Vepër që ilustron në mënyrë të shkëlqyer diversitetin dhe vitalitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër

Vepër që ilustron në mënyrë të shkëlqyer diversitetin dhe vitalitetin e komunitetit shqiptar në Zvicër – vlerësoi ish-kryetari i Parlamentit të Zvicrës,  Doktor,  Victor Ruffy, ndërsa shkrimtari Driton M. Kajtazi, nënvizoi se libri rrezaton një harmoni pozitive, kurse shkrimtari Arbër Ahmetaj tha se, “Shqiptarët e Zvicrës-1001 pamje” është nga botimet me serioze e me te dobishëm të botuar ndonjëherë për diasporën shqiptare në Europë  

Më 26 janar në lokalin e Diskotekës ” Insomnia “, pronë e bashkatdhetarit, Rrahman Haradini, në Lozanë u mbajt promovimi i librit “Shqiptarët e Zvicrës-1001 pamje” të gazetarit Rexhep Rifati, bashkëpunëtor i të përditshmes sonë “Bota sot” . Në këtë eveniment të organizuar nga Shoqata e krijuesve Shqiptarë në Zvicër, që drejtohet  nga Besnik Camaj, kishte  figura shqiptare nga fusha e shkencës, artit e kulturës, si dhe të bizneseve e sporteve  e tjerë. Merrnin pjesë edhe miku i madh të shqiptarëve z. Victor Ruffy, ish-kryetar i Parlamentit të Zvicrës si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Zvicër, Ramadan Avdiu dhe konsulli në Gjenevë, Arjan Kashtanjeva si dhe përfaqësues të  Ministrisë së Diasporës.

Në fjalën e tij përshëndetës Doktor, Victor Ruffy, tha se: Jam shumë i nderuar të jem në mesin tuaj për të pranuar këtë libër dhe ju falënderoj.  I nderuar të figuroj në këtë përmbledhje të mrekullueshme të fotografive, i nderuar në mesin e zviceranëve që patën vend në këtë libër. E marr si një shenjë mirënjohje. Gjendem në shoqërim të mirë, me yje me renome ndërkombëtare, sikur Elina Duni që ne patëm kënaqësinë ta dëgjojmë në festivalin e fundit në Cully, Elina e cila po e rrugëton në tërë Evropën dhe madje botën. Po i gjej personalitetet e numërta që kam pasur privilegjin dhe kënaqësinë që ti takoj, dhe të tjerë që tani i shoh në rrethin familjar, profesional, shoqëror dhe që bëjnë jetë të afërt me atë që bëjnë Zviceranët.

Pos cilësive artistike, kjo vepër ilustron në mënyrë të shkëlqyer diversitetin, vitalitetin e komunitetit tuaj ; duke shfletuar faqet shohim se mbretëron një përshtypje e aplikimit, e seriozitetit, një humor i mirë, por edhe një butësi.  Libri yt, i dashuri Rexhep, mundëson po ashtu praninë e komunitetit shqiptar në sektor të ndryshëm të jetës helvetike, të shihet kontributi i tij e falë përpjekjeve të popullatave tona të ndërsjella, dhe të kemi kështu një bilanc pozitiv sa i përket integrimit.  Prania, shpesh vendimtare, e « secundos » me prejardhje shqiptare në ekipin zviceran është dëshmia më e dukshme e këtij integrimi, ndërsa asnjë dyshim se ata e ato që do të shikojnë këtë libër do të mbesin të habitur duke zbuluar kontributet e shumëfishta, pjesëmarrjen e lartë të komunitetit tuaj në zhvillimin e shoqërisë sonë. Me këtë rast po e japim fjalën integrale për librin nga shkrimtari Driton Kajtazi:

