollor 1981/82 dhe që ato të mbahen nën kontroll të disiplinuar në një afat sa ma të gjatë, gjegjësisht deri sa të fillojë dialogu zyrtar mbi njohjen e Republikës së Kosovës. Kjo, si formë e ushtrimit të një presioni politikë në suaza ligjore, e që si e tillë, çështja e Republikës nuk vinte në kundërshtim me rendin kushtetues të ish-RSFJ. Por, për shkak të gjendjes së elektrizuar politike nga shpërthimet e vazhdueshme të pakënaqësisë gjatë vitit 1979 – 80 në disa ndërmarrje e xeherore nëpër Kosovë si dhe në disa fakultete, disa herë në Qendrën e Studentëve e në Konviktet e shkollave të mesme, në kreun e PKMLSHJ-së u parapa mundësia që po që se ndodhë ndonjë shpërthim masovik i pakënaqësisë para kohës që PKMLSHJ kishte planifikuar demonstratat, atëherë të veprohet që atyre mundësisht menjëherë t‘u epet kursi drejtë kërkesës për Republikën e Kosovës, dhe mundësisht situata të mbahet nën kontroll.

DISA NGA VEPRIMET E PKMLSHJ ME 11 DHE 26 MARS 1981
Fakti se PKMLSHJ në strukturat legale kishte njerëzit e vet, deri edhe në Shërbim të Sigurimit të Shtetit të ngarkuar edhe me Universitetin e Kosovës, krijojë një lehtësim të madh për PKMLSHJ për të vu në zbatim strategjinë e vet të veprimit drejtë Republikës se Kosovës. Deri sa njerëzit e PKMLSHJ-së ishin aty, pushtuesi nuk kishte mundësi t‘i parandalonte ngjarjet që pasuan, sepse ajo nuk kishte informata as vlerësime reale të situatës.

PKMLSHJ më pas përmes drejtuesve, aktivistëve dhe anëtarëve të saj morri pjesë aktive në Protestën e 11 marsit 1981 dhe tentoje te plasoje kërkesën për Republike, ndërsa në Demonstratat e 26 marsit, 1, 2 e 3 prillit 1981 në Prishtinë arriti me ua dhënë edhe rrjedhën atyre, si dhe morri pjesë aktive në organizimin e demonstratave tjera që pasuan edhe në qendrat tjera të Kosovës.

11. MARS 1981
Kuadrat e PKMLSHJ edhe me 11 mars 1981 kanë tentuar që protestën studentore ta orientojnë politikisht duke e provuar të e lansojnë kërkesën për Republikën e Kosovës. Pos meje me 11 mars 1981 në mesin e studentëve ishin edhe dy anëtar tjerë (Adem Zeqir Prapashtica) të Udhëheqjes së PKMLSHJ që njëkohësisht ishin edhe anëtarët të Shtabit Organizativ për Demonstrata të caktuar me 10 dhjetor 1980 në mbledhjen e udhëheqësin ma të ngushtë të PKMLSHJ në Prishtinë. Pranë tyre prezent ishte edhe Fatmir Grajqevci me një grup simpatizuesish nga Prishtina.

Në mes 11 e 26 marsit 1981 nga ana e drejtuesve dhe aktivistëve të PKMLSHJ-së është bërë fare pak gjumë. Ditën duhej vazhdimisht të vizitoheshin tërë fakultetet, qendra e studentëve dhe shkollat e mesme. Të bëhej vlerësimi i gjendjes me drejtuesit dhe të mbaheshin kontaktet me Shtabin për Demonstrata dhe shkëmbeheshin informatat me gjendjen në teren. Në ndërkohë duhej të kryer veprimet e zakonshme, që të lihej përshtypje normale, ndërsa në orët e vona të natës një pjesë e Udhëheqjes së PKMLSHJ takohej vazhdimisht në bazën e saj ku ishte e vendosur edhe shtypshkronja e partisë. Çdo ditë përsëritej gati i njëjti ritëm.

25/26 MARS 1981
Me 25 mars 1981 në qendrën e studentëve në Prishtinë nga studentët e rrezikuar për t’u burgosur për shkak të protestës së 11 marsit u vendos që të nesërmen të organizohet një Miting ku kërkesë kryesore s‘do të ishte dhënia e garancive për mos arrestim të mëtejmë të pjesëmarrësve në protestën e 11 marsit. Kështu me 26 mars 1981 u dha rasti i volitshëm dhe ai duhej të shfrytëzohej mirë. Në mëngjes anëtari i Shtabit Organizativ për Demonstrata me një ekip të aktivistëve hyri në mesin e studentëve. Ata (Osman Osmani bashkë me shokët e tij që nga shkolla e mesme Adem Krasniqi e Osman Bytyqi, pastaj Adem Prapashtica, Nazmije Syla e Fahrije Osmani me shokë e shoqe të tyre, etj.) shumica aktivistë e simpatizantë të Organizatës edhe vet ishin studentë, për një kohë të caktuar krijuan atmosferën e duhur edhe e realizuan detyrën e vet me sukses. Ata ishin konspirativ dhe aq sa mundën pa u eksponuar personalisht lansuan kërkesën për Republikën e Kosovës dhe qëndruan në mesin e studentëve derisa demonstrata u sulmua dhe u shpërnda nga Njësia Speciale e Beogradit. Në ditët që pasuan në rrugët e Prishtinës po zhvilloheshin demonstratat nga ma të mëdhatë deri atëherë, tani me qytetar kryesisht prishtinas, sepse studentët dhe shkollarët e shkollave të mesme ishin tërhequr në shumicë nga kryeqyteti për në provincat nga vinin.

