Në Cyrih u mbajtën “Takimet e Dhjetorit 2017”

0
131

Në këtë eveniment tradicional të krijuesve shqiptarë në Zvicër, juria e kryesuar nga Fran Tanushi shpërblimin Pena e artë „ Martin Camaj“ ia ndau Gani Bytyçit, ndërsa me vendimin e kryetarit Dan Kosumi nuk pati çmime të para, porse pesë nga poetët që konkurruan u shpërblyen me certifikata me motivin: “poezia më e mirë”.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në lokalet e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, dje ( më 16 Dhjetor 2017) u mbajtën TAKIMET E DHJETORIT 2017, të cilat tashmë janë bërë tradicionale në çdo fund viti. Në prani të një numri adhuruesish të fjalës së shkruar takimin e shpalli të hapur Dan Kosumi , Kryetari I Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Ai me këtë rast përshëndeti pjesëmarrësit e takimit, duke veçuar praninë e Mustafe Xhemailit- Ministër Këshilltar e të poetit Fran Tanushi, anëtar i Kryesisë së LKSHM, që erdhi nga Gjermania.
Në një fjalë përshëndetëse Mustafë Xhemaili, pasi përshëndeti në emër të Ambasadores së Kosovës në Bernë, Nazane Breca, përkujtoi se ambasada do të mbështesë në vazhdimësi krijuesit , duke e vlerësuar punën e tyre me interes jo vetëm për ta dhe letërsinë tonë, por edhe si një ndërlidhje kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës. Ai po ashtu shprehi kënaqësinë që numri i krijueseve dhe veprave të botuara po shtohet dita ditës edhe këtu në shtetin helvetik.
Përndryshe, pjesa e parë këtij evenimenti, filloi me një monolog të aktorit Adem Kicaj, kushtuar Gjon Buzukut dhe me një prezantimin e botimeve të autorëve shqiptarë në Zvicër, gjatë vitit 2017, që e bëri Gani Bytyçi. Ndërkaq, Murat Ajvazi, anëtari tjetër i kryesisë SHKSHZ, bëri prezantimin e revistës “Mirëdita”, në cilësinë e anëtarit të redaksisë që e boton atë.
Me pas kryetari e hapi orën letrare me karakter garues nga te pranishmit u zgjodh një juri për vlerësimin e poezive konkurruese në përbërje: Fran Tanushi kryetar dhe Bit Gecaj e Dan Kosumi, anëtarë. Juria shpërblimin Pena e artë „ Martin Camaj“ ia ndau Gani Bytyçit, ndërsa me Çmimet e Dhjetorit 2017, me motivin: „poezia me e mirë“ u shpërblyen poetët: Shemsi Makolli, Besnik Camaj, Miradije Maliqi, Ilir Xheladini dhe Shqipe Kajtazi Bytyqi. Ndërsa, me punime, por që kërkuan të jenë jashtë konkurrence u paraqitën edhe Isuf Sherifi, Shefqet Dibrani, Hyrije Jusufi, Nexhat Maloku e të tjerë.
Kësaj radhe, karakteristike, por edhe risi ishte vendimi i kryetarit, Dan Kosumi , që nuk pati çmime të para, të dyta apo të treta , ndaj edhe 5 krijues/e u nderuan njësoj me certifikatën, TAKIMET E DHJETORIT 2017. Me këtë rast, me mirënjohje nga SHKSHZ u nderua poeti Fran Tanushi, anëtar kryesie i LKSHM, si dhe nëna e njërit nga anëtarët e kryesisë se SHKSHZ, pasi ishte pjesëmarrësja më e moshuar!
Po në ngjarje kulturore u takuan edhe dy koleksionistë të njohur shqiptarë: Pirro Qendro nga Berati me banim në Itali dhe Ilir Xheladini nga Prishtina me banim në Zvicër, të cilët janë grumbullues të pasionuar të artefakteve me peshë dokumentare historike, rast ky që tregon se SHKSHZ është një shoqatë që tubon krijues fushash të ndryshme arti.
Takimin e sotëm e mbylli me një fjalë të kryetari Dan Kosumi, i cili duke e vlerësuar këtë takim si te suksesshëm, uroi krijuesit për angazhimin dhe punën e tyre dhe i ftoi ata që edhe në të ardhmen të jenë se bashku në emër te artit, krijimtarisë dhe vlerave. Gjithashtu falënderoi për mbështetje te përhershme Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih , në mënyrë që krejt në fund ndeja të vazhdojë me bashkëbisedim dhe me një apero rasti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here