Tu mundësohet pjesëmarrja në votime edhe mërgimtarëve

 Zgjedhje parlamentare në Kosovë më 3 gusht 2014

 Bernë, 27 mars 2014

3 gushti 2014 është data më e preferuar për shumicën e mërgimtarëve tanë nga Zvicra, Gjermania dhe shtetet tjera Evropiane, pasi që kjo datë i bie në kohën kur në të gjitha këto vende edhe zyrtarisht janë pushimet verore shkollore, ndërsa shumica dërrmuese e mërgimtarëve tanë pushimet e verës i kalojnë kryesisht në vendlindje.

 Mërgata jonë në të gjitha periudhat kohore ka dhënë një kontribut për shoqërinë dhe vendin amë. Kryesisht që nga viti 1981 e këtej edhe si ambasadore (zëngritse e zëdhënëse) e kërkesave dhe luftës së drejtë të popullit tonë gjithandej. Mërgimtarët tanë, përpos që kanë kontribuar pandarë për të siguruar ekzistencën e familjeve dhe popullit në atdhe, jo rrallë dhe jo pak kanë kontribuar edhe në të gjitha fushat mundshme jetësore, si arsimore, shëndetësore, informative, si dhe në jetën e gjithmbarshme strukturore e infrastrukturore në vendlindje e atdhe. Është po kjo mërgatë që për më shumë se 10 vite mbështeti materialisht dhe profesionalisht institucionet paralele në kohën e aparteidit të shtetit të Serbisë në Kosovë dhe njëkohësisht që nga zanafilla, edhe përpjekjet e veprimet e para të përgatitjeve për luftë të armatosur çlirimtare. Mërgata në mënyrën më të ndërgjegjshme dhe të pakursyer mbështeti luftën çlirimtare si financiarisht, ashtu edhe me logjistikë dhe njerëz. Menjëherë pasluftës, po kjo mërgatë, me paranë e djersës së vet rindërtoi shtëpitë e shumta dhe vendin e shkatërruar nga lufta dhe përsëri mbajti gjallë njerëzit jo vetëm të familjeve dhe farefisit të vet në atdhe, por edhe nevojtarët e pastrehë, të sëmurit e shumëçka tjetër. Pra mërgimtarët kanë kryer të gjitha obligimet e tyre të mundshme njerëzore, qytetare, shoqërore e kombëtare.

Fakti se, sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet komunale të vendit në vitit të kaluar kanë votuar gjithsejtë rreth 1500 qytetarë të Republikës së Kosovës jashtë vendit, arsyeton dhe fuqizon këtë kërkesë dhe nevojë të drejtë dhe potenciale për vendin dhe shoqërinë. Kështu mërgimtarëve të shumtë për herë të parë në historinë e shtetit të tyre, për të cilin kanë merita të veçanta, do të duhej tu mundësohet pjesëmarrja edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes votës së tyre në vendvotimet e vendlindjes së tyre, me çka diaspora e Kosovës e përbërë prej 700 mijë deri 1 milion njerëz, do të filloj të bëhet pjesë aktive jo vetëm në proceset zgjedhore në Kosovë.

Është koha e fundit që ti jepet fund anashkalimit të diasporës dhe që institucionet përgjegjëse, KQZ-ja dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës, përpos kërkimit të kryerjes së obligimeve nga mëgata, tua mundësojnë mërgimtarëve, në këtë rast qytetarë të Republikës së Kosovës, të realizojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të drejtën e tyre elementare qytetare të garantuar edhe me Kushtetutë. Edhe përkundër mungesës të mëtejmë për të pas vende të parapara apo të rezervuara për mërgatën në Kuvend, bile tu mundësohet realizimi i të drejtës së votës në këto zgjedhje të përgjithshme për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.

 

Për të realizuar të drejtën e tyre njerëzore dhe qytetare të garantuar edhe me kushtetutën vendit, një grup mërgimtarësh, pjesëmarrës të seminarit më 16 mars 2014 për aktivistët sindikal shqiptar në kuadër të sindikatës Unia të Zvicrës, e cila ka afër 20’000 anëtarë me prejardhje shqiptare, morën vendim njëzëri që publikisht të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse dhe parlamenti i Republikës së Kosovës, që si datë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të caktojnë 3 gushtin 2014. Gjithashtu kërkohet krijimi i mundësive të votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës si dhe përmes postës elektronike, pa përjashtuar edhe mundësitë tjera. Kjo kërkesë si e tillë mbështetet edhe nga shoqata të ndryshme të bashkatdhetarëve të mërgatës shqiptare.

 

Mbështetësit (sipas radhës së konfirmimit):

AKTIVISTËT shqiptar të sindikatës Unia; Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “SHOTA” në Zvicër
Shoqata “PARANDALO” në Zvicër; Lidhja Shqiptare në Botë me qendër në Zvicër
Qendra profesionale për migracion “PROINTEGRA”;
Shoqata Shqiptare e Gruas “DRITA” Cyrih;
Bashkësia Shqiptare Shafhausen “AGSH/BSHSH”;
Institucioni ABSM Bazel;
Shoqëria Kulturo-Artistike “DARDANIA” Winterthur;
Ansambli “ARBËRESHA” Sirnach;
Grupi i Vallëzimit “RINIA” Spreitenbach;
Qendra e integrimit kulturor  “A. MOISIU” Zvicër;
Shoqata “GLATT-ALB” Opfikon-Glattbrugg;
Shoqata ILIRIA Leimen Gjermani,
Shoqata Nëna Terezë – Heidelberg Gjermani,
Shoqata ARBERIA Weischloch,
Unioni Artistik për Mërgatë – Tiranë