Sindikatat e Zvicrës: Pensionimi me 60 vjet në ndërtimtari duhet mbrojtur!

Ueber 15000 Bauarbeiter demonstrieren fuer einen besseren Landesmantelvertrag und die Sicherung der Rente mit 60. © Manu Friederich

Shumë bashkatdhetarë tanë në Zvicër kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me dekada të tëra në ndërtimtari. Puna në ndërtimtari është e rëndë. Pasojat shpesh ndjehen më vonë në formë të dhimbjeve dhe problemeve me gjymtyrët. Andaj, është shumë me rëndësi, që punëtorët e ndërtimtarisë të mund të gëzojnë pensionin më herët. Këto ishin edhe arsyet kryesore të cilat i detyruan punëtorët, që së bashku me sindikatën e tyre të kërkojnë pensionim të mëhershëm. Tash kjo e arritur sulmohet prapë nga punëdhënësit.

Nga Rexhë Halimi

Pas një luftë të gjatë dhe të rëndë nga punëtorët e ndërtimtarisë është arritur në vitin 2002 që të mundësohet pensionimi në moshën 60 vjeçare. Kjo mundësi është me rëndësi jetësore për të punësuarit në ndërtimtari dhe sot as që mund të mendohet që kjo të hiqet nga ky sektor. Fondi FAR është krijuar enkas për pensionimin e të punësuarve në ndërtimtari. Herë pas here kjo mundësi e pensionimit të hershëm sulmohet nga punëdhënësit me ambicie të zhdukjes së fondit. Përderisa ndërtimtaria në Zvicër nuk ka ndalje dhe firmat e ndërtimtarisë arrijnë fitime milionëshe, fare pak investohet në mirëqenien e punëtoreve.

Deri ne fund të këtij viti duhet të ri negociohet kontrata e përgjithshme për ndërtimtari (LMV) dhe gjithashtu prapë është sulmuar nga punëdhënësit fondi për pensionim të hershëm, FAR.

Si herrave tjera edhe këtë herë ndërtimtarët të bashkuar në sindikatën Unia duhet të mbrojnë bashkërisht pensionimin me 60 vjet. Mijëra anëtarë të sindikatës Unia së bashku me të punësuarit e sindikatës janë të vendosur për angazhim maksimal.

Pjesë e kësaj fushate dhe në ballë të aksioneve e aktiviteteve sindikaliste janë edhe dy bashkëkombës tanë: Hilmi Gashi e Xhafer Sejdiu.

Ne nga ta morëm nga një prononcim për  këtë temë të rëndësishme për punëtorët e ndërtimtarisë kryesore në Zvicër, ku siç dihet punojnë edhe shumë bashkatdhetarë tanë.

Hilmi Gashi, udhëheqës i sindikatës Unia në regjionin Bern Oberland dhe bashkë-organizator i shumë protestave, grevave dhe demonstratave theksoi: “Pensionimi me 60 vjet është një sukses i arritur me luftë të ashpër sindikaliste. Ky pensionim në këtë moshë për punëtorët e ndërtimtarisë është i domosdoshëm, kur të kemi parasysh se puna e rëndë në ndërtim dëmton shëndetin. Andaj, ne si sindikatë do të bëjmë çmos të mbrojmë këtë të arritur të drejtë” thekson sindikalisti profesionist Hilmi Gashi.

Xhafer Sejdiu, aktivistë shumëvjeçar në sindikatën Unia, i cili ndër të tjera është edhe kryetarë e grupit të ndërtimtarisë në Cyrih, vërteton dhe konkretizon më tej: “Pasojat e punës së gjatë nën kushte të vështira  janë zakonisht të natyrës fizike dhe si pasojë kanë, fjala bie, dhimbjet e gjymtyrëve. I rrallë është numri i ndërtimtarëve, të cilët e kanë pritur me shëndet të mirë moshën e pensionimit. Për këtë arsye, pensionimi i mëhershëm me 60 vjet është i shenjtë për punëtorët e ndërtimtarisë dhe ne duhet gjithsesi ta mbrojmë atë!”.

Të dy bashkëbiseduesit sindikalistë, aktivisti Xhafer Sejdiu dhe sekretari Hilmi Gashi, janë të bindur se, edhe kësaj radhe të bashkuar do ta mbrojmë Kontratën e përgjithshme të ndërtimtarisë si dhe do të ruajnë me çdo kusht pensionimi me 60 vjet me të njëjtin nivel të shumës së pensionit. Por, kjo sipas tyre mund të arrihet vetëm nëse ne të gjithë punëmarrësit bashkë qëndrojnë të bashku dhe janë solidar mes veti.

Prezantimi i bashkëbiseduesve tanë

Xhafer Sejdiu, 47 vjeçar

Xhafer Sejdiu është aktivistë shumëvjeçar në sindikatën Unia. Moment kyç, i cili ka ndikuar te ai të jetë më aktiv, është aksioni i punëtorëve të ndërtimtarisë me rastin e grevave të shumta për pensionim të mëhershëm.

Më vonë Xhaferi u zgjodh kryetar i grupit të aktivistëve shqiptar në Unia Zürich. Ky grup ka realizuar një seri aktivitetesh në sindikatë, me sindikalist dhe në komunitet.

Sot është  kryetarë e grupit të ndërtimtarisë në Cyrih dhe përfaqësues i Cyrihut në Asamblenë Nacionale të Sindikatës Unia. 

Hilmi Gashi, 51 vjeçar

Hilmi Gashi punon në Unia si bashkë drejtues i Sindikatës Unia në Berner Oberland

Me angazhimin e sindikatës Unia, sidomos të Hilmi Gashit para disa vitesh, pas disa aksioneve dhe grevës u arrit që të mbrohen të drejtat e punëtoreve në firmën e-therm AG, një filiale e Frutiger AG. Edhe këta punëtorë falë grevës së organizuar nga Hilmiu me kolege dhe kolegë kanë fituar të drejtën e pensionimit me 60 vjet.

Si sindikalistë i palodhur Hilmiu gëzon përkrahjen të madhe nga anëtarësia e gjerë e Unias dhe është i njohur për angazhimin e pandërprerë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Hilmiu është i afërt me punëtorë, punon pa hile dhe me përkushtim për drejtësi sociale dhe një shoqëri pa diskriminim. Kjo është edhe arsyeja, që ky të jetë i angazhuar në shumë shoqata për të drejtat e njeriut si “Solidarité sans frontieres” dhe kryetar i Komisionit të Ekspertëve për Migracion në qytetin e Bernës dhe autor i disa shkrimeve në temën e migracionit, sindikatave dhe bashkëjetesës pa paragjykime.