Ngjarjet e natës së 25 dhe të mëngjesit të 26 marsit 1981 nuk u shkëputën fare as në Qendrën e Studentëve e as në strukturën e institucioneve Komunale të LK të Kosovës, në krye me Asllan Fazlin, që po e përpunonte strategjinë politike për mëngjesin e 26 marsit 1981. SKPB i Kosovës dhe SPB të Prishtinës ishin angazhuar menjëherë me forcat e veta të armatosura rreth Qendrës së Studentëve. Milicia e postëkomandave nga të gjitha qendrat e Kosovës në diskrecion u bashkëngjitë atyre të kryeqendrës dhe ashtu të struktura në rrugët anësore rreth Qendrës së Studentëve po pritnin mëngjesin.

Gjatë 26 marsit 1981 angazhimi konkret rreth dhënies kahe atyre dhe shkuarja e parullave nëpër çarçafë (shtretërish) që shërbyen si transparente.

Më 1 prill 1981 shpërndarja e „Listën e parullave revolucionare“ , të cilat duhej brohoritur gjatë demonstratave, si dhe nëpër rrugët dhe në qendër të Prishtinës u shkruan parulla për Adem Demaçin.

Deri më 14 prill 1981, në nëntë raste shpërndarja e pamfleteve, trakteve revistave dhe shkresave dhe letrave të ndryshme edhe përmes postës (Në mes tjerash edhe SHKRESA drejtuar Sekretariateve Komunale dhe atyre Krahinore).

Letrat e PKMLSHJ janë adresuar në adresë të Titos, Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit, Xhevdet Hamzës, Ali Shukriut etj., si dhe në emër të institucioneve, varësisht nga kompetenca e instancave. PKMLSHJ ka biseduar edhe me kuadro tjera të LK për angazhimin e tyre në PKMLSHJ dhe në shumë raste është hasur në mirëkuptim. Ka pasur raste që nuk kanë pasur guxim që të angazhohen, por megjithatë e kanë ruajtur konspiracionin rreth PKMLSHJ dhe kanë mbetur vetëm simpatizues ose dhe këshilltarë për çështje të ndryshme. Por, ka pasur edhe intelektual të tillë që na kanë dëshpëruar fare duke u bërë vegla të Azem Vllasit e Rrahman Morinës dhe që kanë marrë pjesë aktive në diferecimin e kolegëve të tyre dhe janë angazhuar kundër kërkesës për Republikën e Kosovës.

Në nivel udhëheqësish të PKMLSHJ, pavarësisht se nga kush ka ardhur propozimi apo projekti i ndonjë letre a dokumenti, ato dokumente janë konsideruar si të përbashkëta, Nganjëherë i ka shkruar Abdullah Prapashtica, Osman Osmani me Nysret Ahmetin, Martin Quni, apo ndonjë tjetër. Instancat e ndryshme të PKMLSHJ kanë pasur të drejtë të trajtojnë probleme të ndryshme në suaza të programit të saj, dhe nuk kanë pasur nevojë të konsultojnë udhëheqjen e PKMLSHJ, sepse e kanë pasur pëlqimin programor për punë me vetiniciativë, prandaj nuk dihet gjithmonë saktësisht se kush janë autorë të të gjitha dokumenteve. Edhe pse PKMLSHJ ka pasur vetëm një arkiv, ato dokumente gjenden së paku në pesë arkiva të Beogradit, kështu që ato dokumente herët a vonë mund dhe duhet t‘i vihen opinionit në dispozicion.

27 MARS 1981, FERIZAJ
Në mbledhjen e zhvilluar në Ferizaj me drejtuesit dhe aktivistët e atjeshëm, pjesa e PKMLSHJ për Ferizaj vendosi që të dielën e datës 29 mars 1981, dita e paraparë për parakalimi i stafetës, të organizohej demonstrata. Ishin bërë të gjitha përgatitjet që të fillonte demonstrimi me kërkesën për Republikë. Ishin shkruar pllakatet e dyfishta, në njërën anë për Titon dhe stafetën e tij, ndërsa prapa tyre kërkesat si; Kosova – Republikë, Liri, Barazi, Drejtësi, etj. Shtabi Organizativ i Demonstratave një ditë përpara nga Prishtina në Ferizaj kishte dërguar anëtarin e vet (Osman Zenel Osmanin), i cili me veti kishte sjellë edhe afishen në të cilën ishin shkruar parollat që duhej brohoritur nga demonstruesit. Ishin siguruar edhe „petardët“ të cilët do të shënonin edhe fillimin e demonstrimit. Fitim Ramadani, i cili do ta barte për një kohë stafetën, ashtu si ishim marrë vesh, në momentin e caktuar do ta hidhte duke e thyer për toke. Në binën e qytetit ku do të mbaheshin fjalimet për stafetën, ishte caktuar një anëtar i shoqërisë kulturo-artistike „SHKA Kastriotët“, që nga bina me mikrofon të brohoriste: Kosova Republikë!

Shërbimi i Shtetit, UDB-ja famëkeqe, kishte ndërmarrë masa për të shuar me gjak këtë demonstratë. Abdullah Prapashtica, njëri nga drejtuesit e Shtabit Organizativ në Prishtinë, dërgoi nga Prishtina një kuadër duke kërkuar me ngulm që demonstrimi të shtyhej për të evituar një gjakderdhje me përmasa të mëdha. I të njëjtit mendim ishte edhe Ramadan Haziri me të cilin gjatë vitit 1980 ishin këmbyer mendime rreth kërkesës për republikë. Në takimin që u zhvillua më pas u vendos që demonstrata të shtyhej për 4 prill 1981.

