Home / Aktualitete / Heshtja e së ligës si bashkëfajësi

Heshtja e së ligës si bashkëfajësi

Pranimi i një realiteti represiv si i pandryshueshëm rezulton në dorëzim të përgjegjësisë individuale. Kur heshtim mbi të ligën, a nuk bëhemi pjesë e saj? A nuk shndërrohemi vetë në krijues të po atij realiteti represiv?

Luljeta Aliu

Klientelizmi dhe korrupsioni, fenomene për ekzistencën e të cilave faji kryesor bie mbi institucionet, janë diskutuar me lehtësi nga pozita e vëzhguesit të papërfshirë në to. Mirëpo nuk mjafton vetëm identifikimi i akterëve të tjerë si fajtorë për problemet e shoqërisë sonë. Përkundrazi, një vetëreflektim mbi përgjegjesitë individuale për ndërtimin e realitetit tonë do të shërbente si pikënisje për një riorientim dhe korrigjim shoqëror. Sepse ne, me apo pa vetëdije, shpeshherë bëhemi bashkëpunëtorë në mirëmbajtjen e një sistemi shoqëror të çakërdisur. Si për shembull me qëndrimin tonë indiferent, e në rastin më të keq përkrahës ndaj personave të rrethit tonë kur ata shkelin ligjin, bëjnë padrejtësi apo edhe krim. Edhe krime kur bëjnë ne i mbyllim sytë. Sepse është i joni. Mundohemi ta mbrojmë, amnistojmë dhe jemi shumë kreativë në thurjen e arsyetimeve shfajësuese në favor të tij.

Mirëpo shteti dhe rendi nuk mund të ndërtohen përderisa marrëdhëniet tona ndërnjerëzore janë primare në listën e motiveve tona të veprimit. Sidomos demokracia si sistem i mirëmbajtur në bazë të përgjegjësive të shumëfishta dhe të shpërndara, pjesë thelbësore e ka angazhimin e qytetarit për të mirën e përbashkët. Shteti, rendi, ligji dhe shumë institucione janë të mira të përbashkëta të shoqërisë, mungesa e të cilave do të na shpiente në vuajtje të secilit dhe në kollaps shoqëror. Mirëpo për t’i ruajtur dhe forcuar duhet të kuptojmë esencialitetin e tyre dhe t’i respektojmë më shumë se çdo gjë tjetër, madje edhe më shumë se familjarët tanë. Sepse janë vetëm këto, të cilat në botën e civilizuar e garantojnë sigurinë dhe mirëqenien tonë personale. Fatkeqësisht, ende në Kosovë më shumë respektohen lidhjet personale sesa shteti, rendi dhe ligji. Kjo vërehet kur punëtorët e një institucioni në rast kur një koleg i tyre i shkel parimet e institucionit dhe profesionalizmit dhe e keqpërdor detyrën, kolegët e tij në vend se ta denoncojnë, mundohen t’ia fshehin shkeljet. Kjo dukuri është e përhapur gjithandej nëpër institucionet tona. Përderisa të mos kuptojnë këta njerëz se është pikësëpari në interes të tyre personal të mos i mbrojnë shkelësit e ligjit, nuk do të ketë progres. Sepse ata përmes veprimeve të tyre po e mirëmbajnë një sistem, i cili e vështirëson realitetin e secilit prej nesh, pra edhe realitetin e atyre personave të cilët e mirëmbajnë.

