Me 2 mars, në Horgen të Cyrihut, manifestimi qendrorë për 6 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në këtë manifestim të organizuar nga shoqatat kulturo-artistike dhe LAPSH-i , që mbështetet nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, marrin pjesë 16 grupe me mbi 300 pjesëmarrës, për çka tashmë këshilli organizativ  i ka bërë të gjitha përgatitjet, duke siguruar një sallë me mbi 800 vende.- Me këtë rast do të mund të blihen edhe monografitë e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota”, të Ansamblit “Arbëresha” dhe “Shqiptarët e Zvicrës-1001 pamje”

Rexhep Rifati

ko
Fotoja nga takimi i Këshillit organizativ për manifestimin qendror në Zvicër, mbajtur në lokalet e QSHK-së në Kreuzlingen

Në kuadër të 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, anë e kënd Zvicrës deri më tash janë mbajt një varg manifestimesh, ku shoqëri e grupe artistike si dhe shoqata të tjera, me pjesëmarrjen edhe të shkollës shqipe, kanë shfaq programe tejet masive e cilësore. Ndërsa që tash, të dielën me 2 mars do të mbahet manifestimi qendror që do të kulmojë me pjesëmarrjen e 16 grupeve artistike dhe nxënësve të mësimit plotësues shqip me mbi 300 pjesëmarrës.

Për këtë manifestim, që do të mbahet në Horgen, afër Cyrihut në restorantin e vëllezërve Kqiraj, që ka një kapacitet prej mbi 800 vendesh.  Adresa: Alte Landstr.24/8810 Hörgen, duke filluar nga ora 14. Këshilli organizativ që përbëhet prej përfaqësuesve të ansambleve artistike dhe LAPSH-it “Naim Frashëri” i ka bërë përgatitjet e nevojshme, me synim që ky tubim të jetë sa më masiv e cilësor. Koordinator i këtij këshilli është aktori Ramadan Morina, ndërsa që në punën e tij është angazhuar edhe Shukrije Ramadani, ushtruese e detyrës së Qendrës së Kulturës , me seli në Cyrih. Këtë manifestim e mbështet financiarisht edhe Ministria e Diasporës, ndërsa që në te marrin pjesë këto grupe dhe shoqëri artistike: “Gëzuar” Gjenevë, “Atdheu” Thun, “Shota” Aargau, “Rinia” Spreitenbach, “Vatra” Bylah, “Dardania” Winterthur, “Aktrimi” Cyrih, “Arbëresha” Sirnach, “Bashkimi” Ushter, “Drita” Kreuzlingen, QSHK “Besa” Kreuzlingen, “Dielli” Amriswill, “Sharri” , shoqëri boshnjake, “Pashtriku” St. Gallen, solistja me lahutë, Alshe Muriqi- Fetaj  dhe nxënësit e mësimit plotësues shqip përmes LAPSH-it “Naim Frashëri”, në Zvicër, ku shkolla shqipe e mësimit plotësues shqip në Rüti të Ostermundigenit, paraqitet me monodramën : “I kujt është ky plis?!”

Ky manifestim , ku ndonëse nuk marrin pjesë edhe disa ansamblet e njohura të Zvicrës frankofolëse, siç janë “Ilirët” e “Teuta” nga Lozana apo “Mërgimi” nga Neushateli , megjithatë paraqet një lloje revyje apo festivali të grupeve artistike të Zvicrës,  duke dëshmuar edhe njëherë se sa është e organizuar jeta kulturore shqiptare në shtetin helvetik në saje të vet organizimeve të shqiptarëve nga kantoni në kanton veç e veç, ku sidomos shquhen koreografët me përvojë shumëvjeçare. Organizatorët kërkojnë që asnjë grup të mos e kaloi montazhin mbi 10 minuta, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.  Këshilli Organizativ vendosi, gjithashtu që të mundësohet edhe shitja e monografive kushtuar ansambleve artistike dhe veprimtarisë kulturore të shqiptarëve në Zvicër, siç janë monografia e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota”, Ansamblit “Arbëresha” dhe “Shqiptarët e Zvicres-1001 pamje”.