Sa turp!

0
737

I.

Një teatër i dyfishtë po luhet në Tiranë. Teatër për teatrin! Protesata e aktorëve për ruajtjen e objektit të Teatrit nga revani i Kryeministrit shqiptar për ta shembur atë. Ata e shohin me dyshim qëllimin e tij për një teatër të ri. Ata e kujtojnë historinë e premtimeve të tij për rindërtimin e dy kinemave të kryeqytetit me vlera arkitektonike dhe historike, në vend të të cilave erdhën vetëm kulla. E kujtojnë fatin e stadiumit, murin e stilizuar të të cilit vetë ai e kishte shpallur monument kulture, sesi tani po vjen një stadium me kullë dhe pa murin historik!

Historia e teatrit zë fill para më shumë se një dekade. Me Kryeministrin kryebashkiak, përkatësisht ministër Kulture. Atëbotë teatri shpëtoi në saje të rezistencës së aktorëve dhe lëvizjeve në politikë. Me sistemimin në pushtetin qëndror, Kryeministri i është rikthyer atij rishtazi. Njëherë thuhej se teatri nuk do të shembet, njëherë se nuk do të ketë kullë… Tani thuhet se ai do të shembet dhe do të ketë gjashtë kulla në truallin e tij. Si çmim për një teatër të ri, të cilin Kryeministri e do më me zjarr se vetë aktorët.

Nga ana e tyre aktorët kërkojnë rikonstruimin e objekteve ekzistuese të Teatrit nga shteti. Duke e ruajtur arkitekturën e rrallë të tyre dhe vlerat që ka ai për historinë e kulturës dhe aktrimin shqiptar. Insistimi i Kryeministrit është që pjesa më e madhe e truallit të Teatrit t’i jepet një afaristi për biznesin e tij dhe ky si kompensim të ngehë një objekt për teatër në një cep të këtij trualli publik. Për çka Qeveria e ka gati edhe studion e arkitekturës dhe projektin!

Më duket një mendim që shkon për kontekstin: Aristoteli në revidimin e opinionit të tij për demokracinë dhe kredencialet e masës së popullit shënon: Sigurisht që për ngritjen e një shtëpie kompetent është specialisti i konstruktimit. Por se nuk bën pa e përfilluar edhe mendimin e atij që do të jetojë në atë strehë.

Ajo që skandalizon më shumë është dorëzimi i shtetit shqiptar: Nuk ka lekë për teatër! Qeveria socialiste e udhëhequr nga një kryeministër me vokacion artistik, që pretendon stërrritje ekonomike, që gjen miliona për palma e portale, për fushata e gjezdisje nuk kavërdis dot një teatër që u ka sjellë dritë dhe nder shqiptarëve. Për turpin e tij, Maqedonia e ish kryeministrit që tani po ngryset në burg filloi dhe po ngre Teatrin Shqiptar në Shkup. Me fonde publike.

II.

Tym i bardhë në bisedimet e Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit! Pas ca provave të dështuara, më në fund është arritur pajtimi për emrin e ri të vendit: Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është guri i fundit kilometrik në maratonën e integrimit të vendit, por shembja e barrierës më të zorshme në këtë rrugëtim. Aktorët e moçëm tani kanë filluar teatrin e rezistencës. Kryetari refuzon ta pranojë zgjidhjen. I kanë ngritur njerëzit në protesta. Por, ylli i tyre ka perënduar.

Qeveria e re me nxitim i amortizoi disa konflikte për të krijuar një klimë mirëbesimi ndërmjet aktorëve të përfshirë. Në planin e jashtëm dhe atë të brendhëm. Si ndërrimi i emrit të aeroportit të Shkupit. Si Ligji për Gjuhën Shqipe. Për turpin e tyre, partitë shqiptare mburren me një ligj të papërsosur, të cilin ua solli Kryeministri i ri, mbi një dekadë pas afatit për implementimin të Marrëveshjes së Ohrit. Për turpin e tyre, vetëm tani dolën nga hapsanet dhjetëra shqiptarë të burgosur politikisht në periudha të qeverisjeve që bënë.

Me zgjidhjen e çështjes së emrit po hapet një shteg për shqiptarët, që ishin bërë peng i krizave të bashkësisë sllave të Maqedonisë. Mu si malazezët në federatën e fundit jugosllave, që vuanin barrën e sanksioneve ndërkombëtare mbi Serbinë, pa u identifikuar me kauzën për të cilën sanksionohej ajo. Integrimi hap perspektivën e avansimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni me njëfarë automatizmi. Ata i kanë humbur shpresat te aktorët e tyre të lodhur, të cilët iu bindën turpshëm agjendave etnocentrike të kryeministrave maqedonas. Dhe nuk i besojnë verbërisht as vullnetit të Kryeministrit të ri. Ai nuk e mbajti premtimin për zbardhjen e „Monstrës“ dhe nganjëherë lajthit akoma.

Kryeministri shqiptar para ca kohe paralajmëroi mundësinë e penalizimit të Shqipërisë në hapjen e negociatave për integrimin për shkak të Maqedonisë… Së shpejti do ta mësojmë të vërtetën. Ora e apelit, kur do të bëhet bilanci i përparimit të këtyre vendeve po afon. Do të ishte turp i madh sikur të ndodhte e kundërta…, për faj të teatrove që luhen prej një çerek shekulli në vendin e shqiptarëve. Ndërkohë që i kanë të njëjtët këshilltarë me maqedonasit… e veriut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here