Madhësia nuk lidhet me gjatësinë

0
975

I.

Se ç’kanë prirjen të bëhen të medhenj këta që në emër kanë diçka të “vogël”…!

Ka vetëm disa orë që është ndarë nga jeta Fadil Vokrri. Nuk janë bërë as dy ditë, dhe opinioni shqiptar zien nga kujtimi i veprës së tij. Ai çmohet si futbollisti më i madh shqiptar fare. Ndonëse i vokërr edhe me trup. Por, gjatësia nuk domethënë madhësi. I shkon ta ketë thënë Napolon Bonaparti.

Fadil Vokrri kujtohet, dhe do të kujtohet, për magjinë e lojës së bukur dhe dashurinë që iu ka mbjellë njerëzve për futbollin. Ai kujtohet për ngritjen e Klubit Futbollistik të Prishtinës në Jugosllavinë komuniste. Nuk harrohet kurrë mposhtja e ekipit serb më të mirë në Jugosllavi, Crvena Zvezdës, në Beograd me tre golat e Fadil Vokrrit. Më pak kujtohet sportiviteti i braktisjes së klubit të Prishtinës dhe radhitja në skuadrën tjetër serbe, Partizan. Në fund kujtohet kthimi i tij në Kosovë si kre i futbollit të shtetit më të ri të Evropës dhe integrimi i tij në federatën botërore të futbollit.

Fadil Vokrri u nda herët nga jeta. Aq më për keqardhje e bën këtë fakti që ai u largua në vigjilje të Kampionatit Botëror të Futbollit, një festë e madhe e të gjithë adhuruesve të këtij sporti. Por, edhe njerëzit e mëdhenj vdesin…

II.

Ja Qamili i Vogël, një shembull tjetër i vogël–i madh. Doajeni i këngës popullore shqiptare. Autori i qindra këngëve të paharruara të muzikës folklorike. Të kënduara vetë dhe që i ka përgatitur për talentët e rinj nga viset e shqiptarëve në Jugosllavi. Këngët e tij edhe sot janë më të mirat. Edhe pse publiku shpesh nuk e di që ato krijime të bukura janë të Qamilit të Vogël. Si ajo kënga „Kush ma s’pari bani, more djalë kurbetin“.

Njeri i madh është edhe ai mërgimtari që lindi në një familje të madhe e në një shtëpi të vogël në Kosovë. E cila zvogëlohej akoma, sa më shumë që rritej ai. Gjthçka bëhej më e vogël, vetëm varfëria bëhej më e madhe. Ai që jeton prej mbi 40 vjet pa familjen e tij në Zvicër. Një jetë vetëm nga puna e rëndë dhe gjumi i lehtë. Pa njeri t’i thoshte „mirëardhsh“ në mëngjes e „a u lodhe?“ në darkë, „a u ngope?“ me bukë e „haj ta pimë një kafe“.

Ai që u sëmur rëndë dhe nuk vdiq, se u duhej të gjithëve. Ai që u rrobëtua për familjen e gjerë dhe për familjen e ngushtë. Ai që paguhej një herë në muaj e paguante disa herë në muaj. Për trepërqindshin, për vendlindjen që thërriste… Ai tani është në pension dhe nuk mund të kthehet te njerëzit e tij në vendin e lindjes, sepse Zvicra atje nuk ia paguan pensionin. Dhe, sa më e madhe bëhet familja në Kosovë, aq më e rëndë bëhet vetmia në Zvicër. Në një dhomë shumë më të vogël se shtëpia e fëmijërisë në Kosovë, që tani i duket e madhe! Ai që ka vetëm dëshirën të kthehet në vendlindje, mallkon: Kush ma s’pari bani, more djalë kurbetin…

Ai dhe shumë si ai pardje kanë marrë një sihariq: Më në fund, pas gati një dekade pezullimi, Zvicra e ka nënshkruar Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Kosovën. Ata dhe familjarët e tyre këtë marrëveshje ia kanë për nder angazhimit të një komuniteti të vogël emigrantësh shqiptarë në Zvicër. Kurse kalvarin e fundit ndonjë bashkëatëdhetari që i kishte shkrepur t’ia hidhte Zvicrës me një pension të rremë, dyshimit zviceran dhe atyre politikanëve që i dendën e s’u dolën për zot.

III.

350’000 vetë thuhet kanë ikur nga Shqipëria viteve të fundit. Vetëm Qeveria shqiptare nuk thotë kështu. Mjerisht nuk është për t’i besuar as Qeverisë, as opozitës… Mirëpo janë të dhënat e vendeve ku përfundojnë emigrantët shqiptarë në Perëndim. Dhe ato sugjerojnë që shqiptarët konkurrojnë me të arratisurit nga vatrat e luftës në botë.

Këtë javë mediet po raportojnë ethshëm për një projekt të ngritjes në Shqipëri të një kampi refugjatësh nga Lindja. Thuhet se në Shqipëri do të vendosen jo vetëm refugjatë që vijnë nga vatrat e luftës, por edhe ata që do të kthehen nga vendet e Perëndimit. Dhe thuhet se në Shqipëri do të riedukohen luftëtarët e Shtetit Islamik.

Të gjitha janë zbuluar nga mediet e huaja, jo nga ato shqiptare. Janë rrëfyer nga kryeministri bullgar dhe jo nga ai shqiptar. Çështja shihet si një punë e kryer. „Le Monde“ këtu identifikon një shkëmbim nderesh për hapjen e negociatave të integrimit. Mu sikur e kanë zakon politikanët shqiptarë t’i plotësojnë standardet duke i pëlqyer Perëndimit. Mu si me rastin e zhbërjes së helmeve kimike siriane…

Padyshim se Qeveria ka autoritetin të marrë vendime të mëdha. Por që qytetarët t’i mësojnë ato të fundit, të cilat në instancë të fundit iu përkasin atyre, vetëm më në fund mund të quhet demokratike. Aq më tepër që ta kuptojnë nga mediet e huaja dhe nga kryeministra të huaj. Kryeministri shqiptar deri më tani nuk e ka sqaruar përfundimisht publikun se ç’ka të vërtetë në këto deklarata serioze.

Kryeministri shqiptar është i gjatë, por… Kapiten Feti Vogli, i rënë në misionin e Afganistanit, është i madh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here