Shukrije Ramadani, ushtruese detyre e Qendrës Kulturore në Cyrih

Shukrije Ramadani në mesin e anëtareve të Ansamblit “Drita” në Kreuzlingen

Emërimi në këtë detyrë i bashkëshortes së hero Agim Ramadanit, një veprimtare shumëvjeçare në sferën e arsimit dhe kulturës, u mirëprit nga grupet dhe shoqëritë artistike shqiptare në Zvicër

Rexhep Rifati, Cyrih

Vendimi i Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, që pos në vende të tjera, një qendër kulturore të hapë edhe dhe në Cyrih, me qellim të promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të vlerave të saj edhe në këtë vend mik perëndimor, u mirëprit edhe nga mërgimtarët tanë në shtetin helvetik.

Njoftimi se tash në krye të kësaj qendre, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka emëruar zonjën Shukrije Ramadani, udhëheqëse të deritashme të divizionit për kulturë, rini e sport për diasporë, u mirëprit sidomos nga grupet, ansamblet dhe shoqatat kulturore, por edhe nga personalitete nga fusha e artit në Zvicër. Mërgimtarët,  zonjën Shukrije Ramadani, nuk e njohin vetëm si bashkëshorte të hero Agim Ramadanit, që dy dekada më parë pat themeluar Qendrën Kulturore Shqiptare në Cyrih, por edhe si mësuese të dalluar në mësimin plotësues shqip dhe si humaniste për sjelljen e fëmijëve dhe invalidëve të luftës nga Kosova për shërim në Zvicër. Pra atë që e filloi dhe e trasoi dy dekada më parë Agim Ramadani në fushën e kulturës, fati e deshi që e shoqja e tij, Shukrija, tash të vihet në krye të një qendre kulturore. Por kësaj radhe të shtetit të Kosovës, shtet për të cilin edhe u flijua Agimi me shumë shokë.

Me këtë rast, Shukrije Ramadani, për portalin tonë: prointegra.ch, shprehi kënaqësinë, që po i jepet rasti që në Zvicër, bashkë me organizmat e ndryshme kulturore të promovojë njohurit e përgjithshme për Kosovën, duke nxitur e zhvilluar edhe njohuritë për gjuhët, kulturën dhe trashëgimitë kulturore të Kosovës në shtetin helvetik, duke e pasur si urë ndërlidhëse mërgatën kosovare në Zvicër, që përbën një nga komunitetet më të mëdha e më dinamike nga radhët e të huajve në këtë vend.

Në mbledhjen e fundit Këshillit organizativ për organizimin e manifestimit qendror kushtuar 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që do të mbahet më 2 mars në Hörgen të Cyrihut, ku mori pjesë zonja Shukrije Ramadani, përfaqësuesit e grupeve artistike përshëndetën emërimin e saj në krye të kësaj qendre me seli në Altstette të Cyrihut, në objektin ku është edhe Konsullata e Kosovës.