Lajmet e fundit
sqde
Home / Aktualitete / RESPEKTI DHE DASHURIA – FUNDAMENTI REAL I SHOQËRISË PROGRESIVE

RESPEKTI DHE DASHURIA – FUNDAMENTI REAL I SHOQËRISË PROGRESIVE

Në definicionin për shëndetin, pos mirëqenjes fizike, dhe psikike, bën pjesë dhe mirëqenia sociale. Njëri prej shkaktareve të kancerit kaq të shpeshtë në Kosovë, mendoj, është edhe rrethi i semurë social. Raportet sociale të helmuara, shkaktojnë herët a vonë vatrën e vet organike.

Shemsije ELSHANI

Meqë respekti e dashuria janë ndjenja që fillojnë prej vetes, është e natyrshme që njerzit të cilët nuk e respektojnë dhe duan veten, të mos e duan as tjetrin dhe të tjerët. Zhvillimi social i një shoqërie është tregues kryesor se në ç’bazë qëndrojnë raportet ndërnjerëzore – ato raporte të cilat kanë respektin dhe dashurinë për bazë, apo egoizmin.Vetëm shoqëritë e avancuara kanë arrritur që këto raporte t’i ndërtojnë mbi këtë bazë të shëndoshë – atë të respektit dhe të dashurisë, ndërkohë që këto raporte në shoqëritë e prapambetura ende ngriten mbi bazën e egoizmit. Kjo ndjenjë manifestohet në cilësinë – gjithçka e imja është e mirë, perfekte dhe e shkelqyer si: familja, gruaja apo burri, grupi a partia politike, grupi i interesit, anëtarët e këtij grupi përfshirë dhe simpatizantët, me një fjalë gjithçka është e shkrirë me mua është e mirë.

Jo rastësisht edhe gratë, pavarësisht titullit dhe personalitetit profesional që kanë, janë të dikujt dhe sa më e arrirë të jetë ajo në pamje, në profesion, aq më shumë rregullon imazhin e atij apo atyre që iu takon, ndërsa fëmijët gjenitë e babit e të mamit, po ashtu janë të mirë e të bukur.

Se me ç’prindër jemi rritur, ç’familje arritën të ndërtojnë prindërit tanë në këtë sistem vlerash, ç’rrethana shoqërore ndikuan në familjet tona dhe në vetë neve, tregon më së miri rezultati se si është bërë brezi ynë sot.

Për një çast, studjuesit e këtyre fenomeneve, poqëse do të ishin fare të sinqertë, me plotë gojën mund të thonë se, brezi ynë mund të cilësohet si brez i egoistave. Andaj, nëse analizojmë këtë fenomen nga ky këndvështrim kritik, qëndrimi kritik dhe hamendësues, se tjetra parti, apo iks komuniteti tjetër, respektivisht shtresa e segmente të tjera të grupacioneve të ndryshme, shoqatave e asociacioneve, apo përfaqesues të tjerë individual, mund të jenë ndryshe, është logjik.

Ata pak njerëz të përgatitur dhe të aftë, të cilët kanë arritur të përvetësojnë një sistem më të mirë të vlerave njerëzore, e që njëkohësisht do të kishin ndryshuar kahjen e procesit shoqëror, e më pas edhe atij politik në Kosovë; pushtetet e ndryshme, sidomos agjenturat e jashtme me shumë ndikim në Kosove, janë kujdesur ti heqin ata nga jeta jonë pak nga pak, qoftë socialisht, duke i mënjanuar nga pozitat vendimmarrëse, drejtuese, qoftë edhe fizikisht – me burgosje, largim jashtë vendit apo edhe vrasje deri në zhdukje totale.

Në këtë grup njerëzish, pa dyshim bënë pjesë Ukshin Hoti, njeriu me real dhe me vlera tërësisht progresive europiane, më potent i shoqërisë sonë, i cili, në bazë të njohurive të veta shkencore, e dinte që zhvillimi ynë fillon nga brenda, nga vetja, nga përceptimi i vetes, i dashurisë dhe respektit për veten. Kishte arritur të kuptonte pastaj se, nga këtu fillon edhe përceptimi i tjetrit, dashuria dhe respekti ndaj tij dhe të tjerëve.

Vetëm atëherë kur të kishim filluar të duhemi me njëri-tjetrin, kur tjetrin do ta duam si veten, nëse jo më shumë se veten, vetëm atëherë do të arrinim ta duam Atdheun dhe Shtetin. Dhe vetëm kur themelet e shtetit tonë do t’i vinim mbi këtë bazë, atëherë as me bomba atomike nuk do të na zhbënin shpirtin dhe qenien tonë shqiptare, identitetin tonë, qenien tonë si njerëz. Dhe përfundimisht vetëm atëherë edhe bashkimi me Shqipërinë do të vinte fare natyrshëm. Por, kjo nuk po ndodh tashti në keto përmasa të dëshirueshme dhe me tempon e duhur.

Prandaj shtrohet pyetja e pashmangshme:

– me ç’dreq probleme merren sociologët, psikologët, politologët dhe në tërësi bota akademike shqiptare, krijuesit … kur nuk mirren me arsyet reale të kësaj prapambetje sociale, nga e cila varet ekzistenca jonë edhe si qenie kombëtare dhe njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Poezi: Nuk i dua stinët

Jo, nuk i dua stinët. Padhembshurisht e fshikullojnë jetën Trajektores së kohës së njerëzimit Nuk ...