Në ndërkohë u bë e njohur se Sigurimi do ta mbyllë tregun të shtunën e datës 4 prill 1981, se do të ndalonte autobusët me nxënës për të hyrë në Ferizaj, e tërë kjo për ta penguar demonstratën. Arsyeja e dytë ishte se punonjësit e fabrikës së drurit „Tefik Çanga“ në Ferizaj, kishin filluar një grevë dhe kërkonin autobusë për të shkuar në Prishtinë dhe për të protestuar kundër dhunës së pushtetit ndaj studentëve shqiptarë me 26 Mars 1981. Në krye të tyre ishin Rashit Mehmeti, Milaim Jashari, Rizah Matoshi e të tjerë.

Kjo ishte arsyeja që grupi organizativ në përbërje të ngushtë vendosi që demonstrata të fillonte me 3 prill, në kohën mes ndërrimeve mësimore të shkollës, kohë që përkiste edhe me ndërrimin e punëtorëve nëpër fabrika. Vendimi i shpejtë bëri që dy- tre pjesëtarë të PKMLSHJ-ës të mos informoheshin me kohë për këtë ndryshim. Megjithatë kjo nuk kishte rëndësi për të tërën, sepse lëvizjet ishin aq dinamike sa mungesa të vogla nuk mund të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve.

Në gjithë këtë organizim të përpiktë të aëtarit të KQ të PKMLSHJ Faton Topallit, rolin vendimtar kishin luajtur Fatmir Bajrami, dëshmori Afrim Abazi, Naim dhe Fitim Ramadani, Imri Ilazi dhe shumë aktivistë e aktiviste të tjera të Organizatës. Drejtuesit kryesor të kësaj veprimtarie në bashkëveprim ndër të tjerë edhe me Teuta Zymberin, Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, e të tjerë përbënin rrjetin, i cili do të përhapte kushtrimin për shpërthimin e demonstratës në Ferizaj. Në këto demonstrata ranë dëshmorë Sherif Frangu dhe Riza Matoshi, kurse u plagosen dhjetëra qytetarë.

Gjatë demonstratave që u zhvilluan më 3 prill në Ferizaj, në krye të demonstratës me flamur printe Nexhat Tërstena, pas tij flamurin e bartën e reja Vezire Kiki dhe më vonë Afrim Abazi, i cili u burgos me 11 mars 82 gjatë përgatitjes së shënimit të njëvjetorit të demonstratave dhe më pas ky dëshmor u mbyt me torturë nga kriminelët e UDB-së gjatë hetimeve më 19 mars 1982.

Organizata për Republikë – PKMLSHJ, para së gjithash përmes Faton Topallit e Fatmir Bajramit, të mbështetur edhe nga Ramush Topalli, zgjerojë rradhët dhe rrethin në vazhdimësi dhe periudha të ndryshme kohore me bashkëveprimtarë tjerë të shumtë, si me: Lumnije Azemin, Afrim Abazin, Sevdije Gjinolli, Naim Ramadanin, Fatime Gjinollin, Nysret Behlulin, Naim Nuredinin, Imrane Abdullahun, Fatmir Hysenin, Rafiz Halitin, Kadrijen Gashin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin, Shukri Musliun, Nazim Azemin, Xhavit Hazirin, Daut Azemin, Hamzë Azemin, Fehmi Hajrullahun, Imri Ilazin, Sejdi Sejdiun, Agron Ramadanin, Nazmi Shahinin, Shaip Veselin, Imer Shahinin, Ali Bibën, Arif Shahinin, Reshat Gashin, Ruzhdi Shahinin, Fatmir Avdullahun, Hysen Shehun, Xhevahire Avdullahun, Nasek Kukën, Islam Vishin, Xhevahire Rrahmanin, Halit Osmanin, Muhabi Azemin, Xhemajl Rashitin, Ismet Azemin, Skender Hajdarin, Fahrush Hajrullahun, Skender Emërllahun, Gazmend Bajrën,Teuta Vincën, Skender Sopën, Aziz Vishin, Hasan Selimin, Bajram Shaqirin, Ferinaze Isufin, Naim Hajrullahun, Hyzri Osmanin, Selim Deliun, Fatrmir Abdylin, Naim Sadikun, Florije Hajrullahun, Shahadije Nezirin, Fatmir Nezirin, Nadije Ramadanin e shumë të tjerë.

28 MARS 1981
PKMLSHJ në Qendrën e Studentëve me 28 mars 1981, organizoi përmes Osman Osmanit dhe Nazmije Syles një tubim me studentët që kishin mbetur aty. Shumica e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme ishin kthyer në vendlindjet e veta nëpër qendrat e tyre anë e mbanë Kosovës. Porosia e PKMLSHJ përmes bisedave të zhvilluare me aktivistë ishte që ata të shkojnë në vendbanimet e tyre (në fshatra, qyteza e qytete ku i kishin familjet e veta) dhe t´i tregojnë popullit se ç´kishte ndodhur me 11 dhe 26 mars në Prishtinë dhe të përpiqen të organizojnë protesta e demonstrata me kërkesën për Republikën e Kosovës duke e ndjekur shembullin e Prishtinës.