Vetë kohëve të fundit kam qenë dëshmitare e shumë parregullsive nëpër gjykata. Më së shumti më ka irrituar refuzimi i avokatëve që të ndërmarrin hapa ndaj kolegëve të tyre gjykatës, edhe pse gjykatësi qartazi i merr vendimet e tij me plot vetëdije dhe përkundër protestimit tim duke u bazuar mbi fakte të manipuluara, për çfarë do të duhej të ndiqej penalisht si bashkëpunëtor në një krim e jo të jetë instanca, e cila e jep verdiktin mbi atë çështje. Hataja më e madhe është se avokatët, edhe pse si përfaqësues të palës sipas detyrës duhet të reagojnë kundër atij gjykatësi, ata refuzojnë ta denoncojnë atë. Dhe me çfarë arsyetimi? „Jo, se e kam koleg.“ Qytetarët tanë më shumë rëndësi i japin marrëdhënieve personale sesa drejtësisë, ligjit, shtetit. Kësisoji ata bëhen bashkëpunëtorë të një sistemi, i cili nuk është i interesuar të ofrojë mirëqenie për qytetarët, por cak kryesor e ka mbajtjen e pushtetit përmes apatisë dhe nënshtrimit qytetar. Kur e mbron një shkelës të ligjit nuk ke bërë një vepër të mirë, pa marrë parasysh a e ke koleg apo familjar. Fajtor për degradimin e vlerave në shoqërinë tonë dhe realitetin e hidhur ngulfatës nuk janë vetëm politikanët dhe sistemi, por jemi edhe vetë ne.

Sepse e liga nuk është vetëm vullneti djallëzor për të bërë keq. E liga është edhe refuzimi apo paaftësia për të logjikuar mbi përmasat dhe pasojat e veprimeve tona. E liga mund të ketë ndoshta fillin në një qëllim djallëzor apo të pamoralshëm, mirëpo rrallëherë një e ligë mund të implementohet pa mbështetjen e shumë individëve apo një pjese të shoqërisë. E liga nuk e tregon veten si të ligë para nesh, por kamuflohet si një e mirë. Heshtja e avokatëve ndaj shkeljeve të gjykatësit nuk shihet si e ligë, por si e mirë, meqë po e mbrojnë kolegun.

Gjatë reflektimit rreth kësaj teme gjeta se ne mund të gjindemi në katër situata kur si qytetarë bëhemi bashkëpunëtorë në realizimin e së ligës, e cila na dëmton edhe neve personalisht. Situata e parë është kur mendojmë se marrëdhëniet personale janë vendimtare për mirëqenien tonë dhe të shoqërisë në përgjithësi. E dyta ka të bëjë me vështirësinë e dallimit mes së mirës dhe të ligës shkaku i natyrës manipulative të së ligës dhe kamuflimit të saj nën petkun e motiveve fisnike të rrejshme. Situata e tretë ndërlidhet me penetrimin e së ligës në të gjitha poret e shoqërisë duke krijuar një sistem të tërë qarkor të mirëmbajtjes dhe riprodhimit të saj përmes kapitulimit shpirtëror të individit para përmasave kolosale të shtrirjes të së ligës. Njeriu thjesht dorëzohet në apati duke humbur besimin se mund të ndryshojë diçka. Kështu gjindemi në situata absurde dhe surreale të të qenit dëshmitarë të shprehjeve „jemi shoqëri e kalbur, por nuk ke çfarë bën, duhet të pajtohesh me realitetin!“. Sistemi ka arritur që një numër shumicë e qytetarëve t’i sjellë në një pozitë kapitullimi dhe njëherit pranimi të bashkëjetesjës me një realitet „të kalbur“. Kjo po që është humbje e dinjitetit. Njeriu pra e kupton kalbësinë dhe kapacitetin dëmtues të realitetit të tij, mirëpo është dorëzuar para pafuqisë së tij për të bërë një ndryshim, duke e pranuar atë realitet. Kjo është skllavërim shpirtëror, zhveshje nga përgjegjësia për realitetin tonë dhe rezulton në zhveshje të njeriut nga të qenit njeri. Po, është vjedhje tinzare dhe mohim i dimensionit njerëzor të qytetarëve. Njeriu dallon nga kafshët tjera vetëm shkaku i posedimit të arsyes (arsyes si aftësi logjikimi) dhe mundësisë së komunikimit të reflektimeve tona. Arsyeja nuk ka qëllim vetëm aftësinë e të menduarit. Qëllimi final i arsyes është të vihet në funksion të dallimit mes së mirës dhe së ligës, ka thënë Hannah Arendt. Posedimi i arsyes na ngarkon me përgjegjësinë individuale për të vënë arsyen në funksion të dallimit mes së mirës dhe së keqes. Kur një sistem ka arritur të paralizojë trurin e pjesëtarëve të saj në momentumin e kapitulimit para realitetit, sistemi i ka zhveshur ata nga kualiteti i të qenit njeri duke e lënë të besojë së është i paaftë të rezistojë.