LIBËR QË RREZATON NJË HARMONI POZITIVE

Ajo që më bëri përshtypje në pamje të parë në Librin Shqiptarët në Zvicër, 1001 Pamje është një përmbajtje shpresëdhënëse që rrezaton një harmoni pozitive.  Rexhep Rifati nuk i anashkalon situatat e vështira, ndonjë dukuri negative aty-këtu por e vë në pah vetëm të mirën për t’i dhënë shembull e model veprimi situatave të vështira, përjetimeve të rënda.
Prof. Jean-Bernard Racine, në fjalën hyrëse të një ekspozite me fotografi që organizuam me të rinjë emigrantë në Universitetin e Lozanës në vitin 2001 thotë « se para se ti shoh fotografitë e dija se do të jenë të mira sepse të mirë janë njerëzit që i kanë bërë. »
Dhe njeriu i mirë Rexhep Rifati reflekton në këtë libër.
Një studim i gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon se rezultatet e nxënësve emigrantë varen në masë të madhe nga shikimi që mësimdhënësit i kanë për nxënësit.
Rexhep Rifati qe të paktën 20 vite është në kërkim të rezultateve pozitive të studentëve, të veprimeve që meritojnë të ndjeken. Dhe ky shikim pozitiv për një integrim në harmoni me vetveten, me prejardhjen, me ardhmërinë, pasqyrohet në këtë Libër.
Rexhep Rifati nuk bëri libër për ti bërë qejfin ca donatorëve që nganjëherë porosisin të vihen në pah vetëm tema negative në media por bëri një libër ku e mira mbizotëron.
Dhembja shekullore e një Kombi të tërë është motivim për Rexhep Rifatin.
Fjala Diasporë në etimologji do të thotë shkapërderdhje, dhe Rexhep Rifati bëri që kjo shkapërderdhje si në vendet nga vijmë ashtu dhe në vendin ku jemi tani, në Zvicër, të kristalizohet me një përmbledhje, ku pasqyrohen në mënyrë të jashtëzakonshme jetëra të tëra, përjetime të tëra.
Është shprehi që shpesh të flasim për ndonjë botim pa marrë guximin të kemi edhe ndonjë vështrim kritik.
Sikur libri të kishte titullin « Shqiptarët në Zvicër, 1001 punë», e jo «Shqiptarët në Zvicër, 1001 pamje» do të isha më kritik sepse janë ca pamje të ca personave në këtë Libër që nuk e reflektojnë medoemos edhe angazhimin dhe punën e tyre për të mirën e përbashkët.
Kur flasim për pamje e punë, do të doja të kishim në këtë libër pamje nga koncerti më i madh i organizuar ndonjëherë në diasporë, në Arena në Gjenevë për 100 vjetorin e Pavarësisë nga Z. Rrahman Haradini, pronar i lokaleve ku pikërisht sot po behet promovimi i këtij libri.
Ing. Mentor Ilazi, sot i pranishëm në këtë promovim por edhe shumë të tjerë që kanë punuar e vepruar të palodhshëm do të mund të kishin vend meritor sikur libri të kishte këtë titull “1001 punë” e jo “1001 pamje”.
Libri nuk është ndoshta i përkryer sepse po të ishte i tillë nuk do të mundej më askush të ketë në shënjestër të botojë libra të tjerë për shqiptarët e Zvicrës. Është e pamundur që në një libër të përfshihen jetërat e 270’000 shqiptarëve në Zvicër.
Libri nuk është i përkryer, por Rexhep Rifati ka bërë punë të përkryer.
Në një studim njëvjeçar të ISEAL-it mbi personat e moshuar shqiptarë në Zvicër, bartësi i Studimit, Z. Kujtim Shabani shkruan se i ka intervistuar 12 persona për të përmbledhur punën e tyre 406 vjeçare në Zvicër. Paramendoni sa vite jete e pune do të duhej që Rexhep Rifati të përshkruante jetën e 270’000 personave…
Rexhep Rifati nuk ka bërë libër por ka bërë ngjarje.
Rexhep Rifati nuk ka botuar një libër por ka shkruar një faqe të re për mërgatën, një kapitull të ri për gjeneratat që vijnë. FALEMINDERIT Baca Rexhep.
Driton Kajtazi

Ndërkaq shkrimtari Arbër Ahmetaj, me prejardhje nga Shqipëria, se sot po marr pjesë në Lozanë, në paraqitjen e një libri të rrallë: “Shqiptaret ne Zvicer-1001 pamje” me autor Rexhep Rifatin dhe se ky libër është nder botimet me serioze, nder librat me te dobishëm te botuar ndonjëherë për diasporën shqiptare ne Europe. Këtë eveniment e moderoi me shumë sukses Saranda Ademi- Gërvalla e cila edhe recitoi një poezi të xhaxhait të saj Zeqir Gërvalla. /Prointegra.ch