Me shkollarët e shkollave të mesme në Prishtinë, sipas marrëveshjes në Shtabin Organizativ u bisedua dhe u dhanë instruksione se si duhej vepruar gjatë ditëve të ardhshme. Strategjia ishte e njëjtë po si në Ferizaj edhe këtu preferohej që ditët e ardhshme gjatë pushimeve të gjata nëpër oborret e shkollave të këndoheshin këngë patriotike dhe revolucionare, për të mbajtur atmosferën e ndezur, ndërsa po sa të vinte lajmi se ka demonstrim në Qytet, atëherë të pritej koha e ndërrimeve dhe të shkaktohej marshimi i përbashkët në drejtim të qendrës së qytetit. Për bisedë me punëtorë ishte i angazhuar anëtari i Shtabit Organizativ, Osman Maqedonci, i cili edhe ka vepruar në mënyrë të ngjashme.

ROLI HISTORIK I HERONJVE TE PANJOHUR
Pas largimit të studentëve nga Qendra e Studentëve të Prishtinës me 28 mars 1981 dhe kthimit të tyre në vendbanimet e veta, ata nëpër rrethet e tyre së bashku me nxënësit e shkollave të mesme, punëtorinë dhe fshatarësinë vepruan de arritën për t’i zgjeruar demonstratat në gjithë Kosovën. Sigurisht se roli i PKMLSHJ dhe i grupeve dhe organizatave tjera ilegale në këtë kohë ishte prirës, por ato ishin tepër të vogla për punë me një lëvizje aq të madhe të popullatës, e cila morri pjesë masovikisht në demonstratat që pasuan më pastaj. Demonstratat e më vonshme i orientoi mirë vet kursi politik i kërkesës për Republikën e Kosovës, e posaçërisht intuita e vullneti i shqiptarëve në përgjithësi për veprime atdhedashëse si dhe roli i individëve anonim dhe aftësitë e tyre për orientimin e organizimin e masave në lëvizje e sipër. Rolin e këtyre herojve të pa njohur nuk duhet harruar kurr, sepse ata me zgjuarsi plotësuan çdo zbrazëti të prezencës të forcave ilegale. Kjo sidomos do të vjen në shprehje në demonstratat e 1, 2, 3 prillit 1981 dhe më vonë.

Pas intervenimit ushtarak dhe sjelljes ndaj kërkesave dhe demonstratave, si dhe pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas refuzimit të kërkesës për Republikës së Kosovës si kërkesë „kundërrevolucionare“ nga ana e LKJ dhe të federatës si tërësi, nuk mbeti tjetër rrugë pos përgatitja e kundërofensivës në fushën politike u pa se realizimi i Republikës Shqiptare në ish-RSFJ nuk do të mund të arrihej pa shumë gjak. Përpara PKMLSHJ doli detyra t‘i jep përgjigje kërkesave të kohës. Në radhët e saj u shtrua edhe çështja e shkallëzimit të demonstratave në lëvizje çlirimtare me propozim që nga një numër relativisht i madh njerëzish që gjendeshin në arrati të krijohen aradhet e armatosura dhe që në kufi me Shqipërinë të krijohet një territor i lirë nga i cili do të fillonte lufta çlirimtare. Udhëheqja e PKMLSHJ-së në konsultim me Skender Ibishin, ish-oficer në APJ dhe i ngarkuar në Udhëheqjen e PKMLSHJ me çështje ushtarake, i cili ishte kompetent për të thënë fjalën e fundit dhe vendimtare mbi këtë çështje. Skender Ibishi pas shtjellimit të problemit dhe shtrimit të një tabloje të gjendjes ushtarake në ish-RSFJ, në Shqipëri dhe mbi situatën në regjion na bindi se raporti i forcave ushtarake nuk është në favor tonin dhe se ne duhet të vazhdojmë aktivitetin tonë në fushen politike. Fjala e Skender Ibishit, si Këshilltar për çështje ushtarake ishte vendimtare dhe Udhëheqja e PKMLSHJ e miratoi qëndrimin e tij.

AKSIONE TJERA TË PKMLSHJ
PKMLSHJ ushtronte aktivitetin e vet të përgjithshëm në të gjitha viset shqiptare në ish- RSFJ, rrethet dhe qendrat e mbuluar më së miri ishin Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Kaçaniku, Vitia, Shtimja, Lipjani, Podujeva, Vushtrria, e tjera.

Në periudhën e pas demonstratave PKMLSHJ i organizoi 5 aksione politike në një kohë prej 2 muajve. Pos tjerash i drejtoi një letër mirënjohëse organeve të sigurimit publik të Kosovës, atyre që u sollën mirë ndaj demonstruesve. Pos kësaj dokumente të ndryshme ju drejtuan udhëheqjes kosovare si dhe atyre republikane dhe jugosllave. Me intensitet dinamik u vazhdua shpërndarja e dokumenteve të PKMLSHJ në rrethe të caktuara me instruksionet për veprim në programin e PKMLSHJ drejtë realizimit të detyrave të caktuara programore.
PKMLSHJ me 2 prill 1981 morri vendim që aktivitetin e vet t’a vazhdon me forcat e veta dhe formalisht e bëri shpalljen e Republikës së Kosovës, përmes të një akti i cili u botua në organin e PKMLSHJ për rini, në „ZERI I ATDHEUT„ ku u publikua edhe „STEMA e Republikës së Kosovës“ në të cilën ishte e shënuar data 2 prill 1981, dhe ku thuhej se kufijtë e Republikës së Kosovës përcaktohen me shumicën e numrit të banorëve në trojet tona etnike shqiptare të kufizuara me popujt fqinjë, etj. Ngjarjet e vitit 1981 për shumë arsye ndikuan domosdoshmërish në daljen nga konspiracioni. Kjo solli kuantitet dhe simpati ma të gjerë për PKMLHJ, sepse numri i anëtarëve, i kandidatëve dhe sidomos i simpatizuesve po rritej në formë marramendëse, por në formë rapide po rritej edhe rreziku i zbulimit dhe i goditjes nga ana e armikut. Masat që ishin ndërmarr kundër zbulimit ishin të mira por nuk siguronin plotësisht, sepse pavarësisht se PKMLSHJ nuk mbante regjistra të njerëzve, procesverbale, kopje të dokumenteve etj., aktivistët një ditë do të ndesheshin me provokator dhe se veprimtarët nga PKMLSHJ do të zbuloheshin pa tjetër.