Frikësuese është në këtë mes sidomos mosnjohja apo mosperceptimi i fajësisë dhe bashkëpunimit tonë. Secili prej nesh e ndjen veten të pafajshëm. Ne bëhemi pjesë e së ligës duke e mirëmbajtur atë nëpërmjet dorëzimit të përgjegjësisë dhe pranimit të realitetit si të pandryshueshëm. Kësisoji, pa vetëdije, shndërrohemi në krijues të një realiteti vrasës për vetveten. E kjo është tragjedia jonë; sepse duke menduar se po veprojmë drejtë, në fakt ne jemi duke e rrënuar veten.

Situata e katërt që mund të na shpiejë në bashkëpunim me të ligen është mosdija. Paaftësia për t’i kuptuar këto ndërlidhje dhe pasoja të veprimeve tona ndoshta ka të bëjë me faktin se ketëj viseve tona nuk ka prekur vala ndritëruese e iluminizmit. Iluminizmi ka mundur të mbërrijë në zonat e sunduara nga Austro-Hungaria asokohe, por jo në zonat e sundimit osman. Natyra e ngadalshme dhe shpeshherë vetëdëmtuese e zhvillimeve tona shoqërore dhe e shtetit rrjedh nga mosinternalizimi i parimeve të iluminizmit, pra nga mosprania e një hapi filozofik të rëndësishëm gjatë rrugëtimit historik të qytetërimit drejt modernitetit. Viset tona nuk e internalizuan kuptimin dhe thirrjen e iluminizmit, që thotë se iluminizmi është dalja e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar. Immanuel Kant shkruan se ajo papjekuri është e vetëshkaktuar kur shkaku i saj nuk është mungesa e arsyes, por mungesa e vendosmërisë dhe guximit për ta përdorur arsyen. Njerëzit përtojnë dhe frikësohen të mendojnë vetë. Përtacia dhe frika janë shkaktarët pse njerëzit preferojnë të mbeten të papjekur. Kjo është arsyeja pse më lehtë e pranojmë një realitet të hidhur të ndërtuar nga të tjerët për ne, se të marrim përsipër përgjegjësinë individuale për realitetin e jetës sonë. E dorëzojmë detyrën tonë themelore si njeri për përdorimin e arsyes në funksion të dallimit mes së ligës dhe së mirës.

Luljeta Aliu

Luljeta Aliu

Luljeta Aliu është duke doktoruar në Shkenca Politike në Nurenberg të Gjermanisë me fokus Marrëdhëniet Transatlantike. Ajo ka mbaruar studimet interdisiplinare për Shkenca Politike, Letërsi Gjermane dhe Të Drejtën Ndërkombëtare në universitetin e Cyrihut, Zvicër, ku edhe ka shkruar master për vendimmarrjen ushtarake në misionet shumëkombëshe. Fushat e saj të interesit shkencor janë politikat ndërkombëtare të sigurisë, politika e jashtme, gjeopolitika dhe mobilizimi social. Ajo është edhe aktiviste e shoqërisë civile në Kosovë dhe si njohëse e çështjeve politike, kontribuon përmes analizave dhe shkrimeve të saj në mediat kosovare. Luljeta Aliu shkruan për gazetat në Kosovë dhe gazeta zvicërane…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*