Përshtypje nga Facebooku

0
1373

Sa mban mend njerëzimi, buka ka qenë e para në hierarkinë e nevojave që ka njeriu. Tani, se kur han bukë duhet ta mësojë i gjithë njerëzimi, kjo nuk më hy në mendje. Pse duhet ta marrin vesh të gjithë se han, a çfarë han? Ka raste kur buka përbën një përjetim, por jo ajo që shoh në afishimet e miqve të mi në Facebook. S’e kuptoj që duhet lënë gjurmët e qëndrimit në një filial të McDonaldsit në rrjetin social me provën toponomike të Googleit! Çfarë të themi? Njerëzimit do t’i mungojnë përjetë këto imazhe, por falemnderit për dëshminë me hartë? Ju bëftë mirë!

Nuk besoj se ka njeri që nuk është krenar për pinjollët e tij. Kjo është arsyeja përse disa i ekzpozojnë kaq shumë fëmijët e tyre, nipat dhe mbesat në rrjetin social. Ata ose nuk e dinë se me këtë i ekspozojnë fëmijët e tyre ndaj rrezikut të abuzimit. (Kështu gjithsesi sugjerojnë psikologët, pedagogët dhe specialistët e sigurisë. Prandaj fëmijët është e ndaluar t’i fotografojnë pa autorizim edhe gazetarët për raportimet e tyre). Ose dashuria është më e madhe se frika. Po a nuk është frika pjesë e dashurisë? Qofshi krenarë gjithmonë! Por mos harroni edhe faktin që interneti nuk harron, dhe se pinjollët tuaj njëherë mund të mos jenë të lumtur me imazhet e tyre që keni përhapur ju.

Dhe janë ca, të cilët në qendër të vëmendjes e kanë veten e tyre. Ata të shfaqen në të gjitha pozat e mundshme. Në momente të rëndësishme dhe triviale, duke medituar, duke filozofuar, duke punuar, duke luftuar, duke u admiruar, duke u laureuar, duke u vozitur; në shtëpi, në shkallë, në ballkon, në rrugë, në kafe, në zyrë, në plazh, në kodër, në lodër, në vendlindje, në mërgim, në lindje, në perëndim, në jug, në veri; në vetmi, në shoqëri… Dhe, gjithmonë në fokus e kanë vetveten. Thua se kanë një sekretar që i ndjek dhe e dokumenton jetën e tyre. Ata të ftojnë t’i ndjekësh jo vetëm ku kanë qenë, por edhe ku do të jenë. Dhe, i ndjek dhe ua admiroj performansën! Vetëm se ende nuk më është tiposur në mendje ndonjë mesazh i tyre.

Pastaj është një tip tjetër, i kundërt me këtë të mësipërmin. Këta janë të vetëmohuarit. Ata janë gjithandej, por në shërbim të idesë tyre. Ata nuk kanë mesazhe private. As mendimet e tyre. As fare mendim. Ata janë të gjithë njësoj! Ata kanë një fiksim. Ata kanë vetëm parulla. Moto. Logo. Ata e afirmojnë idhullin e tyre. Ku është e ku s’është. Dhe e diskreditojnë kundërshtarin politik. Me citate, të miqve dhe të armiqve, kryesorja të flasin kundër kundërshtarit të tyre… të momentit. Këta luftojnë me imazhe, me montazhe, me sondazhe; me mish e me shpirt. Më shumë iu druhem se ç’i respektoj!

Identifikoj edhe një tip që nuk është i lidhur as me veten, as me familjen, as me partinë. Por me Shqiptarinë! Në mënyrën e vet. Ata e gjurmojnë qenien shqiptare në kohë. Ata shpalosin harta të vjetra që shqiptarët i nxjerrin banorët e parë të këtij rruzulli. Ata i afirmojnë gjetjet për prejardhjen shqiptare të Xhorxh Uashingtonit, Napoleon Bonapartit, Xhuzepe Garibaldit, Arkitekt Sinanit, Galileut, Qemal Ataturkut dhe shumë të tjerëve të një formati aspak më të vogël. Kur i ndjek këta të krijohet përshtypja se shqiptarët e sundojnë botën, kur gjykon esëll të del e kundërta: shqiptarët deri vrik ishin protektorat i organizatës gjithëbotërore dhe s’përparojnë një milimetër pa përfaqësuesit e botës në vend. Megjithatë i ruaj!

Dhe janë ca, të cilët në mënyrë rutinore gjithë ditën e lume shpërndajnë citate fetare dhe imazhe feje. Si ta kishin me normë. Ata nuk kanë mendime të tyre, qoftë për fenë. Nuk kanë as përjetime, asgjë. Nganjëherë ata nuk kanë as emër të saktë, e as fytyrë. Por ata kanë një detyrë: Të përhapin mesazhet nga faqe të tilla! Ç’kuptim ka kjo manufakturë, kjo industri? Identifikohet ndonjë i avazit „zbraz kupa e puth çupa“ që afishon imazhe plot dritë të minoreneve me shami! Për një zgjatim të këtyre të fundit buka, fëmijët, vetja, partia, Shqipëria dhe Perëndia janë ‚perandoria’ dhe ‚babai’ i saj i ri. Ata njëherë polemizojnë në trajtë monologu me botën përmes imazhesh, montazhesh, mesazhesh dhe argumentash të formuluara kush e di se ku. Por, ata të bien në qafë po u shprehe kritik për to. I dyshoj thellë!

Me këta të fundit, sikurse ata që islamofobinë e shpalosin si një vlerë, vrik nuk do jemi më miq as në Facebook.

Dhe nuk ka vetëm kaq. Ka edhe variacione të këtyre që spikatëm, të cilët mund t’i marrësh si personazhe romanesh, po qe i zoti për këtë. Njëri komunikon vetëm me të ‚mëdhenjtë’ dhe përmes të ‚mëdhenjve’ të artit, shkencës, biznesit, politikës. Miku! Një tjetër nuk lë njeri që takon pa shkrepur një foto. Njëri e fotografon veten vetëm nga i njëjti kënd. Ca shpërndajnë gjithë kohës bejte, dhe çështë e vërteta nganjëherë njëmend të lezetshme. Njëri na flet vazhdimisht në anglisht. Njëri nganjëherë na flet në maqedonisht. Tjetri nuk ia prish kurrë dialektit.

Simpatitë e mia i kanë gjithsesi ata që kanë për të ndarë një fat. Ata që duan ngushëllim për një humbje. Ata që spikatin me modesti. Ata që kumtojnë një rekord human. Ata që kanë një ide dhe pledojnë për atë. Ata që kanë një kauzë të mbarë dhe luftojnë për të. Ata që kanë kurajo. Ata që kanë shkruar një libër. Pse jo: ata që kanë lexuar një libër. Ata që kanë një mesele. Një poezi. Një varg të bukur. Një thënie të urtë. Ata që japin një këshillë të vyer. Ata që kërkojnë një mendje pa turp. Ata që kritikojnë me dashamirësi. Ata që urojnë me zemër. Ata që falin bujarisht. Ata që kërkojnë ndjesë burrërisht. Ata që e duan pajtimin. Ata që e respektojnë dallimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here