Më 15 prill 1981, Kryesisë së KK të LK të Kosovës i arrin “Nota“ e dërguar më 14 prill 1981, me çrast merrej përgjegjësia për organizimin e demonstratave dhe kërkohej realizimi i kërkesave të shtruara në to.

Në mes 21 korrikut dhe 20 gushtit duke filluar së pari në Ferizaj pastaj edhe në Prishtinë dhe qendrat tjera të Kosovës u shpërnda dhe u dërgua përmes postës „Letra serbëve dhe malazezëve“ me anë të së cilës shpjegoheshin kërkesat e shqiptarëve dhe kërkohej edhe angazhimi i tyre në realizimin e tyre.

Po në këtë kohë u bë shpërndarja e gazetës „Revolucioni“ si organi PKMLSHJ dhe „Zëri i Atdheut“ si Organi Rinisë së PKMLSHJ, si dhe Dekreti Nr. 1. dhe 2.

Parashikimi i PKMLSHJ ishte se LK e Kosovës dhe anëtarësia e LKJ e komunistëve shqiptarë në republikat tjera do të bashkohen në Lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe se në mbrojtjen e saj do të venë në dispozicion gjitha institucionet para-shtetërore të ish KSA të Kosovës (Mbrojtjen Territoriale, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe anëtarësinë shqiptare të LKJ). Por, për bashkimin e tyre, si do të tregojë koha do të duhej një proces tepër i gjatë e i mundimshëm. Nga Udhëheqja e Republikës së Shqipërisë erdhi një përkrahje verbale, e cila përkufizohej në klauzolën që „…Kosova do të ndihmohet me të gjitha forcat e zemrës dhe të mendjes…” të deklaruar në Kongresin e 8-të Partisë së Punës së Shqipërisë-së, që për nevojat aktuale të Kosovës nuk mjaftonte. Pra, parashikimet për një homogjenizim ma të madh, mjerisht nuk u realizuan.

HOMOGJENIZMI KOMBËTAR
Më pas u punua në drejtim të homogjenizimit kombëtar. Procesi i homogjenizimit kombëtar u realizua vetëm në bazën e gjerë. Ata që ne menduam se munden të përfaqësojnë organizatat tjera ilegale, të ballafaquar me rrezikun e burgosjeve mbanin qëndrim të kujdesshëm. Ndërsa LK e Kosovës me tëra organet e organizatat e veta u rreshtua në anën e armiqve, pra kundër Republikës së Kosovës. Kështu homogjenizimi kombëtar rreth kërkesës për Republikën e Kosovës edhe pse i bashkoi shqiptarët e gjitha trevave, besimeve e ideve, nuk ia arriti t‘i bashkon udhëheqjet e Rrymave Politike që i përmendëm në fillim.

PËRVJETORI I PARË I 81-SHËS
Aktivistët e PKMLSHJ me rastin e njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981 bënë përpjekje sakrifikuese për shënimin në mënyrë të dinjitetshme të këtij përvjetori. Përkundër përpjekjeve të mëdha dhe me gjithë aktivitetet e shumta u arrit që ky përvjetorë të shënohet publikisht përmes demonstrimit në Prishtinë dhe Ferizaj, ndërsa në qendrat tjera pushtuesi ia arriti të pengoi zhvillimin e tyre. Në këtë organizim u dalluan Vahedin Azemi, i cili ishte drejtues i Shtabit për Shënimin e Përvjetorit për Prishtinë, Gjilan, Viti e Kaçanik, në qendrën e studentëve pastaj edhe grupet tjera që vepronin nga platforma e PKMLSHJ në Ferizaj, si grupi i të rinjve (kryesisht 16-16 vjeçar) “Ilegalët”, që më vonë ndërroi emrin në “Shote Galica”, dhe veprimtarët në Prishtinë, si Skender Vardari, Ahmet Islami dhe Sabit Gashi, të cilët përmes Fatmir Grajqevcit ishin të lidhur me PKMLSHJ.

ZBULIMI I AKTIVITETIT TË PKMLSHJ
Në vitin 1979 zbulimi i PKMLSHJ ishte fare afër. Gjatë hetimeve që po zhvilloheshin ndaj grupit të të rinjve të LNÇKVSHJ u burgos edhe një i ri, që ishte në kontakt me një të ri të PKMLSHJ, të cilin ai e kishte përmendur gjatë hetimeve. Mirëpo, deri tek zbulimi i parë i anëtarëve të PKMLSHJ ndodhi në verën e vitit 1981 në celulën e Shtimes. Dhjetëshi i atjeshëm i PKMLSHJ mbulonte organizativisht edhe Lipjanin. Aty kishte depërtuar një provokator, i cili kërkoi nga qendra e rinisë së PKMLSHJ në Ferizaj që dikush „ti vizitoj nga qendra”. Kjo edhe e zbuloi provokatorin, por nuk ndihmojë shumë, pasi që tanimë duhej llogaritur në arrestimet e asaj celule dhe ajo mund të zbulonte edhe lidhjen me qendrën e PKMLSHJ në Ferizaj. Ndërsa burgosjet në masë më të madhe nga radhët e PKMLSHJ u ndërmorrën gjatë pranverës së vitit 1982.

STRUKTURA DHE PËRMBAJTJA E ANËTARËSISË SË NDJEKUR POLITIKISHT E PENALISHT TË PKMLSHJ
Armiku arriti që tek në nëntor të vitit 1981 të bëjë zbulimin e parë dhe burgosë grupin e parë me anëtarë të PKMLSHJ. Nga 16 nëntorit 1981 deri kah gjysma e vitit 1982 u burgosën dhe u zhvilluan hetime torturuese ndaj së paku 116 vetave të dyshuar për anëtarë të PKMLSHJ, përbërja profesionale të cilëve ishte me sa vijon: 54 studentë, 21 nxënës të shkollave të mesme, 3 punëtorë, 5 daktilografë, 2 magjistra, 3 profesorë, 3 arsimtarë, 1 mësues, 1 ekonomist, 1 jurist, 2 teknikë, 2 milicë, 1 punëtorë i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 2 nëpunës, 1 zejtar, 2 të papunë dhe 4 pa profesion.

Nga ta 49 veta janë dënuar politikisht nga gjyqi i armikut me dënime nga 1 deri 14 vite burg. Në këtë numër përfshihen vetëm proceset e zhvilluara publikisht dhe të përcjella edhe nga mediat dhe është numër që përmendet edhe në literaturën e pushtuesit, ndërsa numri i saktë mund të epet vetëm në ardhmen pasi të janë mbledhur të gjitha të dhënat, ngase dihet se disa procese gjyqësore politike janë zhvilluar pa opinion dhe pa publikim në mjetet e informimit publik.

QËNDRIMI I AUTONOMISTËVE
Ish LK e Kosovës bashkë me institucioneve e saja të pushtetit, që në vitin 1981, e edhe më vonë, nuk e mohuan rolin e PKMLSHJ në organizimin e demonstratave. Përkundrazi ata e dinin këtë qysh para se të ndodhnin demonstratat e vitit 1981, përmes shkresave të ndryshëm të cekura më lartë ku bëhej me dije se çdo të ndodh, nëse ata vet nuk angazhohen për Republikën e Kosovës.

Megjithatë, Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, menjëherë pas demonstratave të parët u deklarua kundër Republikës së Kosovës dhe i pari u detyrua të japi dorëheqje pse nuk ka vepruar më herët kundër PKMLSHJ dhe kundër kërkesës për Republikën e Kosovës. Përpara popullit, ai i pari do të duhej të përgjigjej pse nuk ka vepruar për realizimin e Republikës së Kosovës, ndërsa i dyti, Azem Vllasi atëkohë jo që veproi me tëra forcat kundër Republikës së Kosovës dhe kundër të gjitha aspiratave patriotike, por ai më pas dashur a padashur u bë edhe vegla kryesore e Serbisë për likuidimin edhe të Autonomisë së ish KSA të Kosovës. Azem Vllasi me zyrtarë e funksionarë tjerë të Kosovës me 26 mars 1981 do të duhej të bashkoheshin studentëve e punëtorëve demonstrues dhe bashkë me të tjerët ta mobilozonin gjithë popullin shqiptar për Republikën e Kosovës, për të mos ardhur puna më pastaj të ngritet në mbrojtje të autonomisë të vitit 1974, me anë të së cilës pos tjerash legjitimohej edhe më tej ndarja dhe sundimi i popullit shqiptar nga tri republikat armike në ish-RSFJ. Këta dy zotërinjtë edhe pse e dinin të vërtetën, nuk pranë së përpjekuri që të hedhin mjegull dhe baltë mbi prapavijën e organizimit të tyre, vetëm e vetëm se ndryshe nuk munden të arsyetonin, njeri qëndrimin e vet kapitullues në vitin 1981 e tjetri paaftësine për të ruajtur edhe autonomin e pjesërishme të deriatëhershme.

LUFTA SPECIALE KUNDËR LËVIZJES SË RE DHE AKTERËVE TË SAJ
UDB-ja përmes bashkëpunëtorëve të vet, por edhe nga papjekuria politike dhe mungesa e syqeltësisë së personave të caktuar nga radha e grupeve të ndryshme ilegale, intrigonin kundër aktorëve dhe atyre që dolën në ballë të ngjarjeve të vitit 1981. E akuzonin Ali Lajqin dhe familjen e tij „si njerz të UDB-es”, si „bashkëpunëtor të Rankoviqit” e intrigime të tjera të shëmtuara, të cilat për fat të keq njerëzit pa ndërgjegje i përhapnin si të „vërteta”. Pas kësaj ofensive të komprimitimit të Ali Lajqit dhe të familjes së tij, filloi ofensiva për komprimitimin e demonstratave me parullën, “…se demonstratat i ka organizuar Beogradi…”, e të ngjashme.

E tërë kjo luftë intriguese mbi „organizatorët„ e demonstrate filloi të krijoi një situatë të turbullt dhe filloi të krijojë dilema në popull se kush në të vërtet qëndron pas kërkesës për Republikën e Kosovës. Kjo e detyroi PKMLSHJ që të dali publikisht dhe të marrë përsipër organizimin e demonstratave edhe pse qëndrimi ynë ishte që kjo të mos ndodh në këtë kohë. Me këtë veprim PKMLSHJ i ndali rrugën intrigave dhe përdorimin si kapital politik nga ana e UDB-es për ti thyer të burgosurit shpirtërisht. Por, ndodhi që organizatorët e Mitingut në Qendrën e Studentëve që u shndërrua në demonstrata me 26 mars 1981 dhe sidomos Ali Lajqi të bëhet objekt i injorimit dhe i intrigave nga disa grupe të burgosurish politikë që i takonin grupeve e organizatave ilegale, të cilët i besonin vetëm vetes dhe grupit të vet, që ishte karekteristikë tipike sektare e metafizike me të cilën do të ndeshen edhe të burgosurit e tjerë më vonë. Tehu i kësaj fushate ishte përqendruar kryesisht kundër anëtareve të Shtabit Organizativ të Demonstratave dhe shumicës së të burgosurve nga PKMLSHJ. Kjo fushat dhe atmosferë madje arriti të helmonte në masë të caktuar edhe diasporën.

QËNDRIMI I NJË PJESE TË ILEGALES
Sa i përket heshtjes së disa organizatave ilegale kjo është çështje në vete. Organizatat e deriatëhershme ilegale që vepronin në platformën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, mbas përkrahjes së kërkesës për Republikën e Kosovës që erdhi nga Tirana disa ditë pas demonstratave të vitit 1981, përfundimisht kaluan nga pozicioni i konservuar në përkrahjen e kërkesës edhe publikisht. Praktikisht edhe anëtarësia edhe ndonjë anëtar udhëheqës pa pritur qëndrimin zyrtar të organizatave që ju takonin u kyçën në demonstrata dhe dolën edhe në ballin e tyre. Bashkëpunimi mes aktivistëve ishte jashtëzakonisht i mirë dhe ajo krijojë mundësin e elektrizimit politik të popullsisë në gjitha trevat shqiptare.

PËRPJEKJET PËR BASHKËRENDITJE TË AKTIVITETIT
Me kusht të dekonspirimit, PKMLSHJ vendosi që të marrë kontakt me organizatat tjera të ilegales dhe të i bashkërendit veprimet. Meset ma të mira për këtë ishin në Prishtinë dhe Ferizaj, por edhe në qendrat tjera. Se si ka rrjedhur bashkëpunimi mes tyre kjo do të shtjellohet me ndonjë rast tjetër, nga ata që vet kanë vepruar në këtë drejtim. Në udhëheqjen e PKMLSHJ u shtrua për zgjedhje bashkimi i forcave të ilegales në një lëvizje kombëtare për Republikën e Kosovës. Lëvizje kombëtare kjo, e cila do të ishte në gjendje që nga demonstratat të vazhdon procesin politik duke e shndërruar kërkesën e shtruar në një Lëvizje të organizuar.

Deri me shpërthimin e demonstratave ka qenë qëndrim zyrtar i PKMLSHJ që përveç të kuadrove që ngarkohen me detyra të tilla konkrete, të tjerëve t‘ju ndalohet kontaktimi me persona të komprimituar si pjesëtar të ilegales, meqë ekzistonte dijenia se ata që ishin të zbuluar observoheshin nga UDB-eja 24 orë në ditë kjo e rrezikonte zbulimin e organizatës. Por, meqë posedoheshin informacione për organizatat tjera ilegale, ato edhe furnizoheshin me material propagandistik dhe kështu krijoheshin lidhje indirekte. PKMLSHJ qysh herët ka punuar në drejtim të vënies së lidhjes me Metush Krasniqit dhe me Ismalil Dumoshit (ndaj të cilit kemi pasur konsideratë të madhe dhe kemi besuar se ka ndikim tek pjesa tjetër e ilegales). Qysh herët ka ekzistuar vetëdija se në Kosovë nuk ka vetëm një organizëm të vetëm, por një lëvizje të rezistencës kundër sundimit të huaj. Prandaj kur ka ardhur deri te zbulimi dhe burgosja e anëtarëve të ndonjërës nga grupet apo organizatat tjera, PKMLSHJ e ka përjetuar si burgosje të shokëve e vëllezërve të një ideali dhe ashtu edhe ka reaguar. Një shembull që ilustron këtë: Në një mbledhje të Kolegjiumit të Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror të Prishtinës (që pos Prishtinës e Podujevës, mbulonte edhe Gllogocin dhe Lipjanin) ku u bë analiza e gjendjes politike nga aspekti i sigurisë (ishte fjala për kohën kur u burgosën shumë anëtarë të organizatave tjera ilegale, që në muajin maj 1980 u gjykuan me kundërvajtje e me dënime me burg ma të gjatë), pos tjerash aty u tha se pas këtyre burgosjeve të nëntorit 1979 „…irridentës iu thy kurrizi…”. Këtë deklaratë PKMLSHJ e përjetojë si një ofendim të rëndë ndajë gjithë Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Pasi u njoftua udhëheqësja e ngushtë e PKMLSHJ me përmbajtjen e kësaj mbledhje, u propozua që të organizohet një aksion në emër të këtyre organizatave për t’i treguar armikut se megjithatë rezistencës nuk i është thyer kurrizi! Kështu nga PKMLSHJ u organizua shpërndarja e një trakti në gjithë Kosovën ku muaji shkurt 1980 u shpall muaji i Adem Demaqit (me që ai e kishte ditëlindjen me 26 shkurt) dhe ku kërkohej që në mese shkollore, studentore e në vende tjera ku grumbullohen më shumë njerëz të shkruhet e të flitet për personalitetin e Adem Demaqit dhe ndër të tjera edhe të diskutohet për arsyet pse mbahet ai në burg.

PUNA NË DREJTIM TË BASHKIMIT TË ORGANIZATAVE ILEGALE
Pra PKMLSHJ e konsideronte veten si organizatë që i takonte një Lëvizje për Pavarësinë e Kosovës, ku militojnë më shumë organizata e grupe ilegale. Tek PKMLSHJ ka dominuar vetëdija se kjo lëvizje trashëgohet nga gjenerata në gjeneratë që nga Lidhje e Prizrenit e vitit 1878 dhe se nëse gjenerata aktuale nuk ia arrin të realizojmë Programin Kombëtar të Lidhjes së Prizrenit për krijimin e shtetit në kufijtë etnik ku aktualisht jeton Kombi Shqiptar, atëherë së paku gjeneratës së ardhshme t´ia lehtësojë sadopak këtë çështje duke bërë qoftë edhe një hap përpara. Nisur nga ky fakt dhe të vetëdijshëm se bashkimi i organizatave ilegale është kusht me rëndësi për shndërrimin e Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës nga lëvizja pjesërisht e organizuar dhe empirike në një lëvizje të organizuar dhe të centralizuar, PKMLSHJ veproi në këtë drejtim në mënyrë intensive. Një përpjekje e tillë (ekziston një dokument i vitit 1979) është bërë në drejtim të rrymave politike të Kosovës, me ç‘rast PKMLSHJ u bënë thirrje përfaqësueseve të Rrymës Autonomiste (të krahut progresiv) dhe Rrymës për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë për një takim ku do të diskutohej unifikimi i qëndrimeve drejt pavarësisë së Kosovës. Aso kohe PKMLSHJ nuk hasi në mirëkuptim. Megjithatë në këtë drejtim u vazhduan përpjekjet edhe më vonë. Kuadrot e PKMLSHJ morën kontakte dhe bashkëpunuan me pjesëtarët e organizatave tjera ilegale në teren, gjë që u intensivua gjatë dhe pas demonstratave të më vonshme. Në nëntor të vitit 1981 në Adapazar të Turqisë me iniciativë të PKMLSHJ, gjegjësisht komisionit të saj për bashkim u vunë kontaktet e para direket me përfaqësuesin e LNÇKVSHJ, me Sabri Novosellën dhe përmes tij edhe me Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën. Shkresat zyrtare të shkruara, si ajo e 5 dhjetorit 1981, shkëmbeheshin përmes tij. Përkundej masave të konspiracionit, UDB-eja dikah u informua se janë duke u zhvilluar bisedimet për bashkim të organizatave ilegale dhe me 17 janar 1982 në Gjermani bëri atentat ndaj Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla. Pas nje muaji (17.02.1982) u arrit Bashkimi i LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ në LR/S/SHJ, të cilit Bashkim më pas (më 15.05.1982) iu bashkangjit edhe OMLK.


 

Osman (Zenel) Osmani, shkollimin fillor, të mesëm (Akademinë Pedagogjike) si dhe studimet (në Fakultetin Juridik) i ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe është lindur. Në verë të vitit 1975 bashkë me Rexhep Maqedoncin e Abdullah Prapashticën angazhohet në një grup atdhetar të emërtuar ORA, prijatare e Organizatës për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – PKMLSHJ, të cilën e formojnë në verë të vitit 1978 në Prishtinë edhe me bashkëveprimtarë tjerë. Platforma për Republikë e së cilës u përkrah zëshëm dhe botërisht nga populli në pranverë të vitit 1981. Autori, pas arratisjes nga vendi, në nëntor 1981, si anëtarë i komisionit për bashkim në kuadër të Organizatës është pjesëmarrës në bisedime dhe bashkëthemelues i Lëvizjes për Republikë Shqiptare (LRSSHJ) më 17 shkurt 1982 në Ankara të Turqisë dhe me 15 maj 1982 në Biel-Bienne të Zvicrës.

Nga nëntori 1983 jeton në Zvicër, ku krahas punës së pandërprerë profesionale, arsimimit të lartë dhe veprimtarisë në kuadër të Lëvizjes atdhetare, është angazhuar prore në dobi të komuniteti shqiptar gjithandej si dhe në jetën shoqërore e politike të Zvicrës, dhe falë këtij angazhimi për vite të tëra ka ushtruar edhe mandate të ndryshme politike. Njihet si shqiptari i parë që është zgjedhur në një Parlamentin Kantonal të Zvicrës (2005) dhe si nismëtar dhe drejtues i projektit partiak për krijimin e strukturës për pjesëmarrje politike të migrantëve në kuadër të forcës së dytë politike në vend – Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, në organet më të larta e së cilës është zgjedhur dhe ka vepruar deri në pensionim. Edhe në këtë cilësi është angazhuar për marrëdhëniet mes Zvicrës e popujve e vendeve tona amë (Kosovë e Shqipëri) dhe përfshirjen e diasporës sonë në politikat ndërshtetërore si dhe në institucionalizimin e bashkëpunimin me partitë simotra të Zvicrës me ato në Kosovë e Shqipëri.